Bedrud-din Ez-zerkeshi ka thënë në përkufizimin e kësaj dukurie : "Të zgjedhë njeriu nga çdo medh-heb atë mendim që është më i lehtë për të" [1].
§ Gjykimi i Islamit në lidhje me ndjekjen e mendimeve të huaja ose të gabuara dhe zgjedhjen e tyre ndërmjet gjithë mendimeve të dijetarëve.
Këtë lloj lehtësimi e quajnë dijetarët tolerimi i keq dhe fjalët e tyre rreth tij janë të rënda aq sa është treguar se kanë rënë dakord të gjithë dijetarët se ndjekja e këtyre mendimeve është haram madje fusuk. Këtë ixhma e ka treguar Ibnu Hazmi, Ibnu Abdil Berr, Ebu Uelid El Baxhi, Imam Shatibiu, Ibnu Salah, Ibnu Nexh-xhari e të tjerë [2].
§ Shih disa fjalë të dijetarëve për këtë dukuri :
Prijësi i besimtarëve, Umer Ibnul Hat-tabi radi Allahu anhu ka thënë: "Tre gjëra e shembin fenë : 1. Rrëshkitja e dijetarit, 2. Dialogu i munafikut dhe 3. Imamët e humbur" [3].
Sulejman Et-tejmi ka thënë : "Nëse ti merr prej çdo dijetari lehtësimet e tij atëherë janë mbledhur tek ti të gjitha të këqiat" [4].
El Imam El Euzai ka thënë : "Kush merr mendimet e (huaja, të) rralla të dijetarëve del prej Islamit" [5].
Gjithashtu ka thënë El Euzai : Të parët thoshin : "Mjerë për ata që e mësojnë dijen jo për të adhuruar Allahu dhe mjerë për ata që e bëjnë haramin hallall me anë të argumenteve të dyshimta" [6].
Ibrahim Ibnu Ed'hem ka thënë : "Nëse mbart mendimet e rralla të dijetarëve ke mbartur në të vërtetë shumë të këqia" [7].
Ibnu Hazmi ka thënë : "Një grup tjetër njerëzish janë ata tek të cilët ka arritur dobësia e besimit dhe devotshmërisë deri në atë gradë sa rendin pas çdo mendimi që i përputhet dëshirave të tyre. Ata marrin prej çdo dijetari mendimet e lehta të tij pa kërkuar atë që e tregon argumenti nga Allahu dhe i dërguari i Tij sal-l Allahu alejhi ue sel-lem" [8].
Imam Dhehebiu ka thënë : "Kush ndjek lehtësimet e çdo medh-hebi dhe gabimet e dijetarëve ka për t'u dobësuar feja e tij" [9].
Fjalët e dijetarëve në këtë çështje janë të shumta. Ato tregojnë në formë të qartë që ndjekja e kësaj rruge është gjë e shëmtuar sepse ajo çon në rezultate negative dhe sepse ajo e kundërshton thelbin e Islamit që është bindja ndaj urdhërave të Allahut dhe jo dredhia ndaj tyre. Ky gjykim është i veçantë për ndjekjen e lehtësimeve të cilat çojnë në shkeljen e kufijve dhe ndalesave të fesë.
§ Pasojat që rrjedhin prej ndjekjes së lehtësimeve të ndaluara :
Nuk ka dyshim se ndjekja e lehtësimeve ka pasoja të rrezkishme për fenë. Ka folur gjerë për to Imam Shatibiu në librin e tij të njohur "El Muuafakat". Gjithashtu ka folur për to edhe Ibnu Salahu, Neueuiu dhe Ibnul Kajimi Allahu i mëshiroftë të gjithë. Në vijim po tregojmë disa prej këtyre pasojave :
1. Ndjekja e lehtësimeve është në kundërshtim me bazat e Sheriatit dhe qëllimet e tij sepse Sheriati ka ardhur për ta nxjerrë njeriun nga ndjekja e dëshirave të tij, madje e ka ndaluar këtë. Në të kundërt lehtësimet e nxitin njeriun që të vazhdojë të ndjekë dëshirat e tij.
2. Ndjekja e lehtësimeve e nxjerr njeriun nga kufijtë e detyrave që i janë ngarkuar. Imam Shatibiu ka thënë : "Kjo e çon njeriun tek lënia e detyrave në çdo çështje që ka më shumë se një mendim sepse kundrejt urdhërit që ka dhënë sheriati ky i jep të drejtë vetes për të zgjedhur, t'i zbatojë ato (detyra) ose jo e kjo është lënia e vërtetë e urdhëresave" [10].
3. Lënia e ndjekjes së argumentit dhe ndjekja e mendimeve të kundërta (me argumentin). Kjo bie ndesh me fjalën e Allahu të Madhëruar ku thotë :
{فَإِنْ تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّهِ وَالرَّسُولِ إِنْ كُنْتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ ذَلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًا} [النساء : 59]
"Nëse bini në kontadiktë në ndonjë gjë kthehuni tek Allahu dhe i dërguari i Tij, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Kjo është më hajr dhe me përfundim më të mirë". [En-nisa 59].
4. Kjo gjë konsiderohet nënvleftësim i fesë dhe ligjeve të saj sepse me këto lehtësime ajo nuk është më e qëndrueshme (sepse çdo kush merr prej saj ç'të dojë e le ç'të dojë).
5. Me anë të këtij veprimi njeriu largohet nga ajo që është e njohur dhe e ditur dhe shkon tek ajo që është e panjohur.
6. Ky verpim e shkatërron sistemin e fesë e cila është ndërtuar mbi bazën e drejtësisë dhe barazisë. Kështu që lëkundja e këtyre parimeve çon në ç'rregullim dhe në humbjen e të drejtave [11].
7. Ndjekja e lehtësimeve çon në atë që quhet telfik (përzierje e mendimeve të dijetarëve) në atë formë që hedh poshtë ixhmaun e dijetarëve.
Shembull për telfikun (përzerjen e mendime të dijetarëve) kemi fjalën e një poeti i cili e pinte alkoolin dhe justifikohej duke thënë (në vjershë):
"Një dijetar (hanefij) nga Iraku e ka lejuar nebidhin (pije dehëse) por e ka konsideruar haram verën. Ndërsa një dijetar nga Hixhazi ka thënë që vera dhe nebidhi janë njësoj (por ai nuk thotë që janë hallall). Kështu që është hallall pirja e të dyjave. Duke marr prej çdo mendimi anët e tij dhe do t'i pi të dyja…" [12].
Kështu ky njeri duke zgjedhur prej çdo mendimi atë që i pëlqente zgjodhi prej të parit lejimin e nebidhit dhe prej të dytit që ato të dyja janë njësoj dhe si rezultat nxorri që vera është hallall, gjë të cilën nuk e ka thënë askush e sidomos që argumentet fetare janë të qarta për ndalesën e saj. Ky është telfiku i urryer.
Bekër Ebu Zejdi, Allahu e mëshirfotë në librin tij "Et-tealum ue etheruhu alel fikri uel kitab" f 107-111 ka vendosur një temë të veçantë për çështjen në fjalë.
Thotë në të : "Besimi i Ehli Sun-netit dhe Xhematit është se ata e ndalojnë ndjekjen e mendimeve të huaja. Ka thënë Et-tahaui : "Ne largohemi nga mendimet e huaja dhe përçarja". Gjithashtu ka thënë : "Ne besojmë se bashkimi është i drejtë dhe i mirë ndërsa përçarja është devijim dhe ndëshkim".
Për këtë arsye përhapja e lehtësimeve të këqia, mishërimi i mendimeve të huaja dhe marrja e telfikut do të thotë lënie e besimit të drejtë. Madje kjo është prej veprimeve të armiqve të fesë. Ai që i përqafon ato është sprovë për besitmarët.
Eh sa e sa shejtanë kanë bërë fole në këto shtegje dhe i kanë shfaqur ato në emër të fesë duke i mbështetur ato me disa dyshime që përpiqen t'i shfaqin, duke mos harruar se zemrat janë të dobëta dhe dyshimet e rrëmbejnë njeriun shumë shpejt.
Këtë lloj njeriu e kanë kundërshtuar shumica e dijetareve dhe kanë sqaruar se një prej gradave të adhurimit është që njeriu të ecë në bazë të urdhërave të prera të sheriatit ose lehtësimeve të sheriatit, ndërsa lehtësimet e shpikura janë larg sheriatit.
Ndjekja e lehtësimeve që ndodhen nëpër medh-hebet e ndryshme dhe të huaja e shembin këtë gradë të adhurimit. Shejh Heraiu – Allahu e mëshiroftë – ka thënë për gradën e shpresës (për të arritur atë që ka premtuar Allahu) : "Kjo gradë e ndalon njeriun që të ndjekë lehtësimet e këqia".
Ibnul Kajimi ka thënë në shpjegimin e kësaj fjale : "Njerëzit e vendosur ecin në rrugën e tyre me seriozitet dhe sinqeritet. Ndërsa qetësimi i zemrës tek lehtësimet, për ta konsiderohet kthim mbrapsh dhe përrtaci".
Gjithashtu ka thënë Ibnul Kajimi Allahu e mëshiroftë : "Më pas këto fjalë të cilat e kundërshtojnë të vërtetën mund të jenë të dobëta. E prej këtyre fjalëve të dobëta të cilat mund të jenë prej gabimeve të dijetarëve ose prej mendimeve të kota të injorantëve rrjedh : ndryshimi i fesë, bindja ndaj shejtanit dhe kundërshtimi i Zotit të botëve. E nëse i bashkangjitet fjalëve të gabuara, mendimet e pa vërteta dhe ndihmohen nga ndjekja e dëshirave atëherë mos pyet sa i madh është ndryshimi i fesë dhe sa e shumtë është dalja prej ligjeve të sheriatit".
Imam Dhehebiu ka thënë : Një shejh ka thënë : "Njeriu kur ndjek një imam duhet ta konsiderojë ndjekjen e tij si ndjekjen e profetit sal-l Allahu alejhi ue sel-lem. Nuk i lejohet këtij njeriu ta kundërshtojë imamin e tij".
Në përgjigjen ndaj kësaj fjale Imam Dhehebiu tha : Fjala që tha ai : "Nuk i lejohet këtij njeriu ta kundërshtojë imamin e tij" është vetëm pretendim (për të cilin nuk ka argumente) dhe është kërkim i të vërtetës pa dije.
Po, i lejohet atij ta kundërshtojë imamin e tij e të ndjekë fjalën e një imami tjetër i cili ka argumente më të forta në atë çështje. Madje detyra e tij është të ndjekë drejtëpërdrejt argumentin aty ku i bëhet i qartë argumenti. Por jo si ai që ecën me medh-hebin e një imami deri sa kur i shfaqet diçka që është në përputhje me dëshirat e tij ai ndjek çdo medh-heb tjetër. Ai që ndjek lehtësimet e medh-hebeve dhe rrëshkitjet (gabimet) e dijetarëve, ai e ka dobësuar fenë e tij.
Imam El Euzai ka thënë : "Kush ecën me mendimin e mekasve në çështjen e martesës së kënaqësisë, mendimin e atyre të Kufës në çështjen e Nebidhit, mendimin e Medinasve në çështjen e muzikës dhe mendimin e atyre të Shamit në çështjen që prijësat janë të pagabueshëm : ky njeri i ka mbledhur të gjitha të këqiat. Gjithashtu ai që merr mendimin e atyre që lejojnë kamatën në tregëti ose të atyre që lejojnë martesën (formale) të lejimit, e të tjera si këto ai i është afruar pranë zhveshjes (prej fesë). Allahu na ruajt".
Gjithashtu ka treguar Imam Dhehebiu vizitat që bënte Ismail El Kadi (Gjykatësi) – Allahu e mëshiroftë – tek El Mu'tadid el Ab-basi (halifja i asaj kohe). Thotë : "Hyra një herë tek Halifja dhe më dha një libër ta shoh. E lexova, kur ç'të shoh, në të ishin mbledhur të gjitha lehtësimet që janë marrë nga gabimet e dijetarëve. I thashë : Ai që e ka shkruar këtë libër është zindik (munafik, njeri i prishur). Më tha : A nuk janë të sakta këto transmetime? I thashë : Po. Por ai që ka lejuar pijen alkoolike nuk e ka lejuar martesën e kënaqësisë e ai që ka lejuar martesën e kënaqësisë nuk e ka lejuar muzikën. Pastaj çdo dijetar ka rrëshkitjet (gabimet) e veta. E ai njeri që merr prej çdo dijetari gabimet e tij është zhveshur nga feja. E më pas urdhëroi që ky libër të digjej".
Ndjekja e lehtësimeve dhe mendimeve të huaja konsiderohet lënie e fesë për këtë arsye selefët e ruajtën dijen dhe fenë e tyre prej këtyre gabimeve. Ka mundësi që ndonjëri prej tyre të ketë ndonjë gabim në një ose dy çështje pa dashje e pa qëllim të keq e jo me dëshirë por ai shumë shpejtë kthehet ose në të kundërt dijetarët e ndalojnë këtë mendim, e abandonojnë atë dhe ecin në rrugën e drejtë e të njohur.
Është shumë e vështirë që të gjesh tek një imam i vetëm një numër të madh lehtësimesh. Edhe pse ata që i kanë thënë këto mendime janë dijetarë të mëdhenj, por dijetarët i kanë abandonuar ato mendime dhe i kanë lënë ato në formë të prerë aq sa ato nuk merren në konsideratë në librat e njohur të Islamit.
Ndërsa tek bashkëkohësit tanë sheh turma lehtësimesh dhe mendimesh të huaja që mund të bashkohen tek një person i vetëm duke qënë se edhe koha që jetojmë është shumë e përshtatshme për ta përqafuar dijetarin e përçarjes (d.mth këtë lloj njeri që bën kaq shumë lehtësime) [13]. Atij i ngrihet flamuri valvitës në horizont për të përhapur famën e tij. E me të mashtrohet ai që është robëruar nga dynjaja. E ai nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se është bërë fyell të cilit i fryjnë armiqtë e Islamit.
Prej këtyre mendimeve të cilat grumbullohen tek një person i vetëm kemi psh :
1. Fetvaja e lejimit të pllenimit artificial tek një grua e huaj edhe pse kjo çështje në disa raste ka pasur edhe ixhma që është e ndaluar prej bashkëkohësve madje edhe prej disa konferencave të mosbesimtarëve.
2. Mendimi që lejon krijimin e bankave të qumështit të nënës duke u bazuar tek një fjalë e huaj (tek dijetarët) e Ebu Thuerit edhe pse nuk është e vërtetë (ekzistenca e kësaj fjale).
3. Mendimi që e lejon siguracionin me të gjitha llojet e tij.
4. Mendimi që thotë se lejohet të përdoren paratë e zekatit për të ndërtuar xhami ose konvikte ose spitale sepse kjo hyn tek fjala e Allahut "në rrugë të Allahu" gjë e cila konsiderohet hedhje poshtë e ixhmaut të dijetarëve.
5. Mendimi që thotë se uji i zemzemit nuk ka asnjë lloj vlere të veçantë nga ujërat e tjera.
6. Mendimi që lejon muzikën e të tjera e të tjera mendime të cilat përbëjnë një zinxhir të cilin e mban në dorë ai që e konsideron veten "dijetar". Ato janë mendime të marra nga ndonjë transmetim i dobët ose mendim i huaj ose kuptim i sëmurë mbi të cilat ai ndërton fetvanë e tij të mbështjellë me petkun e oratorisë por që ajo në të vërtetë është e zhveshur prej argumenteve. Allahu na ruajt. (Këtu mbaroi fjala e dijetarit të njohur Bekër Ebu Zejd Allahu e mëshiroftë).
"Është shumë e dhimbshme në kohën e sotme kur sheh shumë prej atyre që bëjnë lëshime në emër të lehtësimit të fesë. Kështu ata bien në gabime shumë të rënda. Ata sot duan ta përshtatin fetvanë në bazë të kohës që të përshtatet me ecurinë e kohës dhe ndryshimet e botës moderne. Prandaj thërrasin për ndryshimin e fikhut Islam që të bëhet "mesatar" dhe "i lehtë" sipas epsheve dhe interesave të tyre me qëllim për të mbështetur këtë menhexh të zhveshur. Ata me këtë menhexh kanë marrë mendimet e huaja dhe fjalët e panjohura deri në atë pikë sa e shkrinë fenë, aq sa morën guximin edhe injorantët që të ndërhyjnë në të. Sot po dëgjojmë një turli me fetva të cilat i kundërshtojë edhe njerëzit e thjeshtë e jo më dijetarët!! Shih psh :
1. Njëri lejon gruan të dalë imame para burrave në namaz.
2. Tjetri thotë : Nuk duhen zbatuar sanksionet Islame, në shtetin Islam, kundrejt atyre që e lenë fenë,
3. Tjetri lejon muzikën.
4. Dikush e barazon burrin me gruan në dëmshpërblimin që ka vendosur Islami për atë që vret pa dashja.
5. Dikush tjetër lejon burrin t'i japë dorën një gruaje të huaj madje edhe ta puthë atë duke i hedhur pas shpine argumentet e qarta fetare etj etj. Më në fund mos u çudit nëse dëgjon dikë që t'u thotë atyre që vendosin ligje sipas dëshirave të tyre në vendet Islame : "Vendosni çfarë ligjesh tu duken juve të arsyeshme që i përshtaten kohës dhe vendit dhe unë kam për detyrë tu sjell fjalët e dijetarëve të medh-hebeve Islame të cilat përshtaten me to" [14].
Ai që i dëgjon këto fetva ose i lexon ato mund të pyes në veten e tij, si arriti gjendja deri këtu ?!! Ai i lejohet këtij apo atij muftiu që të japë fetva në fenë e Allahut si t'i shijojë?!! A i lejohet atij të kërkojë ato fetva që i përshtaten pikësynimeve dhe dëshirave të tij ose të atyre që ky u bën lajka ?!!
Ibnul Kajimi – Allahu e mëshiroftë – thotë për veprimin e këtij lloji njerëzish : "Ky konsiderohet nga llojet më të rënda të fusukut dhe nga llojet më të rënda të gjynaheve" [15].
Imam Shatibiu në librin e tij El Muuafakat tregon disa fjalë të bukura nga Imam Ebu Uelid El Baxhi ku thotë : "Nuk ka kontradiktë ndërmjet dijetarëve të cilëve u merret për bazë fjala në çështjen e ixhmaut se nuk lejohet dhe as nuk është e pranueshme për askënd që të japë fetva në fenë e Allahut vetëm se me atë mendim që ai e beson si vërtetë, le të kënaqet kush të dojë e le të mërzitet kush të dojë. Muftiu është tregues i gjykimit që ka dhënë Allahu i Madhëruar, e si mund të tregojë atë që nuk e beson si të vërtetë. Allahu i Madhëruar i ka thënë profetit të Tij sal-l Allahu alejhi ue sel-lem :
[وَأَنِ احْكُمْ بَيْنَهُمْ بِمَا أَنْزَلَ اللَّهُ وَلَا تَتَّبِعْ أَهْوَاءَهُمْ) [المائدة : 49) "Gjyko ndërmjet tyre me atë që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre". [El Maideh 49].
Për shkak të rëndësisë që ka kjo çështje Imam Es-sem'ani e ka konsideruar një prej kushteve që duhet të ketë ai që jep fetva është që ai të mos jetë prej njerëzve që ndjekin lehtësimet në fe, aty ku thotë : "Mufti është ai që plotëson tre kushte :
1. Të ketë arritur gradën e ixhtihadit (atë gradë dije që i jep të drejtë të nxjerrë prej argumenteve fetare gjykimet e duhura). 2. Të jetë njeri i drejtë. 3. Të jetë i larguar prej ndjekjes së lehtësimeve. Ai që është tolerant (në nxjerrjen e gjykimeve Islame) është dy lloje :
a. Ai që është i pa kujdesshëm në kërkimin e argumenteve dhe mënyrën e nxjerrjes së gjykimeve prej tyre. Por i nxjerr gjykimet pa u thelluar. Ky është neglizhent në çështjen e ixhtihadit e nuk i lejohet të japë fetva dhe as nuk lejohet të pyetet ky njeri.
b. Ai që tregohet tolerant duke kërkuar lehtësimet dhe argumentet e dyshimta. Ky konsiderohet tolerant në fenë e tij dhe është më gjynahqar se i pari" [16].
Imam Shatibiu – Allahu e mëshiroftë – ka vendosur një kusht të rëndësishëm në këtë çështje ku thotë : "Në çështjet kontradiktore ekziston një rregull Kuranor i cili e largon ndjekjen e dëshirës plotësisht. Ky rregull është fjala e Allahu të Madhëruar :
{فَإِنْ تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّهِ وَالرَّسُولِ إِنْ كُنْتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ ذَلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًا} [النساء : 59]
"Nëse bini në kontadiktë në ndonjë gjë kthehuni tek Allahu dhe i dërguari i Tij nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Kjo është më hajr dhe me përfundim më të mirë". [En-nisa 59].
Kështu që nëse një njeri i thjeshtë, ve re se në çështjen që ai pyet dijetarët, ata bien në kontradiktë, duhet të kthehet tek Allahu dhe i dërguari i Tij sal-l Allahu alejhi ue sel-lem që d.m.th të kthehet tek argumentet. Kjo është më larg ndjekjes së dëshirës. E zgjedhja e një mendimi në bazë të dëshirës dhe epshit bie ndesh me kthimin tek Allahu dhe i dërguari i Tij sal-l Allahu alejhi ue sel-lem" [17].
[1] Shih El Behr El Muhit 6/325.
[2] Shih librin "Meratib El Ixhma" f 174 të Ibn Hazmit. Thotë në të : "Kanë rënë dakord dijetarët se kërkimi i lehtësimeve me anë të keqkuptimit pa pasur argumente nga Kur'ani dhe Sun-neti konsiderohet fusuk dhe nuk lejohet". Gjithashtu shih librin "Xhamiu Bejan El Ilm ue Fadhlihi" 2/92. Shih gjithashtu librin "El Muuafakat" 5/82 të Imam Shatibiut dhe fusnotën e tij. Gjithashtu edhe librin "Sherh El Keukeb El Munir" 4/578.
[3] Sunen Ed-daremi, etheri nr 675, f 1/506.
[4] Shih librin "Xhamiu Bejan El Ilm ue Fadhlihi" të cilin e ka shkruar Ibnu Abdul Berr 2/92. Pas kësaj ka thënë Ibnu Abdul Berri : "Për këtë ka ixhma prej dijetarëve, nuk di të ketë kundërshtuar kush".
[5] Shih librin "Sijer E'alam En-nubela" 7/125. Këtu bëhet fjalë për ato mendime të cilat janë kufër në vetvete e jo çdo mendim. Allahu e di më mirë.
[6] Shih të njëjtën referencë 7/126.
[7] Shih librin "El Emru Bil Ma'ruf Ue En-nehju anil Munker" të cilin e ka shkruar Ebu Bekr Ibnu El Hal-lal, etheri nr 175.
[8] Shih librin "El Ihkam fi Usul El Ahkam" I Ibn Hazmit 5/645.
[9] Shih "Sijer E'alam En-nubela" 8/81.
[10] (Ndërkohë që urdhër d.m.th që njeri është i detyruar ta kryejë atë e nuk ka të drejtë të zgjedhë)". Shih librin "El Muuafakat" 4/134.
[11] Madje shfaqja e kësaj dukurie në një shoqëri Islame është tregues i keq dhe paralajmërues për zhdukjen e fesë në atë vend sepse feja përbëhet nga këto porosi të cilat duhen zbatuar e prej të cilave ky njeri përpiqet të gjejë hile për t'iu shmangur, deri sa kur të vijë brezi i ri e ti gjejë baballarët në këtë rrugë ka për të trashëguar prej tyre një fe tepër të dobët. E kështu do shkojë kjo fe në dobësi deri sa të zhduket. Historia është një nga dëshmitarët më të mirë për këtë që po tregoj.
[12] Shih librin "Muhadharat El Udeba" 1/305.
[13] E quan shejh Bekr Ebu Zejdi këtë njeri : "dijetarin e përçarjes" sepse ai me këto mendime të huaja dhe të pa bazara tek argumentet e qarta ka futur përçarje tek muslimanët.
[14] Shih librin "Teteb-bu Er-ruhas" f 50-53.
[15] "I'lam El Muuekiine" 4/211.
[16] Shih librin “Kauati' El Edil-leh” i Es-sem'anit 2/352.



