Vlera e diturisë tek gjeneratat e para

Mutarrifi ka thënë: “Vlera e diturisë është më e madhe se vlera e punës (veprës), kurse lloji më i madh i fesë tuaj është modestia.”

Eth-Theuri ka thënë: “Nuk di se ka ibadet më të vlefshëm sesa njerëzit të thërrasin në dituri.”

Zejd b. Eslemi, lidhur me fjalët e Allahut subhanehu ve te'ala: “Ne i kemi ngritur disa profetë mbi të tjerët...” , thotë se këtu mendohet me nderimin “në dituri.”

Mejmun b. Mihrani ka thënë: “Në shpirtin tim dijetarët janë udhëzuesit e mi në secilin vend. Nëse nuk i gjej, dergjem pas tyre. Përmirësimin e zemrës time e kam gjetur duke ndenjur me njerëzit e ditur.”

Sabik el-Belvi i njohur si El-Berberi, në kasiden e tij ka thënë:

“Dituria e largon verbërinë e zemrës së pronarit
Sikurse Hëna që e largon errësirën e natës.
Nuk janë të njëjtë i devotshmi me dituri dhe ai pa dituri
Ngjashëm sikur që nuk janë të njëjtë ai që sheh dhe ai që është i verbër e që sy nuk ka.”

Ahmed b. Muhammed b. Jezid b. Muslim el-Ensari, i njohur si Ibn Ebi el-Hanaxhiri, ka thënë: “Me një rast (dijetarët e hadithit) gjendeshim para dyerve të Muhammed b. Mus’ab el-Karkasaniut. Në mesin tonë ishte një irakian që shquhej me poezi. Ne kërkuam që (Muhamed b. Mus’abi) të paraqitet para nesh dhe që të na citojë një apo dy hadithe. Ai doli para nesh dhe na tha: ‘M’u kujtua një varg dhe kush më tregon se kush e ka thënë, unë do t’ia citoj tre hadithe!’ Irakiani i ri i tha: ‘Allahu të mëshiroftë, për cilin varg bëhet fjalë?’ Dijetari i tha:

“Dituria është jetë për zemrat ashtu sikur
Shiu që e ringjall tokën kur bie mbi të.”

Djaloshi tha: “Këto vargje janë të Sabik el-Berberiut”. Dijetari i tha: “E saktë. Si vazhdon vargu më tej?” Djaloshi tha:

“Dituria e largon verbërinë e zemrës së pronarit
Sikurse Hëna që e largon errësirën e natës.”

Dijetari tha: “E the të vërtetën.” Pastaj ia citoi gjashtë hadithe të cilët edhe ne bashkë me të i dëgjuam.”

Ez-Zuhri ka thënë: “Allahu subhanehu ve te'ala nuk është adhuruar me ibadet më të madh sesa dituria!”

El-Hasani, lidhur me fjalët e Allahut subhanehu ve te'ala: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë” , ka thënë se këtu mendohet në “diturinë dhe ibadetin”, kurse për fjalët: “na jep të mira në botën tjetër”, ka thënë se këtu mendohet në Xhehetin.”

Ibn Vehbi ka thënë: “E kam dëgjuar Sufjan eth-Theuriun duke thënë: “Të mirat në dynja janë furnizimi i mirë dhe dituria, kurse të mirat e botës tjetër është Xheneti.”

El-Hasani ka thënë: “Dijetari është më i mirë sesa njeriu i devotshëm e modest i cili përpiqet me ibadetin e tij në dynja. Ai e përhap urtësinë e Allahut subhanehu ve te'ala. Nëse pranohet, ai e falënderon Allahun, ndërsa edhe nëse refuzohet, ai e falënderon prapë Atë.”

Ibn Mes’udi radijallahu anhu ka thënë: “Dijetari nuk e ndërprenë lutjen e tij!” E pyetën: “Cila është lutja e tij?” Ai tha: “Përmendja e Allahut subhanehu ve te'ala me zemër dhe me gjuhë.”

Ebul-Hasan el-Medaini ka thënë: “Një ditë derisa Zijadi e mbante hytben në Kufë, ai na tha: “O njerëz, këtë natë e kam kaluar duke menduar për tre veta: për dijetarin, për njeriun e shquar dhe për plakun. Unë konsideroj se më duhet t’ju këshilloj kur janë në pyetje këta tre veta. Unë konsideroj se njeriu i shquar duhet të respektohet. Dijetarit duhet t’i pranohet pozita e tij. Ndërsa plaku duhet të nderohet. Pasha Allahun, ai njeri që më sillet para meje e i cili e kundërshton dijetarin duke e nënçmuar, unë do ta dënoj. Ai njeri që më sillet para meje e i cili e kundërshton njeriun e shquar duke e pakësuar autoritetin e tij, unë do ta dënoj. Ai njeri që më sillet para meje e i cili e kundërshton plakun duke mos e nderuar, unë do ta dënoj. Vërtet njerëzit vlejnë sipas njerëzve të shquar, të ditur dhe pleqve.”

Transmetohet prej Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem se kishte thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk është i mëshirshëm ndaj të rinjve tanë, i cili nuk i respekton të moshuarit tanë dhe i cili nuk e pranon të drejtën e dijetarëve tanë.”

Ebu ‘Inebe el-Havlani ka thënë: “Ndoshta një fjalë është më e mirë sesa të jepet lëmoshë.”

Eban b. Sulejmi ka thënë: “Fjala e urtë e vëllait tënd e cila të thuhet ty, është më e mirë sesa pasuria të cilën ta jep, sepse me pasuri ti bëhesh mendjemadh, ndërsa me fjalën e mençur udhëzohesh.”

Mejmuni ka thënë: “Shembulli i dijetarit në ndonjë vend është sikurse burimi me ujë të pijshëm në atë vend.”

Abdullah b. el-Mubareku ka thënë: “Sulejmanit, djalit të Davudit, i është dhënë në disponim që të zgjedh pushtetin ose diturinë. Ai e zgjodhi diturinë dhe Allahu subhanehu ve te'ala për shkak të zgjedhjes së tij, ia dha edhe pushtetin edhe diturinë.”

Po ashtu ka thënë: “Sufjan eth-Theuri më ka thënë: “Allahu subhanehu ve te'ala nuk adhurohet me diçka më të mirë sesa me kërkim të diturisë dhe nuk ka dituri më të mirë të kërkuar në cilëndo kohë sesa koha e sotme.”

Abdur-Rezaku ka thënë: “E kam dëgjuar Sufjanin se si një arabit i thotë: “Mjerë ju! Po kërkoni dituri! Vërtet kam frikë se dituria prej jush shkon te dikush tjetër e ju të nënçmoheni. Kërkoni dituri! Vërtet me të arrihet autoriteti edhe në dynja edhe në botën tjetër.”

Halid b. Hadashi ka thënë: “E përcolla Enes b. Malikun dhe i thashë: “O Ebu Abdullah, më këshillo me diçka!” Ai më tha: “Ty të takon që t’i frikësohesh Allahut fshehtë dhe haptazi, që ta këshillosh çdo mysliman dhe që ta shkruash diturinë prej njerëzve të ditur.”

Në urtësinë e Davudit alejhi selam thuhet: “Dituria në gjoksa është sikurse drita në shtëpi.”

Dikujt prej të parëve në urtësi i kishin thënë: “Me cilat gjëra duhet të stoliset dijetari?” Ai kishte thënë: “Me ato gjëra me të cilat, nëse i fundoset anija, ai noton –duke menduar në diturinë.”

Dikush kishte thënë: “Ai që e merr diturinë për prijës të tij, njerëzit atë do ta marrin për prijës të tyre, derisa ai që njihet për nga urtësia, sytë e njerëzve do ta përcjellin me respekt.”

Abdul-Melik b. Mervani u kishte thënë bijve të tij: “O bijtë e mi, kërkoni dituri! Nëse bëheni të pasur dhe të pavarur prej të tjerëve, dituria vetëm se do t’ju plotësojë, ndërsa nëse jeni të varfër, dituria do të jetë pasuria juaj.”

Ebu Derda radijallahu anhu kishte thënë: “Allahu subhanehu ve te'ala i furnizon me dituri të lumturit, ndërsa ua ndalon fatkeqëve.”

Një prej dijetarëve ka thënë: “Prej vlerës dhe cilësive të diturisë është se secilit njeri që i thuhet se e posedon atë, ai gëzohet për shkak të kësaj, edhe nëse ai nuk është prej dijetarëve. Mirëpo, secilit njeri prej të cilit largohet dituria dhe i përshkruhet injoranca, ajo e qëllon dhe i vije rëndë, edhe nëse është i paditur.”

Veki’a ka thënë: “Sujani e kishte zakon të thotë: “Te unë nuk ka gjë më të lehtë sesa hadithi dhe nuk ka gjë më të mirë se ai për atë që me të e dëshiron kënaqësinë e Allahut.”

Po ashtu, prej tij transmetohet se kishte thënë: “Askush nuk mund ta kalojë njeriun nëse i kushtohet kësaj, pra fikhut dhe hadithit.

Transmetohet prej Enesit radijallahu anhu se në kohën e të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue sel-lem ishin dy vëllezër. Njëri kishte marrë pjesë nëpër tubimet e të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue sel-lem, derisa tjetri ishte marrë me punën e tij. I dyti i kishte thënë të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Vëllai im në asgjë nuk më ndihmon.” I Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue sel-lem iu përgjigj: “Ndoshta ti furnizohesh për shkak të tij.”

Avn b. Abdullahu kishte thënë: “Devotshmëri e plotë është që të kërkosh e ta plotësosh atë që e ke mësuar te ajo që nuk e di.” (...) Ai kishte shtuar: “Dije se heqja dorë prej asaj që e ke mësuar është mos plotësim i asaj që e ke mësuar, ndërsa deri te mos plotësimi i asaj që është mësuar vjen për shkak të mos shfrytëzimit të asaj që është mësuar.”

Xhafer b. Muhammedi ka thënë: “Tërësia e secilës tërësi është studimi i fesë, durimi në fatkeqësi dhe rregullimi i jetës.”

Po ashtu kishte thënë: “Për Iblisin asnjë vdekje nuk është më e dashur sesa vdekja e dijetarit.”

Disa njerëz të mençur kishin thënë: “Prej argumenteve që flasin lidhur me vlerën e dijetarëve është edhe ajo se njerëzit e duan devotshmërinë e tyre.”

Është thënë: “Dituria është prejardhja më e ndershme, derisa edukimi i mirë dhe njerëzishmëria janë prejardhja më e mirë.”

Disa njerëz të mençur kanë thënë: “Dituria më e madhe dhe me më shumë përparësi është ajo në të cilën ke garuar me të tjerët. Ndërsa në këtë dituri renditet edhe dituria me të cilën e ke plotësuar fenë tënde dhe njerëzinë tënde.”

Ahnef b. Kajsi ka thënë: “Dijetarët gati se ishin konsideruar për zota. Mirëpo, çdo krenari që nuk është e forcuar me dituri, përfundimi i saj është poshtërimi.”

Është thënë: “Shembulli i dijetarëve është sikurse shembulli i ujit. Kudo që të gjenden –ata bëjnë dobi.”

Ebul-Esved ed-Dueli ka thënë: “Sundimtarët sundojnë me njerëzit, kurse dijetarët sundojnë me sundimtarët.”

Bezrexhemheri ishte pyetur: “Kush janë më të mirë: të pasurit apo të diturit?” Ai ishte përgjigjur: “Të diturit!” I kishin thënë: “E po pse dijetarët shkojnë te dyert e të pasurve?” Ai kishte thënë: “Për shkak se dijetarët e dinë begatinë e pasurisë, derisa të pasurit nuk e dinë begatinë e diturisë.”

Një grua i kishte thënë Ibrahim en-Nehaiut: “O Ebu Imran, ju dijetarët jeni njerëzit më të ashpër dhe që më së shumti qortoheni?!” Ai i kishte thënë: “Sa i përket ashpërsisë që e përmende, me të vërtetë dituria është te ne, ndërsa padituria te kundërshtarët tanë dhe ata nuk duan asgjë tjetër përveç që me paditurinë e tyre ta shtypin diturinë tonë. Pra, kush mund ta durojë këtë? Sa i përket qortimit, ju shumë mirë e dini se sa është vështirë të arrihet deri te dinari e argjendi që është hallall, ndërsa ne nuk kërkojmë tjetër përveç se atë që është hallall –e lejuar. Nëse e arrijmë, ne nuk e japim përveç se në atë që duhet të jepet!”

Kanë thënë: “Dijetarët në Tokë janë sikurse yjet në qiell. Dijetarët janë të parët e islamit. Dijetari është sikurse drita. Kush kalon përskaj saj, merr diçka prej asaj drite. Sikur mos të kishte dituri, njerëzit do të ishin sikurse kafshët.”

Mus’ab b. Abdullahu ka thënë: “Babai na ka thënë: “Kërkoni dituri! Nëse keni pasuri, kjo vetëm se do t’ua shtojë bukurinë, ndërsa nëse nuk keni pasuri, dituria do t’ju bëjë të pasur.”

El-Muberredi ka thënë: “Është thënë: “Merrni dituri! Vërtetë dituria është rrugë deri te feja, është autoritet për njeriun, njerëzishmëri në natyrë, shok në vetmi, rrugë deri te tubimet, ajo që çon deri te pasuria dhe është pengesë e poshtërimit deri te e cila vjen në kërkim të nevojave personale.”

Ibnul-Mukaffei ka thënë: “Kërkoni dituri! Nëse bëheni sundimtarë, do të fitoni, ndërsa nëse bëheni kalorës, do të jetoni.”

Po ashtu ka thënë: “Nëse njerëzit të nderojnë me pasuri apo me pushtet, mos u çudit për shkak të kësaj, sepse njëmend nderimi do të ndërpritet me kalimin e tyre. Mirëpo, çuditu nëse të nderojnë për shkak të diturisë dhe fesë.”

Është thënë: “Janë tri gjëra të domosdoshme me të cilat duhet të stoliset njeriu: me dituri, me besnikëri dhe me edukim të mirë.”

Lukmanit të urtë i është thënë: “Cilët janë njerëzit më të mirë?” Ai ishte përgjigjur: “Besimtari i ditur. Nëse te ai kërkohet e mira, te ai do të gjendet.”

El-Haxhxhaxh b. Jusufi e kishte pyetur Halid b. Safvanin: “Cili është përfaqësues i banorëve të Basrës?” Ai ishte përgjigjur: “El-Hasani.” “Si e ka arritur këtë kur ai është shërbëtor?”, pyeti sërish. Halidi ishte përgjigjur: “Ai për shkak të fesë së tij ishte i nevojshëm për njerëzit, ndërsa ai ishte i pavarur prej dynjasë së tyre. Nuk kam parë asnjë njeri të shquar të Basrës e të mos vrapojë për në tubimet e tij, që të dëgjojë fjalimin e tij dhe ta shkruaj diturinë e tij.” El-Haxhxhaxhi tha: “Pasha Allahun, ky është autoritet!”

Sufjan b. Ujejne lidhur me fjalët e Allahut: “ose ndonjë gjurmë tjetër të dijes...” , ka thënë se me këtë mendohet në “thëniet e pejgambereve, paqa dhe shpëtimi qoftë mbi ta.”

Ebu Omer Jusuf ibn Abdul-Berr

Përgatiti: Teuhid.NET

www.teuhid.net

Hits: 469
Comments (0)Add Comment

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy