Fisi Kurejsh akuzoi Muhammedin, sal’allahu alejhi we selem, duke thënë se qëllimi i vetëm i thirrjes së tij është që të mbrrijë synimet e tij personale për pozitë të lartë në shoqëri.
“Paria nga mesi i tyre shkoi duke i thënë njëri-tjetrit: vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj, pse kjo është një gjë e kurdisur.” (Sad, 6)
Kështu paria Kurejshite e këshillonin njëri-tjetrin të jenë të qëndrueshëm dhe durimtarë në fenë e tyre, sepse Pejgamberi sal’allahu alejhi we selem, sipas mendimit të tyre synon që të zgjidhet si kryetarë, mbret apo prijës i tyre. Kjo është një gjë e kurdisur përsërisnin ata. Të këtij lloji ishin shpifjet, gënjeshtrat dhe allishverishet që i përhapte paria Kurejshite për t’i mashtruar njerëzit e thjeshtë, edhe pse ata ishin plotësisht të bindur se i Dërguari i Allahut sal’allahu alejhi we selem, është larg çdo synimi që ka të bëjë me këtë botë.
Ata e dinin mirë sepse këto gjëra iu ofruan të Dërguarit të Allahut sal’allahu alejhi we selem, e Ai me krenari i refuzoi.
Kur prijesit e mushrikëve u bindën në vendosmërinë e të Dërguarit, sal’allahu alejhi we selem, filluan ta akuzojnë dhe të shpifin edhe pse e dinin se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ishte i pastër nga ato.
Para asaj, Faraoni dhe bashkëpuntorët e tij me fjalë të njëjta e akuzuan Musain, alejhi selam:
“Mos erdhe të na largosh nga ajo (feja) që e gjetëm te prindërit tanë, për t’ju mbetur juve dyve madhështia në tokë?” (Junus, 78)
Qoftë i Lartësuar Allahu, subhanehu we teala!
Ai Faraon, njeriu i cili arriti kulmin e kufrit, kryelartësisë dhe padrejtësisë:
“O ju pari, unë nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju pos meje, andaj ti o Haman, m’i pjek (tullat) nga dheu e më ndërto një kullë të lartë, ndoshta do të arrijë ta shoh zotin e Musait, sepse unë mendoj se vërtet ai është gënjeshtar”. (Kasas, 38)
Dhe tha: “Unë jam zoti juaj më i lartë!” (Naziat, 24)
Njeriu, i cili pa të drejtë përvetësonte të mirat dhe pasurinë prej njerëzve e vajzat më të bukura i dhunonte për t’i shuar epshet e veta shtazarake, vriste meshkujt e jehudëve ndërsa femrat i linte të gjalla. Ai që kërkonte prej njerëzve që në vend të Allahut të adhurohet ai. ky tiran, i cili e kishte përsosur artin e vet të dhunës kur ballafaqohet me thirrjen e Musait, alejhi selam, i cili i ftonte njerëzit që të çlirohen nga tirania e faraonit dhe nga padrejtësitë e tij për të adhuruar vetëm Allahun, subhanehu we teala, do të thotë:
“Mos erdhe të na largosh nga ajo (feja) që e gjetëm te prindërit tanë, për t’ju mbetur juve dyve madhështia në tokë?” (Junus, 78)
Ky ishte reagimi i tij sepse në thirrjen e Musait alejhi selam, shihte rrezikun e qartë për pushtetin e tij. Ky qëndrim nuk është për t’u habitur, më i habitshëm ishte qëndrimi i masës së devijuar, e cila verbërisht zbatonte urdhërat e tij.
I tillë ishte edhe mentaliteti i ushtarëve, të cilët e kundërshtuan Musain alejhi selam. Ata e ndoqën Musain alejhi selam, për ta vrarë. Ku ishte mendja e asaj ushtrie?! Ku ishte humaniteti i tyre. Faraon shfrytëzonte mendjelehtësinë e tyre dhe e dëgjuan. Me të vërtetë ata ishin popull mosbesimtarë.
Kështu, gjatë historisë kundërshtarët e Allahut subhanehu we teala dhe të Dërguarve të Tij, alejhimu selam, përhapnin gënjeshtra dhe dyshime në mesin e popujve për t’i larguar nga feja e Allahut, subhanehu we teala, me synim të vetëm që të ruajnë pozitat e tyre. Që pushteti të mbetet në duart e të lajthiturve.
“Ty nuk po të thuhet tjetër përveç asaj që u është thënë të dërguarve para teje”. (Fusilet, 43)
“A mos e porositën njëri-tjetrin me këtë? Jo, por ata janë popull renegat”. (Dharijat, 53)
S.A
Teuhid.NET



