Fisi Kurejsh në luftën e tyre kundër të Dërguarit të Allahut, sal’allahu alejhi we selem, braktisi vlerat dhe parimet me të cilët krenohej çdo arab. Harruan mikpritjen, bujarinë në kohën kur bojkotuan fisin e të Dërguarit, Benu Abdul Mutalib dhe ndaluan tregëtinë me ta dhe çdo marrëdhënie tjetër, me qëllim që ta largojnë të Dërguarin e Allahut nga thirrja e tij.
Shpeshherë, ushqimi i vetëm për muslimanët ishte lëkura e thatë e ndonjë cofëtine që e gjenin në shkretëtirë. Mushrikët e Mekkes dëgjonin vajin e fëmijëve por zemrat e tyre nuk zbuteshin, nuk i brengoste halli i tyre, harruan bujarinë dhe u shndërruan në shtazë të egra.
Shkaku kryesorë për këtë ndryshim ishte armiqësia e hapur ndaj thirrjes islame sepse ajo rrezikonte pozitën e tyre. Do të përmendim vetëm një shembull për bujarinë e tyre dhe në shumë raste ai dërgonte thirrësit e tij që t’ua tregonin shtëpinë e tij të varfërve ku gostiteshin si mysafirë të ndershëm. Bujaria dhe mikpritja e tyre është përmendur në shumë poezi, siç është edhe poema e poetit Umejje ibn Ebi Salt, ku thuhet: “Ai ka thirrësit e vet në rrugët e Mekes dhe tjetrin që mbi shtëpinë e tij thërret”.
Armiqësia e mushrikëve ndaj besimtarëve arriti majat kur çuan të dërguarit e tyre në Etiopi për ta bindur mbretin e Etiopisë që t’i largojë muslimanët që gjetën vendstrehim në tokën e tij. Ata dërguan Abdullah ibn Ebi Rebi’a dhe Amër ibn Asin që t’i thonë mbretit këto fjalë: “O mbret, të erdhën disa të rinj mendjelehtë, të cilët e braktisën fenë e tyre dhe fenë e të parëve të tyre e as nuk kanë hyrë në fenë tënde. Shpikën një fe të re, të panjohur për neve dhe juve. Ne, paria e Mekes dërguam më të ndershmit prej popullit të tyre dhe prej të afërmve të tyre që t’i kthesh në Meke te të afërmit e tyre, sepse ato më mirë e dinë çfarë kanë bërë dhe se si i kanë nënçmuar stërgjyshit e tyre”. (Nektari i vulosur i xhennetit, f.111)
Me këtë vrazhdësi, fisi Kurejsh luftonte besimtarët, duke i ndjekur edhe jashtë vendit ku ata kërkonin strehim. Lanë pas dore parimet e bujarisë dhe nderit. Harruan kohën kur edhe vetëm një fjalë mjaftonte si garanci, në të cilën mbështeteshin armiqtë e tyre kur hynin në Meke pa frikë për jetën dhe pasurinë e tyre.
Fisi Kurejsh harroi parimet me të cilët krenohej dhe mbushnin faqet e poezisë së tyre. Kur ky fis u ballafaqua me thirrjen e Teuhidit, i cili rrezikonte pozitat e tyre, u shkelën këto parime dhe filloi një luftë e hapur.
Pejgamberi, sal’allahu alejhi weselem, u ndesh me një luftë shumë të ashpër, ashtu siç u ndeshën edhe vëllezërit e tij, pejgamberët përpara tij. Armiqtë e thirrjes bënin propagandë me anë të së cilës dëshironin që t’i largonin njerëzit prej të Dërguarit të Allahut, sal’allahu alejhi weselem. Prej gënjeshtrave të shumta, më e përdorura ishte ajo që kishte të bënte me qëllimin e tyre për të përhapur dyshime në drejtësinë dhe sinqeritetin e të Dërguarve, alejhimu selam.
S.A
Teuhid.NET



