Bilall ibnu Rabah

Muezini i pejgamberit të All-llahut
“Ebu Bekri, i nderuari jonë, liroi të nderuarin tonë (Bilallin)” - Umer el-Faruk


Bilalli, muezini i të dërguarit të All-llahut, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, ka një ndër historitë më të shkëlqyera të luftës në mbrojtje të akides (besimit)...

Histori nga e cila, koha nuk ndjen neveri nga të përsëriturit e saj...

Veshët nuk ngopen prej bukurisë të saj mahnitëse...

Bilalli u lind në Sera (emri vendit) diku afër 43 vite para hixhretit, nga babai të cilin e quanin Rabaha, ndërsa nëna e tij quhej Hamametun.

Ajo ishte robëreshë e zezë nga robëreshat e Mekkes.

Për këtë arsye disa njerëz e thirrnin atë i biri i të zezës.

Bilalli u rrit në Mekke, ishte rob i jetimëve të Abdu Darrit, të cilët babi i tyre (Abdu Darri) i kishte lënë nën kujdesjen e Umeje ibni Halef, një nga kokat e tiranëve kufarë.

Kur Mekka u ndriçua me dritën e fesë së re, më i miri prej të dërguarve, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, bëri thirrje në Teuhid (njësim).

Bilalli ishte nga të parët që kishin pranuar islamin, kishte pranuar islamin kur mbi sipërfaqe të tokës nuk kishte asnjë musliman, pos një grupi të vogël që nuk arrinte numri i tyre mbi dhjetë.

Në krye të tyre ishte Hatixhja, e bija e Huejlidit, nëna e besimtarëve, Ebu Bekr Es-Sidik, Ali ibnu Ebi Talib, Ammar ibnu Jasir dhe nëna e tij Sumejeh, gjithashtu edhe Suhejb er-Rumij dhe Mikdad ibnul Esued.

Për shkak të islamit të tij, Bilalli u dënua nga jobesimtarët si askush tjetër pos tij. U torturua me vrazhdësi dhe tirani nga zemrat e tyre të forta si askush tjetër pos tij. Bilalli iu bëri durim të gjitha këtyre torturave me gjithë  të dobëtit të cilët ishin rreth tij në rrugë të All-llahut dhe askush tjetër nuk duroi më tepër se ai.

Ebu Bekri dhe Aliu kishin fiset të cilat i mbronin ata të dy, gjithashtu edhe populli i mbronte ata, ndërsa sa i përket të dobëtëve prej robërve dhe robëreshave, ata u dënuan fuqishëm, me të cilin dënim jobesimtarët donin ti jepnin mësim atyre të cilëve u shkon mendja t’i nënçmojnë zotat e tyre dhe të pasojnë Muhamedin, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të...

Për torturimin e tyre u përgatitën dhe e morën përsipër një grup prej më të vrazhdëve nga Kurejshët, me zemrat më të ngurta. Njëri prej tyre ishte edhe Ebu Xhehli , All-llahu e poshtërsoftë, i cili morri mbi supe mëkatin për vrasjen e Summejes. Ai u ndal para saj duke e fyer dhe turpëruar në mënyrën më të ligë, pastaj e goditi me shtizën e tij në barkun e saj deri sa doli shtiza nga shpina e saj, dhe ishte kjo shehidja e parë në Islam.

Sa i përket vëllezërve tjerë të saj në Islam, në krye të tyre ishte Bilall ibnu Rabah, ndaj të cilit kurejshët e zgjatën shumë torturën dhe dënimin.

Kur dielli qëndronte më së larti në qiell, gjatë vapës më të madhe, kur toka e Mekkes merrte flakën nga të nxehtit, iu hiqnin atyre teshat, u veshnin parzmore nga hekuri dhe i linin ashtu që të digjen në mes të vapës...

U mëshonin me kamxhik mbi shpinën e tyre dhe i urdhëronin që ta ofendojnë Muhamedin...

Kur dënimi arrinte shkallën më të lartë, sa që nuk mund të përballonin më tutje, iu përgjigjnin në atë të cilën e kërkonin jobesimtarët prej tyre ndërsa zemrat i kishin të lidhura me All-llahun dhe të dërguarin e Tij, përveq Bilallit, All-llahu qoftë i kënaqur me të, i cili e kishte shitur veten e tij për All-llahun e Madhëruar.

Në krye të tiranëve dhunues qëndronte Ummejeh ibnu Halef dhe ushtria e tij. Kur ata i mëshonin në shpinë me kamxhik, Bilalli nuk thoshte tjetër pos: Ai (All-llahu) është Një, Ai është Një...

Sikur kjo t’u mos mjaftonte, ata i vëndonin në gjoksin e tij shkëmbinj, ndërsa ai përsëri qëndronte dhe nuk thoshte tjetër pos: Ai është Një, Ai është Një..

Sa më shumë që i shtonin torturën atij, ai thërriste: Ai është Një, Ai është Një..

Kërkonin nga ai që ta përmend Latin dhe Uzën (idhuj), ndërsa ai përmendte.

All-llahun dhe të Dërguarin e Tij. I thonin: Thuaj ashtu siç themi ne! Ndërsa ai përgjigjej se gjuha e tij nuk mund ta shprehë atë!

Torturat iu shtonin gjithnjë e më shumë dhe pandërprerë. Ishte tirani mendjemadh, Umejeh ibnu Halef, i cili e torturonte Bilallin, All-llahu qoftë i kënaqur nga ai. Kur Umejeh lodheshte duke e torturuar dhe donte të pushoj, ai ia lidhte në qafë një litar të trashë, dhe ua dorëzonte mendjelehtëve dhe fëmijëve, pastaj i urdhëronte që ta shëtisin nëpër rrugët e Mekkes duke e tërhequr zvarrë ...

Bilalli, All-llahu qoftë i kënaqur me të, shijonte kënaqësi nga torturimet për hir të All-llahut dhe të dërguarit të Tij, dhe gjithnjë e përsëriste fjalën e tij të shkëlqyer: ”Ai është Një, Ai është Një...”

Nuk ndjente neveri nga përsëritja e saj, e as nuk ngopej nga ajo.

Ebu Bekr Es-Sidik, All-llahu qoftë i kënaqur me të, i ofroj Umeje ibnu Halefit që ta blej Bilallin, ndërsa ai e ngriti çmimin duke menduar se Ebu Bekri do të tërhiqet dhe nuk do të paguaj.

Ebu Bekri e bleu me nëntë oka ar (oka-njësi për matje, 1 okë e barabartë me afër 1 kilogram e gjysmë, pra afër 14 kilogram).
Pasi e përfunduan marrëveshjen, Ummejeh ibnu Halefi i tha Ebu Bekrit: “Sikur ta refuzoje blerjen e tij, do ta shitja edhe për një okë.”

Ebu Bekri iu përgjigj: “Nëse ti do të refuzoje shitjen e tij, unë do të jepja edhe 100 okë për ta blerë atë…”

Kur Ebu Bekri e lajmëroi të dërguarin e All-llahut, paqja dhë mëshira e Tij qoftë mbi të, për blerjen e Bilallit dhe çlirimin e tij nga torturat e atyre që e torturonin, i tha i Dërguari i All-llahut, paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi të:”Më bëj dhe mua ortak me ty”(duke dëshiruar që edhe ai të ketë marrë pjesë në këtë vepër të mirë).

Kur All-llahu i dha leje të Dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi të, për emigrim në Medine, edhe Bilalli, All-llahu qoftë i kënaqur me të, emigroi me ata të cilat emigruan. Ebu bekri, Bilalli dhe Amir ibnu Fehr u vendosën në një shtëpi në të cilën shtëpi u sëmurën nga ethet, kur Bilallit iu largonin ethet e ngrite zërin e tij dhe këndonte me zërin e tij të ëmbël:

Mjeri unë, a e kaloj natën Në Fekh (vend jashtë Medinës)
E rreth mua bimë me aromë të këndshme
A do të kthehem një ditë në Mexhineh (emër tregu)
A do ti shoh prap “Shamen” dhe “Tefil” (dy kodrat në Mekke)

Nuk ka asgjë për tu mahnitur nëse Bilalli mallëngjehet për Meken dhe rrugët e saja,dhe përmallohet për luginat dhe kodrat e saja, atje e shijoi kënaqësinë e besimit...atje e shijoi kënaqësinë e torturës për hir të Fytyrës së All-llahut...atje e mundi egon e tij dhe Shejtanin..

Vazhdoi Bilalli të qëndrojë në Jethrib (emri Medines në kohën para islamit) larg torturimeve të kurejshve, duke iu kushtuar të dërguarit, të dashurit të tij Muhamedit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të. Dilte pas tij në mëngjes kur dilte edhe Muhamedit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, dhe kthehej me atë kur edhe ai kthehej. Falte namazin kur ai falte, dilte luftonte kur edhe ai luftonte…dhe në këtë mënyrë, nuk u largonte aspak prej tij!

Kur i Dërguari i All-llahut Paqja dhë Mëshira e All-llahut qoftë mbi të e ndërtoi xhaminë në Medine dhe u caktua ezani, Bilalli u bë muezini i parë në islam. Kur përfundonte ezanin, afrohej afër derës të shtëpisë së të dërguarit të All-llahut, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, dhe thirrte: “Ejani në namaz, Ejani në shpëtim…”

Kur dilte i dërguari i All-llahut, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, nga dhoma e tij përball, Bilalli fillonte me ikametin.

Nexhashiu i pat dërguar të Dërguarit të All-llahut, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, tre shtiza të vogla por me vlerë të cilat nuk i mban tjetër pos mbretërit. Njërën prej tyre e mbajti për vete, një ia dhuroi Aliut dhe tjetrën ia dhuroi Umer ibn El-Hatabit, pastaj e veçoi Bilallin me shtizën e tij. Bilalli e merrte shtizën me vete dhe nuk u ndante prej saj. E mbante atë në dy bajramet, e mbante atë në namazet ku kërkohet shi dhe e linte para vetes kur u falte namazi jashtë xhamisë.

Bilalli prezentoi gjithashtu edhe në luftën e Bedrit, dhe pa me sytë e tij e si All-llahu e zbatoi premtimin e Tij, e ndihmoi ushtrinë e Tij. I pa me sytë e tij vrasjen e tiranëve të cilët e torturonin në mënyrën më të ashpër. Pa dy kufomat, të Ebu Xhehlit dhe Umejeh ibne Halef, të goditur nga shpatat e dhe shtizat e muslimanëve që ishin torturuar më parë nga ata të dy.

Kur i Dërguari i All-llahut hyri çlirimtarë në Mekke me batalionin e tij të shkëlqyer, afër tij ishte Muezini Bilall ibnu Rabah.

Në momentet kur po hynte në Qaben e ndershme nuk ishte në shoqërinë e tij askush tjetër pos tre burrave, e ata ishin:
Uthman ibn Talha, mbajtësi i çelësave të Qabes së ndershme, Usame ibn Zejdi, i dashuri i të dërguarit, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, dhe Bilall ibn Rabahi, muezini i të dërguarit, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të.
Kur u afrua koha e namazit të drekës ishin aty me mijëra njerëz që po e rrethonin të dërguarin,  paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të. Në prezencën e këtij grupi të madh ishin edhe ata të cilët e kishin pranuar islamin prej kurejshëve, me dëshirë apo pa dëshirë, dhe edhe ata prezantonin në këtë tubim madhështor.

Në këto çaste i dërguari i All-llahut, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, e thiri Bilallin dhe e urdhëroi të hyp mbi Qabe, që ta ngrit mbi të zërin e Teuhidit. Bilalli iu nënshtrua menjëherë urdhërit dhe e thirri ezanin haptas me zërin e tij të bukur. 

Që të gjithë i zgjatnin qafat për ta shikuar atë dhe me gjuhët e tyre, me zë të ulët dhe me frikërespekt përsëritnin pas tij.
E sa i përket atyre që në zemrat e tyre kishin sëmundje, zemrat e tyre i shqyente mllefi dhe u copëtohej zemra nga mllefi i madh.

Sapo u afrua tek fjalët:”Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i All-llahut” tha  Xhuejrije, e bija e Ebu Xhehlit: “Pasha jetën time, All-llahu ta ka ngritur famën lartë. Sa i përket përshëndetjeve, ne të përshëndesim, mirëpo ne nuk i duam ata të cilët na i vrasin të dashurit”, sepse babai i saj u pat vra në betejën e Bedrit.

Halid ibn Usejd tha:”Falënderimi i takon All-llahut i cili e nderoi babin tim dhe nuk prezantoi në këtë ditë”, sepse babai i tij pat ndërruar jetë një ditë para çlirimit.

Harith ibnu Hisham thoshte: “Mos të pastë nëna, i mjeri unë të kisha vdekur para se ta shoh Bilallin mbi Qabe”.

Tha Hakim ibn Ebi el Asi: “Kjo pasha All-llahun është fatkeqësia më e madhe që të bëhet një rob nga bijtë e Gjumhit, ta ngrit zërin e tij i ngritur mbi Qabe”.

Aty afër ishte Ebu Sufjan ibn Harb i cili tha:”Sa më përket mua, nuk do të them gjë, nëse do tu shprehja me ndonjë fjalë, guralecat do t’ia dërgonin fjalën time Muhamedit te birit të Abdullahit”.

Bilalli vazhdoi gjatë tërë jetës së tij të thirrë ezanin në afërsi të Pejgamberit, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, gjithashtu Pejgamberi fisnik, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, kënaqej me zërin e atij i cili u dënua për hir të All-llahut, e nuk pushonte së përsërituri: “Ai është Një”.

Kur Pejgamberi, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, ndërroi jetë dhe erdhi koha e namazit, u ngrit Bilalli që ta thërret ezanin, ndërsa i Dërguari, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, i mbuluar ende nuk ishte qefinosur. Kur Bilalli arriti tek fjalët “Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i All-llahut”, iu ngushtua fyti, e mbuluan lotët dhe nuk mundi të vazhdonte. Filluan të gjithë besimtarët të qajnë, saqë dëgjohej dënesa e tyre.

Bilalli nuk mundi ta thirrte më ezanin, pos tre ditëve tjera pas vdekjes, dhe çdo herë që arrinte te fjalët “Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i All-llahut” qante dhe bënte të tjerët të qajnë, kështu që kërkoi nga udhëheqësi i besimtarëve Ebu Bekr, që ti jep leje për ta lënë ezanin se nuk mundeshte të përmbahet. Pastaj kërkoi leje nga ai që ta lëshojë Medinën dhe të del për luftë në rrugë të All-llahut dhe të vigjiloj armiqtë e Islamit në vendet e Shamit. Ebu Bekri ishte i luhatur për këtë çështje dhe nuk i jepte përgjigje dhe leje që Bilalli ta lëshoj Medinën. Bilalli i tha:”Nëse më kë blerë për veten tënde më mbaj, e nëse më ke liruar për hir të All-llahut atëhërë më lësho në rrugë të Atij për të cilin më ke liruar”.

Tha Ebu Bekri: “Pasha All-llahun, nuk të kam liruar vetëm se për hir të All-llahut, dhe nuk të kam çliruar vetëm se për në rrugë të Tij”.

Tha Bilalli: “Unë nuk e thërras ezanin për askënd tjetër pas të Dërguarit të All-llahut, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të”.

Ebu Bekri tha: “Je i lirë në këtë”.

Bilalli udhëtoi nga Medina me delegacionin e parë prej delegacioneve të muslimanëve dhe u vendos në Daraja afër Damaskut.

Kishte abstenuar nga ezani deri sa Umer ibn Hatabi vizitoi Shamin dhe e takoi Bilallin, All-llahu qoftë i kënaqur me të, pas mungesës së tij të gjatë.

Ishte mallëngjyer Umeri shumë për të, e respektonte shumë, sa që kur u përmendte në prezencën e tij thoshte: “Ebu Bekri, i nderuari jonë, liroi të nderuarin tonë”.

Aty shokët e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, kërkuan nga Bilalli që ta thërret ezanin në prezencë të Farukut (Umerit).

Po sa filloi me ezanin, Umeri filloi të qajë dhe filluan që të gjithë në vaj, deri sa u lagën mjekrat e tyre nga lotët. Me të vërtetë i ndezi pasionet e sahabëve gjatë kohës të kaluar në Medine.

Vazhdoi thirrësi i ezanit të jetojë ne Damask deri sa iu afrua vdekja. Bashkëshortja e tij qante afër tij në shtratin e vdekjes dhe thoshte: “Ah e mjera unë”.

Bilalli i hapte sytë shpesh dhe i përgjigjej asaj duke i thënë: “Oh ç’gëzim”.

Pastaj duke nxjerrë frymëmarrjet e fundit të tij tha:

Nesër do ti takojmë të dashurit tanë, Muhamedin dhe shokët e tij
Nesër do ti takojmë të dashurit tanë, Muhamedin dhe shokët e tij

Dr. Abdurrahman Rafet el-Basha 

Përktheu: Qëndrim JASHARI

Përgatiti: Teuhid.NET

www.teuhid.net

 

Hits: 144
Comments (0)Add Comment

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy