Bindja ndaj Profetit (paqja qoft mbi të) është detyrë e çdo muslimani, pasi ajo është pjesë e pandarë e dëshmisë se ai është i Dërguari i Allahut dhe në të njëjtën kohë, siç përmendet dhe në shumë ajete të ndryshme, bindja ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të) është e lidhur ngushtë me bindjen ndaj Allahut:
"O ju besimtarë, bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit..." ( 4: 59)
"Kush i bindet të Dërguarit i është bindur Allahut...." (4:80)
"E bindjuni Profetit që të mëshiroheni..." (24:56)
"Le të kenë kujdes ata që nuk i binden urdhërit të tij se mos u vjen një sprovë apo një dënim i dhimbshëm." (24:56)
D.m.th. nëse ata nuk i binden Profetit (paqja qoftë mbi te) Allahu do t'i sprovojë, duke vendosur në zemrat e tyre mosbesimin dhe hipokrizinë ose do t'u dërgojë një dënim të dhimbshëm në këtë botë.
Në një ajet tjetër thuhet se bindja ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të) bëhet shkak për arritjen e dashurisë së Allahut dhe faljen e gjynaheve:
"Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë me ndiqni mua, sepse vetëm në këtë mënyrë do t'ju dojë Allahu e do t'jua falë gjynahet tuaja." (3:31)
Në disa ajete të tjerë Allahu i Madhëruar thotë se bindja ndaj urdhërave të Profetit (paqja qoftë mbi të) është tregues i udhëzimit në rrugën e drejtë, ndërsa mosbindja është tregues i humbjes:
"Nëse i bindeni atij, do të udhëzoheni...."(24:54)
"Nëse ata nuk i përgjigjen thirrjes tënde, atëherë dije se ata ndjekin tekat dhe kapricot e tyre..."( 28:50)
Allahu i Madhëruar gjithashtu na mëson se tek Profeti (paqja qoftë mbi të) çdo musliman mund të gjejë shembullin më të mirë që duhet ndjekë në jetën e tij:
"Ju keni shembullin më të mirë tek i Dërguari i Allahut. (Ky shembull i lartë është) për ata që shpresojnë tek shpërblimi i Allahut dhe në Botën tjetër." ( 33:21)
Ibn Kethiri, në tefsirin e tij, shkruan:
"Ajeti i mësipërm është një nga bazat më të rëndësishme, mbi të cilën bazohet obligimi i ndjekjes së shembullit te Profetit (paqja qoftë mbi të) në gjitha veprimet. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët që të ndjekin shembullin e Profetit (paqja qoftë mbi të) gjatë ditëve të luftës së Hendekut[1] deri në Ditën e Kijametit.
Janë më tepër se dyzet ajete në Kuran që flasin për rëndesinë e madhe që i vë Islami bindjes ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të). Nevoja e muslimanit për të njohur rrugën e saktë të Profetit (paqja qoftë mbi të) është më e madhe se vetë nevoja që ka ai për ushqim dhe ujë, pasi në fund të fundit, mungesa e këtyre dy të fundit mund të shkaktojë vdekjen, d.m.th.ndarjen nga kjo botë, ndërsa mosbindja ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të) bëhet shkak i dënimit të përhershëm në botën tjetër dhe në zjarrin e Xhehenemit."
Ne jemi urdhëruar që t'i kryejmë të gjitha adhurimet sipas mënyrës, me të cilën i ka kryer Profeti (paqja qoftë mbi të). Për këtë dëshmojnë hadithe të shumta. Më poshtë po i përmendim disa prej tyre.
"Faluni sipas mënyrës me të cilën më shihni mua që falem." (Trans. Buhariu)
"Merreni prej meje mënyrën e kryerjes së haxhit". (trans. Muslimi)
"Ajo punë që nuk i përket çështjes sonë është e refuzuar." (trans. Buhariu dhe Muslimi)
"Kush nuk e pëlqen rrugën time, nuk është prej ndjekësve të mi." (trans.Buhariu dhe Muslimi)
Përktheu: Teuhid.NET
FUSNOTA
[1]**Lufta e Hendekut ndodhi në vitin e pestë pas emigrimit të Profetit (paqja qoftë mbi të). Në këtë luftë muslimanëve në përgjithësi dhe Profetit (paqja qoftë mbi të) në vecanti iu desh që të bënin durim të madh, pasi gjendja ishte shumë e tensionuar dhe e nderë; ata ishin të rrethuar nga të gjitha anët prej armiqve, ushqimi ishte shumë i pakët, bëntë një i ftohtë shumë i madh dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, hipokritët mundoheshin që të fusnin frikën në zemrat e muslimanëve dhe t'i demoralizonin ata. Ky ajet së bashku me disa prej ajeteve para tij, flasin për këtë luftë dhe Allahu u bën thirrje besimtarëve që të ndjekin shembullin e Profetit (paqja qoftë mbi të) të cilin nuk e mposhtën vështirësitë, por bëri durim të pashembullt derisa erdhi ndihma e Allahut.



