Morali dhe sjelljet

Kujdesu që të njihesh si njeri me qëllime të mira dhe jo si njeri tinëzar, sepse, në këtë rast, njerëzit do të ruheshin prej teje aq shumë, saqë kjo mundë të të dëmtojë apo vrasë.

Mësoje veten me idenë se gjithnjë mund të të godasin gjëra që ti i urren. Në këtë mënyrë,nëse të ndodh diçka e keqe, nuk do të shqetësohesh, kurse gëzimi yt do të jetë i dyfishtë nëse të ndodh ndonjë e mire që s’e kishe parashikuar.

Kur shqetësimet shtohen shumë, do të rrëzohen që të gjitha.

Nganjëherë ndodh që tradhtari t’ia mbajë fjalën një njeriu me fat, kurse besniku të mos ia mbajë fjalën një njeri me fat. I lumtur në këtë botë, madje shumë i lumtur, është ai që fati nuk e ka detyruar të vërë në prove shokët e vet.

Mos mendo për ata që duan të të lëndojnë! Nëse je me fat, ata janë të humbur dhe fati do të të mbrojë ty. Nëse fati të kthen shpinën, atëherë kushdo mund të të lëndojë.

Lum ai që ia njeh të metat vetvetes më mire se siç ia njohin të tjerët!

Durimi i vrazhdësisë së të tjerëve ndaj teje është tri llojesh: durim me dike që ka fuqi mbi ty, ndërsa ti s’ke mbi atë, durim me dike që ke fuqi mbi atë, ndërsa ai ska mbi ty. Lloji i pare i durimit është ulja e poshtërim dhe jo virtyt. Këshilla për atë që i frikësohet një situate më të rëndë se ajo që po duron, është të lërë çdo gjë dhe të largohet. Lloji i dytë i durimit është virtyt dhe bamirësi,është zemërgjerësia e vërtetë, e cila karakterizon njerëzit e virtytshëm. Ndërsa lloji i tretë shihet në aspekte: 1) Nëse vrazhdësia vjen prej një personi që e bën këtë gabimisht, pastaj e kupton shëmtinë e veprimit të vet dhe pendohet,atëherë të tregosh durim me të është virtyt dhe detyrim. Kjo është vetë zemërgjerësia 2) Nëse vrazhdësia vjen prej dikujt që e mbiv lerëson veten dhe kujton se ka të drejtë të tregohet arrogant me këdo, duke mos u penduar aspak për veprimet e veta, atëherë ta durosh atë, do të thotë ta poshtërosh veten dhe ti bësh keq atij, sepse je duke e nxitur të vazhdojë edhe më tej në të keqe.

Por edhe tia kthesh me të njëjtën monedhë, është budallallëk. Më e mira është ti bëhet e ditur se ti ke mundësi ta mposhtësh atë, por nuk dëshiron ta bësh këtë, sepse nuk ia vlen të merresh me të, dhe që ai të heqë dorë vetë. Kaq është e mjaftueshme.Për sa i përket sjelljes së vrazhdë të njerëzve nga shtresat e ulëta’’shpërblimi’’i vetëm për ta është ndëshkimi.

 Kush ulet me turmat vulgare,asnjëherë nuk do të shpëtojë nga shqetësimet që i shkaktojnë dhimbje,ose nga mëkatet,për të cilat do të pendohet në jetën e përtejme, ose nga inati që ia djeg zemrën,ose nga poshtërimi që ia ul kokën. Atëherë çfarë duhet thënë për dike që përzihet me ta dhe krijon marrëdhënie të ngushta?! Në të vërtetë dinjitetin,qetësinë,lumturinë dhe sigurinë do ta gjesh duke u veçuar nga ata.Shoqërimin me ta duhet ta konsiderosh si zjarri: ai të përcëllon.edhe sikur të mos biesh brenda në të.

 Sikur përzierja me njerëzit të kishte vetëm dy fajet e mëposhtme, kjo do të ishte arsye e mjaftueshme për t’iu shmangur asaj. Këto faje janë: 1) Nxjerrja në një atmosphere miqësore e sekreteve vrasëse,të cilat nuk do të dilnin në shesh nëse nuk do të ndodhte kjo përzierje; 2) Shfaqja e kryelartësisë,që të shkatërron në jetën e amshuar.Nuk ka mënyrë tjetër për të shpëtuar nga këto sprova,përveç largimit nga çdo lloj shoqërie.

 Mos e nënvlerëso një punë të së nesërmes që mund ta bësh edhe sot, sado e paktë qoftë, por përshpejtoje atë,se punët e pakta mblidhen, dhe ndoshta bëhen aq shumë, saqë është e pamundur të kryhen. Në këtë mënyrë gjithçka shkon kot.

 Mos nënvlerëso asnjë vepër,  nga e cila ke shpresë se do të llogaritet në të mirën tënde Ditën e Ringjalljes, por kryeje atë sa më shpejt! Sado e vogël që të jetë, ajo do të të heqë një barrë të madhe mëkatesh ,të cilat, pot ë mblidheshin, do të të hidhnin në zjarrin e Ferrit.

 Vuajtjen që e shkaktojnë tortura, varfëria,fatkeqësia dhe frika, e njeh vetëm ai që i ka provuar ato, dhe jo ata që ndodhen jashtë tyre. Nga ana tjetër,shëmtinë e gjykimit të mbrapshtë, të turpit dhe mëkatit e njeh vetëm ai që është jashtë tyre,kurse ai që është brenda tyre, nuk e kupton.

 Vlerën e mendimit të urtë, virtyteve dhe punës për të fituar jetën e amshuar e njeh vetëm një njeri që është i denjë për to, dhe jo ai që nuk është i denjë.

 Personi i pare që largohet nga një mashtrues, është ai njeri, në favor të të cilit është bërë mashtrimi. Personi i pare që e urren një dëshmitar të rremë, është ai njeri, në të të cilit është bërë dëshmia. Personi i pare që e përbuz një femër të përdalë, është ai që ka shkuar me të.

 Për aq sa kemi pare, nuk gjen diçka që, pasi prishet njëherë, të kthehet në gjendjen e mire siç ishte më pare, përveçse pas vështirësish të mëdha. E ç’mund të thuhet pastaj për trurin e dikujt, që degradohet nga dehja natë pas natë?! Vërtet, një mendje që e shtyn të zotin e saj drejt shkatërrimit çdo natë, është një mendje që duhet dënuar.

 Rruga e gjatë është e lodhshme, ndërsa qoshet e saj janë të rehatshme. Pasuria e shumtë ta shton lakminë,ndërsa pasuria e paktë të shton përkoren.

 Njeriu i mençur mund të jetë edhe i pafat në planet e veta, kurse budallait asnjëherë nuk i del mir  plani.

 Nuk ka gjë më të dëmshme për një sundimtar sesa të rrethohet nga shumë njerëz të papunë. Një sundues i kujdesshëm di si ti vërë në lëvizje, pa qenë i padrejtë me ata në këto punë. Nëse nuk vepron kështu, ata do ta zënë atë me angari të kota.

 Kush i afron pranë vetes armiqtë e vet, në të vërtetë ka bërë vetëvrasje.

 Kush e sheh shpesh një preson të rëndësishëm, e konsideron atë me më pak autoritet dhe më pak të rëndësishëm.

 Frikësimi i të tjerëve duke dale përherë i veshur mire, i spituluar, fytyra e vrenjtur dhe pamja e një njeriu të pakënaqur, janë maskat që përdorin injorantët që kanë arritur larg në këtë botë për të fshehur injorancën e tyre.

 Një njeri i mençur nuk i  mashtrohet nga një miqësi që ka filluar në kohën kur ka qenë në pushtet, sepse atëherë të gjithë kanë qenë miq të tij.

 Përpiqu që në punët e tua të kërkosh ndihmën e atij njeriu, që ka të njëjtin interes sit y në daljen e tyre me sukses! Mos kërko ndihmën e atij që përfiton prej teje aq sa ç’përfiton nga të tjerët!

 Mos iu përgjigj fjalëve të dikujt, që në fakt janë përcjellë tek ti nga një i tretë, derisa të sigurohesh se ai i ka thënë vërtet ato, sepse ai që të ka sjellë një gënjeshtër, do të kthehet prej teje me një të vërtetë.

 Besoji një fetari të devotshëm, edhe nëse nuk është i fesë sate, dhe mos i beso atij që shpërfill çdo gjë të shenjtë, edhe nëse hiqet si i fesë sate! Një njeriu që i shpërfill detyrimet e shenjta të Allahut të Plotfuqishëm, nuk duhet ti besosh asgjë të shtrenjtë.

 Kam vënë re se njerëzit që japin kontribut me jetën e tyre, janë më të shumtë se ata që ndihmojnë me paranë e tyre. Këtë dukuri e kam vëzhguar prej kohësh, por, me gjithë përvojën time të gjatë, asnjëherë nuk e kam pare të ketë ndryshuar. Jam lodhur shumë pët të gjetur, arsyen e kësaj sjelljeje, por në fund them se ndoshta kështu është gatuar njeriu.

Një nga shëmtitë e padrejtësisë është t’ia mohosh veprën e mire një keqbërësi të rregullt, kur e bën atë në të rrallë.

Kush heq qafe një armik, do të shohë si do ti dalin arrmiqësi të shumta.

Nuk kam parë gjë më të ngjashme me jetën e kësaj bote sesa teatri i hijeve, që ndërtohet me kukulla të montuara në një rrotë mulliri që vërtitet me shpejtësi, duke bërë që disa kukulla të zhduken e disa të shfaqen.

 Prej kohësh kam medituar rreth vdekjes i habitur; kjo për arsye se kam pasur disa miq aq të ngushtë,për nga dashuria e sinqertë,sa ç’është afërsia midis shpirtit dhe trupit. Kur disa prej tyre vdiqën,ndonjërin e shihja në ëndërr, kurse ndonjë tjetër jo,ndërkohë që me këtë të fundit,kur ishim gjallë,kishim lidhur besën që të vizitoheshim në ëndërr,nëse do të ishte e mundur.

 Mirëpo unë atë nuk e kam pare,qysh se më ka paraprirë për në botën tjetër! Nuk e di nëse ka harruar apo është i zënë. Kështu që kam menduar se hutimi i shpirtit dhe harresa e gjendjes në të cilën ishte në botën e sprovimit,ndërsa prêt të hyjë në trup, është si hutimi i dikujt që ka rënë në një llucë dhe ka harruar çdo gjë të njohur dhe familjare më parë. Pas një rishikimi të çështjes gjeta një tjetër argument në mbështetje të këtij shpjegimi. Kam studiuar një njeri që fle,kur shpirti del nga trupi,ndjesitë e tij rriten aq shumë,sa arrin të shohë gjëra nga e padukshmja. Në këto momente shpirti e harron krejtësisht,në mënyrë absolute,gjendjen në të cilën ishte para gjumit,edhe sikur të ketë kaluar një cast. Tashmë shpirti ndodhet në gjendje të tjera,gjatë të cilave është i pajisur me kujtesë dhe ndjeshmëri;aim und të kënaqet dhe të vuajë. Kënaqësitë e gjumit ndihen edhe gjatë tij,sepse njeriu që fle mund të ndiejë kënaqësi,të ëndërrojë,të frikësohet dhe të mërzitet gjatë gjumit.

Shpirti kënaqet vetëm me shoqërinë e një shpirti tjetër. Kurse trupi është i rëndë dhe lodhës.Argument për këtë është shpejtësia me të cilën personi varros trupin e një njeriu të dashur, kur shpirti del prej tij,dhe keqardhja që ndien për largimin e shpirtit, edhe pse kufomën e ka para vetes.

Asnjëherë nuk kam pare kurth të shejtanit më të keq,më të shëmtuar dhe më budalla,sesa kur përdoren dy fjalë që ai i vendos në gjuhët e ndjekësve të tij. Hera e pare është kur dikush justifikohet për të bërë keq,me faktin se dikush tjetër i kishte bërë keq atij më pare. Hera e dytë është, kur dikush e quan të lehtë faktin që ka bërë keq sot,me justifikimin se kishte bërë keq edhe dje;ose e quant ë lehtë faktin që është sjellë keq me filanin, me justifikimin se ishte sjellë keq edhe me të tjerët .Këto dy fraza e kanë justifikuar dhe lehtësuar tashmë të keqen;ato e kanë future atë në rrethin e asaj që pranohet,tolerohet dhe nuk kritikohet.

Tregohu mosbesues kur të jesh në gjendje për të qenë plotësisht i kujdesshëm dhe i matur. Por,në qoftë se nuk je i aftë për tu treguar i matur e i kujdesshëm,atëherë do të duhet tu besosh njerëzve. Kështu do të fitosh qetësinë e shpirtit.

Përkufizimi i bujarisë, i qëllimit të saj më të madh, është që e gjith teprica e pasurisë të shpenzohet në punë të ndryshme bamirësie.Bamirësia më e mire është të ndihmohet një fqinj nevojtar,një i afërm i varfërë,një njeri të cilit i ka humbur pasuria dhe është pranë shkatërrimit. Mbajtja e tepricës së pasurisë dhe mosshpenzimi i saj në këto punë bamirësie hyn në rrethin e kopracisë.Sipas shtrëngimit apo lirimit të dorës në këtë drejtim vijnë respektivisht qortimi dhe lavdërimi. Ndërsa shpenzimi i tepricës së pasurisë jo në punë bamirësie quhet shpërdorim. Është virtyt dhe altruizëm që ti japësh dikujt më nevojtar se ty pjesë nga ajo që të nevojitet për të jetuar. Ky veprim është edhe më fisnik se bujaria e thjeshtë. Të mos japësh atë që të nevojitet për të jetuar nuk është as për tu lavdëruar e as për tu share; është thjesht veprim i drejtë.

Të japësh që e ke për obligim,është detyrë. Të japësh tepricën e ushqimit të nevojshëm,është bujari .Të sakrifikohesh veten dhe të japësh lëmoshë pjesë nga ushqimi yt i nevojshëm,për sa kohë që nuk do ta vdesësh veten urie,është virtyt. Të mos japësh atë që e ke për detyrë ta japësh, është e ndaluar. Të mos japësh tepricën e ushqimit është koprraci dhe lakmi. Të mos jesh altruist,duke dhënë pjesë nga ushqimi i nevojshëm,është e justifikueshme. T’ia ndalosh vetes apo familjes ushqimin e nevojshëm,a pjesë të tij,për arsye koprracie,është një veprim i ndyrë,i poshtër dhe mëkatar. Bujari me gjëra të fituara padrejtësisht është padrejtësi e dyfishtë,e cila meriton të dënohet e jo të lavdërohet,sepse,në të vërtetë,ti ke bërë bujari me mallin e të tjerëve,jo me mallin tend.Tu japësh njerëzve atë që u detyrohesh,nuk është bujari,por obligim.

  Përkufizimi i guximit është të sakrifikosh jetën tënde në mbrojtje të fesë,në mbrojtje të grarisë,të fqinjit të keqtrajtuar,të një njeriu të shtypur që të kërkon ndihmë,apo mbrojtje të pasurisë e nderit të sulmuar padrejtësisht,si dhe të çdo çështjeje tjetër të drejtë,kundër të gjitë kundërshtarëve,të paktë apo të shumtë qofshin.Të mos i bësh këto që përmendëm është burracakëri dhe dobësi.Ta sakrifikosh veten për gjëra të kota të kësaj bote,është kokëkrisje dhe budallallëk.Akoma më budallallëk është ta përdorësh guximin për të luftuar kundër të drejtave dhe detyrimeve,kundrejt vetes apo kundrejt të tjerëve.Budallallëk edhe më i madhë se të gjitha këto,është ajo që kam pare te disa njerëz,të cilët nuk dine se çfarë kauzeje t’ia kushtojnë jetën.Kështu,ata here luftojnë për X-in kundër Y-it e here luftojnë për Y-in kundër X-it,madje ndodh që të ndërrojnë flamur brenda ditës,duke rrezikuar të vdesin pa kuptim,e të përfundojnë në zjarrin e Ferrit apo të vrapojnë drejt trupit. Rreth njerëzve të tillë na ka paralajmëruar që më pare i Dërguari i Allahut (Allahu i dhëntë paqe!),kur ka thënë ‘’Ka për të ardhur një kohë për njerëzit,kur vrasësi nuk do ta dijë përse ka vrarë,kurse viktima nuk do ta dijë përse është vrarë’’.

Përkufizimi i vetëpërmbajtjes morale është të largosh shikimin,gjymtyrët dhe të gjitha shqisat e tua nga ata trupa njerëzore që janë caktuar si të ndaluar.Nëse e kapërcen këtë kufi,kalon në kurvëri. Por,nëse kufizohesh më tej,dhe e frenon veten edhe nga ajo që të ka lejuar Allahu i Plotfuqishëm.,atëherë kjo është dobësi,pafuqi.

Përkufizimi i drejtësisë është të japësh më zemër atë që e ke për detyrë dhe të marrësh aq sat ë takon.Ndërsa përkufizimi i padrejtësisë është të marrësh atë që të përket,pa dhënë atë që ke detyrim.

Përkufizimi i fisnikërisë është të japësh me zemër e dëshirë atë që e ke detyrim dhe të heqësh dorë vullnetarisht nga e drejta jote për hir të të tjerëve.Kjo është edhe virtyt.Çdo lloj bujarie është fisnikëri dhe virtyt,por jo çdo akt fisnikërie dhe virtyt është bujari.Virtyti ka kuptim më të përgjithshëm,kurse bujaria është më e veçantë.Kështu p.sh. shpirtmadhësia është virtyt,por s’është bujari.Virtyti është të kryesh atë që ke për detyrë,duke shtuar diçka më tepër.

Një orë neglizhencë çon dëm përkushtimin e një viti të tërë.

Gjatë drejtimit të punëve,gabimi i një individi është më i mire se politika e drejtë e një bashkësie,nëse kjo nuk është e bashkua nën drejtimin e një njeriu të vetëm.Arsyeja është se gabimi i një individi mund të ndreqet,kurse mendimet e sakta të një bashkësie do ta mësojnë atë të shpërfillë vazhdimisht gabimet e saj,gjë që do ti çojë në humbje.

 Zjarri i trazirave nuk ngroh.

 Unë kasha të metat e mia dhe jam përpjekur ti ndreq ato vazhdimisht nëpërmjet ushtrimit të disciplines e studimit të fjalëve që kanë thënë profetët (Allahu u dhëntë paqe)dhe filozofët e virtytshëm,të hershëm e të vonë,rreth moralit dhe vetedukimit.Kështu vazhdon,derisa Allahu i Plotfuqishëm më ndihmoi të korrigjoja pjesën më të madhe të tyre,falë mbështetjes dhe hirit të Tij.Është tregues i drejtësis së përsosur,i vetedukimit dhe i kontrollit të së vërtetës,akti i pranimit të fajeve me qëllimin që një ditë dikush të mund të mësojë prej kësaj,dashtë Allahut!

 Një prej të metave të mia ka qenë që ngazëllehesha tepër,kur kisha të drejtë dhe,që e teproja në zemërim,kur diçka më dukej e padrejtë.Zemërimi vazhdova ta kuroj,derisa vendosa të mos shfaq asnjë lloj acarimi në vërejtjet,veprimet apo diskutimet e mia.Hoqa dorë nga çdo lloj triumfi i palejushëm,dhe mbajta me mundim peshën e rëndë të këtij vendimi.Me pahir durova një situate mjaft të dhimbshme,e cila,ndoshta,më sëmuri.Mirëpo ishte e pamundur të zotëroja edhe entuziazmin kur kënaqesha me të drejtën që kisha.Siç duket,ia tolerova vetes këtë passion,sepse nuk më dukej se përbënte ndonjë faj.

Një tjetër e metë ka qenë dëshira e pakontrolluar për të bërë shaka.Ajo që munda të arrij,ishte që të mos bëja më shaka nëse personi tjetër zemërohej;porse e toleroja veten,kur shihja se lënia e shakasë do të më bënte të dukesha hijerëndë apo arrogant.

Një e metë tjetër:vlerësimi i tepruar për veten. Atëherë mendja mu hëngër me veten time,duke ia njohur të metat asaj,derisa u kapërcye gjithë ajo vetëkënaqësi dhe,falë Allahut,nuk mbeti më asnjë gjurmë prej saj. Madje e ngarkova veten që ta përçmojë pozitën e saj tërësisht dhe të praktikojë modestinë.

E metë tjetër kanë qenë dridhjet që shkaktoheshin nga naiviteti i rinisë dhe dobësia e gjymtyrëve. E detyrova veten me force që të ndalonte, dhe dridhjet u zhdukën.

Nga të metat e mia ka qenë dashuria për fame të madhe dhe epërsi.Ajo që vendosa të bëj,pasi kuptova vuajtjet e kësaj sëmundje,ishte të hiqja dorë nga çdo gjë e ndaluar nga feja.Për pjesën tjetër i kërkoj ndihmë Allahut,megjithëse shfaqja e shpirtit idhnak,kur është nën kontrollin e arsyes,mund të jetë virtyt dhe sjellje e lavdërueshme.

Një e metë tjetër është se dikur kam pasur një ndjenjë të tepruar përçmimi ndaj shoqërimit me gra në çdo lloj situate,e cila më bëri ta urrjet martesën,dhe kjo ishte shumë e vështirë për natyrën time. Tani duke sikur kam ndaluar së luftuari për të mposhtur këtë ndjenjë të tepruar,së cilës ia njoh shëmtinë,për shkak të disa problemeve që më kanë zënë papritur,Allahu më ndihmoftë!

Kam pasur edhe dy të meta,të cilat mi ka mbuluar Allahu i Lartmadhëruar. Ai më ka ndihmuar ti luftoj dhe,me mirësinë e Tij,ti mposht ato. Kështu që njëra prej tyre është zhdukur plotësisht,lavdi Allahut! Duket sikur fati i lumtur është në anën time:sa here që kjo e metë ngre kokën,unë shpejtoj t’ia shtyp atë.Kurse e meta e dytë më torturoi prej një kohe të gjatë.Kur zgjatimet e saj fillonin të vlonin,venat nisnin të më plusonin dhe ishte gati për tu rishfaqur.Pastaj Allahu i Lartësuar,me një prej rrugëve të mirësisë së Tij, ma lehtësonte ta mbaja,derisa ajo u zhduk përfundimisht.

Një tjetër e metë ka qenë mëria e theksuar që bartja në vetvete.Me ndihmën e Allahut të Lartësuar, këtë ndjenjë arrita ta zbus e ta fsheh,si dhe munda të shmang shfaqjen e të gjitha efekteve të saj. Mirëpo nuk kam arrituar ta zhduk atë tërësisht dhe,njëkohësisht,asnjëherë nuk kam mundur që të miqësohem me dike, i cili ,me të drejtë ka qenë armiqësuar me mua.

 Mungesën e besimit ndaj tjetrit disa e konsiderojnë faj në mënyrë absolute. Por nuk është kështu, përveçse kur ky qëndrim e shtyn njeriun drejt një veprimi të ndaluar nga feja. Ndërsa ajo për të cilën më qortojnë armiqtë e mi injorantë, se unë nuk dua t’ia di se kush me kundërshton, qofshin këta e gjithë njerëzia, kur besoj se diçka është e drejtë dhe e vërtetë; apo se unë nuk shqetësohem të pajtohem me veshjen e njerëzve të vendit tim, të cilën ata e kanë bërë të tyren pa një qëllim të caktuar-pra, kjo cilësi është një nga virtytet e mia më të rëndësishme,e cila nuk e ka shoqen. Për jetën time, sikur të mos e kasha këtë cilësi, Allahu na ruajtë, ajo do të ishte një nga dëshirat dhe lutjet e mia më të mëdha për Krijuesin tim të Pltofuqishëm! Unë ia këshilloj atë gjithkujt që i dëgjon apo lexon fjalët e mia, sepse askujt nuk do ti bëjë dobi ti imitojë njerëzit e tjerë në vepra të kota e të pakuptimta, të cilat zemërojnë Allahun e tij Fuqiplotë,zhgënjejnë mendjen e tij, i shkaktojnë dhimbje shpirtit e trupit të tij dhe e bëjnë atë të mbajë një barrë të panevojshme.

Gjithashtu, disa që nuk e njohin realitetin, më kanë qortuar se unë nuk vuaj kur ofendohem, dhe se të njëjtin qëndrim që mbaj ndaj vetes, mbaj edhe ndaj vëllezërve të mi, duke mos u mërzitur kur ata ofendohen në praninë time. Ndërsa unë them se, kush më përshkruan kështu, është shprehur mjaft lakonik dhe duhet të jetë më i qartë. Kur fjalët thuhen përmbledhtas, mund ta bëjnë të shëmtuarën të duket e bukur, kurse të bukurën të duket e shëmtuar. Kështu p.sh. nëse themi se ‘filani shkon me motrën e vet’, kjo do të dukej shumë e neveritshme, shumë e tmerrshme për këdo që do ta dëgjonte. Mirëpo nëse do të sqaronim se bëhet fjalë për ‘’motrën e tij në Islam’’, atëherë ndyrësia dhe shëmtia e këtyre fjalëve të thëna përmbledhtazi do të dukeshin sheshazi.

Sa për mua, nëse them se nuk prekem kur dikush më ofendon, kam gënjyer, sepse të prekesh në një situat të tillë, është e skalitur në natyrën njerëzore. Por unë e kam sforcuar veten që, në kësi rastesh, të mos shfaq asnjë zemërim, veprim të egërsuar, duke e përgatitur veten që më pare, atëherë kështu veproj, falë forces dhe fuqisë së Allahut të Lartësuar. Por, nëse nuk kam kohë të përgatis veten, e përmbaj veten, duke u kundërpërgjigjur vetëm me fraza therëse, por pa fyerje dhe duke u përpjekur të them vetëm të vërtetën, pa u shprehur me inat apo mllef. Megjithatë, edhe këtë unë e urrej, përveçse atëherë kur është e domosdoshme për t’ia mbyllur gojën atij që ofendon shpesh dhe atyre që i përhapin këto fjalë, sepse shumica e njerëzve kanë qejf  ti përcjellin fjalët e këqija tek ata që i dëgjojnë, fukr ia veshur ato të tjerëve. Kësisoj nuk ka mjet më të mire për ti ndaluar sesa ky veprim, sepse ai ndalon ata të përcjellin ndër njerëzit fjalë të këqija që ua veshin të tjerëve e që shërbejnë vetëm për të prishur ndërgjegjet e për të hapur përgojime.

Për më tepër, për njeriun që më shan, ka dy dhe vetëm dy mundësi: ose gënjen, ose thotë të vërtetën. Nëse ia gënjen, atëherë Allahu do të ma sjellë shpejt fitoren kundër atij nëpërmjet vetë gjuhës së tij, sepse ai do të hyjë në rrethin e gënjeshtarëve dhe do të tërheqë vëmendjen për meritat e mia nëpërmjet shpifjeve të veta për mua, për të cilat, shumica e atyre që do ta dëgjojn, do të qartësohen herët a vonë, pasi të verifikojnë fjalët e tij, se ato janë gënjeshtra. Nëse ai thotë të vërtetën, atëherë këtu shtrohen tri mundësi, prej të cilave vetëm njëra është e vërtetë. Mundësia e pare është që unë të kem pasur ortakëri me të në një punë të caktuar, dhe të jem hapur me të në mirëbesim, ashtu siç bën njeriu me dike, tek i cili beson dhe mbështetet. Në këtë rast ai do të ishte një tinëzarë i neveritshëm, dhe kaq mjafton për të treguar sesa i ulët është dhe sa poshtë ka rënë. Mundësia e dytë është që ai të më kritikojë për ndonjë gjë që ai kujton se është faj, por që në të vërtetë nuk është ashtu. Në këtë rast padituria e tij mjafton për të më shfajësuar, dhe është ai që duhet qortuar, jo unë. Mundësia e tretë është që ai të më ketë kritikuar për ndonjë të metë që ndodhet vërtet tek unë. Duke qenë se e ka ditur këtë të metë, ai e ka lëshuar gjuhën me kritika. Në qoftë se ka thënë të vërtetën, atëherë vetja ime e meriton më shumë kritikën time sesa kritikuesi im, dhe unë duhet të jem më i zemëruar me veten, sesa me atë që më ka qortuar me të drejtë.

Për sa u përket miqve të mi, unë nuk e ndaloj veten për ti mbrojtur ata, por e bëj këtë butësisht. Nuk synoj më shumë sesa ta bëj ofenduesin e tyre të pendohet në praninë time, të ndihet i turpëruar,të kërkojë falje dhe të kthejë mbrapsht atë që tha. Këtë e bëj në shumë mënyra, si p.sh.; nëpërmjet qortimit të atij që përgojon njerëzit, duke i thënë kritikuesit se të shohë veten e vet dhe, që të shqetësohet për përmirësimin e saj, është më mirë sesa të ndjekë gabimet e të tjerëve, duke i kujtuar atij meritat e shokut tim dhe duke e qortuar atë për faktin se përqendohet vetëm te gabimet, pa përmendur dhe meritat e tij, duke i thënë kritikuesit; ‘’shoku im nuk do të ishte dakord që të fliste për ty, ashtu siç po flet ti për të, prandaj ai është më fisnik sesa ty; e ti nuk duhet të kënaqësh me këtë pozitë’’, e të tjera fjalë të kësaj natyre.

Ndërsa ta sulmoj kritikuesin, ta mërzis atë, ta acaroj dhe të nxi zemërimin e tij, duke bërë që ai të thotë për shokun tim shumëfishin e fjalëve që unë i urrej, atëherë do të isha unë keqtrajtuesi i shokut tim, sepse do ta shtyja atë drejt sharjeve më të shëmtuara, ndaj ripërsëritjes dhe përhapjes së tyre të veshët e atyre njerëzve që s’i kishin dëgjuar ende, duke i dhënë shkas një përgojimi të mëtejshëm. Ndoshta ky veprim do të më sillte dëm edhe mua, sepse shokut tim nuk do ti pëlqente që unë e bëra të dëgjonte fyerje dhe sharje. Unë vetë nuk do të doja që shoku im të më mbronte përtej kufijeve që përcaktova më lart. Nëse ai do ti kalonte këto kufij, duke bërë që unë të shaja atë që më ofendoi, gjersa situata ndoshta të degjeneronte në sharrje të ndërsjella të prindërve apo edhe në ndeshje fizike,- në varësi të mendjelehtësisë dhe paturpësisë së atij që e nisi,- unë do t’ia quaja të metë atë veprim, do ta qortoja, do të ankohesha dhe nuk do ti isha mirënjohës; madje do ta fajësoja atë me forcë. Allahu i Lartësuar na ndihmoftë!

Dikush që flet rrëmbyer, pa i qëruar fjalët, më ka akuzuar që unë e shpërdoroj pasurinë time. Ky është shpjegimi im në mënyrë të përmbledhur:

Unë harxhoj prej pasurisë sime vetëm atë pjesë që, po ta ruaja, do të ishte mungesë në fetarinë time ose njollë në nderin tim, ose sfilitje e shpirtit tim. Pra, unë mendoj se ajo që ruaj nga këto tri të këqija, sado e vogël apo e madhe qoftë, e shlyen atë pjesë të pasurisë që harxhoj, edhe nëse kjo është sa gjithçka që ka ndriçuar e ndriçon dielli.

Kam parë se një nga dhuntitë më të mira që Allahu i Lartësuar i jep një njeri është ti falë atij vetinë për të qenë i drejtë, për ta dashur drejtësinë, për të qenë i vërtetë dhe për ta vënë të vërtetën mbi gjithçka. Për të mposhtur prirjet e mija të këqija dhe për të arritur çdo gjë të mirë në fe dhe në jetë, kam përdorur vetëm aq sa kam mundur prej këtyre vetive; çdo forcë dhe fuqi vjen vetëm nëpërmjet Allahut të Lartësuar. Ndërsa një njeri që e ka në natyrë tiraninë e padrejtësinë, dhe e quan të lehtë të veprojë kështu, le të mos shpresojë më se mund ta ndreqë veten apo të drejtojë natyrën e tij ndonjëherë, dhe le ta dijë se nuk do të ketë sukses në fe apo në ndonjë sjellje të mirë.

Për sa i përket krekosjes, smirës, gënjeshtrës dhe tradhëtisë, unë nuk ikam njohur ato asnjëherë në natyrën time. Duket sikur nuk kam asnjë meritë për largimin prej këtyre veseve, sepse vetë natyra ime nuk i honeps dot ato, lavdi Allahut të botëve!

Një nga të metat e dashurisë për famën është se njeriut i rrëzohet çdo vepër e mirë, nëse e bën atë nga dëshira për tu bërë i njohur përmes saj. Kjo vepër është pothuajse idhujtari, sepse bëhet për hir të diçkaje tjetër në vend të Allahut. Kjo e metë i fshin çdo meritë njeriut që e ka atë, sepse ai nuk bën mirë për hir të mirësisë, por e bën për tu dukur.

  Nuk ka fajësim më të madh për ty, sesa kur dikush të lavdëron për diçka që se ke, sepse në këtë rast ka tërhequr vëmendjen për mangësinë që ke. Dhe nuk ka lavdërim më të mirë për ty, sesa kur dikush të qorton për diçka që se ke, sepse me këtë veprim ai ka tërhequr vëmendjen për meritat e tua dhe është hakmarrë për ty kundër vetes, ngaqë do ta shajnë për akuzat e padrejta ndaj teje.

  Nëse njeriu i mangët do ta dinte mangësinë e vet, do të ishte bërë i përkryer. Asnjë krijesë nuk është pa mangësi, por i lumtur është ai që ka pak të tilla dhe të parëndësishme.

  Gjërat që ndodhin më shpesh janë ato që nuk parashikohen të ndodhin. Prandaj, kujdes do të thotë që të përgatitesh për ato që priten të ndodhin. I dëlirë dhe i lëvduar qoftë Ai që e ka rregulluar këtë, me qëllim që njeriu ta ndiejë pafuqinë e vet dhe nevojën që ka për Krijuesin Fuqiplotë.

Hits: 633
Comments (0)Add Comment

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy