Fjala bujari është fjalë që përmbledh punët e pëlqyera dhe të mira: All-llahu I Madhërishëm thotë: “Lexo! Se Zoti yt është më Bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte” .1
All-llahu e ka emërtuar dhe e ka cilësuar veten me bujari, dhe se Ai është më bujari, d.m.th. ka treguar se Ai i krijoi njerëzit për t’ua sqaruar atyre se Ai iu jep begati krijesave të Tij, dhe ua mundëson t’i realizojnë qëllimet e mira të tyre. All-llahu po ashtu thotë: “I Cili krijoi dhe përsosi. Dhe i cili përcaktoi e orientoi” . 2 Ashtu siç ka thënë edhe Musai a.s.: “Zoti ynë është Ai që çdo sendi i dha formën e vet, pastaj e udhëzoi atë” ,3kurse Ibrahimi a.s. ka thënë: “Zoti që më krijoi, Ai më udhëzon mua” .4
Krijimi e tregon fillimin, ndërsa bujaria mbarimin, ashtu siç thotë në suren El-Fatiha: “Zotit të botëve” ,5 e pastaj thotë: “Bamirësit të përgjithshëm, Mëshirëbrësit” .6
Pra fjala bujari është fjalë që përmbledh punët e pëlqyera dhe të mira, dhe nuk ka për qëllim vetëm dhënien si dhënie, por dhënia është plotësues i kuptimit të saj, sepse t’i bësh mirë dikujt është plotësim i të mirave, ndërsa bujari do të thotë shtim i hairit. Andaj pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos e emërtoni rrushin me emrin kerem (bujari), sepse kerem (bujari) është zemra e besimtarit” .7
Arabët e kanë quajtur rrushin kështu, sepse rrushi është pema më e dobishme, hahet i njomë dhe i thatë, dhe shtrydhet e bëhet lëng për pije, ekzistojnë shumë lloje të tij, dhe është më i pranishëm se hurma e cila rritet dhe kultivohet vetëm në vendet e nxehta. Për këtë shkak All-llahu I Madhërishëm thotë: “Njeriu le të shikoje ushqimin e vet. Ne lëshuam shi të mjaftueshëm. Pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës, dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra, edhe rrush e perime, edhe ullinj e hurma, edhe kopshte të dendura, dhe pemë e kullosa, si mjete gjallërimi për ju dhe për bagëtinë tuaj” .8 Rrushi në ajet është përmendur më parë se të gjitha pemët tjera. Gjithashtu All-llahu I Madhërishëm kur e përshkruan xhennetin thotë: “S’ka dyshim se të devotshmit kanë fitime të mëdha. Kopshte e vreshta rrushi” .9 Pra, gjërat e mira e të dobishme cilësohen me fjalën kerem (bujari) siç e shohim në këtë ajet: “A nuk e shikuan ata tokën se sa shumë lloje bimësh të dobishme bëmë të mbijnë në të?” . 10
Kur’ani na argumenton se ka prej njerëzve që janë të ndershëm, por edhe prej atyre që janë të poshtër, për atë edhe thotë: “Atë që e poshtëron All-llahu nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm. All-llahu punon atë që dëshiron” .11 Ndërsa pejgamberi a.s. i ka thënë Muadh Ibn Xhebelit r.a.: “Ruaju nga më e vlefshmja e pasurisë së tyre, dhe frikoju lutjes së atij që i është bërë padrejtësi,sepse në mes tij dhe All-llahut nuk ka asnjë perde (pengesë)” .12 Fjala “më e vlefshmja e pasurisë së tyre” e përmendur në hadith do të thotë: ajo që pronarët e saj më së shumti e duan dhe më së shumti kanë nevojë dhe dobi nga ato, siç janë kafshët, e kështu me radhë. All-llahu e ka emërtuar Veten e Tij me fjalën bujar në superlativ dhe në trajtën e shquar. Kjo na argumenton se Ai është I Vetmi Bujar, ngase po të kishte thënë: “Zoti yt është Bujar”, në trajtën e pashquar, atëherë kjo formë nuk përkufizon, ndërsa fjala e tij “më Bujari” përkufizon. Po ashtu nuk ka thënë: “më Bujar se ky ose ai”, por e ka përmendur emrin e vet në mënyrë të përgjithshme për të sqaruar se Ai absolutisht është më Bujari, dhe gjithashtu kjo argumenton se Ai cilësohet me bujarinë absolute, mbi Të Cilin nuk ka gjë, dhe I Cili nuk ka të meta. Ibn Atijje ka thënë: Pastaj All-llahu i ka thënë atij (pejgamberit a.s.): “Lexo! Se Zoti yt është më Bujari” , 13 në formë të shprehjes së butësisë, sikur dëshiron t’i thotë: Ec me atë që e lexove, dhe Zoti yt nuk është sikur zotat e tjerë, por Ai është më Bujari I Cili nuk ka asnjë mangësi, dhe Ai ty të ndihmon dhe të bën të dominosh mbi të tjerët.
Them: kanë thënë disa prej selefëve: “Mos flijoni për All-llahun ndonjë kurban të cilin do të turpëroheshit t’ia dhuronit ndonjë bujari, sepse All-llahu është më Bujari i të gjithë bujarëve”.
Do të thotë se Ai është më meritori për t’i bërë bujari, pasi që është më Bujari i të gjitha gjërave. Ai është I Madhërishmi dhe më Bujari dhe vetëm Atij i takon që të Madhërohet dhe të nderohet. Madhërimi e përfshin respektin, ndërsa nderimi e përfshin falënderimin dhe dashurinë, ashtu siç thuhet kur cilësohet besimtari: “U furnizua me ëmbëlsi dhe dinjitet”. Ndërsa në hadithin e Hind ibn Ebi Hale-s, në të cilin ai e cilëson pejgamberin a.s., thotë: “Kush e shihte atë (pejgamberin a.s.) rastësisht, kishte frikërespekt ndaj tij, e kush e arrinte ta njihte nga afër, e donte” .14
________________________________________
01.Kaptina El-Alek, ajeti 3, 5.
02.Kaptina El-E’la, ajeti 2, 3.
03.Kaptina Ta-Ha, ajeti 50.
04.Kaptina Esh-Shuara’, ajeti 78.
05.Kaptina El-Fatiha, ajeti 1.
06.Kaptina El-Fatiha, ajeti 2.
07.Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi. Ndërsa Taberaniu dhe Ebu Nuajmi me tekst të përafërt.
08.Kaptina Abese, ajeti 24-32.
09.Kaptina En-Nebe’, ajetet 31, 32.
10.Kaptina Esh-Shuara’, ajeti 7.
11.Kaptina El-Haxhxh, ajeti 18
12.Hadithin e plotë e Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Ebu Ja’la.
13.Kaptina El-Alek, ajeti 3.
14.Tekstin e këtij hadithi nuk e kemi gjetur me transmetim nga Hind ibn Ebi Hale, por nga Ali ibn Ebi Talib. Poashtu këtë hadith Transmetojnë edhe Tirmidhiu në sunenin e tij dhe në Esh-Shemailul-Muhammedijje.
Shejhul-Islam Tekijjud-din Ahmed Ibn Tejmijje
teuhid.net



