Çdo njeri që e ngre flamurin e islahut (përmirësimit) në një shoqëri të zhytur në lajthitje dhe devijim, do të ballafaqohet me gjëra, të cilat janë bërë të rëndomta për njerëzit edhe pse në thelb janë në kundërshtim me Sheriatin.
Shumë prej këtyre veprave të ndaluara janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre dhe janë rrënjosur fort në zemrat e tyre. Përmirësuesi do të gjejë vështirësi të mëdha me çështje që kanë të bëjnë me besimin, sepse shumë prej njerëzve të cilët dëshirojnë që të përmirësohen qysh prej fëmijërisë së tyre, janë edukuar në ndonjë besim të kotë; siç janë adhurimi i putave, të totemeve të ndryshme apo ndonjë taguti, siç është rasti i Faraonit dhe Nemrudit.
Në këto kushte vjen i Dërguari i Allahut, alejhi selam, që ka për detyrim që ta shpalosë kotësinë e këtij besimi, i cili është rrënjosur fortë në zemrat e tyre.
“A po adhuroni pra në vend të All-llahut asish që nuk u sjellin kurrfarë dobie as dëmi?” Medet për ju dhe për ata që i adhuroni, pos All-llahut, po a nuk po kuptoni?” (El-Enbija, 66-67)
Çfarë mendoni, si do të jetë përgjigja e popullit që ndeshet me një njeri që mohon besimin e tyre, të cilin ata e shohin si gjënë më të shenjtë. Sigurisht, do të ndodhë një armiqësi e hapur ku të dy palës do të jenë të bindur se janë në rrugën e drejtë.
Kjo ndeshje është dallimi kryesor mes të Dërguarve të Allahut, pasuesve të tyre, tëcilët ndjekin rrugën e përmirësimit (islahit) dhe besimtarët të tjerë, të cilët nuk patën fuqi që të ndeshen me injorancën, as që rezistuan dhe luftuan mosbesimin dhe fesadin (ngatërresat). Këta zgjodhën rrugën më të lehtë në të cilën nuk do të pësojnë gjëra të urrejtura, të cilat ua vështirësojnë jetën. Motoja e tyre është “hesht që të shpëtosh”. Shiko hallin e hunefave (besimtarëve në një zot në kohën e injorancës), këta nuk adhuronin tjetërkënd përpos Allahut, largoheshin nga gjërat e ndaluara, por nuk i kundërshtonin njerëzit, të cilët adhuronin gjëra të kota.
As që u munduan për ta përmirësuar gjendjen e shoqërisë. Në këtë shoqëri ku mbizotëronre shirku, fesadi dhe devijimi nga rruga e drejtë, ata nuk ballafaqoheshin me asnjë problem dhe as që vuajtën prej ndonjë armiqësie të hapur. Një shembull për këtë është edhe Zejd ibn Amër ibn Nufejli, i cili ishte prej hunefave që jetonin në Meke.
Rrëfimin e tij e gjejmë në librin e Buhariut, në hadithin që e transmeton Abdullah ibn Umeri, radijallahu anhu, në të cilin thuhet:
“U takua Zejd ibn Amër ibn Nufejli me të Dërguarin e Allahut, sal’allahu alejhi we selem, pranë kodrinës Belde (gjenden në rrugën mes Mekes dhe Xhides). Të Dërguarin e Allahut, sal’allahu alejhi we selem, e shoqëronte Zejd ibn Harithe, radijallahu anhu. Atyre iu afrua ushqim dhe i Dërguari i Allahut, sal’allahu alejhi we selem, e ftoi Zejdin që t’iu bashkangjitet në sofër. Përgjigja e tij ishte: Unë nuk e haj mishin, i cili theret për putat, unë haj mishin, i cili është therur në emër të Allahut”.
Po ky Zejd kundërshtonte fisin kurejsh me këto fjalë: “O ju kurejshitë, delen që e ka krijuar Allahu, i Cili ua zbret ujin prej qiellit dhe bën që me të, të gjallërohet toka (e nga kjo tokë ushqehet delja), ju e therrni duke mos përdorur emrin e Tij”. Janë të njohura poezitë e tij, në të cilat thoshte:
U largova nga adhurimi i Latiz dhe Uzzasë
Kështu vepron çdo i mençur
Nuk i përulem as dy bijave të saj
As që i respektoj putat e fisit Amër dhe Ezur
Nuk adhuroj Hubelin, të cilin e konsideroja zot një kohë kur nuk isha i urtë
Unë adhuroj Mëshiruesin, Zotin tim që m’i fal mëkatet dhe pranon pendimin.
Shpeshherë ky njeri drejtohej ka Qabja dhe thoshte: Kërkoj mbrojtje prej Atij prej të cilit kërkonte mbrojtje Ibrahimi alejhi selam, i drejtuar kësaj Qabeje.
Këshillonte banorët e Mekes që t’i shmangen kamatës duke thënë: ruajuni prej kamatës sepse ajo është shkak i varfërisë.
Kur dëegjonte se ndonjë njeri kërkon ta varrosë vajzën e tij të gjallë, shkonte tek ai dhe i thoshte: Mos e mbyt, çfarë mëkati ka bërë, nëse gjen vështirësi ta ushqes dhe ta mirëmbash, ma jep mua dhe kur të rritet nëse don merre ose po të duash lere.
Edhe pse Zejd ibn Amër ibn Nufejl së bashku me grupin e Hunefave në disa raste shfaqnin mohimin e tyre ndaj adhurimeve të kota të përhapura në Meke, nuk patën ndonjë ndikim të dukshëm dhe pozitiv në shoqërinë ku jetonin.
Shkak kryesor për këtë ishte pesimizmi i tyre. Ata humbën shpresën se ka mundësi që të ketë përmirësime në këtë shoqëri të zhytur në valët e shirkut. Aty ishin të pranishëm të gjitha llojet e shirkut, idhujtarisë, devijimit në sistemin shtetëror dhe në moralin e njerëzve. Këta besimtarë e panë vetveten të paaftë që t’i kundërvihen të gjithë këtyre anomalive shoqërore dhe njerëzore dhe e konsideruan të mjaftueshme përmirësimin e vetvetes. Çdo fjalë e tyre për t’i mohuar këto anomali mbeten pa efekt dhe pa ndikim kohëgjatë. Shkaku i kësaj ishte fakti që ata nuk patën vizion e as aspirata të larta për përmirësimin e plotë në çdo aspekt të jetës.
Atëherë, Allahu subhanehu we teala, e dërgoi Muhamedin, sal’allahu alejhi we selem, në kohën kur porositë e të Dërguarve ishin haruar; kur nuk ndihej rruga e drejtë i udhëzoi njerëzit. Pasiqë ishin në humbje ua bëri të mundshme të shohin, meqë ishin të verbër (ndaj argumenteve të Zotit) në këtë rrugë, ai u ndihmua prej shokëve të tij të ndershëm, të cilët luftuan së bashku me të dhe shpenzonin në rrugë të Allahut të gjithë atë që zotëronin.
Për këtë shkak, mushrikët e Mekes ndryshuan qëndrimin e tyre ndaj Pejgamberit sal’allahu alejhi we selem, i cili synonte një reformë të plotë të shoqërisë mekase. Në dallim nga ky qëndrim mospranues ndaj thirrjes së Muhamedit, sal’allahu alejhi we selem, paria e Mekes nuk pati ndonjë qëndrim armiqësor ndaj fjalëve dhe veprave të hunefave. Ata refuzonin këshillat e tyre, edhe këtu mbaronte çdo gjë pa ndonjë ballafaqim të gjerë. Bile në disa raste paria mekase shfaqi simpati dhe respekt ndaj këtyre besimtarëve.
I Dërguari i Allahut, sal’allahu alejhi we selem, që i ftonte njerëzit në rrugë të drejtë dhe në besim të pastër prej çdo idhujtarie hasi në një armiqësi të hapur, të cilës i printe paria mekase, e cila përdori çdo metodë luftë kundër reformës rënjësore të shoqërisë ku idhujtaria trashëgohej brez pas brezi dhe ishte rënjosur fort në zemrat e njerëzve.
S.A
Teuhid.NET



