|
A është prej natyrës njerëzore që robi ta dijë se atij i kërkohet që nesër të paraqitet përpara mbretërve, për tu dënuar me dënimin më të rëndë ose për tu shpërblyer me shpërblimin më të madh, ndërkohë që e ngrys natën i shkujdesur, i pavëmendshëm, duke mos u përgatitur për këtë takim dhe duke mos u frikësuar për të?
Kritika ndaj njerëzve të mashtruar
Njerëzit më të mashtruar janë ata të cilët janë joshur nga jeta e dynjasë dhe kënaqësia e shpejtë e saj. Ata kanë preferuar këtë botë mbi jetën e botës tjetër.
Madje, disa prej tyre thonë: Dynjaja është si shpërblimi në dorë, kurse bota tjetër është si shpërblimi i vonuar. Shpërblimi në dorë është më i dobishëm sesa shpërblimi i vonuar.
Disa të tjerë thonë: Më mirë një thërrime të shpejtuar sesa një perlë të premtuar.
Ndërsa, disa të tjerë shprehen me fjalët: Kënaqësitë e kësaj bote janë të sigurta, kurse ato të botës tjetër janë të dyshimta, kështu që mos e braktis të sigurtën për hir të asaj që është e dyshimtë.
Këto mendime janë mashtrimet dhe trillimet më të mëdha të Shejtanit. Edhe kafshët janë më të logjikshme se kaq, sepse kur kanë frikë nga dëmi i diçkaje, ato nuk i afrohen asaj edhe sikur ti godasësh.
Nëse ndonjëri prej këtyre njerëzve beson tek Allahu, tek i Dërguari i Tij, te takimi me Të dhe te shpërblimi i Tij, ai do të jetë prej njerëzve më të dëshpëruar, sepse e ka bërë këtë me dijeni të plotë. Por, nëse nuk beson tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij, atëherë ai është shumë më larg.
Thënies së tyre: Shpërblimi në dorë është më i dobishëm sesa shpërblimi i vonuar, ne i përgjigjemi duke thënë se, nëse do supozonim se shpërblimi në dorë është i njëjtë me atë që do të bëhet më vonë, atëherë ajo që shpërblehet në moment është më e mirë, por nëse nuk janë të njëjtë, atëherë shpërblimi i mëvonshëm është më i madh, më i mirë dhe më i hajrit. Atëherë, si mund të ndodhë kështu, kur e gjithë jeta e kësaj bote, nga fillimi deri në fund të saj, nuk është veçse një frymëmarrje në krahasim me botën tjetër?
Imam Ahmedi dhe Et-Tirmidhiu transmetojnë nga El-Musteurid ibn Shedadi se Pejgamberi, salallahu alejhi we selem, ka thënë: Jeta e kësaj bote në krahasim me botën tjetër është sikurse masa e ujit që merr një njeri kur fut dorën e tij në det.
Pra, të preferosh shpërblimin e shpejtë mbi atë të vonuarin është nga mashtrimet më të mëdha. Nëse kjo është masa që zë dynjaja në krahasim me botën tjetër, atëherë si mund të jetë jeta e njeriut në krahasim me Ahirein?
Cila duhet të jetë më e rëndësishme për njeriun që ka mend? A është më mirë të preferosh të shpejtën në këtë periudhë të shkurtër apo të privohesh përjetësisht nga e mira në botën tjetër?
Kurse, për thënien tjetër: Mos e braktis të sigurtën për hir të asaj që është e dyshimtë, ne përgjigjemi: Ose je në dyshim për premtimin e Allahut, për kërcënimet e Tij dhe vërtetësinë e të dërguarve, ose je shumë i sigurtë rreth tyre. Nëse është kjo e fundit, atëherë dije se ke marrë vetëm një thërrime që kalon shpejt në vend të një gjëje të sigurtë, për të cilën nuk ka asnjë dyshim.
E nëse ke dyshime, atëherë riktheju edhe një herë argumenteve të Zotit që tregojnë për ekzistencën e Tij, për forcën dhe dëshirën e Tij, për njësimin e Tij dhe për vërtetësinë e të dërguarve. Pastrohu, shiko dhe diskuto për hir të Allahut, derisa të të bëhet e qartë se argumentet që sollën të dërguarit rreth Allahut, janë të vërteta.
Nëse njeriu vëren me kujdes gjendjen që në fillesat e tij, që është sa një pikë ujë derisa të jetë plotësuar, me kalimin e kohës do ti bëhej e qartë se cili është Ai që është kujdesur për të dhe që e ka kaluar në këto etapa. Nuk do të ishte aspak e përshtatshme që ta nënvleftësonte dhe ta braktiste këtë njeri kudo, e as të mos e urdhëronte apo të ndalonte, të mos ia bënte të ditura të drejtat e tij apo të mos e shpërblente dhe dënonte.
Nëse njeriu do të tregohej më i vëmendshëm, atëherë ai do ta kuptonte se çdo gjë që e sheh dhe që nuk e sheh, është argument për njësimin, profecinë, ditën e gjykimit dhe Kuranin.
Aryetimin e bazuam me thënien e Allahut: Pra, Unë betohem në atë që e shihni dhe në atë që ju nuk e shihni! Me të vërtetë, ai (Kurani) është fjalë që e lexon i dërguari bujar. (El-Hakka, 38-40)
Një pjesë të kësaj e kemi bazuar te thënia e Allahut: Po në vetet tuaja, a nuk shikoni? (Edh-Dharijat, 21), sepse njeriu është argument i vetvetes për ekzistencën e Krijuesit dhe njësimin e Tij, për vërtetësinë e thënieve të të dërguarve të Tij dhe argumentimin e cilësive të Tij.
Kështu, duket qartë se ky i humbur është i mashtruar në të dyja aspektet, në atë të miratimit e besimit të palëkundur dhe në aspektin e përgënjeshtrimit e të dyshimit.
A është prej natyrës njerëzore që robi ta dijë se atij i kërkohet që nesër të paraqitet përpara mbretërve, për tu dënuar me dënimin më të rëndë ose për tu shpërblyer me shpërblimin më të madh, ndërkohë që e ngrys natën i shkujdesur, i pavëmendshëm, duke mos u përgatitur për këtë takim dhe duke mos u frikësuar për të?
Mund të thuhet se me të vërtetë, kjo është një pyetje e saktë, e cila u drejtohet shumë prej njerëzve dhe harmonia e këtyre dy qëndrimeve është prej gjërave më të çuditshme. Kjo mungesë përkushtimi ndodh kur disa arye, ku njëra prej tyre është dija e pakët dhe siguria e pamjaftueshme (rreth jetës në botën tjetër). Ai që mendon se dija nuk është e niveleve të ndryshme, ka gabuar rëndë.
Ibrahimi, alejhi selam, i kërkoi Zotit që ti ngjallte të vdekurit para syve të tij. Këtë gjë e bëri sepse ishte i sigurtë për fuqinë e Zotit, por donte që zemra e tij të ndihej më e qetë dhe se ajo që njihej si e fshehtë, të dëshmohej me sy. (Ashtu siç përmendet në suren El-Bekare)
Në El-Musned Imam Ahmedi transmetonë se i Dërguari i Allahut ka thënë: Ai që njoftohet, nuk është si ai që ka parë.
Nëse dija e dobët e një njeriu shoqërohet me moszbatimin e saj, me mungesën e praninë e saj në zemër, me përkushtimin ndaj veprave me të cilat ajo bie në kundërshtim, duke i shtuar gjithashtu edhe deformimin i natyrës njerëzore, triumfet e epshit, joshjen e Shejtanit, vonesën e premtimit, shpresën e gjatë, pavëmendjen bajate, dashurinë ndaj të shpejtës dhe lejen për komente, atëherë ky njeri nuk mund ta ruajë besimin e tij.
Ky është shkaku përse njerëzit ndryshojnë në besim dhe punë, derisa në zemrën e disa prej tyre të mbesë vetëm një grimcë besimi. Të gjitha këto shkaqe e kanë burimin te dobësia e largpamësisë fetare dhe e durimit.
Për këtë, Allahu subhanehu we teala, i ka lavëduar njerëzit me besim të palëkundur dhe të durueshëm, duke i emëruar si imamët e fesë.
Allahu, subhanehu we teala, thotë: Dhe prej tyre Ne bëmë imamë (prijës) që me urdhërin tonë udhëzojnë, (dhe kjo ndodhi) kur ata duruan dhe patën besim të palëkundur në argumentet tona. (Es-Sexhde, 24)
Marrë nga libri: Ed-Dau we ed-Dauau
Autori i librit: Ibn Kajjim el-Xheuzije
Përgatiti dhe përshtati: teuhid.net
|