Në një rast djalli iu kishte paraqitur një sufiu injorant sikur Ahsar Ash-i dhe i kishte thënë: “Pse ti nuk i mëson dituritë fetare e kështu t’ju tregosh njerëzve për biografinë e dijetarëve, si dhe t’i mësosh ata në lidhje me hallallin (të lejuarën) dhe haramin (të ndaluarën)? Po ashtu, të ofrosh fetva (përgjigje fetare) në lidhje me problemet e njerëzve, e kështu t’i udhëzosh ata në rrugën e drejtë”? Sufiu iu përgjigj: “Ik prej meje, le të jetë mallkimi i Allahut mbi ty! Vallë, a mendon ti se mua do të më mashtrosh? Sikur të kishin mbetur njerëzit që pikërisht ti t’i këshillosh, atëherë nuk do të mbetej djall (shejtan).
Me siguri ti dëshiron që të më orientosh në dituri me qëllim që të më largosh nga të përmendurit e Allahut të Lartëmadhëruar! Unë nuk do të dëgjoj ty”. Më pas djalli përsëri i tha: “A do të dëshiroje që ti t’a tregosh të vërtetën para sundimtarit të padrejtë, e kështu t’a fitosh shpërblimin e atyre që luftojnë në rrugën e Allahut”? Sufiu përsëri ia ktheu dhe i tha: “Largohu prej meje, le të jetë hidhërimi i Allahut mbi ty!
A mos dëshiron që të më nxitësh në armiqësi kundër sundimtarëve, e kështu të më burgosin dhe të më keqtrajtojnë, e më pas të pengohem nga ligjërimet fetare dhe nga ajo që i thërras në rrugën e drejtë”!? Djalli përsëri i tha: “Nëse nuk e dëshiron as atë të parën, e as këtë të dytën, atëherë pse nuk tubon të holla e me to ta mbrosh dinjitetin tënd dhe ato t’ia dhurosh ndonjë të varfëri, të cilit i nevojiten ose ndonjërit prej nxënësve tu të varfër ose ta ndërtosh ndonjë xhami ose të bëhesh pjesëmarrës në ndonjë mirësi humane”?
Tani duke buzëqeshur, sufiu ia ktheu, duke i thënë: “Eh, kjo mundet, Zoti të vraftë! E ku do të gjej të holla!? Djalli i tha: “Pasha Allahun nuk kam parë krijesë më të marrë se ti! Vallë, a nuk i sheh nxënësit e tu, se ti kujdesesh për ahiretin tyre, e përse ata të mos kujdesen për dynjallëkun tënd? Ti i plotëson dhe i ndërton zemrat e tyre, pra përse ata të mos e mbushin xhepin tënd? Ti i ke ndërtuar shpirtrat e tyre, e përse ata mos ta ndërtojnë ty një shtëpi”?
Kështu pra, sufiu injorant kishte kërkuar të holla nga nxënësit e tij dhe më pas ua zbrazi xhepat atyre. Ai mblodhi aq shumë të holla saqë nuk kishte mundur t’i harxhojë të gjitha ato. Ai aq tepër kishte qenë i preokupuar me ato të hollat - pasi që kishte qenë mashtrues - saqë nuk mendoi t’i shpenzojë në rrugën e Allahut. Sufiu i habitur - pasi që nuk kishte ku t’i harxhonte të hollat e tubuara nga nxënësit - iu drejtua për këshillë djallit, ndërsa ai mezi priste për një gjë të tillë, i cili e këshilloi duke i thënë:
“Nëse e lë pasurinë në thesarin tënd, atëherë assesi nuk do të jetë e sigurt nga plaçkitësit, sepse ata do ta plaçkitnin atë ose do të të gjejë ndonjë fatkeqësi, e kështu të hollat do të të humbin ose do t’i gjejë ndonjëri nga anëtarët e familjes tënde e kështu në mënyrë të paturpshme do t’i harxhojë e atëherë ku do të mbetesh ti, si do ta blesh tokën dhe arat”?
Sufiu iu përgjigj: “Allahu të vraftë, me të vërtetë më ke këshilluar”. Pas kësaj bisede sufiu çdoherë kur kishte pak kohë shkonte te djalli. Mirëpo, ky rast i tij u përhap nëpër njerëz, ndërsa të hollat, të cilat i kishte fituar në mënyrë të palejuar, me mashtrime dhe tradhti, prej ditës në ditë i shtoheshin, andaj përsëri iu drejtua mikut tij, djallit, duke kërkuar nga ai këshillë. Djalli i tha: “Pse o ti njeri nuk blen ndonjë veturë, nuk ndërton shtëpi dhe nuk ngrit pallate”? Sufiu iu përgjigj: “Për atë arsye se një ditë kjo do të dalë në shesh dhe do të zbulohem te populli”. Djalli përsëri i tha: “Jo, assesi, Allahu i Lartëmadhëruar ta mori çdo të mirë! A nuk je në gjendje që të hollat t’i përshkruash në emër të bashkëshortes sate apo në emër të ndonjërit nga fëmijët e tu, e që ke mjaft prej tyre”? Sufiu veproi ashtu siç e këshilloi djalli, por paratë edhe më tej vinin në xhepin e tij, pra në xhepin e ligjëruesit fetar, andaj vendosi që ta kërkojë mësuesin e tij djallin dhe ta pyesë për këshillë se çfarë të veprojë më tej.
Mirëpo, mësuesi i tij (djalli) ishte hidhëruar me nxënësin e tij sufi, sepse tanimë ai (sufiu) i shkaktonte konkurrencë në mashtrim dhe në animin kah mëkati, andaj edhe vendosi që të thirr mbledhjen e jashtëzakonshme të të gjithë djajve, me qëllim që ta publikojë rastin e konkurrentit të tij para tyre (para të gjithë djajve).
Mbledhja u realizua nën mbikëqyrjen e Iblisit (kryekomandantit të djajve). Kështu pra, në këtë mbledhje djalli (i sufiut) e prezantoi problemin e tij dhe tha: “I akuzuari” ishte një njeri (insan) injorant dhe unë me mjeshtërinë time e kam mashtruar dhe e shndërrova në djall të mençur, e pastaj kam pritur nga ai që t’i pranojë dhe t’i respektojë aftësitë dhe virtytet e mia, si dhe nuk kam pritur që ai të më bëhet konkurrent në profesionin tim. Mirëpo, ai është treguar mjaft i aftë dhe më është bërë rival i ashpër, andaj kam frikë se të gjithë ata të cilët janë të nënshtruar ndaj meje do të kalojnë tek ai.
Ai ka filluar t’i merr sipas ndonjë mënyre të panjohur për mua, e kështu ka devijuar disa besimtarë të denjë, të cilët unë kahmoti ëndërroj për t’i larguar nga rruga e drejtë. Unë shumë njerëz kam devijuar nga rruga e drejtë përmes alkoolit, verës, pijeve narkotike, femrave, kënaqësive të palejuara, bixhozit, përmes pasurisë dhe përmes metodave dhe mekanizmave të tjera, por nuk më kanë ndjekur ata të cilët i konsideruan këto gjëra të këndshme si të urrejtura. Sa i përket këtij nxënësit të aftë, ai kishte filluar t’i mashtrojë njerëzit në emër të fesë, devotshmërisë dhe mirëqenies, përderisa i devijoi nga rruga e drejtë dhe përderisa i shpiu në besëtytni. Madje, ky i nxiti ata edhe kundër fesë dhe kundër dijetarëve... Por ju shumë mirë i dini - kolegë të nderuar - karakteristikat e të nënshtruarve tanë, e ata do t’i devijojmë me diçka tjetër që është “e mirë”!...
E çdonjëri prej tyre ishte vetëm pak i nënshtruar ndaj nesh dhe më pas logjika dhe inteligjenca e tyre i zbuluan të këqijat tona dhe rrugën tonë të gabuar, andaj edhe na braktisën...
Ndërsa ky nxënës - mashtrues, arriti sukses duke i magjepsur mendjet e ithtarëve të tij përmes shpifjeve dhe besëtytnive, me qëllim që t’i eksploatojë dhe t’i plaçkitë njerëzit, të cilët iu nënshtruan atij, edhe atë në një periudhë më të gjatë sesa vepronim ne. Prandaj, unë ju lutem në emër të detyrës sonë të shenjtë djallëzore dhe në emër të mallkimit të Allahut ndaj nesh, që të gjykoni në këtë rast ashtu siç ua anon ndërgjegjja”!
Djalli njeri (nxënësi sufi) u ngrit që ta mbrojë veten duke thënë: “O ju shoqëri e mallkuar!... le të jetë hidhërimi i Allahut mbi mua dhe mbi ju, unë me të vërtetë, pasi që më është ofruar nderi, udhëheqësi ynë i nderuar Iblisi, ashtu siç më anëtarësoi në “shoqërinë e tij të papastërtisë”, nuk kam bërë ndonjë sjellje tradhtuese ndaj këtij profesioni, e as që ndonjëherë kam pasur sjellje armiqësore ndaj mësuesit tim të nderuar “Ahsare Ash”, por kam vërejtur se ky ishte dobësuar në veprimet mashtruese djallëzore të tij dhe se e ka humbur inteligjencën - e ju shumë mirë e dini se sa herë që ndonjëri prej nesh përsoset në “gjuajtjen e sakrificës” dhe bukur mirë i shfrytëzon rastet e tij - gjithnjë e më afër do të jetë ndaj udhëheqësit tonë Iblisit, Allahu na poshtëroftë edhe neve por edhe atë! Unë kam arritur sukses përmes mashtrimeve, veprime, të cilat më janë frymëzuar nga “shoqëria e papastërtisë”, që për disa vite t’i përfitoj disa njerëz nga “sfera e punës” së mësuesit tim, e ai personalisht nuk ka mund t’i mashtrojë shekuj me radhë.
Ne jemi një shoqëri e respektuar dhe e mallkuar, dhe në kohën kur është zgjuar ndjenja për fenë dhe udhëzimin në shpirtrat e njerëzve, ne medoemos urgjentisht duhet t’i ndryshojmë mekanizmat me ndihmën e të cilave do t’i devijojmë njerëzit nga rruga e drejtë me qëllim që të mund ta përcjellim këtë përparim të rrezikshëm te njerëzit, e nëse mbetemi me traditën tonë të vjetër (të mossuksesit), atëherë udhëheqësi ynë Iblisi, Allahu e poshtëroftë atë dhe neve, do ta humb fronin dhe mbretërinë e tij. Tani edhe për ju është e njohur se mjetet, të cilat i përdori dhe i zbatoj unë shumë njerëz kanë larguar nga feja, si dhe fenë e pastër e kam përzier me besëtytni dhe gënjeshtra të ndryshme. Po ashtu, nga ajo që e kam zbatuar ndaj njerëzve - përmes gënjeshtrave, mashtrimeve dhe tradhtive të ndryshme - rezultati është që shumë njerëz i kam bërë që të dyshojnë në argumentet e pastra të fesë, si dhe të dyshojnë ndaj predikuesve dhe dijetarëve të tyre të sinqertë.
Këta njerëz filluan të më mallkojnë mua në vend të mësuesit tim, ashtu siç mallkonin më parë. Tani ju mund të konkuldoni, o ju shoqëri e respektuar dhe e mallkuar, se unë me të vërtetë meritoj lëvdata dhe mirënjohje nga mësuesi im, po që se ai është i sinqertë në profesionin tim. Mirëpo, egoizmi, ëndja dhe despotizmi i tij, e çojnë atë që të shpif kundër meje dhe frikësohem se mësuesin tim e ka sulmuar armiku im “udhëzimi” dhe se tek ai ka rënë “fryma djallëzore” dhe “e keqja djallëzore”. . . dhe tanimë ai nuk kontribuon më në punën e tij. E sa i përket çështjes sime, unë ende jam vëllai juaj i sinqertë dhe miku jashtëzakonisht i mirë i juaji”!
Pas kësaj, pjesëmarrësit e këtij tubimi satanik diskutuan dhe këmbyen mendime të ndryshme rreth këtij problemi, e më në fund - personalisht Iblisi - e publikoi vendimin e pjesëmarrësve ku thuhej:
“Nga ajo që u prezantua në këtë mbledhje qartë shihet të pranuarit e paditësit (Ahser Ash) se i akuzuari është bërë mjaft i shkathët në profesionin djallëzor, si dhe profesionist për metodat e reja për të devijuar dhe mashtruar njerëzit. Nga kjo që u paraqit, e qartë është se - gjithashtu me të pranuarit e paditësit - se duke iu falënderuar punës së të akuzuarit, numri i atyre që nënshtrohen ndaj nesh dukshëm është dyfishuar në raport me numrin e tyre në kohën e paditësit. Gjithashtu është i qartë edhe neni i parë i kushtetutës sonë, ku thuhet: “Çdo kush i cili mund të mashtrojë dhe t’i shpijë njerëzit në devijim dhe në rrugë të gabuar, konsiderohet shejtan”, pra e tëra kjo shkon në llogari të të akuzuarit.
Ndërsa neni i pestë i kushtetutës sonë qartë definon kushtet e domosdoshme përmes së cilave në mënyrë automatike e obligojnë ose e titullojnë nxënësin tonë si ‘mësues’.
Gjithashtu, fryma e të keqes e cila është rrënjosur te ne, prej nesh kërkon që të angazhohemi në mënyrë të përkryer dhe me precizitet vetëm me qëllim të zgjerimit të së keqes dhe çrregullimeve ndërmjet bijve të Ademit. Në këtë aktivitet tonin ne duhet vazhdimisht të gëzohemi dhe t’i nxisim të tjerët në të.
Gjithashtu, është e qartë se i akuzuari përmes metodave të reja dhe bashkëkohore, arriti ta zmadhoj numrin e sakrificave tona dhe arriti me sukses ta zgjerojë ndikimin tonë te njerëzit. Për shkak të këtyre argumenteve, vendimi i mbledhjes së djajve është që i akuzuari të gradohet dhe t’i jepet titulli ‘mësues’, ndërsa promovimi solemn i gradimit të tij do të realizohet në ‘manifestimin më të madh djallëzor’, ndërsa emri i tij do të skalitet në treguesin (listën) e emrave të lavdishëm të djajve - njerëz”...
Në mënyrë legale, qartë edhe pranë mundësisë së ankesës ... udhëheqësi i mbledhjes: Iblisi.
Mustafa es-Sibai
Përgatiti: Teuhid.NET



