Shurejh El-Kadiu

Sunduesi i besimdrejtëve, Omer b. el-Hattabi [radijAllahu anhu], bleu një kalë nga një beduin, e pagoi çmimin e caktuar, e mandej i hipi dhe u nis. Megjithatë ende pa u larguar shumë, vërejti se kali nuk mund të vapronte më tej për shkak se ishte me të meta, e u kthye te njeriu i cili e bleu dhe i thotë:

I pyetur: Si e përfitove gjithë këtë dituri? – Shurejhi u përgjigj: Jam shoqëruar me dijetarët; prej tyre kam marrë dhe u kam dhënë (Sufjan el-Evsi)

-Merre kalin tënd prapë, sepse është me të meta.
-Jo, nuk e marr, o sundues i besimdrejtëve, - u përgjigj tjetri, - sepse ta kam shitur shëndoshë dhe pa të meta.
Omeri i thotë:
-Zgjidh cilin të duash të gjykojë ndërmjet meje dhe teje!
-Le ta gjykojë dhe ta zgjidhë problemin ndërmjet nesh Shurejh b. el-Harith el-Kindi – i tha:
-Mirë pajtohem – u përgjigj Omer.


Kështu sunduesi i besimdrejtëve Omer b.Hattabi dhe pronari i kalit e lutën Shurejhin që të gjykojë se cili prej tyre është në të drejtë. Kur dëgjoi deklaratën e beduinit Shurejhi, u kthy nga Omer b. el-Hattabi dhe e pyeti:
-O sundues i besimdrejtëve, a e pranove kalin të shëndoshë?
-Po, - u përgjigj Omeri.
-O sundues besimdrejtëve, - i tha Shurejhi, - ose mbaje atë që ke blerë, ose ktheje ashtu siç e ke pranuar!
Omeri me krenari e shikoi Shurejhi dhe i tha:
-A mund të ket gjykim ndryshe se ky? Shkurt dhe qartë, e vërteta është e vërtetë dhe drejtësia është e kënaqur – dhe shtoi:


-Përgatitu që të shkosh në Kufe! Po të emëroj kadi të Kufes!
Shurejh b. el-Harithin që Omeri e emëroi kadi, në Kufe, nuk ishte një njeri i panjohur në shoqërinë e Medines, e as ndërmjet dijetarëve dhe shumicës së as`habëve dhe tabi`inëve.
Përkundrazi njerëzit me autoritet, ndërmjet tyre edhe ata që e pranuan të parët Islamin, e çmonin shumë talentin e Shurejhit, kthjelltësinë e madhe dhë të gjykuarit me drejtë, cilësitë e larta morale dhe përvojën e pasur jetësore.
Shurejhi ishte me prejardhje nga Jemeni, nga fisi Kindi. Një pjesë të madhe të jetës së tij e kaloi në xhahiljjet. Gadishulli Arabik u ndriçua nga drita e Islamin dhe rrezet e tij arritën deri në Jemen, Shurejhi ishte prej të parëve që iu përgjigjen thirrjes së të vërtetës dhe besuan Allahun dhe Pejgamberin [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem].


Ata që e njihnin më pare, ia njihnin shumë mirë cilësitë dhe moralin e tij të lartë, dhe nuk mund të pajtoheshin me atë që nuk iu dha rasti të vijnë në Medine, të njoftohet me Pejgamberin e Allahut [subhanehu ve teala], dhe në mënyrë të drejtë të piijë nga burimi i pastër i të vërtetës, e jo perms ndërmjetsuesit, pa u shpërngulur në shoqërinë e të zgjedhurve, dhe të hyjë në radhët e as`habëve, siç kishte hyrë më pare në radhët e besimtarëve.
Por do të bëhet ashtu siç është caktuar të jetë.


Ngutja e Omer el-Farukut që ta emërojë atë kadi kryesor, në njërën prej qendrave më të madhe të shtetit të ri musliman, edhe pse në atë kohë kishte ende shumë shokë të njohur të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], të cilët me diturinë e tyre shëndrisnin në tokë si yjet në qiell, tregon se Omeri ka qenë në të drejtë. E ky është njëri prej argumenteve për mendjemprehtësinë dhe vlerësimin e drejtë të Omerit, sepse Shurejhi, edhe pas ndodhive të stuhishme të cilat së shpejti do t`i vijnë pa ndërprerë njëra pas tjetrës, afro gjashtëdhjetë vjet do të mbetet në atë post dhe do të ndajë drejtësinë ndërjmet muslimanëve.


Argumenti më i mire për gatishmërinë dhe drejtësinë e tij është se është zgjedhur katër herë në atë post, nga katër halife të ndryshëm; Omeri, Othmani, Aliu, dhe Muavia [radijAllah anhum]. Nuk duhet harruar se edhe halifet e tjerë nga dinastia e emevitëve, donin ta mbanin në atë post edhe pas Muavisë, por aid ha dorëheqjen pas ardhjes së Haxhaxhit në postin e mëkëmbësit të halifes, në vitin e njëqind e shtatë të jetës së tij, përplot fame dhe punë të ndershme.
Historia e drejtësisë islame ka regjistruar në faqet e saj shumë shembuj nga drejtësia e Shurejhit, si argument i gjallë se si zgjidhen problemet ndër muslimanët dhe se si realizohet në praktikë ligji i Allahut [subhanehu ve teala], pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë; për masën e thjeshtë apo njerëzit me fuqi dhe autoritet. Dhe jo vetëm kjo, edhe shumë burime të tjera janë plot me shembuj, dhe fjalë të urta nga jeta e tij e pasur.


Kështu rrëfehet se Ali b. Ebu Talibi [radijAllahu anhu] kishte humbur parzmoren, të cilën e donte dhe e kishte pare dhe njohur në tregun e Kufes se si e shiste një jomusliman, i mbrojtur nga shetetin islam.
Posa e pa dhe e njohu, Aliu iu afrua pronarit dhe i tha:
-Kjo është parzmorja ime. Më ka rënë nga deveja natën, në atë kohë dhe në atë vend.
-Jo, kjo parzmore është prone e imja, o sundues i besimdrejtëve u përgjigj pronari.
-Jo kjo është parzmorja ime, - ia ktheu Aliu, - sepse nuk ia kam shitur askujt e as nuk e kam dhuruar, që të mund të jetë i jotja.-


Pronari u përgjigj!
-Atëherë le të gjykojë kadiu ndërmjet nesh!
-Mirë, ke të drejtë, - i tha Aliu dhe shtoi: - Eja të shkojmë tek ai!
Zoti e deshi që të vijnë te Shurejhi. Kur hynë, Shurejhi i tha Aliut:
Fol ç`ke të më tregosh, o sundues i besimdrejtëve? – e Aliu i thotë:
-Te ky njeri pashë dhe njoha parzmoren time, e cila më kishte rënë nga deveja natën në atë kohë dhe në atë vend. Prandaj ai as nuk e ka blerë e as nuk e ka dhuratë.


Mandej Shurejhi u kthye nga pronari i mburojës dhe e pyeti:
-E ç`ke të thuash për këtë, o njeri? - e ai u përgjigj 
-Parzmorja është e imja dhe në duart e mia, por nuk them se sunduesi i besimdrejtëve po gënjen.
Shurejhi u kthye kah Aliu dhe i tha:
-O sundues i besimdrejtëve, nuk dushoj aspak për atë që thatë se parzmorja është e jotja, por duhet të kesh dy dëshmitarë ta vërtetojnë atë që po thua.


-Po i kam, - thotë Aliu, - do të dëshmojnë robi im i liruar Kanberi dhe djali im Hasani.
-Por, o sundues i besimdrejtëve, nuk lejohet që djali të jetë dëshmitar i babit – i tha Shurejhi
-SubhanAllah!!! Njeriut që i është garantuar Xhenneti nuk lejohet të dëshmojë!!! A nuk e ke dëgjuar se Pejgamberi i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Hasani dhe Husejni do të jenë të parët në Xhennet.”
-Sigurisht që e kam dëgjuar, por unë nuk e pranoj dëshminë e djalit për babain e tij – u përgjigj Shurejhi
Atëherë Aliu iu drejtua këtij (jomuslimanit dhimmi – i mbrojtur nga shteti islam) dhe i tha:
-Atëherë merre! Sepse unë nuk kam dëshmitar të tretë.


-Por, unë o sundues i besimdrejtëve do të dëshmoj se parzmorja është e jotja, - tha jomuslimani dhe shtoi:
-O Zot, o Zot, e pashë me sytë e mi që sunduesi i besimdrejtëve të më gjykojë të kadiu, e kadiu i tij të gjykojë në favorin tim, e në dëm të tij!!! Deklaroj se feja, e cila urdhëron drejtësi është fe e vërtetë.
Dëshmoj se nuk ka zot tjetër pos Allahut dhe Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij!
-O kadi, ta dish se parzmorja është prone e sunduesit të besimdrejtëve. E kam përcjellur ushtrinë në ekspeditën e Siffinit, ku në rrugë nga shala e devesë i ra kjo parzmore dhe e mora.
Kur e dëgjoi këtë Aliu [radijAllahu anhu] i tha:


-Tani meqë e pranove Islamin pot a dhuroj dhe jo vetëm atë, por edhe kalim tim më të mirë…
Pas pak kohësht të kësaj ndodhie, ky njeri iu përgjigj luftës kundër harixhinjve nën udhëheqjen e Aliut, derisa ra shehid.
Si shembull i shkëlqyeshëm të Shurejhit për mendjemprehtësinë dhe drejtësinë e tij është edhe rasti i shpalljes së vendimit kundër djalit të vet. Njëherë djali i tij i tha:
-Baba, ndërmjet meje dhe disa njerëzve ka një mosmarrëveshje.
Kam dëshirë që së pari të më dëgjoshy mua se për çfarë bëhet fjalë, e në qoftë se kam të drejtë, ti paditi në gjyq, e në qoftë se ata kanë të drejtë, atëherë na pajto!
Kur i tregoi se për çfarë bëhet fjalë, Shurejhi i tha djalit të vet:
-Shko e nise procesin gjyqësor kundër tyre!


Djali i tij shkoi dhe e thirri në proces gjyqësor e ata u pajtuan.
Mirëpo kur erdhën, Shurejhi mosmarrëveshjen e zgjidhi në favor të tyre, e kundër djalit të vet, e ku u kthyen në shtëpi, djali i tij tha: Baba, më turpërove! VAllahi, po të mos kasha pyetur përpara se ç`të bëj, nuk do të më vinte keq dhe tani nuk do të kisha qortuar!


Shurejhi ia ktheu:
-VAllahi, ty të dua më shumë se ata, por Allahun e Lartësuar e kam më të dashur se ti. Nuk desha të tregoj se drejtësia është në anën e tyre, sepse u frikësova se do të përpiqesh ta regullosh rastin e do t`i dëmtosh ata.
Tregohet se djali i Shurejhit është ofruar si garant për një njeri, mirëpo njeriu iku nga duart e drejtësisë, e Shurejhi për njeriun e ikur në burg mbylli djalin e vet dhe për çdo ditë i çonte ushqim në burg.
Shurejhi kohë pas kohe dyshonte në vërtetësinë e disa dëshmitarëve, por shpeshherë nuk kishte zgjidhje se si t`i hedhë poshtë dëshmitë e tyre, sepse i plotësonin të gjitha kushtet e duhura. Prandaj shpeshherë, para se të dëshmojnë dhe të japin deklaratë e tyre u thoshte:
-Dëgjoni, Allahu ju udhëzoftë! Këtë njeri nuk e gjykoj unë, por e gjykoni ju me dëshmitë e juaja! Mbrojtja ime nga Xhehennemi jeni ju. Prandaj është mirë që ta mbron veten nga Xhehennemi! Tani mund të hiqni dorë nga dëshmitë dhe të ktheheni në shtëpi!


Por në qoftë se këmbëngulnin për të dëshmuar, për atë që do të dëshmonin, ai do të kthehej dhe u thoshte:
-Dije se vendimin e gjykatës do ta bie në bazë të dëshmive të tyre, edhe pse e di se nuk ke t drejtë, ngaqë nuk dua që drejtësinë ta ndaj në bazë të mendimeve të mia, por më dëshmitë e deshmitarëve!
Mbaje mend se vendimi im nuk mund të bëjë të lejuar atë që ta ka ndaluar Allahu [subhanehu ve teala]
Shurejhi në gjyq shpeshherë përsëriste:
-Fajtori, shumë shpejt do ta shohë se kush është humbës!
-Ai që ka bërë padrejtësi e pret dënimi, kurse atij që i është bërë padrejtësi e pret drejtësia!
-Betohem në Allahun, asnjëherë nuk është larguar askush prej ndonjë sendi në emër të Allahut, e mandej të ndjejë se i mungon!

Shurejhi jo vetëm se i ishte dorëzuar Allahut, Pejgamberit të Tij dhe Kur`anit, por në çdo hap, kudo që i jepej rasti, i këshillonte të tjerët pa marrë parasysh se për kë bëhej fjalë; për njerëz të thjeshtë apo njerëz me pozitë dhe autoritet.
Kështu njëri prej tyre tregon:
-Një here Shurejhi më dëgjoi se si ankohem nga përjetimet e një shoku, e m`u afrua, më mori për dore, më tërhoqi anash dhe më tha:
-Djali i vëllait tim, ruaju dhe mos u anko prej askujt , pos para Allahut. Ky, që u ankove, ndoshta e ke mik e ndoshta edhe armik. Në qoftë se e ke mik e ke pikëlluar, e në qoftë se e ke armik, atëherë e ke gëzuar.

Pastaj vazhdoi:
-A i sheh sytë e mi? – pyeti, duke treguar në njërin prej tyre dhe shtoi: - VAllahi, ka pesëmbëdhjetë vjet që me ta nuk kam parë askënd, e as që kam pyetur se kush është dhe si është, e as që i kam treguar ndokujt tjetër para teje, pos teje. A nuk e ke ndëgjuar se si ka thënë Jakubi (alejhis-selam):
“Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim, ia parashtroj Allahut!”
Prandaj kur ankohesh dhe dhembjen tënde e ekspozon, ankohu në vetmi para Allahut, sepse askush nuk është më bujar se Ai, e t`i përgjigjet thirrjes tënde për ndihmë!


Kur Shurejhi a një njeri duke lutur një tjetër i tha:
-O djali i vëllait tim, kur ndokush e lut dike, dije se vetë i është dorëzuar t`i bëhet rob, se në qoftë se i bën një të mirë, do ta bëjë rob që do të dëgjojë, e në qoftë se nuk e bën, që të dy do të jenë të mjerë, njëri për shkak të koprracisë, e tjetri nga poshtërsia. Prandaj kur të lutesh, lutju vetëm Allahut, e kur të kërkosh ndihmë, kërko vetëm prej Allahut dhe fute ndërmend mire se nuk ka fuqi dhe ndihmë pa ndihmën e Allahut!
Tregohet se një vit në Kufe ra murtaja dhe një shok i Shurejhit nga frika iku nga Kufa në Nexhef, e Shurejhi i shkroi një letër ku mes të tjerash e këshillonte:
-Nuk është fajtor vendi që të afrohet vdekja dhe ditët të numërohen. Mos harro se vendi ku ke ikur nuk është i ndaluar për Atë që askush nuk mund t`i iki, sepse edhe unë, edhe ti jemi në token e të njëjtit Sundues, të cilit edhe Nexhefi është afër.
Pas gjithë asaj që u përmend Shurejhi ishte edhe poet i mirë. 
Tregohet se kishte një djalë dhjetëvjeçar, i cili e dontë shumë lojën dhe zbavitjen, e një ditë iku nga mektebi dhe shkoi të shohi se si grinden qentë. Kur u kthye në shtëpi, e pyeti a është falur, ky i tha se nuk është falur, Shurejhi kërkoi t`ia sjellin një penë dhe një copë letër ku i shkori mësuesit të tij:

E ka lënë namazin për të shikuar qentë,
me dëshirë që t`i ngacmojë dhe njërin me tjetrin t`i ndërsejë.
Në mëngjes do ta sjellë letrën në të cilën,
Sikur edhe Mutelemmisit i është shkruar gjykimi.
Kur të vijë, mundohu me qortime ta edukosh,
ose me këshillat e mësuesit të mençur.
Nëse e dënon, atëherë le të jetë me thupër,
e nëse nuk përmirësohet për tre ditë, atëherë mbylle.
Dije se çfarëdo që të bësh me të edhe unë do të ndjej dhimbje,
sepse pas të gjithave, në zemrën time ende e kam të dashur!

Le të mëshirojë Allahu [subhanehu ve teala] Omerin [radijAllahu anhu] dhe le të jetë i kënaqur me të, që e vendosi drejtësinë islame në baza të pastërta dhe plotësisht të qarta si margaritari.
Se i dhuroi muslimanëve një pishtar ndriçues, kështu që deri në ditët e sotme, falë mendjemprehtësisë dhe të kuptuarit e drejtë të tij, i kuptojnë më lehtë ligjet e Allahut… dhe Sunnetin e Pejgamberit… me të cilat do të krenohet në Ditën e Kiametit para popujve të tjerë.
Le të jetë Allahu i kënaqur edhe me kadi Shurejhin, i cili për afro gjashtëdhjetë vjet ndau drejtësinë ndërmjet muslimanëve, e për gjithë atë kohë nuk i bëri padrejtësi askujt, e as që shikoi ndërmjet gishtave, pa bërë dallim ndërmjet sunduesit dhe njeriut të thjeshtë!

 

Abdurrahman Ra`fat el-Basha

Teuhid.net

Hits: 305
Comments (0)Add Comment

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy