Në suren Kaf janë përfshirë bazat e Besimit aq mjaftueshëm, saqë nuk ka nevojë për filozofitë e filozofëve dhe as shtjellime logjike të racionalistëve. Kjo sure tregon për fillimin dhe mbarimin e kësaj bote,për teuhidin, profetësinë, besimin tek engjëjt, ndarjen e njerëzve në të humbur dhe në të shpëtuar dhe cilësitë e secilit prej tyre. Në të, flitet gjithashtu edhe për atributet e përsosura të Allahut dhe mohimin e të gjitha mangësive që cenojnë përsosmërinë e cilësive të Tij. Në këtë sure përmenden edhe dy kiametet, i vogli dhe i madhi, të dyja botët, e vogla që është bota në të cilën jetojmë dhe e madhja, që është Ahireti. Po aty, përmendet krijimi i njeriut, vdekja dhe ringjallja e tij, gjendja kur ai vdes dhe kur do të ringjallet, gjithëpërfshirja që Allahu i ka bërë kësaj krijese dhe se Allahu i njeh edhe ndjenjat e brendshme të tij.
Allahu përmend se i ka vendosur edhe rroje njeriut, që nuk u shpëton as një fjalë nga ato që ai thotë dhe se Diten e Kiametit, Ai do ta shpërblejë për gjithçka, Atë ditë, dikush do ta sjellë njeriun para Zotit dhe dikush tjetër do të dëshmojë për të. Ai që e sjell, kur do të dale para Zotit , do të thotë: “Ja ku e kam me vete, gati!“ (Kaf, 23), e pra, ky të cilin më urdhërove ta sillja para Teje, ja tek është dhe do të thuhet: “Hidheni ju të dy në Xhehenem çdo mosbesimtar kokëfortë.“ (Kaf , 24). Ngjashëm siç sillet një fajtor para mbretit edhe i thuhet: Ja ku është ai që kërkoje! Dhe mbreti do t`u thotë: Dërgojeni atë në burg dhe dënojeni ashtu siç e meriton!
Lexoje këtë sure me vëmendje dhe do të shohësh sesi haptazi ajo tregon se Allahu i Madhëruar do ta rikthejë njeriun me po të njëjtin trup, me të cilin pati vepruar punë të mira dhe të këqija, dhe po atë trup do ta shpërblejë dhe ndëshkojë, ashtu si edhe po të njëjtin shpirt që besoi apo mohoi, do ta shpërblejë apo ndëshkojë. Allahu nuk ka për të krijuar shpirt tjetër, të cilin do ta shpërblejë apo ndëshkojë, siç thonë ata, të cilët nuk njohin natyren e botës, për të cilën na kanë lajmëruar të gjithë Profetët. Ata pretendojnë se Allahu do të krijojë një tjetër trup,tërësisht ndryshe nga ky që kemi dhe mbi të, do të bjerë ndëshkimi ose shpërblimi. Shpirti, sipas tyre është një cilësi e trupit, ndaj dhe , po sipas tyre , Allahu do të krijojë një trup dhe një shpirt tjetër, gjë që bie në kundërshtim me atë çka na kanë kumtuar të gjithë Profetët, për të cilën na ka folur Kur`ani, Sunneti dhe të gjithë librat e Allahut.
Në realitet , ky është mohim i botës tjetër dhe përputhet me ata të cilët e përgënjeshtrojnë ekzistencën e botës tjetër, pasi edhe këta nuk e mohojnë plotfuqishmërinë e Allahut për të krijuar trupa të tjerë, mbi të cilët mund të bjerë ndëshkimi ose shpërblimi. S`ka sesi ta bëjnë këtë, kur ata vetë janë dëshmitarë, se si qeniet njerëzore krijohen çdo ditë! Allahu në çdo kohë krijon trupa dhe shpirtra të tjerë përveç atyre që vdesin, andaj si mund të habiten për diçka që shohin me sy çdo ditë! Ata u habitën se si mund të rikthehen ata vetë, ashtu siç janë ,të ringjallen për të dhënë llogari, ndaj edhe thanë: “Kur ne të kemi vdekur dhe të jemi bërë dhe e eshtra, a vërtet që ( atëherë ) do të ribëhemi?”(Safat -16). Sikurse kanë thane: “Ai është një kthim i largët“. (Kaf -3)
Nëse nuk do të merren në llogari këta trupa, atëherë kjo nuk është ringjallje dhe as kthim, por një fillim i ri. Në këtë rast, nuk do të kishte ndonjë kuptim të madh fjala e Allahut: “Ne e dimë atë që toka merr prej tyre ( trupin të vdekur të tyre )“ ( Kaf-4) Allahu e jep këtë përgjigje ndaj një pytje të mundshme: Si i dallon Allahu të gjitha pjesët, nga të cilat ishte ndërtuar trupi, pasi ato të janë bërë pluhur e hi, e të janë përzier me tokën dhe tjetërsuar në elemente të padallueshëm? Dhe Allahu u tregon se Ai di gjithçka që toka bren prej mishit, kockave dhe qimeve të tyre.
E pra , Ai është ashtu siç është aq i Ditur për të gjitha këto pjesë, ashtu është edhe i Plotfuqishëm t`i mbledhë të gjitha pas shpërndarjes së tyre, për ta rikrijuar edhe njëherë njeriun. Allahu e vërteton ringjalljen duke iu kujtuar njerëzve Përsosmërinë e Dijes, Plotfuqishmërinë dhe Urtësinë e Tij.
Dilemat e atyre të cilët mohojnë ringjalljen janë tri:
E para: Pjesët e trupit të njeriut përzihen me pjesët e tokës në mënyrë të atillë, saqë është e pamundur të dallohet një njeri nga një tjetër.
E dyta: Allahu nuk ka fuqi ta rikthejë njeriun ashtu siç ishte!
Dhe e treta: Ringjallja është diçka e pavlerë! Urtësia e do, që ekzistenca dhe vazhdimësia e njeriut në këtë botë të jetë e tillë, ku njerëzit lindin dhe vdesin pambarimisht, sa here që ikën një brez vjen një tjetër dhe kështu me radhë pambarimisht, ama të vdesë e gjithë raca njerëzore dhe pastaj të ringjallet përsëri, këtu nuk ka ndonjë urëtsi, thonë ata!
Dhe argumentet për ringjalljen në Kur`an janë tre llojësh:
E para: Përsosmëria e Dijës së Zotit. Allahu u përgjigjet këtyre njerëzve që mohojnë ringjalljen duke thënë: “Dhe na solli neve shembull, ndërsa e harron krijimin e vet. ( Një i tillë ) thotë: “ Kush do t`u jape jetë këtyre kockave kur të janë kalbur e të janë bërë pluhur? Thuaj: “Ai do t`u jape jetë , i Cili i krijoji ato për here të pare! Dhe Ai është për çdo krijesë i Gjithëditur!” ( Jasin 78-79 )
Dhe gjithashtu, thotë: “Ora e Fundit sigurisht që po vjen, kështu që lëri mënjanë me falje e me ndjesë butësie e mëshire gabimet e tyre. Vërtet që Zoti yt, Ai është Gjithëkrijuesi,i Gjithëdituri.“ (Hixhr-85-86) , dhe thotë: “Ne dime atë që toka merr prej tyre (prej trupit të vdekur të tyre)“. ( Kaf-4)
E dyta: Plotfuqishmëria e Allahut për të bërë gjithçka.Allahu i Lartësuar thotë: “Po, sigurisht! Ne jemi të Zotë t`i vëmë e t`i rendisim në mënyrë të përkryer shenjat e gishtave të tij.” (Kijameh, 4) . E poashtu thotë: “Kjo , ngaq Allahu është Ai i Vërteti,i Përhershmi dhe është Ai, i Cili i jep jetë të vdekurës dhe është po Ai, i Cili është i Zoti të bëjë gjithçka.” ( Haxh -6 )
Dhe duke i përmendur të dyja bashkë, Plotfuqishmërinë dhe Dijen e Tij, Ai thotë: “A nuk është Ai,i Cili krijoi qiejt dhe token,i Zoti të krijojë (përsëri) si ata? Po, nuk ka pike dyshimi dhe Ai është Gjithëkrijuesi, i Gjithëdituri“. (Jasin,81)
E treta: Përsosmëria e Urtësisë së Tij. Allahu i larësuar thotë: “Dhe Ne nuk i Krijuam qiejt dhe token dhe gjithçka tjetër që ndodhet mes tyre,thjesht për lojë.” (Duhan-38) “Dhe Ne nuk I krijuam qiellin dhe token dhe gjithë ç`është ndërmjet tyre pa qëllim! (Sad -27) “A mendon njeriu se do të lihet i harruar ( pa përgjigjësi) ? “ (Kijameh-36) “A mendon se Ne ju kishim krijuar për lojë ( e pa ndonjë qëllim ) dhe se nuk do të mund të silleshit prapë te Ne“ ? (Mu`minun-115) “Apo mos mendojnë ata, të cilët veprojnë e fitojnë ligësi, se Ne do t`i bëjmë ata njësoj me ata që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi, si në këtë jetë ashtu edhe pas vdekjes? Vërtet i ligë është gjykimi i tyre.“ (Xhathije -21)
Pra , për këto arsye është e drejtë të thuhet se ringjallja pranohet nga logjika, e shoqëruar me tekste fetare. Përsosmëria e Zotit, e emrave dhe atributeve të Tij, e vërteton ekzistencën e botës tjetër dhe e bën atë një domosdoshmëri. Allahu është i Përsosur dhe larg çdo të mete që i veshin mohuesit e Tij,po kështu edhe cilësitë dhe atributet e Tij janë të përkryera dhe aspak të mangëta.
Më pas, Allahu na informon në këtë sure sesi ata që mohuan të vërtetën,janë në një gjendje të paqartë, “keshtu që ata janë në gjendje hutimi” (Kaf-5), pra në një gjendje pështjellimi, nga e cila nuk dalin dot.
Më pas, u bën thirje të vështrojnë botën e epërme, botën qiellore, se si është ndërtuar,ngritur dhe përsosur , e bukur dhe tërheqëse. Më pas flet për botën e poshtme,që është toka, sesi e shtriu atë dhe krijoi hapësira të sheshta për të plotësuar nevojat e njerëzve,e forcoi atë me male dhe vendosi në të plot mirësi që njerëzit të përfitojnë prej tyre,nxori një mori të panumërt bimësh me forma,ngjyra dhe përfitime të ndryshme.Pa dyshim , që kjo është një rreze drite që i jepet një njeriu të kthyer nga Zoti,një njeriu që mediton rreth këtyre fakteve,fakte që të kujtojnjë monoteizmin dhe ringjalljen, për të cilat paten folur Profetët.Një njeri që i vështron këto fakte, në fillim mediton e më pas rikujton dhe natyrisht që një gjë e tillë, mund t`i ndodhë vetëm një njeriu të kthyer nga Zoti,me zemrën dhe gjymtuyrët e tij.
Më pas, Zoti i fton njerëzit të meditojnë rreth lëndës që përbën ushqimin e tyre,për veshjen,për kafshët e udhëtimit dhe kopshtet që i rethojnë.Të gjitha këto përbëhen nga elementi bazë që është uji,ujë të cilin Ai e zbriti nga qielli dhe e bekoi,e me të u dha jetë kopshteve me fryte nga më të ndryshmet, të bardhë e të zinj,të kuq e të verdhë,të ëmbël dhe të thartë, me veti dhe përfitime të llojllojshme. Po me këtë ujë, Ai u dha jetë dhe drithërave të ndryshme, me forma dhe cilësi të larmishme. Më pas, përmend veçmas palmën,sepse ajo është një object nga ku mund të nxirren mësime nga çdokush që mediton,dhe kështëu me ujin: “e ringjalli me të token pas vdekjes së saj” (Bekare-164).
Më pas Ai thotë: “Kësisoj do të jetë Ringjallja” (Kaf-11) ,pra ashtu siç dalin nga toka frutat,frytet dhe drithërat,ashtu do të djetë edhe dalja juaj, duke u ringjallur prej saj, pasi kishit humbur në të.
Më pas, Allahu trajton një tjetër temë dhe kjo është vërtetimi i profetësisë, të cilën Ai e bën kaq mire, qartë dhe shkurt, saqë nuk lë hapësira për dilemma dhe dyshime.Allahu na rrëfen se Ai dërgoi Profetët e Tij te populli i Nuhut,i Adit,Themudit, Lutit dhe te populli i faraoinit; dhe të gjithë këta popuj,i përgjënjeshtruan Profetët e Zotit dhe Allahu i ndëshkoi në mënyra të ndryshme. Kështu Allahu vërtetoi paralajmërimin që Profetët e Tij u paten bërë popujve të tyre, nëse ata nuk besonin, Dhe padyshim që kjo është provë që tregon profetësinë e tyre dhe profetësinë e atij që lajmëroi për këto fakte e ngjarje të cilat nuk ia mësoi njeri dhe as që I lexoi në ndonjë libër, por i tregoi ashtu siç ia tregoi vetë Zoti , dhe librat e të krishterëve dhe çifutëve e vërtetojnë më së miri këtë gjë.
Ndaj këtyre ngjarjeve nuk mund të ngrihen supet e habisë dhe kokëfortësisë, për të mohuar se gjëra të tilla kanë ndodhur,apo se fatkeqësitë natyrore janë ato që i shkatërruan këta popuj, ashtu siç ka ndodhur edhe me të tjerë, para dhe pas tyre.Një njeri që mendon kështu,e di fort mire se kërkon të zërë diellin me shoshë, do të mohojë atë që njerëzit e kanë pare me sy dhe e kanë përcjellë brez pas brezi.Mohimi i tij, i ngjan atij që mohon njerëzit, mbretërit dhe dijetarët e shquar që kanë jetuar nëpër shekuj,si dhe atij që mohon vendet e largëta, të cilat nuk ka parë me sy.
Më pas, Allahu përsëri flet për ringjalljen duke thënë: “A mos ishim të pafuqishëm Ne në Krijimin e Parë?” (Kaf-15)
Ibn Abasi duke komentuar këtë ajet thotë :Ka për qellim: A mos ishim të pafuqishëm? PO kështu,e ka komentuar dhe Mukatili. Ndërkohë,ky është rezultat i pasojës që lë veprimi i shprehur nga fjala ‘ajina’ e përdorur në ajet.Kjo fjalë, në gjuhën arabe ka një kuptim më të gjërë,ajo përdoret për të treguar dike që nuk di si të veprojë për diçka,nuk e njeh atë dhe nuk mund të arrijë ta realizojë qëllimin e vet. Nga ky kuptim I fjalës, vjen edhe rrjedhoja e saj,që është pafuqia.Kjo fjalë përdoret edhe në një varg të një poezie arabe,ku flitet për pafuqiën e pëllumbit në lidhje me vezën e tij.Pëllumbi nuk është i pafuqishëm për të bërë vezën , por vargu i poezisë ka kuptimin se ai mbasi e bën atë,nuk di se ku ta vërë,sillet vërdallë që të mund të gjejë një vend për ta vendosur vezën,pasi preokupohet se nuk mund ta ruajë këtë vezë,derisa ajo të çelë pa u dëmtuar;e çdon atë sa në një vend në një vend tjetër,pa qenë i bindur se ku do ta vendosë atë.Ngjashëm me këtë shembull, është edhe ai person që s`di nga t`ia nisë punës dhe sit a vazhdojë atë,ndaj edhe me fjalën ‘ajina’, nuk nënkupton lodhjen siç mendojnë ata që nuk e njohin komentin e Kur`anit. Allahu e mohon lodhjen, duke e cekur këtë në fund të sures ku thotë: “ dhe nuk ndiemë aspak lodhje’ (Kaf-38). Më pas,Allahu na informon se ata janë: “në dyshim të thellë për një krijim të ri”(Kaf-15) ,pra ,se ata janë të paqartë sesi krijesat mund të rikrijohen sërisht.
Më pas,Allahu tërheq vëmendjen për një nga argumentet më të mëdha të Fuqisë së Tij,që është krijimi i njeriut, vërtet krijimi i njeriut është një nga faktet më të mëdha të monoteizmit dhe ringjalljes.E ku mund të gjesh fakt më të qartë sesa ndërtimi i njeriut me gjymtyrë dhe organet e tij dhe përveç kësaj,ai është një qenie që mendon,ndien,shpik dhe prodhon;dhe mendo pak,gjithçka filloi nga një pike e vetme uji!?. Nëse njeriu do ta vlerësonte Zotin e tij ashtu siç e meriton, do të mjaftonte për të besuar tek Allahu, vetë ekzistenca e njeriut.
Më pasë,Allahu na informon se Ai me Dijen e Tij ka përfshirë çdo element të jetës së njeriut, deri dhe pëshpëritjen dhe ndienjat e tij.
Më pasë, Ai na dëften se gjendet shumë pranë njeriut me Dijen e Tij, shumë më afër sesa damari I gjakut që gjendet Brenda tij.
Ibn Tejmije thotë se fjala ‘Ne’ e përmendur në ajet ka kuptimin engjëjt tanë,ngjashëm me ajetin ku thuhet: ”Dhe kur Ne ta lexojmë atë ty ( me anë të Xhibrilit), atëherë ti përcille pranë tij”(Kijameh-18). Pra ,kur të ta lexojnë ty atë i Dërguari ynë Xhibrili. Këtë mendim e mbështet gjithashtu edhe fjala e Allahut:”Dhe kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij “(Kaf-17),kjo tregon se afërsia,për të cilën foli pak më pare është e lidhur me qëndrimin afër të dy engjëjve.Nëse kuptimi i ajetit do të kishte të bënte me afërsinë e Vetë Qenies së Allahut,atëherë Ai nuk do ta kishte kufizuar në kohën kur engjëjt qëndrojnë pranë njeriut, ndaj këtu në këtë ajet, nuk ka asnjë argument që të mbështesë idetë e një njeriu që beson se Zoti bëhet njësh me njerëzit dhe as të atij që mohon cilësitë e Tij.
Më pas, Allahu na bën me dije se në të djathët e në të majtë të njeriut,ndodhen dy engjëj që regjistrojnë veprat dhe fjalët e tij.Allahu duke përmendur se fjalët e njeriut regjistrohen të gjitha,të lë të nënkuptosh se edhe veprat regjistrohen,pasi ato vërtet janë më të pakta,por efektin e kanë më të madh sesa fjalët,sepse veprat janë qëllimi përfundimtar i fjalëve.
Më pas , na bën me dije për Kiametin e vogël,që është agonia e vdekjes dhe se ajo vjen me të vërtetën,e kjo e vërtetë është takimi me Zotin, dajlja para Tij dhe shpërblimi apo ndëshkimi që i jepet njeriut paraprakisht para se të vijë Kijameti i madh.
Më pas, Allahu përmend Kiametin e madh në fjalën e Tij: “Dhe i fryhet syrit,e ajo është dita e premtuar”(Kaf-20). E më pas,Ai tregon për situatat,me të cilat ballafaqohen krijesat në këtë Ditë.Atë ditë çdo njeri do të vijë para Allahut ,i sjellë nga një engjëll dhe nga një tjetër,i cili o të dëshmojë për të.Dëshmitarë të tjerë për njeriun do të jenë edhe gjymtyrët e tij, toka mbi të cilën ai ka qëndruar,i Dërguari i Allahut dhe besimtarët. Kjo ,sepse Allahu do të përdorë për dëshmitarë ndaj njerëzve , engjëjt,vendet në të cilat ata kanë vepruar mire ose keq,lëkurën e tyre me të cilën ata janë treguar të pabindur,dhe Zoti nuk ka për t`i gjukuar njerëzit vetëm në bazë të Dijes së Tij.Allahu është më i Drejti dhe gjykuesi më i Urtë.Për këtë Profeti i Tij njoftoi se ai nuk gjykon vetëm duke u bazuar në dijen e tij,por edhe në at çfarë dëgjon nga dëshmitë e qarta dhe pranimet e njerëzve.Dhe këtu lind pyetja: Si ai lejon vetes një gjykatës vetëm në bazë të dijës së tij,pa u mbështetur në faktet e qarta dhe dëshmitë e vërteta?!
Më pas, Allahu na tregon se njeriu është i pavemendëshëm ndaj faktit të ringjalljes,gjë e cila nuk duhet të jetë kështu,por duhet t`i jepet randësi dhe përkushtim i madh nga ana e tij.Allahu më pas na bën të ditur se kjo shkujdesje dhe pavëmendje do të marrin fund atë ditë,ashtu siç merr fund gjumi dhe njeriu hap sytë e zgjohet,ndaj dhe përmendja e njeriut në botën tjetër,I ngjan përmendjes së tij kur zgjohet nga gjumi në këtë botë.
Pastaj Allahu na tregon se si engjëlli shoqërues, që i ka qëndruar gjithmonë pranë njeriut në këtë botë,shkrun veprat e tij dhe atë ditë, ai do të thotë:Ky është ai me të cilin më ngarkove në dunja dhe ja tek është para Teje.
Ky është interpretimi i Muxhahidi ibn Xhebrit, ndërsa Ibn Kutejbe thotë se kuptimi është: “Ja tek është ajo që unë kam shkruar për këtë njeri, fjalët dhe veprat e tij,janë para meje të regjistruara.” E vërteta është se të dy komentet qëndrojnë, pra , se ky është personi me të cilin unë e ngarkova,dhe kjo është edhe puna e tij që unë kam regjistruar,dhe atëherë atij do t`i thuhet: “Hidheni jut e dy në Xhehenem” (Kaf-24), këto fjalë ka mundësi t`i drejtohen engjëllit që e sjell dhe atij që dëshmon,ose engjëllit që është ngarkuar me ndëshkimin e tij,parësisht se ai është një,pasi arabët në gjuhën e tyre e përdorin një formë të tillë në ligjeratat e tyre.
Më tej Allahu përmend cilësitë e këtij njeriu që do të flaket në Xhehenem dhe ato janë gjashtë:
E para: Ai është një mohues i të mirave të Zotit,një mohues i detyrimeve që ka ndaj Zotit,mohues i fesë,monoteizmit,emrave dhe atributeve të Allahut,mohues i Profetëve,engjëjve,mohues i librave të Zotit,dhe mohues i Ditës së Gjykimit.
E dyta: Ai është një kundërshtar i së vërtetës,kokëfortë dhe mospërparues i saj.
E treta: Ai është një njeri që nuk bën të mira dhe kjo ka të bëjë si me vetë njeriun që nuk i bën të mira vetes, duke mos iu bindur Allahut dhe afruar Atij,por edhe ndaj njerëzve të tjerë.Një njeri i tillë,nuk i bën të mira vetes e as njerëzve të tjerë dhe të tillë janë shumica e njerëzve.
E katërta: Një njeri i tillë,megjithëse nuk bën të mira, është edhe armiqësor ndaj njerëzve,i padrejt e mizor,armiqësor ndaj njerëzve,me gjuhë dhe me dorë.
E pesta: Një njeri dyshues,një njeri që gjithmonë dyshon dhe është në dilema dhe veç kësaj, ai zhytet atje ku ka gjëra të dyshmita e të paqarta.
E gjashta: Dhe ,me të gjitha këto cilësi ai është edhe idhujtar.Ai adhurohen dhe i falet dikujt tjetër përveç Zotit , duke i bërë kështu ortak Atij që është i vetëm e nuk ka ortak.Ai i do idhujt e tij,lumturohet dhe zemërohet për hir të tyre,betohet me emrat e tyre,sakrifikon për tad he miqësohet e armiqësohet për hir të tyre.Atë ditë ,ky njeri do të debatojë me bashkëshoqëruesin e tij shejtanin dhe do t`ia hedhë atij fajin,sepse ishte ai i cili e shtiu dhe e humbi nga rruga e drejtë,por shejtani që qe bashkshoqëruesi i tij në këtë jetë,do të thotë:Unë nuk kam pasur force ta devijoja dh eta humbja, “por ai vetë qe në gabim tepër të largët” (Kaf-27) pra, diçka që ai vetë e zgjodhi dhe i dha përparsi ndaj së vërtetës.Po kështu,do t`u thotë edhe Iblisi banorëve të zjarrit: “Unë nuk kasha asnjë fuqi përmbi ju,por vetëm sa ju bëra thirrje dhe ju m`u përgjigjët.” (Ibrahim-22)
Pra sipas këtij komenti,bashkëshoqëruesi i njeriut me të cilin ai do të debatojë para Allahut është vetë shejtani vetiak që e ka shoqëruar gjatë kësaj jete.
Një grup tjetër njerëzish mendojnë se bashkëshoqëruesi në këtë rast është engjëlli,ndaj të cilit njeriu do të pretendojë se është ai i cili i ka shtuar atij gjëra që nuk i ka bërë dhe se ai është nxitur për të shkruar gabimet e tij dhe nuk ka pritur derisa njeriu të pendohet nga ai gabim.Atëherë,engjëlli do të thotë:Unë nuk kam shtuar azgje nga ato që ai ka bërë dhe as nuk jam nxituar t`i shkruaj veprat e këqija të tij,para se ai të pendohet, “por ai vetë qe në gabim tepër të largët” , dhe Allahu i Madhëruar do të thotë:”Mos u grindni para Meje!”(Kaf-28).
Allahu na ka lajmëruar në suren Safat dhe Araf,sesi mosbesimtarët dhe djajtë do të debatojnë me njëri-tjetrin para Tij,po ashtu në suren Zumer,sesi njerëzit do të debatojnë me njëri-tjetrin para Tij,e po kështu dhe në suren Shuara dhe Sad,se si banorët e zjarrit do të hahen ndërmjet tyre me fjalë.
Më pas Allahu na tregon sesi Ai nuk e ndryshon fjalën e Tij,Thuhet se qëllimi është për ajetin:”Me të vërtetë që do ta mbush Xhehenemin me xhindë e njerëz së bashku”(Hud-119) ,dhe premtimi i Tij për besimtarët se do t`i çojë në Xhennet,dhe këto nuk ka se si të ndryshohen.Ibn Abasi thotë:Ka për qëllim se premtimi im nuk thyhet,as për ata që më binden Mua dhe as për ata që janë të pabindur.Muxhahidi thotë:Ky mendim është më i saktë ndërmjet dy mendimeve për këtë verset.Ndërkohe,ka edhe një mendim tjetër i cili thotë se kuptimi ështëSe para Meje nuk deforhmohen fjalët duke gënjyer,siç bëjnë para mbretërve dhe pushtetarëve,pra sipas kësaj, fjala është për ato ç`ka thonë ata që debatojnë, të këtij mendimi janë El Ferrai dhe Ibn Kutejbe.Ferrai thotë se kuptimi është:Se askush nuk gënjen para Meje,sepse Unë di të fshehtën.Ibn Kutejbe thotë:Askush nuk mund t`i ndryshojë fjalët para meje,as t`i shtojë e as t`i pakësojë.Kjo ,sepse Allahu thotë:”Tek Unë nuk ndryshon fjala” dhe nuk tha: ‘fjala ime’.Kjo i ngjan shprehjes.Nuk gënjehet tek unë.Kështu,sipas mendimit të pare,fjala: “Unë nuk jam aspak i padrejtë ndaj robërve”(Kaf-29) është plotësuese e kuptimit të fjalës:”Tek Unë ndryshon fjala”,pra se ajo që kam thënë dhe premtuar do të bëhet patjetër dhe se në këtë premtim ka drejtësi dhe aspak tirani e padrejtësi.Ndërsa, sipas mendimit të dytë, Allahu e ka cilësuar Veten e Tij me dy gjëra:
E para: Përsosmëria e Dijes së Tij,pengon çdokënd që të ndryshojë fjalët para Tij dhe të thotë gënjeshtra,duke përhapur gjëra të pavërteta.
E dyta:Përsosmëria e Drejtësisë së Tij dhe mospasja nevojë për askënd,e bën Allahun që të mos i bëjë padrejtësi robërve të Tij.
Më pas,Allahu na tregon për gjërësinë e Xhehenemit dhe sesi sa here hidhet në të ndonjë grup njerëzish,ai thotë: ”A ka më?”. (Kaf-30) Ka gabuar ai që mendoi se me këtë ajet synohet mohimi,domethënë: nuk ka për t`u shtuar më.Në një hadith të saktë kundërshtohet ky shpjegim.
Pastaj Allahu tregon se si xhenneti vjen pranë të devotshmëve dhe se banorët e tij do të jenë ata njerëz të cilët karakterizohen nga katër cilësi.
E para: Të jetë njeri i pëunjur (euab),pra një njeri që gjithmonë i kthehet Zotit nga mëkati në devotshmëri,nga harresa e Allahut në përkujtimin e Tij.Ubejd ibn Umejr thotë:Njeriu i përunjur (euab), është ai i cili kujton gjynahet e veta dhe më pas i kërkon Allahut falje për to. Seid bin el Musejib thotë: Njeri i kthyeshëm është ai,i cili gabon dhe më pas pendohet,gabon përsëri dhe përsëri pendohet.
E dyta: Ibn Abasi thotë: Të jetë njeri që e ruan ( hafidh) atë të cilën ia ka besuar dhe obliguar Allahu.Katade thotë:Njeri që e ruan me kujdes mirësinë e Allahut dhe të drejtën e Tij.Shpirti i njeriut ka dy forca: forcën e kërkesës dhe forcën e mbajtjes. Njeriu që i kthehet zotit përdor forcën e kërkesës për t`u kthtyer tek Ai, tek bindja dhe kënaqësia e Tij dhe njieru që ruan porosinë e Allahut,përdor forcën e mbajtjes dhe frenimit të vetvetes nga mosrënia në gjunahe dhe ndalesa.
E treta:Ka të bëjë me cilësinë që tregon ky ajet: ”Për secilin që i është frikësuar Mëshiruesit pa e pare” (Kaf-33) .Ky ajet tregon se njeriu pranon ekzistencën e Zotit,Plotfuqishmërinë,Dijen e Tij,dhe se Allahu është në dijeni të çdo hollësie të njeriut.Po ashtu,ajeti tregon se duhet besuar në librat e Zotit,profetëve,urdhrat dhe ndalesat e Tij.Ajeti gjithashtu tregon se duhet pranuar premtimi i Allahut për shpërblimin,ndëshkimin dhe takimin me Të në botën tjetër.Frika ndaj Mshiruesit,pa e pare Atë,nuk vlen pa të gjitha këto që u përmendëm.
E katërta:”Dhe erdhi me zemër të përkushtuar ndaj Tij,dhe që i drejtohet Atij me pendim.”(Kaf-33) Ibn Abasi thotë: I kthyer nga mëkatet dhe i drejtuar drejt bindjes ndaj Allahut.Kjo cilësi ( el-inebah),do të thotë se zemra është përqendruar në bindjen ndaj Allahut,dashurisë dhe kthimin tek Ai.
Më tutje Allahu përmend shpërblimin e atyre njerëzve që karakterizohen nga këto cilësi,duke thënë:”Hyni në të,me paqe dhe siguri.Kjo është Dita e Jetës së Përsosur!Athe ata di të kenë çfarë të duan,e Ne kemi (mbi këta) më tepër”. (Kaf-34-35)
Më pas, Allahu i frikëson njerëzit se mund t`i shkatërojnë ashtu siç shkatërroi ata që qenë para tyre,ndonëse të shkatërruarit ishin njerëz më të fuqishëm,e megjithatë kjo force nuk i mbrojti dot nga shkatërrimi,po kështu,dhe këta njerëz,nëse përballen me shkatërrimin dhe fillojnë të enden e të bredhin nëpër tokë,a do munden vallë të gjejnë vendstrehim dhe shpëtim nga ndëshkimi i Allahut!?
Katade thotë: Armiqtë e Allahut e pvrpoqën të gjejnë ndonjë vendstrehim ,por e panë se nuk kishin për t`i shpëtuar ndëshkimit të Allahut.
Ez-zexhaxh thotë:Ata u endën dhe kërkuan nëpër tokë shpëtim,por nuk gjetën vendstrehim për të shpëtuar nga vdekja.
Më tej Allahu thotë se në të gjithë këtë që përmendi “Vërtet që në të ka padyshim kujtim për atë që ka zemër,ose që vë veshin e dëgjon duke qenë i vemendshëm e dëshmues.”(Kaf-37)
Më pas Allahu na tregon se Ai i krijoi qiejt dhe token dhe çfarë ka ndërmjet tyre në gjashtë ditë dhe Atë nuk e kapi as lodhje e as dobësi,duke përgënjeshtruar kështu armiqtë e Tij,çifutët,të cilët thonë se Zoti u çlodh ditën e shtatë!
Mandej Allahu e këshillon Profetin e Tij që të marrë Allahun si shembull,në durimin që duhet të tregojë ndaj shpifjeve që bëjnë armiqët e tij,ashtu siç Allahu duron çifutët, të cilët thane për Të se u çlodh!Askush nuk është më i durueshëm se sa Allahu,me gjithë shpifjet që thuhen në adresë të Tij.
Më pas Allahu urdhëron Profetin sesi të bëjë durim,dhe kjo duke madhëruar Allahun me falënderim,para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij,gjatë natës dhe pas faljeve.Thuhet se bëhet fjalë për faljen e vitrit,apo për dy rekatet që fallen pas akshamit.Mendimi i pare është i Ibn Abasit,ndërsa i dyti i Umerit,Alitu,Ebu Hurejres dhe El hasan Ibn Aliut,si dhe një nga dy mendimet e Ibn Abasit,Ka edhe një mendim të tretë nga Ibn Abasi që ,thotë se bëhet fjalë për madhërimin (tesbihët) që i bëhen Allahut pas namazeve farz.
Pasandaj i jepet fund sures duke përmendur ringjalljen dhe thirjen që bëhet që shpirtrat të kthehen në trupat e tyre, për t`u grumbulluar para Allahut dhe Allahu thotë se kjo thirrje vjen nga një vend i afërt,nga ku e dëgjon çdokush, “Diten kur e dëgjon thirrjen për të vërtetën ( ringjalljen ).” (Kaf-42) “Diten kur atyre do t`u çahet toka” (Kaf-44) ,ashtu siç çahet për të dale bimët,ashtu edhe ata do të dalin “duke nxituar” ,pa u vonuar dhe pa pritur,”Ky do të jetë një grumbullim mjaft i lehtë për Ne”.(Kaf-44).
Më pas Allahu na informon se Ai di gjithçka që thonë armiqtë e Tij.Kjo do të thotë se Ai do t`i marrë në llogari për çfarë kanë thënë,përderisa asgjë nuk i shpëton Atij.Allahu e permend Dijen dhe Fuqinë e Tij,për të treguar vërtetësinë e shpërblimit që do të ndodhë.
Pastaj Ai na tregon se Profeti i Tij nuk është tiran as mizor ndaj armiqve të tij,ai nuk është dërguar që të detyrojë njerëzit të futen me dhunë në Islam,por e urdhëron që t`i kujtojë ata që i frikësohen ndëshkimit të Tij.Vetëm një njeri që e ka frikë Zotin,vetëm atij i bën dobi përkujtimi,e ndërsa ai që nuk beson se një ditë do të takohet me Zotin dhe nuk i frikësohet ndëshkimit të Tij,e as nuk shpreson te shpërblimi i Tij,një njeriu të tillë nuk i bën dobi përkujtimi.
Libri: El-Fewaid
Ibn Kajjim El Xheuzije
Përgatiti: Teuhid.NET



