Në një artikull të datës 21 Maj në gazetën 55, gazetën gjysëm zyrtare të Partisë Demokratike, Gani Mehmetaj niset të shkruaj për cfarë ai mendon se janë arsyet historike që shpjegojnë situatën e rënduar politike. Debatimi i trashigimisë politike të komunizmit është sigurisht i munguar dhe i nevojshëm dhe Partia Socialiste që u lind nga një kongres i Partisë së Punës duhet thirur që të distancohet qartazi nga krimet dhe trashigimia e diktaturës. Por vetëm sepse deklarohet e djathtë, nuk do të thotë se Partia Demokratike është e përjashtuar nga njolla politike e të kaluarës dhe kreu i saj, Berisha, ish sekretari i Partisë në spitalin ku punonte, është përkujtimi më i qartë për këtë. Megjithatë, cfarë na nxit të komentojmë këtu, është ky fragment nga artikulli i z. Mehmetaj:
"Po tiransat ku janë? Sepse e gjithë kjo rrëmujë po bëhet për të shaluar Tiranën. Si lejojnë tironsat që fantazmat të qarkullojë lirisht nëpër qytetin e tyre, duke ua rrezikuar jetën, pasurinë dhe të ardhmen. Athua gjërat të jenë ngatërruar aq keq? Qyteti, thonë është ndarë në dysh! Edhe këtu do e bëjmë një digresion historik: askush më shumë se shqiptarët nuk vuajtën nga mizoritë e Perandorisë Turke, por askush sikur shqiptarët nuk e përqafuan më shumë ideologjinë e kësaj perandorie-islamizmin. Këtë gjë bëjnë edhe nipat e Enverit, me ideologjinë majtiste. Pasojat e komunizmit këtu ndjehen më shumë se kudo tjetër. Pesëdhjetë vjet e shkretuan dhe e sterilizuan Tiranën, sollën pinjollët e kastës së tyre, u shtrinë gjithandej, u dhanë privilegjet, u dhanë poste e fuqi, të cilat ata tash kanë frikë se do t’ua marrin, prandaj një pjesë e tyre mbahen shtrengushëm pas flamujve të vjetër punistë dhe pas fantazmave të frikshme. Dhe vazhdojnë të mbajnë në pushtet e në mendësi atë kastë që do të duhej t’i takonte historisë. E tiransat e vjetër ku janë? Sipas “portokallinjve”, tiransat e vjetër kanë mbetë jevgjitë e turko-orientalë, që veç argëtojnë telespektatorët me batuta banale dhe një gjuhë të zvetënuar për probleme banale."
Kriminalizimi i konvertimit në Islam të shqiptarëve është bërë ndërkaq i pranueshëm dhe normalizuar në ligjërimin politik shqiptar duke krijuar kështu klimën e margjinalizimit që detyrimisht po shpie në prishjen e ekuilibrave të kohezionit social të shqiptarëve. Ndërkohë, populli i Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme në përgjithësi, identiteti i tyre fetarë, shijet muzikore dhe mënyrat e festimeve, dialekti i tyre dhe frazeologjia janë bërë objekt fyerjeje dhe stereotipesh kulturore. Populli i Tiranës ka qenë objekt i ligjërimit orientalizues, gjë që, sic na përkujton edhe autori i këtij shkrimi, edhe në spektakle të ndjekura gjerësisht si “Portokalli,” këto stereotipe përforcohen. Ky ligjërim ka marë nota islamofobe dhe raciste sic shihet dhe në këtë shkrim ku “përqafimi i islamizmit” i kthen tiranasit në “jevgjitë dhe turko-orientalë.” Sigurisht vetëm në ndytësitë raciste të qenit “jevg” apo “turk” përdoret si ofendim, por duhet vënë re se cfarë i bënë tiranasit “jevgj” dhe “turko-orientalë” është “përqafimi i islamizmit” ku përqafimi i një feje paraqitet si rrëzim në një status më të ulët racor!
Një ligjërim i tillë është tregues i mjerimit të autorëve të tillë, por nuk mund të lihet jashtë vëmendjes që ky ligjërim po propagandohet në veglat mediatike të partisë në pushtet, që në këtë periudhë zgjedhore nuk ka munguar së flirtuari me sensitivitetet e bashkësisë myslimane. Nuk mund të lihet jashtë vëmendjes edhe toni i qartë fetar i gazetës 55, gjysma e të cilës mund të ri-emërohej si “radio Vatikani në shqip.” Kjo gazetë është nga kontribuesit kryesor të evangjilizimit të ligjërimit politik shqiptar. Edhe celebrimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës sipas të djathtës, Lulzim Basha, u soll në këtë gazetë me të njëjtat fjalë të deklarimit të Papës së ri, Habemus Basha si eko e Habemus Papam.
Gazetat e të majtës nuk kanë mbetur mbrapa në promovimin dhe riprodhimin e gjuhës së urrejtjes anti-islame, e vlen të kujtojmë këtu artikujt e shumtë të z. Maks Velo në gazetën Shekulli ku gjuha e damkosjes “orientale” dhe “islamike,” u rezervua për kosovarët, ku mëkati kulminant islamik ishte se në vizitën e shtepisë së akademikut Rexhep Qosja, Velos i ishte kërkuar (mbaj frymën, mbahur fort) të heqë këpucët…
Kjo gjuhë e urrejtjes, gjuha e islamofobisë dhe margjinalizimit, ligjërimi orientalist imoraliteti i të cilit është bërë një nga të vërtetat më të pranuara në botën akademike, duhet dënuar dhe nuk i duhet dhënë vend në shtypin që ka respect për veten dhe shtypi që promovon këtë gjuhë urrejtjeje duhet demaskuar./e-zani
Teuhid.NET



