Të privilegjuarit dhe të sanksionuarit e Bashkësisë Islame

Angazhimi dhe përpjekja e myslimanëve për të organizuar dhe zhvilluar një jetë të organizuar institucionale,  përveç faktit se është imperativ kohor, është edhe parim themelor islam përveç argumenteve autentike islame që vërtetojnë këtë obligim, për këtë dëshmon edhe historia e islamit nëpër shekuj. Ky parim është autentik dhe i pa kufizuar në elementin kohë dhe hapësirë. Marrë parasysh këtë fakt, me lehtësi konstatohet se myslimanët në trevat tona në këtë sferë kanë përvojë mbi 600 vjeçare, dhe përmes këtij parimi arritën që të mbijetojnë ndaj të gjitha sfidave me të cilat u ballafaquan gjatë këtyre shekujve. Të flitet për të kaluarën shumë shekullore të institucionit që ka udhëhequr me çështjet e islamit dhe të myslimanëve në vendin tonë, pavarësisht si është quajtur nëpër periudha të ndryshme kohore, ka shumë të flitet si për baticat ashtu edhe për zbaticat e këtij institucioni, mirëpo kësaj radhe ne do të flasim vetëm për institucionin aktual të quajtur BFI.

Sindroma i vetëpëlqimit të vetvetes si duket akoma po vazhdon në radhët e institucionit të BFI, edhe në shekullin XXI nga individë të caktuar, tani më të njohur mirë për opinionin e gjerë, që përmes metodës makiaveliste nuk po kursen asnjë nga mjetet e mundshme (pavarësisht se janë të ndershme apo të turpshme, të lejuara apo të ndaluara sipas islamit) për të realizuar qëllimin e vet, që është pushteti. Kjo nuk është akuzë, edhe pse udhëheqësve tanë nuk u konvenon, por është një realitet i pa kontestuar nga logjika e shëndoshë.

Ta ilustrojmë vetëm me një shembull shumë të thjeshtë, nga instalimi i sistemit plural në Maqedoni, e deri më sot, institucioni i Bashkësisë Islame udhëhiqet nga katër kryetarë (Reisul Ulema), respektivisht dy individë, katër Reisul Ulema dhe nga katër kushtetuta të saja. Pra, vetë fakti se, për më pakë se njëzet vjet të funksionimit të Bashkësisë Islame, u ndryshuan pjesërisht dhe tërësisht Kushtetuat e Bashkësisë islame, jep të kuptosh për joseriozitetin e këtij institucioni. Jemi të vetëdijshëm se ndryshimi apo ndërrimi i kushtetutës në esencë nuk paraqet as absurditet e as veprim penal, por kur merret parasysh nevoja ndërhyrjes, rrethanat, kushtet, mënyra e ndërhyrjes, individët e autorizuar për ndërhyrje dhe hartim të kushtetutës, dhe zbatimi apo mos zbatimi i procedurës juridike për ndërhyrje kushtetuare, sigurisht se është shkelje e të gjitha kodeve fetare, njerëzore, demokratike e edhe juridike, e veçanërisht me ndryshimin e kushtetutës së fundit në vitin 2008, që ndryshimi i saj u arsyetua me një fjali jo vetëm qesharake por edhe banale kur thuhej” u bë ndërrimi i kushtetutës inekzistente”. Kur themi se janë thyer të gjitha kodet, kjo nënkupton se individë të caktuar duke e keqpërdorur postin e tyre, që ua besuan kuvendet e tyre zgjedhore, ata 12-13 individë të quajtur Reisë dhe myftilerë u.d. dekanë dhe u.d. drejtor që, juridikisht kishin funksionin e organit ekzekutiv, ata ndryshuan funksionin e tyre duke u shndërruar në organ të vetëdëfrimit, rrënuan organin ligjvënës që ishte kuvendi dhe përmes ndryshimit të kushtetutës shpallën veten të lindur për pushtet deri në vdekje, dhe më pas i dhanë të drejtën vetes, që vendimet për ata që kundërshtojnë veprimin e tyre ti sjellin nëpër kafe-muhabete kurse të gjitha organet tjera i varrosën pamëshirshëm, dhe kështu në mënyrë “islame-demokratike-transparente” bënë centralizimin e pushtetit tërësisht si në monizëm, dhe shkatërruan sistemin e mbikëqyrjes dhe sistemin zgjedhor në radhët e Bashkësisë Islame.

Kur tani më është instaluar sistemi njëmendësisë në institucionin e bashkësisë islame, dhe veprohet sipas parimit, “nëse nuk mendon si unë, atëherë je kundër mua” miqtë janë të qartë, e edhe armiqtë janë të qartë, sepse të gjithë ata që nuk thonë si themi ne janë armiqtë tanë, dhe ne lehtë e kemi që përmes kushtetutës centraliste ti shpallim armiq, pikërisht si në kohën e Enverit dhe bashkëpunëtore të tij. Nejse, për miqtë ka benificione, sepse vërtetë ata janë pak, kurse për armiqtë ka etiketime dhe sanksione. Të privilegjuar janë vetëm ata që janë lojal ndaj krerëve të Bashkësisë Islame, sepse edhe nëse janë në pension, ata mund të marrin rroga dhe mëditje të majme për aktivitetin dhe punën e tyre që e bëjnë në radhët e bashkësisë Islame, pavarësisht se teolog të diplomuar shëtisin rrugëve pa punë.

Është jo vetëm mahnitës, por kjo është edhe krim, fakti kur një imam ka punuar 30 apo 40 vite si imam, me dekret të bashkësisë Islame dhe në fund kur vjen koha e pensionit nuk mund ta shfrytëzojë këtë të drejtë sepse përvojë pune ka vetëm 10 ose 12 vjet. Edhe më mahnitës është fakti kur jo që nuk mund të shfrytëzoj pensionin, por i ka ngelur borxh shtetit, respektivisht drejtorisë për të hyrat publike, sepse nuk i ka paguar tatimin personal. Dhe ajo që është më ironike se askush nga kreu i bashkësisë islame, e as nga administratorët e saj  jo që nuk jep sqarime për statusin e imamëve, por nëse kërkojmë sqarime menjëherë etiketohemi me lloj lloj etiketash dhe me destruktivitet që nuk ia dëshiron të mirën bashkësisë islame.

Kjo ishte vetëm një dukuri diskriminuese që assesi të përmirësohet në radhët e Bashkësisë Islame, e për rastet tjera do flasim herëve tjera.

T.B

(Autori është ish-myfti i Shkupit)

Hits: 400
Comments (0)Add Comment

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy