Qeveria zogiste, jo vetëm e pranonte kërkesën e judejve, por e shihte atë si një mundësi për zhvillimin e vendit. Ideja e vendosjes së një grupi hebrenjsh në Shqipëri nuk ka lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore, por që në vitin 1935. Vendosja e hebrenjve në Shqipërinë ishte plani ambicioz i deputetit britanik, Sir William Rey, i cili u pa me interes në të gjithë Evropën dhe Amerikën. Ky grup do të krijonte një strukturë të vetën kryesisht me hebrenj të Polonisë. Dokumentet më shumë se gjysmëshekullore që dalin nga AQSH, tregojnë se “piketimi” i radhës nga hebrenjtë ishte Shqipëria, jo vetëm si vend për krijimin e etnitetit judaik, por edhe për të investuar kapitalet e tyre. Nga letrat e shkëmbyera midis Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare dhe Konsullatës sonë në Londër, vërtetojnë se propozimi i bërë nga liderët e organizatave të hebrenjve, ishte mirëpritur nga qeveria shqiptare e asaj kohe. Qeveria Zogiste, jo vetëm e pranonte kërkesën e judejve, por e shihte atë si një mundësi për zhvillimin e vendit. Ndërkohë, arsyeja e dështimit të këtij plani, sipas një artikulli të gazetës bullgare “Pravda”, ishte se qeveria italiane sapo kishte rënë në gjurmët e këtij plani, kishte ushtruar presion politik për të marrë dy koncesione shqiptare, pikërisht në zonat ku mund të vendoseshin hebrenjtë. Kjo solli edhe prishjen e mundësisë për vendosjen e hebrenjve në tokat shqiptare. Në letrat që konsulli ynë në Londër i dërgon ministrit të këtushëm, shumë personalitete të njohura britanike duan të vizitojnë Shqipërinë si një profesor i njohur i Universitetit të Londrës, John Walter, djali i pronarit të gazetës “Times”, Leo Elton, anëtar i shumë këshillave, tregtar e shumë të tjerë. Vizitat e tyre kishin si qëllim studimin e mundësisë së vendosjes të hebrenjve dhe kushtet ekonomike, kulturore që ofroheshin. Për herë të parë me dosje Nr.1-110, botojmë të plota telegramet e shkëmbyera midis Konsullit tonë në Londër, Fuad Asllani me ministrin e Ekonomisë, Dimitër Berati dhe dy artikuj të gazetave “Jewish Chronicle” dhe “Jewish Daily Post”, të cilat flasin për këtë çështje.
Korrespondencë e Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare me legatat shqiptare në Londër e Paris mbi mundësinë e instalimit të izraelitëve në Shqipëri
Tiranë më 17.VI.1935
Drejtuar: Zotni Dr. Fuad Asllani, në Londër
Zotni Ministër,
Tash sa kohë ekzaktësisht më 17 mars 1935 Sir William Rey, deputet në Parlamentin Britanik, (21 Downage, Hendon, N.W.4) i pat drejtuar Nalt Madhërisë së Tij Mbretit nji letër, në të cilën bante fjalë mbi mundësinë e investimit në Shqipëri, kapitalet e një grupi që ai kryeson. Kjo si vazhdimi i një bisedimi qi paskan pasur në Paris me Ministrin tonë atje dhe me zotin de Paltov, përfaqësues i Princit Dayang Muda de Sarawak. Nji farë ndërmjetës në këtë punë ka shërbyer Prof. Jakova-Merturi,të cilën kujtoj se e njihni. Në përgjegje të letrës së drejtuar N.M.T Mbretit më 4 prill 1935 i dërgova Sir William Rey-it nji letër, kopjen e së cilës do ta gjeni këtu pranë. Prej kësaj korrespondence gjer më tash nuk doli gja, por tash ma së fundi mora një letër nga Prof. Jakova-Merturi, ku propozon të vij këtu të na i shpjegojë verbalist projektin e grupit financiar të deputetit në fjalë. Duke marrë parasysh se udhëtime të tilla nuk bahen pa shpenzime e shpërblime dhe duke mos ditur as një gjë të saktë mbi mendimet e projektit të Sir William Rey-it, u mendrash t’ia njoftoj çështjen, se ndoshta kini mundësinë të piqeni me këtë deputet dhe ta shpjegoni çështjen. Në ka ndonji qëllim serioz kujtoj se, rruga ma e drejtë dhe ma e saktë do t’ishte t’ia shpjegoi projektet e veta Ministrit tonë në Londër.
Ministri i Ekonomisë Kombëtare
Dimitër Berati
***
London 14.Tetor.1935
Zoti Ministër,
Kam nderin të Ju njoftoj marrjen e shkresës së Excellencës s’Uaj Nr.987/6, datë 16 gusht 1935, me të cilën më përcjellni një letër të adresuar Zotit James McDonald, komisar i Naltë, për stabilizimin e Izraelitëve në Shqipëri, së bashku me një “expose”. Dokumentat e sipërme, sikundër që më porositni, ia dërgova Zotëries së tij, duke më njoftuar marrjen e letrës së Excellencës s’Uaj dhe atë t’emen, thotë se kur ishte në Genevë ka pasur rastin të bisedojë mbi çështjen në fjalë me Ecellencën e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme Z. Djafer Villa si dhe me Delegatin Permanent të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Gjithashtu më lutet ta lajmëroj Excellenën e t’Uaj se propozimi që i asht parashtuar asht tue patë konsideracion ma të kujdesshëm.
Dërguar: Ministrit të Ekonomisë Kombëtare
Dimitër Berati
Tiranë
***
Tiranë më, 27.07.1935
Nxjerrur nga “Jewish Chronicle”
Shqipëria mirëpret hebrenjtë
Mundësi për imigrantët kapitalista
Mendimet e Legatës
Ministri i Shqipnis në London, në emër të qeveris së tij, bani nji deklaratë dhe tha se hebrenjtë mund të hynin në Shqipni për të derdhë kapitalet e tyre në punë bujqësore e industriale. Ky premtoi edhe se do të bëheshin lehtësira të mëdha. Kështu tha korrespondenti i kësaj gazete. Ministri ka shtuar ndër të tjera: “Qeverija që përfaqësoj unë nuk do të pranonte që këta të vijnë në Shqipni, të fitojnë e pastaj t’ikin. Ata duhet të vinë që të vendosen atje dhe, simbas ligjit duhet të bëhen mënshtetas Shqiptarë se ndryshe nuk kanë të drejtë të blejnë tokë”. Ministri pastaj dëften se toka, me gjithëqë nuk punohet mirë dhe me mjete moderne, prodhon 20-25 kuintal misër dhe afro 18 kuintal grur për çdo hektar vend. Sikur të përdoreshin veglat moderne, do të prodhoheshin edhe ma shumë. ai më siguroi, thotë korrespondenti, se në Shqipni rriten orizi, duhani, ullini dhe rrepat, vendi ka edhe shumë bagëti dhe mund të ngrihen industrit e përlhuravet e të lëkuravet. Vetëm punëtorët e thjeshtë gjejnë vështirësi me hy në Shqipni. Të huajt nuk paguajnë taksë. Korrespondenti pastaj e përshkruan vendin ashtu si ia diftue Ministri, ku thotë se në Shqipni nuk ka dallim race e feje.
***
Nxjerrur nga “Jewish Daily Post”
Vendosja në Shqipni
Koncesjonet e reja i jepen Italjanëve
Ftesa që u ba prej qeverisë Shqiptare për stabilizim hebrenjsh në atë vend, gjeti reaksion simbas shtypit bullgar. Gazeta zyrtare e mirë informue “Pravda”, shkruan mbi kët çështje dhe thotë ndër të tjera se para se të merresh vesh ky lajm në qarqet e Londrës dhe të Neë York-ut, qeverija Italjane dërgoi ministrin e ekonomisë kombëtare, Signor Orlando Crolanza në Shqipni, i cili mundi me sigurue dy konçesione të vlefshme për stabilizim Italjanësh në Shqipni. Tokën ma prodhuese të Shqipnisë për stabilizim bujqsh për nji kohë 20 vjetësh. Tri copa toke të tjera për shfrytëzim mineralesh për 90 vjet. Korrespondenti i gazetës bullgare thotë se nji gja e këtillë ngjau mbas propozimit që u bërë qeverija Shqiptare hebrenjve. Këjo e shifte ma fitimprurës konvensjon privatësh, por nga presioni politik Italjan u shtrëngue me veprue në favor të Italisë.
***
Data 24. Korrik 1935
Zoti Ministër,
Kam nderin të Ju njoftoj marrjen e shkresës së Excellencës s’Uaj Nr. 92/11 me datë 17 të muajit të kaluar, me Ju falë nderit për hollësirat që më jepni: 1. Në konformistet me përmbajtjen e shkresës suaj të përmendur lart si dhe të anekseve të saja, u komunikova informatat e nevojshme Drejtorëvet të “Jewish Telegraphic Agency-s” dhe të “Jewish Chronicle” me shkresë si dhe verbalisht. Revista “Jewish Chronicle” botoi më 12 korrik një artikull, të cilin jua dërgoj këtu mbyllur. Redaktori i “Jewish Telegraphic Agency-s” hartoi edhe ky një artikull, të cilin ma dërgoi për le]itje dhe korrigjime para se ta botojë. 2. Kam marrë një letër prej nji të quajturi Dr. Monlius Rymszeniat, me drejtim “2A Ul. Kijowska, Wilno, Polonge”. Më thotë se ka referenca të dorës së parë dhe një garantie prej ₤ 1.000.000. Shpreh besimin se nga Polonia izraelite me kapitale të mjaftueshme mund të imigrojnë në Shqipni dhe të instalohen aty. Në përgjigje i rekomandova që të ju shkruajë drejt për së drejti Excellencës suaj, mbasi ju kam informuar mbi përmbajtjen e letrës së tij. I sugjerova se, në rast që e kujton të volitshme, mund edhe të bëjë një udhëtim deri në Shqipni. 3. Zoti Leo Elton, një izraelit i këtushëm, tregtar, anëtar i shumë këshillave, më drejtoi një letër, ku më bën të dijtun se udhëtimin e përvjetshëm të tij për pushime dëshiron ta bëjë sivjet në Adriatik, duke e përfshirë edhe Shqipërinë. Me këtë rast ka ndër mend të bëjë edhe studime mbi mundësinë e instalimit të izraelitëve në vendin tonë. Zoti Elton thekson se udhëtimin e bën krejt privatisht, dhe më ka paraqitur edhe një shkresë të komitetit të refugjatëve izraelitë për authentikimin e tij. Zotin Elton e pranova në Legatë dhe pata një bisedim me të. Me qenë se në Shqipni do për të qëndruar vetëm pak ditë, e pashë të udhës që t;i jap në dorë një letër paraqitje tel Excellenca e juaj, që kështu të mundet të marrë informatat dhe hollësirat që kërkon drejt nga autoriteti kompetent. 4. Me këtë rast përmend edhe se një nga Profesorët e Universitetit të këtushëm Dr. Finer, edhe ky vjen në Shqipëri nga fillimi i shtatorit në udhëtimin e kthimit të tij nga Bullgaria, ku shkon me një grup më qëllim studimi. Një grup i tillë i përbërë prej shkencëtarësh do ta vizitojnë Shqipërinë mot për disa javë. Dr. Finer asht një personalitet i shquar dhe kur të kthehet në London ka për të dhënë konferenca dhe për të shkruar mbi Shqipërin. Zotries së Tij, si dhe një tjetër udhëtari Sir Philip Madnus me Z. John Walter-in (i biri i pronarit të Times-it) u kanë rekomanduar që të ju vizitojnë edhe Excellencën tuaj.
Drejtuar: Ministrit të Ekonomisë Kombëtare
Dimitër Berati/shm



