I zgjedhur në një valë euforike shprese dhe ndryshimi për të ardhmen, ngecja e presidentit Obama përballë katastrofës së naftës, përpjekjet për të influencuar garat demokratike dhe pamundësia për të ndaluar terrorizmin vendas kanë bërë që dhe miqtë e tij të mendojnë se ai nuk është shumë ndryshe nga presidentët e tjerë. Këtë javë, ka pasur shumë liberalë dhe progresivë që kanë sugjeruar se Obama, pavarësisht famës dhe shpresës së tij, është thjesht një politikan tjetër i zakonshëm. Por kjo s’do të thotë se Obama nuk mund të rikthehet fuqishëm, ashtu si presidenti Bill Klinton bëri shumë herë.
Ekonomia po përmirësohet
Ndërkohë që nëntori 2010 sjell edhe zgjedhjet e pjesshme në kongres, redaktori politik Nathan Gonzales me ‘Rothernberg Political Report’, beson se presidenti do ta kalojë një pjesë të konsiderueshme të vitit që vjen në të njëjtën mënyrë. Ai thotë: “Më e keqja që mund të ndodh për presidentin dhe demokratët është që ekonomia të vazhdojë të përkeqësohet dhe të fajësohen për këtë. Nëse këto ndodhin, do të jetë një rezultat katastrofal në ditën e zgjedhjeve.” Shifrat e fundit tregojnë se ekonomia amerikane po përmirësohet. Por papunësia është shtuar më shumë se këtu e 26 vite të shkuara. Ish kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, Ed Gillespi thotë se shumë amerikan fajësojnë zotin Obama për shtimin e papunësisë. “Ata do të shikojnë taksat e larta të zotit Obama, shpenzime më të mëdha, më shumë borxhe, ndërhyrje më të mëdha të qeverisë në ekonomi, në banka, në industrinë automobilistike, në kujdesin shëndetësor dhe në energji dhe do ta mbajnë përgjegjës për mungesën e krijimit të vendeve të punës”, thotë Gillespi. Por Robert Borosage me Fushatën për të Ardhmen e Amerikës thotë se presidenti Obama ka parandaluar humbjet e mëtejshme të vendeve të punës. Ai thotë: “Kemi një president që është munduar të bëjë gjëra të mëdha që janë të rëndësishme për vendin. Pastaj kemi një ekonomi të cilën plani i rimëkëmbjes e mbajti nga përkeqësimi i mëtejshëm dhe që do të rritet.” Ndryshimi i gjendjes në luftën në Afganistan mesa duket do të jetë një tjetër prioritet për presidentin Obama gjatë 2010.
Humbja e durimit
Dhuna në Afganistan është shtuar, mbështetja publike për luftën ka rënë, dhe ligjvënësit brenda partisë së Obamës e kanë kritikuar planin e tij për dërgimin e dhjetëra mijëra trupave shtesë. Redaktori politik Nathan Gonzales thotë se me afrimin e zgjedhjeve kongresionale në nëntor, Obama është nën presion për të treguar rezultate. “Presidenti Obama duhet të tregojë se ka një plan për Irakun dhe Afganistanin, se ai po e zbaton atë dhe se plani po funksionon.” Ish kryetari republikan Ed Gillespie është dakord se presidenti përballet me një situatë të vështirë. “Kur je president i Shteteve të Bashkuara duhet të marrësh vendime të vështira. Mendoj se presidenti Obama tani e ka parë ndryshimin ndërmjet kandidimit për president dhe të funksionimit të detyrave të presidentit.” Ndërkohë që presidenti Obama merret me Afganistanin dhe çështje të tjera të politikë së jashtme, ai mesa duket do të mundohet të bëjë përparime me agjendën e brendshme që përfshin reformimin e politikave të imigracionit, lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe krijimi i vendeve të punës në industrinë e energjisë së pastër. Nathan Gonzales e shikon fushatën elektorale të lërë në hije disa nga nismat kryesore të presidentit. “Gjatë 2010 do të jetë më e vështirë miratimi i projektligjeve të debatuara, sepse demokratët do të përqendrohen tek rizgjedhja e tyre.” Shumë nisma të Obamës si reforma e kujdesit shëndetësor, nuk do të tregojnë rezultate deri pas zgjedhjeve të nëntorit. David Frum me Institutin amerikan ‘Enterprise’ thotë se amerikanët po humbasin durimin. “Askush prej nesh nuk e di se çdo të ndodhë në 2010 dhe ndoshta do të nxjerrë rezultate në të ardhmen. Por sigurisht që nuk ka rezultate tani.” Por Robert Borosage me fushatën për të ardhmen e Amerikës thotë se votuesit do ta kuptojnë se zoti Obama po punon në interesin e tyre më të mirë.
“Mendoj se nëse presidenti vazhdon të luftojë për reforma që duken qartë se janë për të ardhmen e vendit, ai do të përfitojë dhe demokratët do të përfitojnë.”
Rezultati i zgjedhjeve të nëntorit për në Kongresin amerikan dhe e ardhmja e presidencës së zotit Obama edhe njëherë mund të varen në fuqinë e tij për të bindur publikun./ks



