SINQERITETI

Qortimi i gënjeshtrës:

All-llahu I Madhërishëm thotë: “Të cilët shumë e dëgjojnë gënjeshtrën dhe shumë dëgjojnë (fjalën) një populli që nuk vjen te ti”. 1

Fjala “dëgjojnë” në këtë ajet e ka kuptimin edhe “pranim”, d.m.th. e pranojnë gënjeshtrën, pra janë pranues të fjalëve të një populli tjetër i cili nuk vjen te ti, dhe të cilin popull e respektojnë shumë, kështu që ky ajet e shpreh qortimin ndaj tyre për shkak të pranimit të lajmit të rremë dhe respektimit të tyre ndaj mosbesimtarëve dhe hipokritëve, siç thotë All-llahu I Madhërishëm: “Ata nuk do t’ju shtonin tjetër pos ngatërresës dhe shumë shpejtë do ta përçanin mesin tuaj. E ndër ju ka të tillë që i dëgjojnë ata”, 2 d.m.th. kërkojnë t’ju përçajnë, dhe në mesin tuaj ka të tillë që dëgjojnë prej tyre. Pra, All-llahu i urren ata të cilët ndjekin të pavërtetën. All-llahu I Madhërishëm po ashtu thotë: “Janë ata që i përgjigjen të pavërtetës dhe e hanë shumë haramin (ryshfetin)”. 3

All-llahu ka theksuar se ata e ushqejnë trupin dhe zemrën me haram, për dallim nga ai i cili ushqehet me hallall dhe nuk pranon asgjë përpos sinqeritetit. Po ashtu e qorton atë që e përhap dhe e pranon gënjeshtrën, ose i jep përparësi duke e pasuar dëshirën e tij dhe kështu fillon ta pranojë atë, e sidomos kur me të ndërlidhet pranimi i saj për shkak të ndonjë interesi, qoftë pozitë, ndihmë, dhuratë, shpërblim, e kështu me radhë. Në këtë rast ai është i ngjashëm me atë që e thotë All-llahu I Madhërishëm: “Vërtet një shumicë e parisë fetare e hebrenjve dhe të krishterëve në mënyrë të paligjshme e hanë pasurinë e njerëzve dhe pengojnë të tjerët nga rruga e All-llahut”. 4

Këta janë bidatxhinjtë dhe pasuesit e amoralitetit, të cilët i besojnë ata që përgënjeshtruan All-llahun, pejgamberin e Tij, si dhe vendimet e tyre, dhe të cilët i respektojnë krijesat duke i bërë mëkat Krijuesit. All-llahu I Madhërishëm thotë: “A t’ju tregoj se kujt i vijnë djajtë. Ata i vijnë çdo gënjeshtari e mëkatari. (U vijnë) Dhe hedhin dëgjimin, shumica e tyre gënjejnë”. 5

Pra, djajtë u vijnë dhe ua hedhin dëgjimin rrenacakëve dhe të prishurve në të cilin dëgjim një fjalë e sinqertë përzihet me njëmijë fjalë të rreme, kështu që ata bëhen dëgjues të gënjeshtrave nga vjedhësit e dëgjimit (djajtë). Pastaj All-llahu I Madhërishëm thotë: “E pse paria fetare (e krishterë dhe hebraike) të mos i ndalin nga ato thënie të tyre të rreme dhe nga ngrënia e haramit (ryshfetit)!”. 6

Thënia e rreme, dëgjimi i gënjeshtrave dhe marrja e ryshfetit, zakonisht janë punë të ndërlidhura njëra me tjetrën, e gjykatësit në këtë çështje kanë vendim të posaçëm, sepse nëse gjykatësi e pranon ryshfetin, atëherë ai e dëgjon dëshminë e rreme dhe pretendimin e prishur, kështu që në këtë rast gjykatësi bëhet dëgjues i gënjeshtrës, ngrënës i ryshfetit dhe shprehës i mëkatit. Andaj All-llahu I Madhërishëm i ka lënë hapësirë pejgamberit a.s. të zgjedhë mes gjykimit mes tyre apo lënies së gjykimit, sepse qëllimi i tyre nuk është absolutisht pranimi dhe dëgjimi i hakut, por ata e dëgjojnë atë që është në pajtim me epshet e tyre edhe sikur të jetë gënjeshtër. Kjo po ashtu vlen edhe për dijetarët të cilët transmetojnë transmetime të rreme.

 

Trimërimi i sinqeritetit me fjalë dhe punë

Ajo që duhet ditur është se sinqeriteti dhe të shprehurit e të vërtetës bëhet me fjalë dhe punë, siç thotë pejgamberi a.s. në një hadith sahih: “Çdo biri të Ademit i është caktuar  hisja në zina (amoralitet), dhe nuk ka mundësi t’i shpëtojë asaj (zinasë), kështu që sytë bëjnë zina, e zinaja e tyre është shikimi, veshët bëjnë zina, e zinaja e tyre është dëgjimi, duart bëjnë zina, e zinaja e tyre është kapja (prekja), këmbët bëjnë zina, e zinaja e tyre është ecja (deri te vendi i zinasë). Zemra shpreson dhe e dëshiron këtë, ndërsa organi gjenital e vërteton apo e demanton” .7

Prandaj në gjuhën arabe thuhet: e kanë sulmuar armikun me një ofensivë të sinqertë (të fortë), nëse qëllimi i tyre për luftë ka qenë i qëndrueshëm dhe i vendosur. Gjithashtu thuhet: filani është i sinqertë në dashuri, e kështu me radhë. Andaj me fjalën “i sinqertë” (es-sadik) kanë për qëllim të sinqertin në dëshirën, qëllimin dhe kërkesën e tij, e ky është i sinqerti në punën e tij. Po ashtu me këtë fjalë e kanë për qëllim të sinqertin në lajmin dhe të folurit e tij. Ndërsa hipokriti është i kundërt me besimtarin e sinqertë, dhe ai është gënjeshtari në lajmin ose në punën e tij, si ai që e bën një vepër vetëm sa për sy e faqe. Në këtë kontekst All-llahu I Madhërishëm thotë: “Mynafikët përpiqen të mashtrojnë All-llahun (duke u paraqitur rrejshëm si besimtarë), por All-llahu mbizotëron dinakëritë e tyre. Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t’u dukur te njerëzit”. 8

Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Mes’udi r.a., e ky i fundit nga pejgamberi a.s. se ka thënë: “Kapuni për sinqeritetin, sepse ajo shpien në bamirësi, e bamirësia shpien në xhennet. Kështu që njeriu vazhdon të jetë i sinqertë dhe të përpiqet ta gjejë atë, derisa tek All-llahu të shkruhet si i sinqertë. Dhe ruajuni nga gënjeshtra, sepse ajo shpien në shkatërrim, e shkatërrimi shpien në xhehennem. Kështu që njeriu vazhdon të gënjejë dhe të përpiqet ta pasojë atë, derisa tek All-llahu të shkruhet si gënjeshtar". 9

Pra, pejgamberi a.s na ka treguar se sinqeriteti është esenca e bamirësisë, ndërsa gënjeshtra është esenca e shkatërrimit. All-llahu I Madhërishëm thotë: “E s’ka dyshim se të mirët janë në kënaqësinë e përjetimeve (në xhennet). Dhe se mëkatarët janë në xhehennem”. 10 Andaj disa nga dijetarët kur i urdhëronin disa ithtarë të tyre të pendohen, dëshironin të mos i largojnë, dhe zemra e tyre të mos ndahet nga sinqeriteti. Prandaj, sinqeriteti është përdorur shumë në gjuhën e dijetarëve, saqë kanë thënë: “Thuaji atij që nuk është i sinqertë: Nuk të ka hije”. Gjithashtu thonë: “Sinqeriteti është shpata e All-llahut në tokë dhe nuk ka send të cilin nuk e pret”. Jusuf ibn Esbat thotë: “Nuk ka rob i cili është i sinqertë me All-llahun, e që Ai të mos e edukojë dhe mbikëqyrë atë. Sinqeriteti dhe çiltërsia në esencë janë vërtetim i imanit dhe islamit, sepse ata të cilët paraqiten si myslimanë ndahen në besimtarë dhe mynafikë (hipokritë), kurse ajo që e dallon besimtarin dhe mynafikun është sinqeriteti, sepse ai është baza e mynafikllëkut mbi të cilën ndërtohet gënjeshtra. Mu për këtë, kur All-llahu e përmend esencën e besimit (imanit), e karakterizon me sinqeritetin, siç thotë në ajetin Kur’anor: “Beduinët thanë: “Ne kemi besuar!”Thuaj: “Ju nuk keni besuar ende, por thuani: Ne jemi dorëzuar, e ende nuk po hyn besimi në zemrat tuaja. E nëse e respektoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, Ai nuk ju pakëson asgjë nga veprat tuaja, se All-llahu është shumë mëkatfalës, shumë mëshirues”. Besimtarë janë vetëm ata që i besuan All-llahut, të dërguarit e Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hir të All-llahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillë janë ata të sinqertit”. 11

Në një ajet tjetër All-llahu I Madhërishëm thotë: “(Ajo pronë) U takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe prej pasurisë së tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë prej All-llahut, dhe që ndihmojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij, të tillët janë ata të çiltrit”. 12

All-llahu I Madhërishëm na ka informuar se të sinqertit në pretendimin e besimit janë besimtarët te të cilët nuk ka aspak dyshim, dhe të cilët luftuan në rrugën e All-llahut me pasurinë dhe shpirtin e tyre. E kjo është kështu për arsye se ky është amaneti i trashëguar nga të parët dhe të fundit, siç thotë All-llahu I Madhërishëm: “Përkujtoni (o ithtarë të librit) kur All-llahu mori zotimin e pejgamberëve: Nga ajo se juve ju dhash libër e urtësi, ju patjetër do ta besoni dhe ndihmoni pejgamberin që vjen pas juve, e që vërteton atë që ju keni pranë vetes. Tha (All-llahu): “A pranuat, a e morët sipër obligimin Tim”? Ata thanë: “Ne e pranuam”! Tha (All-llahu): “Dëshmoni pra, edhe Unë dëshmoj bashkë me ju”! 13

Ibn Abbasi ka thënë “All-llahu nuk ka dërguar asnjë pejgamber pa e marrë zotimin e tij se nëse Muhammedi a.s. shfaqet gjatë jetës së tij, ai do ta besojë dhe do ta ndihmojë atë. Gjithashtu All-llahu e ka urdhëruar secilin pejgamber që të merr zotimin për ummetin e tij se nëse shfaqet Muhammedi a.s. gjatë jetës së tyre, ata do ta besojnë dhe ta ndihmojnë atë.

 

Cilësimi i të sinqertëve dhe hipokritëve

All-llahu I Madhërishëm i ka cilësuar të sinqertit në pretendimin e bamirësisë, e cila është përmbledhja e fesë, duke thënë: “Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t’i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zekatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit”.14

Ndërsa mynafikët All-llahu i ka identifikuar me rrenën në shumë ajete: “Në zemrat e tyre kanë sëmundje, e All-llahu u shton sëmundje edhe më shumë, e për shkak se ata përgënjeshtruan, pësojnë dënim të dhembshëm”. 15  Po ashtu edhe në këtë ajet: “Kur të erdhën ty mynafikët, të thanë: “Ne dëshmojmë se vërtet ti je i dërguar i All-llahut!. E, All-llahu e di se ti je i dërguar i Tij, por All-llahu dëshmon se mynafikët janë rrenacakë (kur thonë ashtu)”. 16  Ndërsa në një ajet tjetër Kur’anor thotë: “Dhe për shkak se e thyen besën që i patën dhënë All-llahut, dhe për shkak të asaj se gënjenin, All-llahu u ngjeshi hipokrizinë në zemrat e tyre deri në ditën që e takojnë Atë". 17

 

_____________________________________________
1.Kaptina El-Maide, ajeti 42.
2.Kaptina Et-Tevbe, ajeti 47.
3.Kaptina El-Maide, ajeti 42.
4.Kaptina Et-Tevbe, ajeti 34.
5.Kaptina Esh-Shuara’, ajeti 221-223.
6.Kaptina El-Maide, ajeti 63.
7.Ibid, fq. 60.
8.Kaptina En-Nisa’, ajeti 142.
9.Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
10.Kaptina El-Infitar, ajeti 13, 14.
11.Kaptina El-Huxhurat, ajeti 14-15.
12.Kaptina El-Hashr, ajeti 8.
13.Kaptina Alu Imran, ajeti 81.
14.Kaptina El-Bekare, ajeti 177.
15.Kaptina El-Bekare, ajeti 10.
16.Kaptina El-Mynafikun, ajeti 1.
17.Kaptina Et-Tevbe, ajeti 77.

 

Shejhul-Islam Tekijjud-din Ahmed Ibn Tejmijje
Teuhid.Net

Hits: 608
Comments (0)Add Comment

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy