All-llahu ia ka ndaluar vetvetes padrejtësinë
Transmetohet nga Ebu Dherri r.a., e ky nga pejgamberi a.s. i cili transmeton nga All-llahu I Madhërishëm se ka thënë: “Unë ia kam ndaluar vetes padrejtësinë dhe e kam ndaluar edhe për ju, andaj mos bëni padrejtësi. O robërit e mi: të gjithë ju jeni të humbur përpos atij që Unë e kam udhëzuar, andaj kërkoni udhëzimin Tim, që t’ju udhëzoj. O robërit e mi: të gjithë ju jeni të uritur përveç atij që Unë e kam ushqyer, andaj kërkoni prej Meje t’ju ushqej, që t’ju ushqej. O robërit e mi: të gjithë ju jeni të zhveshur përpos atij që Unë e kam veshur, andaj kërkoni prej Meje t’ju vesh, që t’ju vesh . . .” e deri në fund të hadithit. 1
Te fjala “Unë ia kam ndaluar vetes padrejtësinë dhe e kam ndaluar edhe për ju”, preken dy çështje. Njëra prej tyre është: padrejtësia që All-llahu ia ka ndaluar dhe ia ka mohuar vetes, siç thotë në ajetet në vijim: “Po Ne nuk u bëmë padrejtësi atyre”. 2 “E Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt”. 3 “E Zoti yt nuk bën padrejtësi ndaj robërve”. 4 “S’ka dyshim se All-llahu nuk bën padrejtësi as sa grimca, e nëse ajo vepër është e mirë, Ai e shumëfishon atë”. 5 “Thuaju: Përjetimi i kësaj bote është pak, e për atë që është i devotshëm, bota tjetër është shumë më e dobishme. Nuk do t’ju bëhet padrejtësi as sa fija”. 6 Ndërsa mohimi i dëshirës për padrejtësi nga Ai e kemi në disa ajete, siç janë: “E All-llahu nuk është ai që e do padrejtësinë për njerëz”.7 “All-llahu nuk e dëshiron padrejtësinë ndaj robërve”. 8 Po ashtu All-llahu mohon frikën e robërve nga padrejtësia duke thënë: “Kush është besimtar dhe bën vepra të mira, ai nuk i frikësohet ndonjë padrejtësie e as ndonjë mungese (në shpërblim)”. 9
Dijetarët kanë polemizuar shumë rreth kuptimit të kësaj padrejtësie dhe janë ndarë në dy grupe me qëndrime të kundërta dhe një grup tjetër në mes tyre. Ndërsa dihet se punët më të mira janë ato mesataret, e kjo është për shkak të hulumtimit rreth kaderit (përcaktimit) dhe afërsisë së tij me sheriatin, sepse zhytja në këtë çështje pa pasur dituri të plotë ka shkaktuar devijimin e të gjithë popujve. Andaj pejgamberi a.s. ka ndaluar që të polemizohet në temën e kaderit.
Ata që e mohuan kaderin thonë se All-llahu nuk është krijues i punëve të robërve, dhe nuk dëshiron të bëhet përveç asaj që ka urdhëruar të bëhet, ndërsa ata që e tepruan prej tyre të cilët e mohojnë paraprirjen e diturisë dhe shkrimit të All-llahut për punët e robërve, siç janë Mu’tezilijtë dhe disa të tjerë, thonë se padrejtësia vjen prej Tij dhe është e njëjtë sikur padrejtësia e njerëzve mes vete. Po ashtu i kanë ngjasuar punët e Tij me ato të robërve, derisa shkuan edhe në atë se punët e Tij dhe të njerëzve janë të njëjta, dhe përshkruan shembuj për All-llahun, nuk e llogaritën All-llahun si shembulli më i lartë, madje i bënë të obligueshme dhe të ndalueshme për Të gjërat që janë të obligueshme apo të ndalueshme për njerëzit, duke bërë analogji mes All-llahut dhe robërve. Sipas tyre në esencë vendimet mbështeten në logjikë, dhe rreth kësaj kanë thënë: Nëse All-llahu e urdhëron robin me diçka dhe nuk i ndihmon me gjithçka që i nevojitet për kryerjen e asaj vepre, atëherë Ai i ka bërë padrejtësi robit. Po ashtu kanë thënë se All-llahu nuk mundet ta udhëzojë të devijuarin, dhe anasjelltas, nuk mundet ta devijojë të udhëzuarin. Rreth kësaj kanë thënë: nëse All-llahu i urdhëron dy veta me një urdhër, por vetëm njërit i ndihmon në kryerjen e asaj vepre, edhe në këtë rast Ai është i padrejtë! E njëjta vlen edhe për punët tjera që kanë të bëjnë me begatitë dhe bamirësinë. Pra, mosndihmesa e Tij për robin në këto vepra, sipas tyre është padrejtësi. Po ashtu mendojnë se ndëshkimi i dikujt për një vepër që i është përcaktuar për ta bërë është padrejtësi ndaj tij. Po ashtu nuk bëjnë dallim mes ndëshkimit të atij që e meriton atë ndëshkim apo jo, edhe pse atë meritë All-llahu e ka krijuar për ndonjë urtësi tjetër, qoftë e përgjithshme apo e veçantë. Në këtë çështje kanë devijuar shumë njerëz, kështu që këta i kanë kundërshtuar apologjetët tjerë të vendosur dhe kanë thënë: padrejtësia nuk është diçka e vërtetë që të mund të ekzistojë, por ajo nga vetvetiu është prej gjërave të pamundshme, kështu që nuk është e logjikshme të jetë e caktuar dhe as nuk mund të thuhet se Ai e lë atë të zgjedhë dhe dëshirën e vet, sepse kjo është bashkim i dy gjërave të kundërta, dhe konsiderim i trupit të njëjtë në dy vende të ndryshme, shndërrim i të përhershmes në të përkohshme, ose i të përkohshmes në të përhershme. Përndryshe kurdo që të paramendohet me mendje dhe ekzistimi i tij të jetë i mundshëm dhe se All-llahu ka mundësi ta bëjë atë, kjo nuk është padrejtësi nga Ai, pavarësisht a bën atë gjë apo jo.
Debat rreth padrejtësisë
Këtë debat e vërejmë te disa grupe dijetarësh, siç janë juristët islamë (fekihët), dijetarët e hadithit si Maliku, Shafiiu dhe Ahmedi etj, si dhe nga komentuesit e haditheve, etj. Këto dijetarë e kanë komentuar padrejtësinë që ceket në fillim të kësaj kaptine në bazë të asaj që nënkuptohet nga kjo fjalë, e nganjëherë kanë bërë ndërlidhje me atë që transmetohet nga thënie të dijetarëve të mëhershëm, siç e kemi mendimin e Ijjas ibn Muavije, i cili ka thënë: “Nuk kam debatuar me askënd i bazuar tërësisht në logjikë përveç me Kaderijtë, të cilët i kam pyetur: Çka është padrejtësia? Ata thanë: të marrësh atë që nuk është e jotja ose të menaxhosh me atë që nuk është e jotja. E unë u thash: Çdo gjë është e All-llahut!”. Ijjasi nuk e ka thënë këtë për diç tjetër pos që të sqarojë se të gjitha veprimet janë në duart e Tij, kështu që nuk është padrejtësi për shkak të definicionit të tyre, dhe në këtë gjë nuk ka polemikë mes dijetarëve kompetentë për këtë gjë, sepse ata janë në pajtim të plotë me ata që besojnë në kader për atë se tërë atë që e bën All-llahu është drejtësi. Në hadithin që ka të bëjë me brengosjen, që e transmeton Ahmedi nga Ibn Mes’udi, pejgamberi a.s thotë: “Nuk ka mundësi që robin ta godasë ndonjë brengosje dhe pikëllim, e ai të thotë: O Zoti im, unë jam robi Yt e biri i robit Tënd dhe i robëreshës Sate, balli im është në dorën Tënde. Dispozitat Tuaja mbi mua i pranoj, i drejtë është gjykimi Yt mbi mua. Të lutem me çdo emër me të cilin e ke emëruar veten Tënde ose që e ke zbritur në librin Tënd, ose ia ke mësuar dikujt prej krijesave të Tua, ose që e ke mbajtur të fshehur në diturinë Tënde, bëje Kur’anin pranverë të zemrës sime dhe dritë të gjoksit tim, shndritje për pikëllimin tim dhe largim për dëshpërimin tim, e që All-llahu të mos ia largojë brengosjen dhe t’ia zëvendësojë atë me gëzim. Ata thanë: o pejgamber i All-llahut, a duhet ta mësojmë këtë, e ai tha: gjithsesi, ai që i dëgjon këto fjalë duhet t’i mësojë”. 10 Përmes këtij hadithi pejgamberi a.s. e ka qartësuar se çdo përcaktim i All-llahut ndaj robit është i drejtë. Andaj edhe thuhet: Çdo e mirë që vjen nga Ai është begati, ndërsa çdo dënim që vjen nga Ai është drejtësi. Po ashtu thuhet: E ushqeva veten me të mirat Tua dhe falënderimi të takon Ty, dhe bëra mëkat ndaj Teje me diturinë Tënde (diturinë që ma dhurove Ti) - ose me drejtësinë Tënde (drejtësinë që ma dhurove Ti) - dhe argumentin e ke Ti. Të lutem bëje të domosdoshme argumentimin Tënd ndaj meje, dhe ndërprerjen e argumentimit tim, përveç asaj që ma ke falur.
Rebi’ ibn Abdurr-Rrahman thotë se ky debat është zhvilluar mes Ijjasit dhe Gajlanit kur ky i fundit i tha atij: “Pash Zotin: A mendon se All-llahu dëshiron që t’i bëhet mëkat”. Ijjasi iu përgjigj: “Pash Zotin, a mendon se All-llahut i bëhet mëkat duke qenë i detyruar?”, duke e lënë pa tekst atë, sepse fjala e tij: dëshiron t’i bëhet mëkat, është fjalë e përgjithshme, e gjatë debateve ka mundësi të mos bëhet komentimi i fjalëve të përgjithshme nga frika e kundërshtimit të kundërshtarit, kështu që duhet thënë fjalë të qarta, siç ka thënë Ijjasi: a mendon se All-llahut i bëhet mëkat duke qenë i detyruar? Kështu që kjo e bëri të paaftë atë për t’u përgjigjur, e që është e domosdoshme për kaderijtë , dhe për filozofët dehrij (materialistë), të cilët ishin edhe më të dëmshëm se kaderijtë, si dhe për të tjerët.
Kështu Ijjasi pa se kjo përgjigje e pajtueshme me definicionin e tyre, është argumentuese kundër tyre, kështu që nuk u fut më tepër në detaje. Ndërsa në lidhje me fjalën e All-llahut: “Kush është besimtar dhe bën vepra të mira, ai nuk i frikësohet ndonjë padrejtësie e as ndonjë mungese (në shpërblim)” 11, komentuesit e Kur’anit prej selefëve kanë thënë: “Nuk i frikësohet ndonjë padrejtësie, me anë të së cilës do t’i kishte bartur mëkatet e tjerëve, si dhe nuk i frikësohet ndonjë mungese, nga e cila do t’i kishin munguar të mirat”.
Nuk lejohet që kjo padrejtësi të jetë gjë e pamundshme, pra që nuk mund të bëhet, kështu që domethënia e ajetit është kështu: Nuk frikësohet nga ajo që nga vetvetiu është e pamundshme, pra jashtë gjërave të mundshme dhe të arritshme, sepse ekzistimi i diçkaje si kjo nëse ekzistimi i saj të mos jetë i mundshëm, saqë të thonë: Kjo është e pamundshme (paarritshme), e nëse dëshirojnë të krijojnë të njëjtën, atëherë si mund të paramendohet ekzistimi i saj? E aq më pak të paramendohet frika nga ajo gjë, e që të mohohet frika nga ajo. Pastaj çfarë është dobia nga mohimi i frikës së kësaj kur nga fjalët e lartpërmendura u kuptua se qëllimi është sqarimi se ky veprues i mirë nuk shpërblehet për të mirat e tij me padrejtësi dhe mungesë (shpërblimi). Pra, sipas komentuesve të Kur’anit, nga kjo nënkuptohet se padrejtësia dhe mungesa e mohuar kanë të bëjnë me shpërblimin.
Padrejtësia është e kundërta e drejtësisë
Drejtësia është maturi, ndërsa maturia është mirësia e zemrës, sikurse padrejtësia që është ligësia e saj. Andaj njeriu për të gjitha mëkatet që i bën, i bën vetes padrejtësi, e padrejtësia është e kundërta e drejtësisë, pra pasi nuk ka pasur sjellje të drejtë ndaj vetes atëherë ai i ka bërë padrejtësi vetes. Domethënë mirësia e zemrës është në drejtësi, ndërsa shkatërrimi i saj është në padrejtësi, e kur njeriu i bën padrejtësi vetes ai njëkohësisht është dëmtues dhe i dëmtuar, sikurse kur është i drejtë me veten, në këtë rast është i drejtë dhe ai të cilit i bëhet drejtësi, kështu që puna buron prej tij, dhe fryti i punës, qoftë i mirë ose i keq, i kthehet atij.
All-llahu I Madhërishëm thotë: “Atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi” 12 . Puna lë gjurmë në zemër, qoftë ajo dobi, dëm apo mirësi, para se të lërë gjurmë jashtë, kështu që mirësia e zemrës është drejtësia ndaj saj, ndërsa ligësia e zemrës është padrejtësia ndaj saj. Në një ajet Kur’anor All-llahu I Madhërishëm thotë: “Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes” 13 . Po ashtu thotë: “Nëse bëni mirë, bëni për vete, e nëse bëni keq, bëni kundër vetes” 14. Disa selefë kanë thënë: “Çdo vepër e mirë e ndriçon zemrën, e forcon trupin, e shndrit fytyrën, e shton furnizimin dhe e bën njeriun të dashur në zemrat e të tjerëve. Nga ana tjetër, çdo vepër e keqe e errëson zemrën, e nxinë fytyrën, e dobëson trupin, e pakëson furnizimin dhe e bën njeriun të urryer në zemrat e njerëzve”. Në lidhje me këtë, All-llahu I Madhërishëm thotë: “Secili njeri është peng i asaj që ka punuar” 15. Po ashtu thotë: “Secili njeri është peng i veprës së vet” 16. Gjithashtu ka thënë: “Ti përkujto me të (Kur’anin) që të mos bie njeriu viktimë e asaj që ka vepruar, e që s’ka mbrojtës as ndërmjetësues për të pos All-llahut. Madje ai (njeri) edhe nëse jep, çdo lloj shpagimi nuk i pranohet. Të tillët janë ata që ranë viktimë e asaj që punuan” 17. Fjala “që të mos bie viktimë” (në gjuhën arabe “en tubsele”) ka kuptimin të jesh peng, i burgosur, dhe rob. Sikurse i sëmuri kur shërohet thuhet: i është rregulluar konstrukti trupor, ndërsa sëmundja është prishje e konstruktit. Ashtu është edhe me shëndetin e zemrës, pra mirësia e saj është në drejtësi, si dhe sëmundja e saj është në devijim, padrejtësi dhe shmangie nga rruga e drejtë. Drejtësia e plotë në çdo gjë është e pamundshme edhe për nga dituria edhe për nga veprimi, por edhe këtu gjejmë kategori të ndryshme. Andaj thuhet: Kjo është më e mira. Po ashtu për drejtimin selefij thuhet se është drejtim më i mirë. All-llahu I Madhërishëm thotë: “Ju kurrsesi nuk do të mund ta mbani drejtësinë mes grave edhe nëse përpiqeni” 18. E në ajetin tjetër thotë: “Zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën. Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij”. 19
All-llahu I Madhërishëm i dërgoi pejgamberët dhe u zbriti atyre libra që njerëzit t’i përmbahen drejtësisë, e drejtësia më e madhe është adhurimi vetëm i All-llahut të Pashoq, pastaj drejtësia ndaj njerëzve, e pastaj drejtësia ndaj vetes.
__________________________
1.Transmeton Muslimi, ndërsa Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe me tekst të përafërt.
2.Kaptina En-Nahl, ajeti 118.
3.Kaptina El-Kehf, ajeti 49.
4.Kaptina Fussilet, ajeti 46.
5.Kaptina En-Nisa’, ajeti 40.
6.Kaptina En-Nisa’, ajeti 77.
7.Kaptina Alu Imran, ajeti 108.
8.Kaptina Gafir, ajeti 31.
9.Kaptina Ta-Ha, ajeti 112
10,Transmetojnë Ahmedi, Hakimi, Ebu Ja’la, Bezzari dhe Taberaniu.
11.Kaderijtë: grup nga Tabiinët të cilët pretendojnë se njeriu është plotësisht i lirë në dëshirën e tij dhe veprimet e tij. Ky mendim u kundërshtua në Sham dhe Irak. Ky grup është i kundërt me Xheberijtë, të cilët u paraprinë Mu’tezilijve dhe u shkrinë në te. . .
12..Dehrijtë (materialistët): janë një grup i vjetër njerëzish të cilët kanë mohuar Krijuesin e Përsosur të botës, të Gjithëdijshmin, dhe pretendojnë se bota ekziston nga vetvetiu, pa Krijues.
13.Kaptina Ta-Ha, ajeti 112.
14.Kaptina El-Bekare, ajeti 286.
15.Kaptina Fussilet, ajeti 46.
16.Kaptina El-Isra, ajeti 7.
17.Kaptina Et-Tur, ajeti 21.
18.Kaptina El-Muddeth-thir, ajeti 38.
19.Kaptina El-En’am, ajeti 70.
Shejhul-Islam Tekijjud-din Ahmed Ibn Tejmijje
Teuhid.NET



