Të qortuarit e mburrjes dhe nënçmimit të të tjerëve
All-llahu I Madhërishëm thotë: “All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet” . Ndërsa pejgamberi a.s. thotë: “Mendjemadhësia është zhvlerësim i së vërtetës dhe nënçmim i njerëzve”. 1 Pra, mburrja i përngjan nënçmimit të njerëzve, sepse të dyja janë mendjemadhësi ndaj njerëzve, ndërsa zhvlerësimi i së vërtetës do të thotë mohim dhe largim nga e vërteta, kështu që i përngjan zgjedhjes së të kotës, sepse personi që e zgjedh të kotën, ai në fakt e ka llogaritur të vërtetën si të kotë me mohimin dhe largimin e saj. Kjo është në dy mënyra:
E para: ta llogarisë mburrjen dhe zhvlerësimin e së vërtetës për nga bindja (besimi), e kjo do të thotë që të vërtetën ta llogarisë për të pavërtetë dhe të pavërtetën për të vërtetë për sa i përket mbivlerësimit të epshit dhe ngritjes së vlerës së tij, kështu që e mohon të vërtetën të cilën epshi i tij e kundërshton, dhe e mbivlerëson të pavërtetën, të cilën epshi i tij e dëshiron, dhe mburrjen dhe zhvlerësimin e njerëzve e lidh me dëshirat e tij, sepse mburraveci dëshiron ta ngritë veten, e t’i nënçmojë të tjerët, e i njëjtë me këtë është edhe zhvlerësuesi i njerëzve. Këtë e gjejmë në hadithin që e transmeton Muslimi nga Ijad ibn Hammar El-Muxhashiij, se pejgamberi a.s. ka thënë: “Më është shpallur që të jeni modest, saqë askush të mos mburret ndaj askujt, dhe askush të mos e nënçmojë askënd”. Ndërsa mendjemadhësinë që All-llahu e urren, pejgamberi a.s. ka thënë se ajo është: “Mendjemadhësia në mburrje dhe nënçmim (ndaj të tjerëve)”. 2
Nga kjo e shohim se njeriu i cili ka mundësi t’i dëmtojë të tjerët me pa të drejtë, kjo llogaritet nënçmim dhe tejkalim i kufijve, e nëse është me të drejtë, atëherë ajo është mburrje (ndaj të tjerëve).
E dyta: mburrja dhe zhvlerësimi i së vërtetës të jenë të lidhura me bindjen dhe dëshirën, mirëpo mburrja e cila është nënçmim i hakut i kthehet vetë hakut, e ajo është haku i All-llahut, edhe pse me të nuk lidhet haku i njerëzve, e mburrja dhe nënçmimi i njerëzve ka të bëjë me të haqet e njerëzve, kështu që klasifikimi bëhet që të dallohet haku njerëzor nga haku i All-llahut i cili nuk ka të bëjë me njerëzit, për dallim të epshit në rastin e zinasë dhe ngrënien e pasurisë së huaj.
All-llahu I Madhërishëm thotë: “All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet. Ata që vetë janë koprracë dhe urdhërojnë njerëzit për koprraci”. 3
Mëkati më i madh
“Mëkati më i madh është: Kufri (mosbesimi) dhe mendjemadhësia”. 4 Ky është hadith sahih, sepse këto dy mëkate janë bazë e të gjitha mëkateve te njerëzit dhe xhinnët, sepse Iblisi është ai që e ka bërë për herë të parë këtë (mosbesimin dhe mendjemadhësinë). All-llahu I Madhërishëm thotë: “Përveç Iblisit që ishte kryelartë dhe që u bë prej jobesimtarëve”. Gjithashtu All-llahu thotë: “Me përjashtim të iblisit (djallit) .Ai refuzoi dhe u bë mendjemadh dhe u bë jobesimtar”. 5 Ndërsa transmeton Muslimi nga Ibn Mes’udi r.a. se pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhehennem ai i cili në zemrën e tij ka vetëm një grimcë iman (besim), dhe nuk do të hyjë në xhennet ai i cili në zemrën e tij ka vetëm një grimcë mendjemadhësie” 6, kështu që mendjemadhësinë e ka llogaritur si e kundërta e imanit. Gjithashtu kjo vlen edhe për shirkun, për të cilin All-llahu I Madhërishëm thotë: “S’ka dyshim se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë)”. 7 Ibn Mes’udi r.a. e citoi hadithin e pejgamberit a.s.: “Kush vdes dhe nuk i përshkruan shok All-llahut, ai do të hyjë në xhennet” 8, dhe tha: ndërsa unë them: “Kush vdes duke i përshkruar All-llahut shok, do të hyjë në xhehenem”.
Ka të atillë që i bashkojnë këto dy gjëra, dhe të atillë që e bëjnë vetëm njërën. Besimtarin e mirë All-llahu e ka mbrojtur nga të dyja, sepse njeriu ose i nënshtrohet vetëm All-llahut, ose i nënshtrohet dikujt tjetër bashkë me nënshtrimin ndaj All-llahut, ose nuk i nënshtrohet as All-llahut e as dikujt tjetër. I pari është besimtari, i dyti është idhujtari (politeisti), ndërsa i treti është mendjemadhi mosbesimtar, dhe ka mundësi të mos jetë mosbesimtar në disa raste. E meta e të krishterëve është shirku, ndërsa e meta e hebrenjve është mendjemadhësia. All-llahu për të krishterët ka thënë: “Ata i konsideruan ”ahbarët” (priftërinj hebrenj) e tyre, ”ruhbanët” (murgjit e krishterë) e tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos All-llahut, ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër (nga pejgamberët) pos për adhurimin ndaj All-llahut një, e që nuk ka të adhuruar tjetër pos Tij. I lartë është Ai nga çka i shoqërojnë”. 9 Ndërsa për hebrenjtë ka thënë: “Unë do t’i zmbraps nga argumentet e Mia ata të cilët pa pasur të drejtë bëjnë kryelartësi në tokë”. 10 Për këtë shkak hebrenjtë janë dënuar me poshtërim dhe skamje, kurse të krishterët me humbje (devijim), bidate (risi) dhe injorancë.
Kush i bartë mëkatet e ithtarëve
All-llahu I Madhërishëm thotë: “Zoti juaj (që meriton adhurim) është një Zot, e ata që nuk e besojnë botën tjetër, zemrat e tyre janë mohuese (të njësisë së Zotit) dhe ata janë kryelartë. Është e vërtetë se All-llahu e di atë që e fshehin dhe atë që e shfaqin haptazi dhe se Ai nuk i do arrogantët. Kur atyre (mohuesve) u thuhet: ”Ç’është ajo që shpalli Zoti juaj?”. Ata thonë: ”Mite të popujve të hershëm!”. (E thonë atë shpifje) Sa për t’i bartur në ditën e gjykimit mëkatet e veta të plota dhe një pjesë të mëkateve të atyre që, pa farë arsye i mashtruan dhe i humbën” .11 E fjala e All-llahut: “dhe një pjesë të mëkateve të atyre që, pa farë arsye i mashtruan dhe i humbën” ka për qëllim mëkatet shkaktuese për devijimin e ithtarëve, dhe këto mëkate janë arritur nëpërmjet urdhrit të bërë dhe nëpërmjet zbatuesit të atij urdhri, dhe që të dyja janë shkaktarë të humbjes. Andaj një pjesë e mëkateve është për urdhëruesin për në humbje, e pjesa tjetër për ithtarin e tij, por duhet pasur parasysh se urdhëruesi e ka mëkatin e njëjtë sikur zbatuesi i atij urdhri, siç dëshmojnë tekstet sheriatike, si fjala e pejgamberit a.s.: “Kush thërret në humbje, e ka mëkatin për të, dhe mëkatin e atij që punon sipas saj deri në ditën e gjykimit” .12
Në këtë kontekst All-llahu I Madhërishëm thotë: ”(All-llahu) Ju thotë: “Hyni në xhehennem me atë popull që ishte para jush nga xhinët dhe njerëzit (e që ishin si ju). Sa herë që një grup hyn në të, e mallkon atë të mëparshmin derisa kur të arrijnë në të të gjithë, grupi i fundit i tyre thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, këta (paria) na kanë humbur neve (nga rruga e drejtë), pra shtoju dënimin me zjarr atyre!”(All-llahu) Thotë: ”Për secilin (grup) është (dënimi) i shtuar, por ju nuk po dini” . 13 Pra, All-llahu I Madhërishëm na tregon se pasuesit do të luten që të parëve (udhëheqësve) të tyre All-llahu t’ua dyfishojë dënimin, siç thotë në ajetin tjetër: “Dhe thonë: ”Zoti ynë, ne i dëgjuam udhëheqësit tanë dhe të parët tanë, por ata na shmangën nga rruga e drejtë”. Zoti ynë, jepu atyre dënim të dyfishtë dhe mallkoi ata si është më së keqi”. 14
All-llahu I Madhërishëm pra, na tregon se edhe për udhëheqësit dhe për ithtarët do të ketë dënim të dyfishuar, mirëpo ithtarët nuk e dinë këtë dyfishim. Andaj udhëheqësit për udhëzim janë lavdëruar shumë, ndërsa udhëheqësit për humbje janë qortuar dhe mallkuar, saqë në një ether, senedi i të cilit nuk më kujtohet, thuhet: “Çdo dënim në xhehennem fillon me shejtanin, e pastaj vazhdon me të tjerët. Dhe çdo begati në xhennet fillon me pejgamberin a.s., e më pastaj vazhdon me të tjerët”. Ai me të vërtetë është imami (udhëheqësi) absolut i udhëzimit prej njeriut të parë deri tek i fundit, siç ka thënë pejgamberi a.s.: “Unë jam zotëria i bijve të Ademit a.s. dhe nuk e them si lavdërim (por si falënderim ndaj All-llahut). Ademi si dhe të tjerët do të jenë nën flamurin tim në ditën e gjykimit, dhe nuk e them si lavdërim (por si falënderim ndaj All-llahut)”. 15 Ai është ndërmjetësuesi i të parëve dhe të fundmëve në llogaritë mes tyre, dhe ai do të jetë i pari që do t’i hapen dyert e xhennetit.
Ndjekësit e rrugës së mosbesimtarëve
All-llahu I Madhërishëm ka thënë: “Ata që nuk besuan u thanë atyre që besuan: “Ejani në rrugën (në fenë) tonë, e ne po i bartim mëkatet tuaja (po qe se është mëkat rruga jonë). Po ata nuk do të bartin asgjë nga mëkatet e tyre, në të vërtetë ata janë gënjeshtarë. Ata patjetër do të bartin barrën e vet, e me atë të veten edhe barrë të tjera, e në ditën e kiametit do të merren në përgjegjësi për atë që kanë trilluar”. 16
All-llahu I Madhërishëm na tregon se udhëheqësit e humbjes nuk bartin gjë nga mëkatet e pasuesve të tyre, dhe na tregon se ata do të bartin barrën e tyre, e ato janë mëkatet e pasuesve pa mos pakësuar asgjë nga mëkatet e ithtarëve, pasi që dëshira e tyre për këtë ka qenë e prerë dhe e kanë bërë atë që kanë mundur, kështu që ajo është bërë dënim për ta nga secili që e bën atë vepër, sepse dënimi për veprën meritohet kur është si pasojë e dëshirës së prerë dhe bërjes së asaj që është e mundshme. Ibn Abbasi r.a. transmeton nga Ebu Sufjani r.a. se pejgamberi a.s. i ka shkruar Heraklit: “Nëse e kundërshton (thirrjen), atëherë ti do të jesh bartës i mëkateve të popullit tënd” .17 Pra, pejgamberi a.s. na tregon se pasi Herakli ishte udhëheqës i popullit, i cili ndiqej në fenë e tyre, atëherë ai është bartës i mëkateve të popullit që e ndjekin atë, e që në fakt janë ithtarët e tij.
Dihet se sikur ai të largohet nga pasimi i ithtarëve të pejgamberit, atëherë ai do të ngarkohet me mëkatet e tyre, të cilat mëkate do të jenë njëlloj sikur të atyre që e pasojnë atë, siç dëshmojnë për këtë shumë tekste nga Kur’ani dhe sunneti.
_____________________
1.Transmeton Muslimi. Ndërsa Ebu Davudi dhe Hakimi me tekst të përafërt.
2.Transmetojnë Muslimi, Ebu Davudi, Ibn Maxhe, dhe Buhariu në Edebul-Mufred.
3.Kaptina En-Nisa’, ajeti 36, 37.
4.Nuk e kemi rastisur këtë hadith me këtë tekst në literaturën e konsultuar. Ndërsa kuptimi i këtij hadithi është i pranishëm në shumë hadithe.
5.Kaptina Sad, ajeti 74.
6.Kaptina El-Bekare, ajeti 34.
7.Transmeton Muslimi.
8.Kaptina En-Nisa’, ajeti 48.
9.Një pjesë e hadithit të cilin e transmetojnë Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Ahmedi.
10.Kaptina Et-Tevbe, ajeti 31.
11.Kaptina El-E’raf, ajeti 146.
12.Kaptina En-Nahl, ajeti 22-25.
13.Një pjesë e hadithit që e transmetojnë Muslimi dhe Ahmedi me tekst të përafërt.
14.Kaptina El-E’raf, ajeti 38.
15.Kaptina Ehzab, ajeti 67, 68.
16.Transmetojnë Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Ahmedi, Taberaniu dhe Ibn Asakir.
17.Kaptina El-Ankebut, ajeti 12, 13.
Shejhul-Islam Tekijjud-din Ahmed Ibn Tejmijje
www.Teuhid.NET



