|
Nuk kam pare ndokënd, që në emër të Allahut të jetë aq i etur për dituri sikurse këta tre persona: Ata`u, Tavusi dhe Muxhahidi (Seleme b. Kuhejli)
`Ata` B. Ebu Rebahu
Nuk kam pare ndokënd, që në emër të Allahut të jetë aq i etur për dituri sikurse këta tre persona: Ata`u, Tavusi dhe Muxhahidi (Seleme b. Kuhejli)
Jemi në fund të pjesës së tretë të muajit Dhil-Hixhxhe, viti nëntëdhjetë e shtatë sipas hixhrit.. Në drejtim të Shtëpisë së Lashtë nga të gjitha anët, derdhen vale-valë haxhinjtë..
Disa ecin në këmbë, disa të hipur në kuaj e disa në deve. Në mesin e tyre ka pleq e të rinj, burra edhe gra. Ka të zinj dhe të bardhë, arabë dhe jo arabë, zotërinj dhe robër..
Por të gjithë vijnë duke iu nënshtruar dhe duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit të njerëzve, të thellur në mendime dhe me shpresë për falje nga Zoti i tyre. Në mesin e tyre është edhe Sulejman b. Abdulmeliku, halifja e muslimanëve dhe sunduesi më i madh në sipërfaqen e Tokës. Përeth Shtëpisë së Lashtë sillet kokëzbuluar dhe këmbëzbarthur. Ai nuk ka asgjë pos dy ihrameve, dy pjesë të pëlhurës së bardhë
Me asgjë nuk dallohet nga nënshtetasit e tij, vëllezër në besimin në Allahun Një.
Pas tij janë edhe dy djemtë e tij dy djelmosha, të kthjellët dhe të ndritur, sikurse dy hëna të plota, dy lule të njoma me erë të këndshme. Porsa mbaroi tavafin, u kthye nga njëri, të cilët e përcillnin dhe e pyeti:
- Ku është shoki i juaj ?
- Ja ku është u përgjigj- duke treguar me dorë nga ana e perëndimore e Haremi-sherifit
Halifja me dy voglushët e tij u drejtua për tek vendi ku tregoi përcjellësi i tij.
Shërbëtorët deshtën të nisen pas tyre, t`u bëjnë rrugë në turmën e njerëzve dhe t`i ruajnë, mirëpo ai i urdhëroi të kthehen duke u thënë: Jo në këtë vend janë të barabartë, edhe sunduesit, edhe robërit!
Këtu askush ndaj askujt nuk ka përkushtim, përveçse në devotshmëri dhe përulësi ndaj Allahut.. Ndoshta më parë do t`i pranohet lutja një njeriu të rraskapitur dhe të pluhurosur, i cili për hir të Allahut i është përgjigjur thirrjes prej vendeve më të largëta, sesa një sunduesi?! Pastaj shkoi, lypi dhe e gjeti njeriun, i cili ishte duke u falur ende, duke qëndruar gjatë në ruku` dhe sexhde.
Nga të gjitha anët përeth tij, nga pas, nga ana e majtë dhe e djathtë ishin ulur njerëz..
Edhe ai u ul në fund të rrethit
Dha shenjë që të ulen edhe dy vogëlushët e tij.
Dy vogëlushët kurejshitë me shikim kërkojnë njeriun, të cilit sunduesi i besimdrejtëve i erdhi te këmbët, u ul me njerëzit e tjerë dhe prêt ta mbarojë namazit.
Kurse ai, një plak nga Abisinia, i zi, me flokë kaçurrela dhe hundë të shtypur, i cili kur u ul të kujtonte korbin e zi.
Pasi u fal njeriu, tregoi me dorë në anën ku ishte ulur halifja dhe Sulejman b. Abdulmeliku e përshëndeti, e ky ia ktheu.
Halifja filloi ta pyesë një nga një pë regullat e haxhxhit, e ky çdo pyetjeje i përgjigjej hollësisht, aq hollësisht saqë nuk kishte nevojë të parashtronte nënpyetje dhe duke u bazuar krejtësisht në fjalët e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem].
Kur mori përgjigje për të gjitha pyetjet, të cilat i parashtroi, halifja e falënderoi, e luti Allahun që ta shpërblejë dhe vogëlushëve të tij u tha: Ngrituni të shkojmë
Prej aty ata u nisën në Safa dhe Merve që të bëjnë S`ajin.
Duke ecur drejt Safasë dhe Mervesë, vogëlushët dëgjuan se si thirrësit thërrasin dhe shpallin:
- O Muslimanë, në këtë vend njerëzve do t`u japë fetva vetëm `Ata` b. Ebu Rebahu, e në qofse se ai nuk është, atëherë
Abdull-llah b. Ebu Nexhihu!
Njëri prej djelmoshave, u kthye nga babai dhe e pyeti:
- Si mundet që mëkëmbësi i sunduesit të besimdrejtëve të kërkojë prej njerëzve që për regullat e haxhxhit t`i drejtohen vetëm `Ata` b. Ebu Rebahut dhe shokut të tij? Si mundet, që ne t`i shkojmë në këmbë atij njeriu e ta pyesim për regullat e haxhxhit, e ai të mos tregojë respektin e duhur ndaj halifes?!
Në çast Sulejmani iu përgjigj djelmoshave të tij:
- Djali im, patë çka patë. E patë se është respekti ynë ndaj atij njeriu. `Ata b. Ebu Rebahu është ai që në Haremi-sherif i përgjigjet njerëzve për pyetjet e parashtruara.
- Merita të mëdha për të ka edhe Abdull-llah b. Abbasi.
Pastaj u kthye dhe tha:
- Biri im, përkushtojuni diturisë, sepse njeriun nga shkallët e ulëta, dituria e ngren në shkallët më të larta, e zgjon të plogështin dhe prej pozitës së robit e ngre në pozitën e sunduesit.
Dhe me të vërtetë Sulejman b. Abdulmeliku nuk e teproi aspak për atë që u tha djelmoshave të tij lidhur me diturinë. `Ata b. Ebu Rebahu në fëmijëri kishte qenë rob i një gruaje ne Mekke.
Mirëpo Allahu këtë djalosh nga Abisinia, qysh në fëmijëri e nderoi, sepse u nis rrugës për kërkimin e diturisë, kështu që kohën e tij e ndau në tri pjesë:
Një pjes ia kushtoi pronares së tij, duke e shërbyer dhe duke kryer detyrat e tij ndaj saj, sa më mirë që kishte mundësi.
Pjesën e dytë ia kushtoi Zotit të tij, duke iu përkushtuar me sinqeritet në ibadetet dhe duke i kryer detyrat ndaj Allahut të Lartësuar më së miri që mundej.
Pjesën e tretë ia kushtoi kërkimit të diturisë, duke u shoqëruar me shokët e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], duke u mbushur dhe pasuruar me dituri nga burimi i tij i kthjellët.
Mësuesit e tij ishin as`habët e njohur [radijAllahu anhum] siç ishin: Ebu Hurejre, Abdull-llah b.Omeri, Abdull-llah b. Abbasi,
Abdull-llah b. Zubejri etj., kështu që nëpërmjet tyre u pajis me dituri të gjërë fetare dhe me pamje të besueshme nga jeta e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve selem].
Duke vërejtur se djaloshi tërë jetën e tij ia kushtoi Allahut [subhanehu ve teala] dhe kërkimit të diturisë, kjo grua e ndershme nga Mekka hoqi dorë nga të drejtat e saj ndaj tij dhe në emër të Allahut e liroi, duke shpresuar se Allahu do ta ndihmojë të jetë i dobishëm për Islamin dhe muslimanët.
Prej asaj dite `Ata b. Ebu Rebahu vendin afër Qabes e bëri si vendbanim, shtëpi ku do të banonte, shkollë ku do të mësonte, dhe vend ku do të falej, dhe nëpërmjet ibadetit dhe përulësisë do t`i afrohej Allahu [subhanehu ve teala], kështu historianët regjistruan këtë fakt. Harami sherifi për afro njëzet vjet ka qenë vend ku ka fjetur `Ata b. Rebahu.
Tab`ini i shquar Ata b. Ebu Rebahu, shumë shpejt do të arrijë një shkallë të lartë diturie, i cili do t`i kalojë të gjitha parapritjet. Ai do të ngrihet në një shkallë aq të lartë saqë shum pak bashkëkohës të tij janë ngritur.
Në këtë konteks rrëfehet se Abdull-llah b. Omeri një vit në Mekke u printe njerëzve në umre e ata e mbytën me pyetje të shumta, duke kërkuar prej tij përgjigje, kurse ai u tha: O banorë të Mekkes, me të vërtetë unë habitem me ju, më keni mbulur me pyetje e nës mesin e juaj gjendet Ata b. Rebahu?!
Ata b. Ebu Rebahu arriti një shkallë kaq të lartë në dituri dhe fe falë dy cilësive të tij: - Së pari, i është nënshtruar vetëkontrollit të rreptë, duke mos i lejuar vetës lëshime në kënaqësitë e kësaj bote, prej të cilave në fund nuk ka kurrfarë dobie, dhe së dyti, ka pasur kujdes për kohën e tij dhe nuk e ka harxhuar në punë të kota.
Në një bisedë me mysafirët e tij Muhamed b. Suka ka thënë:
-A doni të ndëgjoni një hadith, prej të cilit do të keni shumë dobi në jetë sikurse kam pasur unë?
-Po iu përgjigjën
-Një ditë Ata b. Ebu Rebahu më këshilloi me fjalët:
-Djali i vëllait tim, ata që ishin para nesh nuk e donin kureshtjen dhe papunësinë.
-E çfarë konsideronin ata papunësi? e pyeta.
-Gjithçka që nuk ka pasur lidhje me diturinë dhe të menduarit mbi Librin e Allahut, e kanë konsideruar si papunësi u përgjigj dhe shtoi: - edhe për fjalët e Pejgamberit të Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], të cilët duhen transmetuar dhe kuptuar drejt, dhe të kërkohet të bëhen punë të mira dhe të ndalohet nga punët e këqija, dituria që të afron tek Allahu i Lartmadhëruar, dhe për gjërat më elementare pa të cilat nuk mundet.
A i keni haruar fjalët e Allahut [subhanehu ve teala]: kurse ndaj jush janë përcjellësit, janë shkrues të ndershëm tek Allahu (El Infitar, 10-11) dhe u përcjellin pandërprerë dy melekë dhe se kur dy melekët qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë, e ai nuk hedh ndonjë fjalë, e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm. (Kaf, 17-18)
Mandej është pyetur:
A ka ndokush prej nesh që do të turpërohej po qe se në mëngjes t`i hapej libri me veprat e tij të regjistruara dhe të shohi se nuk ka pasur aspak dobi për fenë e vet, e as për këtë botë?
Dituria që zotëronte `Ata` b. Ebu Rebahu, me ndihmën e Allahut, shumëkush pati dobi, ata që iu kushtuan diturisë, si dhe shumë të tjerë.
Kështu duke folur për veten, Imam Ebu Hanife en-Nu`mani në një rast ka thënë:
-Gjatë kryerjes së regullave të haxhxhit në Mekke kam gabuar në pesë gjëra e më përmirësoi dhe më mësoi berberi (floktari). Së pari deshta ta rruaj kokën që t`i heq ihramet, e shkova te berberi dhe e pieta: Sa kushton që ta rruaj kokën? kurse ai m`u përgjigj:
-Allahu të udhëzoftë! Kur është në pyetje ibadeti nuk ka kushtëzim! Ulu dhe më jep sa të duash!
U turpërova dhe u ula, por nuk u ktheva nga Kibla, e më tregoi që të kthehem nga Kibla. U ktheva, por u turpërova edhe më shumë. Pastaj së pari ktheva anën e majtë që ta rruaj kokën, e ai më tha:
-Ktheje anën e djathtë! Unë e ktheva.
Kur filloi të më rruajë unë heshtja dhe mahnitesha me mjeshtërinë e tij, e më pyeti:
-Përse hesht? Përse nuk thua tekbire?! Thuaj: Allahu Ekber! Kështu që fillova të them tekbire dhe vazhdova t`i përsëris derisa dola nga ai.
Kur desha të nisem, më pyeti:
- Ku po shkon?
- Në shtëpi iu përgjigj , e ai më tha:
- Së pari fali dy rekate, e mandej shko ku të duash!
Pasi i fala dy rekate, u mendova:
- Ky berberi patjetër duhet të jetë njeri i ditur, kështu që e pieta:
- Prej kujt i mësove kaq hollësisht regullat e haxhxhit, e kërkoje edhe nga unë që t`i kryej si duhet ato?
- O rob i Allahut, dëgjo se prej cilit u përgjigj. Kam parë `Ata` b. Ebu Rebahun sesi i kryente, prej tij kam mësuar dhe të tjerët e i kam udhëzuar që t`i kryejnë.
Dhe jo vetëm kaq. `Ata` b. Ebu Rebahu ka pasur mundësi që t`i zotërojë edhe dhuntitë dhe pasuritë e kësaj bote, por ai i shmangej dhe me këmbëngulje i refuzonte, aq sa tërë jetën e tij nuk ka veshur këmishë më të shtrenjtë se pesë dërhemë.
Halifet e thirrnin në shoqërinë e tyre, por ai i refuzonte nga frika se kjo botë mos t`ia prishë fenë e tij. Prapëseprapë shkonte edhe tek ata në qoftë se shihte dobi për muslimanët dhe Islamin në përgjithësi.
Në kontekst të kësaj Othman b. `Ata` el-Horasani rrëfen:
- U nisëm me babin tim me qëllim që të shkojmë tek Hisham b. Abdulmeliku! Kur u afruam afër Damaskut u takuam me një plak më këmishë të bardhë dhe të vrazhdë, me një pelerine të vjetë me kapelë në kokë dhe hipur mbi një gomarin të zi me yzengji të drunjta. Qesha dhe e pyeta:
- Baba, kush është ky njeri?
- Hesht!- më tha.
- Ky është `Ata` b. Ebu Rebahu, dijetari më i njohur për regullat e fikhut në tërë Hixhazin.
Kur na u afrua, babai im zbriti nga mushka në të cilën kalëronte, e ai nga gomari, u përqafuan dhe filluan të pyesin njërit-tjetrin për shëndetin. Pastaj prapë hipën dhe vazdhuam rrugën deri afër dyerve të Hisham b. Abdulmeliku. Sapo u ulëm, u thirrën për të hyrë Brenda. Kur doli babai im, e pyeta:
- Më trego se si ju pritën! më tha:
- Si dëgjoi Hishami se `Ata` b. Ebu Rebahu është tek dyert e pallatit, menjëherë dhe urdhër që ta lejojnë të hyjë. Pasha Allahun, falë atij hyra edhe unë. Kur e pa Hishami tha:
- Mirë se erdhe!!! Urdhëro, këndej!- e përcillja derisa u ul në minder afër tij, saqë iu bashkuan këmbët.
Në këtë shoqëri ishin të pranishëm njerëzit më authoritative. Ata bisedonin, por kur filloi të lutet `Ata b. Ebu Rebahu heshten.
Pastaj Hishami u kthye nga ai dhe pyeti:
- Mirë se erdhe, o Ebu Muhammed! A ke nevojë për ndonjë send?
- O sundues i besimdrejtëve, - tha si do të ishte që banorëve të dy Haremeve; mysafirëve të Allahut [subhanehu ve teala] në Mekke dhe fqinjëve të Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] në Medine, t`u caktosh mirëmbajtje dhe t`u japësh dhurata!
- Mirë, u përgjigj dhe urdhëroi:
- Djalosh, shkruaj që banorëve të Mekkes dhe Medinës t`u paguhet mirëmbajtja vjetore dhe t`u jepen dhurata!
Pastaj pyeti:
- O Ebu Muhammed, pos kësaj a të duhet edhe diçka tjetër?
- Duhet, o sundues i besimdrejtëve- u përgjigj.
- Banorët e Hixhazit dhe Nexhdit janë skeleti i të gjithë arabëve dhe si të tillë kanë dhënë njerëz që kanë udhëhequr Islamin. Si do të ishte që t`u kthehet ajo që tepron nga zekati.
- Mirë, - u përgjigj dhe urdhëroi:
- Djalosh, shkruaj që t`u kthehet ajo që tepron nga zekati i tyre!
- O Ebu Muhammed, a të duhet edhe diçka tjetër, pos kësaj?- pyeti
- Po o sundues i besimdrejtëve. U përgjigj
- Luftëtarë në rrugë të Allahut qëndrojnë nëpër kështjella kufitare edhe i ruajnë muslimanët nga të këqijat që ua përgatisin armiqtë.
Paguaji rroga dhe jepu shpërblime, sepse në qoftë se ata gjynjëzohen, kështjellat kufitare do të bien në duar të armiqve.
- Mirë u përgjigj dhe urdhëroi:
- Djalosh, shkruaj që menjëherë t`u jepen rrogat!
- O Ebu Muhammed, a ka edhe ndonjë nevojë, përveç kësaj? e pyeti
- Kam, o sundues i besimtarëve u përgjigj.
- Ata që janë nën mbrojtje në shtetin islam të mos ngarkohen aq sa nuk mund të përballojnë, sepse tatimet që merrni nga ata janë një lloj ndihmë kundër armikut tuaj.
- Mirë u përgjigj dhe urdhëroi:
- Djalosh, ata që janë nën mbrojtje në shtetin islam të mos ngarkohen me të dhëna, të cilat nuk mund t`i paguajnë!
- O Ebu Muhammed, a ke edhe ndonjë nevojë, përveç kësaj? pyeti
- Po u përgjigj.
- Ke frikë Allahun, o sundues i besimtarëve! Dije se, sikurse ke lindur vetë, ashtu edhe do të vdesësh, do të ringjallesh i vetmuar, dhe vetë do të japësh llogari, pasha Allahun, prej këtyre që tashti po i sheh, asnjëri nuk do të jetë me ty!
Pas kësaj Hishami, i shqetësuar filloi të qajë, duke e gërryer token me shkop.
Posa `Atau` u ngrit që të shkojë, u ngrita edhe unë me të.
Kur u afruam afër daljes, njëri nga njerëzit i halifes, i cili na përcillte, ia ofroi një qese në të cilën nuk di se ç`kishte dhe i tha:
- Këtë ta dërgoi sunduesi i besimdrejtëve! e ky iu përgjigj:
- Allahu na ruajtë! Nuk ka fjalë! pastaj tha: Unë për këtë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim, shpërblimi për mua është vetëm prej Zotit të botëve. (Esh- Shu`ara, 109)
Pasha Allahun, erdhi te halifja, qe i mirëseardhur tek ai dhe shkoi, por aty nuk piu as një pike ujë
`Ata` b. Ebu Rebahu jetoi mbi njëqind vjet. Tërë jeta e tij që e ka msbushur me dituri, punë, bamirësi dhe përulësi ndaj Allahut. Përmbahej nga e gjithë ajo që ishte në duart e njerëzve, kurse lakmonte me afsh atë që është tek Allahu [ subhanehu ve teala]. Kur e takoi vdekja, nuk kishte për çka të mallëngjehej nga kjo botë. Prandaj në botën tjetër kishte furnizim të pasur
Përskaj të gjithave, pas vetes kishte kryer shtatëdhjetë here haxhxhin
Shtatëdhjetë herë ka qëndruar në Arefat, duke e lutur Allahun e Lartmadhëruar që ta përfshijë në mëshirën dhe kënaqësin e Tij dhe ta fusë në Xhennet, e ta ruaj nga hidhërimi i Tij dhe zjarri i Xhehenemit.
Marrë nga libri: Suverun min hajati tabi`in
Autori i librit: Abdurrahman Ra`fat el-Basha
Përgatiti dhe përshtati: teuhid.net
|