Mosbesimtarët mundoheshin me mënyra të ndryshme t’i luftojnë të Dërguarit, duke përhapur të pavërteta rreth thirrjes së tyre. Kjo shihet qartë në fjalët e tyre.
“Paria nga populli i tij tha: Ne po të shohim (në këtë që na thërret) në humbje të qartë”. (Araf, 60)
“Ne po të shohim mendjelehtë dhe të konsiderojmë vërtetë rrenacak!” (Araf, 66)
“...S’ka dyshim se këta (besimtarët) janë të humbur”. (Mutafifin, 32)
“..Thanë: Është magjishtar ose është i çmendur!” (Dharijat, 52)
Për këtë luftë kemi shumë shembuj, siç është edhe shembulli i popullit të Shuajbit, alejhi selam, të cilët thonin:
"Ata thanë: “O Shuajb, a namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë që e adhuruan prindërit tanë, ose (po të urdhëron) për të punuar në pasurinë tonë ashtu si të dëshirojmë? Vërtet, ti qenke i butë e i mençur”. (Kjo ishte tallje e tyre). (Hud, 87)
Me këtë ton talljeje dhe përçmimi ata iu drejtuan Shuajbit, alejhi selam, duke llogaritur se kështu fliste për shkak të çmendurisë. Ky ishte arsyetimi i tyre për mospranimin e thirrjes së tij.
Kështu kundërshtarët e të gjithë Pejgamberëve u janë drejtuar popujve të tyre, duke i akuzuar pejgamberët se thirrja e tyre është si përfundim i të metave psiqike dhe prapambetjes në mënyrën e të arsyetuarit. I akuzonin të Dërguarit duke thënë se ata nuk kanë mundësi që të përmirësojnë shoqërinë e as që ndjekin ndonjë rrugë të shëndoshë të përmirësimit. S’kanë fuqinë që të ballafaqohen me problemet komplekse të shoqërisë e as që janë në gjendje t’i përgjigjen sfidave të kohëve moderne.
S.A
Teuhid.NET



