Definicioni i lavdërimit dhe falënderimit
Lavëdrimi: Lavdërimi ngërthen në vete lavdërimin ndaj të falënderuarit duke ia përmendur të mirat e tij, pavarësisht se e mira i është bërë falënderuesit apo jo. Ndërsa falënderimi ndodh vetëm atëherë kur i falënderuari i bën mirë falënderuesit.
Shikuar nga kjo prizmë, mund të themi se: lavdërimi është më i përgjithshëm se falënderimi për arsye se ai ka të bëjë me të mirat dhe bamirësinë, sepse All-llahu I Madhërishëm lavdërohet me atë që ka nga emrat e bukur dhe shembullin më të lartë, dhe për atë që ka krijuar në botën tjetër (ahiret) si dhe në këtë botë, andaj All-llahu I Madhërishëm thotë: “Lavdërimi i qoftë vetëm All-llahut që krijoi qiejt dhe tokën, që formuloi errësirat e dritën” .1
Gjithashtu thotë: “Lavdërimi i qoftë All-llahut, Krijuesit të qiejve e tokës, Sajuesit të engjëjve me nga dy, tri e katër palë krahë, ndërmjetësues (midis Tij dhe pejgamberëve) . Ai shton në krijim atë që do” .2
Ndërsa Falënderimi: bëhet vetëm për të mirat ose begatitë, dhe shikuar nga kjo prizmë, ai është më i veçantë sesa lavdërimi, por ai bëhet me zemër, dorë dhe gjuhë. Andaj All-llahu ka thënë: “Veproni duke falënderuar, o familje e Davudit” .3
Po ashtu lavdërimi bëhet me zemër dhe gjuhë, dhe nga kjo pikëpamje falënderimi është më i përgjithshëm për nga llojet e tij, ndërsa hamdi është më i përgjithshëm për nga shkaqet e tij. E kjo më mirë vërehet nga hadithi i pejgamberit a.s.: “lavdërimi është koka e falënderimit. Ai që nuk e lavdëron All-llahun, nuk e ka falënderuar Atë” .4
Gjithashtu në një hadith tjetër thotë: “Vërtet All-llahu është i kënaqur me robin i cili kur ha ushqim, e falënderon Atë dhe kur pi pije, e falënderon Atë...” 5
Falënderimi i All-llahut për çdo gjë
Duke e pasur parasysh se të mirat vijnë nga All-llahu, ndërsa të këqijat nga lakmia e shpirtit, nënkuptojmë se shkaqet e të mirave dhe begative që e prekin, nuk mund të jenë jashtë begative të All-llahut ndaj tij, kështu që në atë gjë i kthehet All-llahut dhe nuk i lutet askujt tjetër pos Tij, sepse Ai e meriton falënderimin e plotë që nuk e meriton askush tjetër përveç Tij. Ai e meriton falënderimin si mirënjohje për atë që ia lehtësoi atij, mirëpo nuk bën të falënderohet All-llahu duke i bërë mëkate, sepse Ai është mirëbërësi me atë që krijesa nuk mund ta arrijë, po ashtu edhe begatitë e krijesës janë prej Tij. Pra, kur njeriu e di se: “Atë që All-llahu ua dhuron njerëzve nga mëshira e Tij, nuk ka kush që mund ta pengojë, e atë që Ai e ndal, nuk ka kush që mund ta lirojë pos Tij” 6, atëherë mbështetjen dhe lutjen e tij ia drejton vetëm All-llahut një, dhe pasi e di atë që e meriton si falënderim, atëherë e bën këtë. Ndërsa shkaku i së keqes përkufizohet në shpirt, kështu që e di se nga i vjen ajo, andaj pendohet dhe mbështetet tek All-llahu, ashtu siç kanë thënë disa selefë: “Robi nuk i lutet askujt përpos Zotit, dhe nuk frikohet nga asgjë pos nga mëkati ndaj All-llahut”. Transmetohet nga Ibn Abbasi të ketë thënë: “Ditën e Uhudit All-llahu i sprovoi të gjithë, për shkak të mëkateve të tyre, dhe nga ky dënim nuk u përjashtua askush”.
Lavdërimi i All-llahut për të mirat e Tij
Transmeton Hakimi në sahihun e tij dhe Tirmidhiu nga Xhabiri, e ky i fundit nga pejgamberi a.s. se ka thënë: “Pejgamberi a.s. na e lexoi kaptinën Err-Rrahman deri në fund, e pastaj tha: Përse jeni kështu të heshtur. Edhe xhinët kanë reaguar më mirë se ju kur e kanë dëgjuar këtë kaptinë. Nuk ka ndodhur që t’u lexohet atyre ky ajet - E cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni (ju njerëz dhe ju o xhinë) - e të mos kenë thënë: asnjë nga të mirat tua o Zot nuk e mohojmë dhe vetëm ty të takon falënderimi”. 7
All-llahu I Madhërishëm në mënyrë eksplicite na tregon në Kur’an për fuqinë dhe pushtetin e Tij, të mirat dhe dobitë që ua dhuroi robërve të Vet, urtësinë e Tij, dhe të gjitha këto janë të lidhura ngushtë mes vete, si dhe çdo send që ka krijuar All-llahu është dhunti, fakt për fuqinë dhe urtësinë e Tij. Por dhuntia e riskut dhe përdorimi i ushqimit, pirjes, vendbanimit, veshjes janë të dukshme për secilin. Këtë më së miri e ilustron kaptina “En-Nahl”, e cila ndryshe quhet edhe kaptina e “Dhuntive”, dhe ky është mendim i Katades dhe i disa të tjerëve. Në bazë të kësaj, shumë prej njerëzve thonë: lavdërimi është më i përgjithshëm se falënderimi për nga shkaqet, sepse ai bëhet për dhunti dhe për gjëra që s’janë dhunti. Ndërsa falënderimi është më i përgjithshëm për nga llojet, sepse ai bëhet me zemër, gjuhë dhe dorë. Pasi në çdo krijesë ka dhunti, atëherë lavdërimi nuk bëhet përveç se për dhuntinë. Lavdërimi i takon vetëm All-llahut për secilën situatë dhe gjendje, sepse nuk ka gjendje në të cilën gjenden robërit, e të mos jetë dhunti për ta. Sipas doktrinës selefite: Atij i takon pushteti dhe lavdërimi i plotë, dhe Ai është i falënderuar për urtësinë e Tij, si dhe për fuqinë dhe mëshirën e Tij.
Lavdërimi është koka e falënderimit
Pasi lavdërimi bëhet vetëm për dhuntitë e All-llahut, atëherë mund të themi se ai është koka dhe fillimi i falënderimit. Edhe pse lavdërimi bëhet për begatitë dhe urtësinë e All-llahut, prapëseprapë falënderimi me vepër bëhet për dhuntitë e Tij. Ky është shkaku që Kur’ani e ka zmadhuar çështjen e falënderimit dhe nuk e ka zmadhuar çështjen e lavdërimit, meqë lavdërimi është lloj prej llojeve të falënderimit, ndërsa lavdërimin e ka bërë pjesë të kësaj feje – i cili është falënderim që shprehet para çdo fjalimi me tevhid. Kështu që p.sh. në kaptinën El-Fatiha e kemi falënderimin dhe tevhidin, dhe po ashtu fjalimet me tematikë fetare patjetër duhet të ngërthejnë në vete falënderimin dhe tevhidin, ndërsa të mirat tjera janë dy llojesh. Pra, shprehja “Subhanall-llahi ve Bihamdihi” (Vetëm All-llahu është I Lartësuar dhe vetëm Atij i takon falënderimi), në vete përmban falënderim, madhërim, si dhe tenzih (konsiderimi se All-llahu është i pastër nga çdo e metë), ndërsa shprehja “La ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber” (nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut, dhe All-llahu është më I Madhi) përmban tevhidin dhe madhërimin. All-llahu I Madhërishëm thotë: “Pra, adhurojeni Atë me adhurim të sinqertë ndaj Tij, falënderimi i qoftë vetëm All-llahut, Zotit të të gjitha botëve” .8
Ndërsa në një hadith sahih transmetohet se pejgamberi a.s. kur ngrihej nga rukuja thoshte: “Zoti ynë, Ty të takon falënderimi, Ty të qoftë falënderimi sa qiejt dhe toka dhe sa ka ndërmjet tyre dhe aq sa Ti dëshiron prej gjërave të mëtejshme. Ti je pronar i Lavdisë dhe i Madhështisë. Fjala më e vërtetë që e ka thënë robi Yt është fjala ‘El-Hamdu lil-lah’ (falënderimi i takon All-llahut), dhe të gjithë ne jemi robërit e Tu. O Zoti im, S’ka kush e ndalon atë që Ti e jep, s’ka kush e jep atë që Ti e ndalon; s’ka dobi i pasuri, pasuria e të cilit është prej Teje (por dobi bën besimi dhe respekti Yt)”. 9
Pra, fjala më e vërtetë që e ka thënë robi është shprehja ‘el-hamdu lil-lah’ (falënderimi i takon All-llahut), andaj All-llahu e ka bërë obligim këtë shprehje në çdo namaz, dhe me të të fillojë kaptina El-Fatiha, e ka bërë obligim në çdo hutbe (fjalim, ligjëratë), dhe në çdo punë të rëndësishme dhe të mirë. Lavdërimi është e kundërta e qortimit, pra ai bëhet ndaj të lavdëruarit për të mirat e tij duke ia bashkangjitur kësaj edhe dashurinë ndaj tij, ndërsa qortimi bëhet ndaj të qortuarit për të këqijat e tij duke ia bashkangjitur kësaj edhe urrejtjen ndaj tij.
Kujdesi ndaj falënderimit dhe respektimit duke i bërë mëkat All-llahut
Prej falënderimit është që e mira të kthehet me të mirë, siç është falënderimi ndaj prindërve dhe ndaj të tjerëve që të kanë bërë ndonjë të mirë, siç thuhet në hadith: “Ai që nuk i falënderon njerëzit, nuk e falënderon as All-llahun”. 10
Por nuk duhet që dikush të falënderohet ose respektohet duke i bërë mëkat All-llahut, për arsye se All-llahu është ai që i dhuron të mirat, të cilat nuk ka mundësi t’i bëjë ndonjë krijesë, dhe çdo e mirë e krijesës po ashtu është prej All-llahut. Në një ajet All-llahu thotë: “Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut”. 11
Gjithashtu thotë: “Dhe për ju nënshtroi gjithë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë”. 12
Andaj nuk lejohet që të respektohet krijesa duke i bërë mëkat Krijuesit. All-llahu I Madhërishëm thotë: “Ne e kemi obliguar njeriun me punë të mira ndaj prindërve të vet, e nëse ata të dy përpiqen të të shpien ty që të më përshkruash Mua shok (zot tjetër) për çka ti nuk di asgjë, atëherë ti mos i respekto ata”. 13
Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre, e ti ndiqe rrugën e atij që është i kthyer kah Unë”. 14
______________________________________________
1.Kaptina El-Ena’m, ajeti 1.
2.Kaptina Fatir, ajeti 1.
3.Kaptina Sebe’, ajeti 13.
4.Transmetojnë Abdurr-Rrezzaku dhe Bejhekiu në Shuabul-Iman me tekst të përafërt.
5.Transmetojnë Muslimi, Nesaiu, Tirmidhiu dhe Ahmedi.
6.Kaptina Fatir, ajeti 2.
7.Transmetojnë Tirmidhiu dhe Hakimi.
8.Kaptina Gafir, ajeti 65.
9.Transmetojnë Muslimi, Nesaiu dhe Ebu Davudi.
10.Transmetojnë Ahmedi, Ibn Ebi Dun’ja, Haraitiu dhe Bejhekiu në Shuabul-Iman.
11.Kaptina En-Nahl, ajeti 53.
12.Kaptina Xhathijeh, ajeti 13.
13.Kaptina Ankebut, ajeti 8.
14.Kaptina Lukman, ajeti 15.
Shejhul-Islam Tekijjud-din Ahmed Ibn Tejmijje
Teuhid.NET



