FRIKA (NGA ALL-LLAHU I MADHËRISHËM)

Kur ndodh frika?

All-llahu I Madhërishëm thotë: “Do të këshillohet ai që ka frikë, e do t’i shmanget asaj (këshillës) ai që është shumë i keq”1. Asaj që do t’i shmanget i keqi është ajo të cilën e ka pranuar i miri, pra, këshilla. Po ashtu çdonjëri që frikohet, e pranon këshillën. Frika mund të ndodhë pas këshillimit, por mund të ndodhë edhe para tij, dhe fjala “ai që ka frikë” është e përgjithshme.
Ka prej njerëzve që mendojnë se kjo do të thotë se për t’u këshilluar, duhet së pari të kesh frikë. Por puna nuk është kështu, por është si thotë All-llahu I Madhërishëm: “Ai (Kur’ani) është udhëzues për ata që janë të devotshëm”2. Gjithashtu thotë: “Ti je vetëm qortues i atij që ia ka frikën Atij”3. E në suren Kaf thotë: “Ti këshilloje me këtë Kur’an atë që i ka frikë kërcënimit Tim”.4 suren Jasin All-llahu I Madhërishëm thotë: “Ti ia tërheq vërejtjen vetëm atij që e përvetëson Kur’anin dhe i frikësohet Mëshiruesit edhe kur është vetëm (i papashëm prej njerëzve)”.5
Ai i është frikësuar kërcënimit pasi e ka dëgjuar atë, dhe nuk ka pasur kërcënim para se të dëgjojë Kur’anin. Po ashtu edhe fjala e dytë e Tij: Ai që e përvetëson Kur’anin dhe i frikësohet Mëshiruesit pasi që ia ka tërhequr vërejtjen i dërguari i All-llahut. Shumë ajete dëshmojnë se ai që i frikësohet All-llahut, patjetër ta pranojë këshillën kur i jepet. E ka mundësi të këshillohet, dhe për shkak të këshillës të frikësohet. Po ashtu mund të frikësohet dhe kjo frikë ta bëjë që ta pranojë këshillën. Në këtë kontekst Katadeja ka thënë: “Pasha Zotin nuk ka njeri që i frikësohet All-llahut, e Ai të mos e përmendë (këshillojë) atë”.

Frika nga All-llahu dhe dënimi i Tij:

Frika si fjalë është përdorur në Kur’an me kuptim të përgjithshëm që ngërthen në vete frikën nga All-llahu dhe nga dënimi i Tij në këtë botë dhe botën tjetër (ahiret), siç janë ajetet në vijim: “Ty të pyesin për kiametin: “Kur do të ndodhë ai?!” Po, në çfarë gjendje je ti t’ua përkujtosh atë? Vetëm te Zoti yt është dijenia për të. Ti je vetëm qortues i atij që ia ka frikën Atij (kiametit)” .6 “Ti këshilloje me këtë Kur’an atë që i ka frikë kërcënimit Tim” . “(Këta) Thonë: “Ne edhe kur ishim në familjet tona, ishim ata që frikësoheshim. E All-llahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit të erës (flakës) së nxehtë të zjarrit” .7 All-llahu po ashtu e përmend pendimin bashkë me frikën në këtë ajet: “Kjo është ajo që u premtohej për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë. Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer tek Ai me zemër të penduar. (U thuhet) Hyni në të të shpëtuar, se kjo është dita e përjetshme” .8 Kjo është kështu për arsye se ai që i frikësohet All-llahut, medoemos ta lutë Atë dhe të shpresojë në mëshirën e Tij, të pendohet, ta dojë Atë dhe ibadetet e Tij dhe ta respektojë Atë, sepse kjo është ajo që e shpëton nga ajo që druan dhe e bën ta dojë All-llahun. E frika nuk do të thotë kur personi që sigurisht e meriton dënimin të frikësohet, sepse ai që sigurisht dënohet, kjo e shtyn që ta humb shpresën dhe të bëhet pesimist. Por frika nënkupton që krahas frikës, ai të shpresojë edhe shpëtimin. Andaj All-llahu I Madhërishëm ka thënë: “Do t’i shohësh jobesimtarët të frikësuar nga ajo që vepruan, po, ajo do t’u ndodhë atyre” .9 Ai që i frikësohet All-llahut, pendohet, e kjo është frikë e plotë: “Ndërsa besimtarëve të ruajtur, xhenneti u afrohet krejt afër. Kjo është ajo që u premtohej për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë. Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer tek Ai me zemër të penduar” .10

Frika e dijetarëve ndaj All-llahut të Madhërishëm

Fjala e All-llahut të Madhërishëm: “Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët” 11, do të thotë se vetëm dijetari është ai që frikohet, dhe secili që i frikësohet Atij, është dijetar, dhe se ai që i mëkaton All-llahut është injorant. Ky është mendimi i disa selefëve, siç janë Muxhahidi dhe Hasen El-Basriu, etj. Transmetohet nga Abdullah ibn Mes’udi se ka thënë: “Frika nga All-llahu mjafton si dituri, dhe mashtrimi i vetes vetëm duke shpresuar në All-llahun mjafton si injorancë”. Dituria e mirëfilltë është shkaku i frikës, ashtu siç është edhe përkujtimi i mirëfilltë. Andaj në rrëfimin e Faraonit, All-llahu I madhërishëm thotë: “Ndoshta ai këshillohet a frikësohet” 12.

Pra në këtë ajet kemi dy gjëra: këshillën dhe frikën, nga të cilat kemi disa dobi, si p.sh.:
 
1 - Ai kur e kujton se është i krijuar dhe se All-llahu është Krijuesi i tij dhe se ai nuk është zot, e i kujton të mirat e All-llahut ndaj tij, ky përkujtim e fton atë që të pranojë njëshmërinë (tevhidin) e All-llahut dhe hyjninë e Tij, si dhe begatitë e Tij, kështu që kjo e bën atë që të besojë dhe të falënderojë edhe nëse All-llahu e ka përcaktuar që nuk do ta ndëshkojë, sepse vetëm të qenit e gjësë e dobishme nga vetvetiu të shtynë që ta kërkosh atë, ashtu siç nxitojnë besimtarët në kryerjen e ibadeteve vullnetare duke e pasur parasysh dobinë e atyre, edhe pse nuk ka dënim për braktisjen e tyre. E kur atij i kujtohen të mirat e All-llahut ndaj tij, kjo ka mundësi ta detyrojë që ai ta pranojë të drejtën e All-llahut, njëshmërinë dhe mirësinë e Tij, si dhe kjo e bën njeriun që t’i falënderohet Atij. Po ashtu edhe dorëzimi i popullit të Musait a.s. ndaj All-llahut u bë vetëm për shkak të kujtimit e jo për shkak se u frikuan nga dënimi.

2 - Kujtimi është shkak i frikës, ndërsa frika është rezultat i kujtimit, dhe të dyja janë të pandara njëra prej tjetrës, siç thotë All-llahu I Madhërishëm: “Në të gjitha këto, për atë që ka mendje të shëndoshë dhe që i ka vënë veshin me vëmendje, ka argumente” .13  Po ashtu për banorët e xhehenemit thotë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit” .14

3 - Frika është shkak për kujtim. Pra, kur njeriut i kujtohen gjërat e frikshme, atëherë ai kërkon shpëtim nga ato.

 

_________________________

1.Kaptina El-E’la, ajetet 10, 11. 
2.Kaptina El-Bekare, ajeti 2.
3.Kaptina En-Naziat, ajeti 45.
4.Kaptina Kaf, ajeti 45.
5.Kaptina Jasin, ajeti 11.
6.Kaptina En-Naziat, ajeti 42-45.
7.Kaptina Kaf, ajeti 45.
8.Kaptina Et-Tur, ajeti 26.
9.Kaptina Kaf, ajeti 32-34.
10.Kaptina Esh-Shura, ajeti 22.
11.Kaptina Kaf, ajeti 31-33.
12.Kaptina Fatir, ajeti 28.
13.Kaptina Ta-Ha, ajeti 44.
14.Kaptina Kaf, ajeti 37.


Shejhul-Islam Tekijjud-din Ahmed Ibn Tejmijje
www.Teuhid.NET

Hits: 235
Comments (1)Add Comment
...
written by eselam alejkum, August 18, 2011
All-llahu na befet prej atyre qe kemi frik vetem ata Allahu ju shperbeft per temen

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy