Kureshjta e tepruar e njeriut

Kureshjta e tepruar e njeriut për të dëgjuar apo parë gjëra që ia mbajnë të fshehta, dhe dëshira e tij për lavdi e përjetësim të emrit. Këto janë dy dëshira prej të cilave thuajse nuk shpëton asnjë, përveç dikujt me ambicie shumë të dobët apo dikujt që e ka edukuar mirë veten, duke shtypur plotësisht forcën e shpirtit zemërak që ka brenda vetes.

Për të shëruar dëshirën e sëmurë që ndien shpirti për të dëgjuar a parë çdo fjalë a send që dikush kërkon t’ia fshehë, njeriu duhet të mendojë për gjithçka të të njëjtit lloj që i kalon atij pa ditur në vende të ndryshme të botës. Nëse ai shqetësohet edhe për këto gjëra, atëherë ai është tërësisht i çmendur dhe pa arsye. Por, nëse ai nuk shqetësohet për këto gjëra, atëherë tjetër që ia mbajnë të fshehtë atij është njësoj si ato, pa më të voglin dallim. Në këtë pikë, ai duhet ti shtojë argumentet e drejtuara kundër pasionit të vet dhe duhet ti flasë vetes me zërin e arsyes: ‘’ O vetja ime! Sikur të mos e dije se ka diçka që ta mbajnë fshehur, a do të shqetësoheshe për ta njohur këtë fakt apo jo?’’ Sigurisht që përgjigjja do të jetë ‘’jo’’.

Atëherë ai duhet ti thotë vetes: ‘’ Tani sillu njëlloj sikur të mos e dije se ka gjëra që të mbahen fshehur. Atëherë do të fitoje qetësinë, do të largoje ankthin dhe do të qetësoje dhimbjen që shkakton shqetësimi, dhe lakminë tënde të urryer’’. Këto janë fitore të shumta, arritje madhështore dhe ambicie fisnike, të cilat duhet ti aspirojë çdo njeri intelegjent, dhe të cilat i nënçmon vetëm një i metë nga trutë.

Për sa i përket njeriut që ka ambicien dhe idenë fikse për të përhapur emrin e tij në çdo vend dhe për ta përjetësuar kujtimin e tij nëpër shekuj, le të reflektojë dhe ti thotë vetes: ‘’ O vetja ime! Sikur ti të ishe e famshme dhe e lavdishme në të katër anët e botës, për jetë të jetëve, deri në fundin e kohës, mirëpo unë të mos kisha dëgjuar për këtë fakt dhe të mos dija gjë rreth tij, a do të isha i lumtur a i kënaqur për këtë gjë?!’’ Sigurisht që përgjigjja do të jetë ‘’jo’’. Ai duhet të bindet se, kur të vdesë, nuk ka asnjë mënyrë për ta ditur nëse fama e tij do të mbetet apo jo, për më tepër që e njëjta gjë ndodh edhe kur njeriu është gjallë dhe askush se ka informuar atë. Më pas ai duhet të marrë në konsideratë edhe dy pika të rëndësishme. E para, në kohët e lashta ka pasur shumë profetë dhe të dërguar të nderuar të Zotit – Allahu u dhëntë paqe dhe bekim – të cilëve, askush që jeton në faqe të dheut nuk ua mban mend as emrin, as ndonjë gjurmë, as ndonjë kujtim, as ndonjë lajm e as më të voglën gjë rreth tyre. Së dyti, midis njerëzve të virtytshëm e të ndershëm që kanë qenë nxënës të profetëve të hershëm, asketë, filozofë, dijetarë, njerëz të mirë, mbretër kombesh të zhdukur, themelues qytetesh të rrënuara, oborrtarë mbretërish etj., ka shumë të atillë që historitë e tyre nuk na kanë arritur. Tashmë askush nuk di gjë rreth tyre dhe nuk ka më të voglën ide. Mirëpo a i ka dëmtuar të virtytshmit kjo injorancë e jona, a ua ka pakësuar meritat, a ua ka fshirë vlerat, a ua ka ulur pozitat te Krijuesi i tyre i Madhërishëm?! Kush nuk e di këtë gjë, le të mësojë se, askund në botë nuk gjenden lajme për mbretërit e brezave të lashtë, që i paraprijnë diturisë historike të njerëzve, e cila fillon me mbretërit e Izraelit; dhe çdo gjë që ne dimë rreth historisë së mbretërve të Greqisë dhe Persisë, nuk shkon më larg se dymijë vjet më parë. Atëherë, ku është kujtimi i njerëzve që e populluan botën para tyre?! A nuk është fshirë, zhdukur ndërprerë dhe harruar tërësisht?! Prandaj Allahu i Plotfuqishëm ka thënë: ‘’ Për disa të dërguar të kemi treguar më parë, dhe për disa të tjerë nuk të kemi treguar’’ (Kuran, 4:164) ose ‘’...si dhe shumë popuj të tjerë ndërmjet tyre’’ (Kuran, 25:38), ose ‘’A nuk ju ka ardhur lajmi për ata që kanë qenë para jush: për popullin e Nuhut, fiset Ad e Themud dhe për ata pas tyre? Vetëm Alllahu i di ata!’’ (Kuran, 14:9).

Pra, a nuk është njeriu, edhe nëse kujtohet për njëfarë kohe, përveçse si këta kombe që, pasi kanë kaluar e janë zhdukur, janë kujtuar pak, pastaj janë harruar krejtësisht?!

Gjithashtu duhet të mendojmë për ata njerëz që janë kujtuar për mirë apo për keq: a ua ka rritur ky fakt gradat para Allahut të Plotfuqishëm, a u ka falur ndonjë meritë, të cilën s’do ta fitonin dot me veprat e veta kur ishin gjallë?! Përderisa është kështu, atëherë dëshira për të qenë i famshëm nuk është gjë tjetër, përveçse një dëshirë mashtruese e pakuptimtë dhe krejtësisht e padobishme. Në të kundërt, një njeri i mençur duhet të dëshirojë që të shtojë virtytet e veta dhe veprat e mira, nëpërmjet të cilave të meritojë emrin e mirë, vlerësimet, lavdërimet dhe fjalët e mira; janë pikërisht këto cilës, ato që e afrojnë pranë Krijuesit të ti të Plotfuqishëm dhe e bëjnë që të përmendet tek Ai. Kjo lloj përmendjeje do ti vlejë ati përgjithmonë, dhe dobia e saj do të zgjasë për jetë të jetëve. Suksei vjen vetëm nga Allahu!

Ti jesh mirënjohës bamirësit tënd është detyrim dhe domosdoshmëri. Kjo arrihet, së paku, duke ia kthyer atij nderin që të ka bërë me një nder të barasvlershëm ose më të madh. Pastaj duhet të interesohesh për punët e tij dhe ta mbrosh sa më mirë! Më pas duhet të jesh besnik me të, në gjallje apo në vdekje të tij, si dhe me të gjithë njerëzit e lidhur me të, të afërt apo të largët qofshin. Pastaj duht të tregosh vazhdimisht dashuri për të, ta këshillosh, ti bësh të ditur me sinqeritet cilësitë e tij të mira dhe t’ia fshehësh të metat për sa kohë që je gjallë! Këtë amanet duhet t’ua lësh trashëgim pasardhësve të tu dhe njerëzve që të duan.

Megjithatë, nuk është mirënjohje që ta ndihmosh bamirësin tënd në kryerjen e mëkateve dhe të mos e këshillosh atë kur bën gjëra që ia dëmtojnë fenë dhe jetën e tij në këtë botë; madje kush e ndihmon bamirësin e vet në diçka të keqe, në të vërtetë e ka mashtruar atë, i është treguar mosmirënjohës, i ka bërë padrejtësi dhe ia ka mohuar të mirën. Gjithashtu, bamirësia dhe begati e Allahut të Plotfuqishëm për krijesat e Veta, në çdo rast është shumë herë më e madhe, më e shpeshtë dhe më e mirë. Është i Madhërishmi Ai që na ka hapur sytë të shohim, na ka shpuar veshët të dëgjojmë, na ka dhuruar të tjera shqisa të shkëlqyera, na ka pajisur me aftësinë për të folur dhe për të dalluar, nëpërmjet të cilave na ka bërë të aftë për të dëgjuar fjalët e Tij. Ai ka vënë në shërbimin tonë gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë, yje e elemente të tjera dhe nuk ka ngritur asnjë krijesë tjetër sipërnesh, përveç engjëjve të shenjtë, banorët e qiejve. E ku mund të krahasohen dhuratat e njerëzve me këto begati?! Kushdo që mendon se po i shpreh mirënjohjen e vet një bamirësi, duke e ndihmuar atë për të bërë keq ose duke e marrë anën e tij atëherë kur nuk duhet, ai ka mohuar dhuratën e Dhuruesit më të madh dhe ka refuzuar mirësinë e Bamirësit më të madh, pa falënderuar – Allahun e Madhërishëm e të Plotfuqishëm.

Kushdo që e pengon bamirësin e vet për të bërë keq dhe e udhëheq atë në rrugën e së drejtës, ai ka treguar mirënjohje të vërtetë dhe e ka kryer plotësisht detyrimin që ka pasur kundrejt atij. Allahut i përket falënderimi dhe lavdia, fund e krye dhe në çdo rrethanë!.

 

Hits: 242
Comments (0)Add Comment

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy