Begatitë e dhjetë ditëve të Dhul-Hixhxhes

Falenderimi i takon Allahut s.u.t. që e ka krijuar kohën dhe ka dalluar disa kohëra mbi të tjera, disa muaj, ditë dhe netë mbi të tjerë, atëherë kur shpërblimet shumëfishohen për shumë herë më tepër, si mëshirë e Tij s.v.t. ndaj robërve të Tij. Kjo i nxitë robërit e Allahu s.v.t që të bëjnë më shumë vepra të mira, të jenë më të devotshëm dhe i bën ata më të etur e të zellshëm në adhurimin ndaj Tij s.u.t., ashtu që muslimani i ripërtërin përpjekjet e tij për shpërblime më të mëdha, e përgaditë veten e tij për vdekjen dhe e furnizon vehten me gatishmëri për Ditën e Gjykimit.

Në mesin e sezoneve të veçanta për adhurim janë edhe dhjetë ditët e para të muajit dhul-Hixhxheh, të cilët All-llahu s.u.t. i ka ngritur përmbi të gjithë ditët tjera të vitit. Ibn Abbasi r.a. transmeton:

"Nuk ka ditë ku veprat e mira janë më të dashura tek Zoti, sesa këto dhjetë ditë". Shokët e tij, të habitur e pyetën: "As edhe pjesëmarrja në xhihad, o i dërguar i All-llahut?!" Ai, sal-lallahu alejhi ue selem, ua ktheu: "As edhe xhihadi në rrugën e All-llahut, përveç një burri i cili ka dalë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën". (Transmeton Bukhariu, 2/457).

Ibn Abbasi r.a. gjithashtu transmeton se i Dërguari s.a.v.s ka thënë:

"Nuk ka vepër më të vlerësuar tek All-llahu, as më të madhe në shpërblim, sesa një vepër e bërë gjatë dhjetë ditëve të sakrificës (të dhul-hixhxhes)." Ai u pyet "As edhe xhihadi në rrugën e All-llahut?!" Ai tha "As edhe xhihadi në rrugën e Allahut, përveç njeriut që ka dalur të luftojë me vehte dhe pasurinë e tij për hirë të All-llahut dhe kthehet pa asgjë." (Transmeton Darimiu, 1/357, me isnad hasen siç është përmendur në el-Iruaa, 3/398).

Këto hadithe dhe të tjera sugjerojnë në atë që këto dhjetë ditë janë më të mira se të gjitha ditët tjera të vitit, pa përjashtim, përfshi këtu edhe dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Por, dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë netët më të mirë të vitit, sepse në to është Lejletul-kadri (Nata e fuqisë) që është më e mirë së një mijë muaj. Në këtë mënyrë transmetimet e ndryshme për këto çështje mund të bashkohen. (Shih tefsirin e Ibn Këthirit, 5/142).

Pra, është detyrë e muslimanit që të vlerësojë këtë bekim dhe begati dhe të shfrytëzojë maksimalisht këto mundësi duke u kushtuar adhurimeve të këtyre ditëve një vëmendje të posaçme. Nga begatitë ndaj robërve të Tij s.u.t. është që All-llahu xh.sh. na ka dhënë disa mundësi me të cilat mund të bëjmë vepra të mira dhe ta adhurojmë Atë, asisojë që muslimani të jetë vazhdimisht aktiv dhe konzistent në adhurimin ndaj Zotit të tij.

Në mesin e veprave të mira që muslimani duhet të përpiqet t’i bëjë gjatë dhjetë ditëve të para të dhul-Hixhxhes janë:

1. Agjërimi

Është sunnet që të agjërohet dita e nëntë e Dhul-Hixhxhes, sepse i Dërguari s.a.v.s na ka nxitur që të bëjmë vepra të mira gjatë kësaj kohe, e pikërisht agjërimi është një nga veprat më të pëlqyera. All-llahu s.u.t e ka zgjedhur agjërimin për vehte, siç është transmetuar në hadithin kudsij:

"All-llahu thotë: ‘Të gjitha veprat e birit të Ademit janë për të, përpos agjërimit, i cili është për Mua dhe jam Unë Ai që do ta shpërblejë atë për të (agjërimin).’" (Transmeton Bukhariu 1805).

I Dërguari s.a.v.s e ka agjëruar ditën e nëntë të dhul-Hixhxhes. Hunejdeh ibn Khaliid transmeton nga gruaja e tij që disa nga gratë e të Dërguarit s.a.v.s thanë:

"I Dërguari s.a.v.s e kishte zakon të agjërojë ditën e nëntë të dhul-Hixhxhes, ditën e Ashures, tri ditë në çdo muaj dhe dy të hënat dhe të enjtet e para të çdo muaji." (Transmetojnë el-Nisaa’i dhe ebu Davudi, i klasifikuar nga Albani si i vërtetë në Sahih ebi Davud, 2/462).

2. Tekbiret

Nga sunnetet është edhe thënia e Tekbireve ("All-llahu ekber"), Tahmideve ("El-hamdu lil-laah"), Tahlileve ("La ilahe il-l-Allah") dhe Tesbiheve ("Subhan Allah") gjatë dhjetë ditëve të para të dhul-Hixhxhes edhe atë me zë në xhami, shtëpi, rrugë dhe në çdo vend tjetër ku është e lejuar të përkujtohet All-llahu dhe të përmendet Emri i Tij me zë, si një vepër adhurimi dhe pohimi të Madhështisë së Tij, qoftë i Lartësuar.

Burrat duhet ta bëjnë këtë me zë, ndërsa gratë heshtas.

Thotë All-llahu i Lartësuar (komentimi i domethënies):

"(vijnë në Haxhxh) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre (d.t.th. shpërblimi i Haxhxhit në botën tjetër, përfitime të kësaj bote nga tregtia, etj.), dhe që ta përmendin All-llahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falenderimi) dhe që i ka furnizuat me kafshë (për kurban)" (Haxhxh:28).

Shumica e dijetarëve pajtohen se "ditët e caktuara" të përmendur në ajet janë dhjetë ditët e para të dhul-Hixhxhes, kjo për shkak të fjalës së Ibn Abbasit r.a. "Ditër e caktuara janë dhjetë ditët e para të dhul-Hixhxhes" si dhe transmetimeve dhe thënieve tjera.

Tekbiret mund të përfshijnë fjalët "All-llahu ekber, Allahu ekber, La ilahe il-l-All-llah, ua All-llahu ekber, All-llahu ekber ue lillaahil-hamd (All-llahu është më i madhi, All-llahu është më i madhi, Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë pos All-llahut, All-llahu është më i madhi, All-llahu është më i madhi dhe vetëm Atij i takon hamdi)" si dhe fraza tjera.

Tekbiret në këtë kohë janë një pjesë e sunnetit që është haruar, posaçërisht në ditët e para të dhul-Hixhxhes, saqë thuajse edhe nuk dëgjohen tekbire. Këto tekbire duhet të shqiptohen me zë, ashtu që të ngjallet ky sunnet dhe si përkujtim për neglizhentët. Ka argumente të forta që kur Ibn Umeri dhe Ebu Hurejra r.a. kanë shkuar në treg gjatë dhjetë ditëve të para të dhul-Hixhxhes, kanë recituar me zë tekbirin ashtu që njerëzit që i kanë dëgjuar në këtë u janë bashkangjitur. Qëllimi i përkujtimit të njerëzve të thonë tekbiret është që secili duhet ta bëjë këtë veçmas, individualisht, e jo bashkarisht në kor sepse nuk ka argumente sheriatike për këtë.

Ngjallja e sunneteve që janë të haruara është vepër që sjell shpërblim të paimagjinueshëm, siç është e potencuar nga fjalët e të Dërguarit s.a.v.s:

"Kush e ngall një sunnet timin që është haruar pas vdekjes sime, do të ketë shpërblimin e njerëzve që e praktikojnë atë, pa mos iu mangësuar aspak atyre shpërblim" (Tirmidhiu, 7/443; hadithi është hasen).

3. Kryerja e Haxhxhit dhe Umres

Një nga veprat më të mira që dikush mund të bëjë gjatë këtyre dhjetë ditëve është kryerja e Haxhxhit në Shtëpinë e Shenjtë të All-llahut. Atij që All-llahu i ndihmon të shkoj në Haxhxh dhe t’i kryejë ritualet e tij është i përfshirë në fjalët e të Dërguarit:

"Haxhxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos Xhennetit" (Bukhari).

Ai që nuk është në gjendje të kryejë Haxhxhin duhet ta okupojë vehten në këtë kohë të bekuar me adhurime tjera ndaj All-llahut, si namazi, leximi i Kur’anit, përmendja e All-llahut (dhikri), dhënia e lëmoshës, respektimi i prindërve, mbajtja e lidhjeve farefsinore, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja si dhe tjera vepra dhe akte të adhurimit.

4. Kurbani

Një nga veprat e mira që do ta afrojë personin më afër All-llahut gjatë këtyre dhjetë ditëve është edhe therja e kurbanit duke zgjedhur një kafshë me kualitete të larta, të trashë, duke harxhuar të kështu të holla për hirë të All-llahut s.v.t.

5. Pendimi i sinqertë

Një nga gjërat më të rëndësishme që duhet bërë gjatë këtyre dhjetë ditëve është pendimi tek All-llahu dhe lënia e të gjithë llojeve të mëkateve dhe mosbindjeve ndaj Krijuesit. Pendim do të thotë kthim tek All-llahu s.v.t. për të gjitha mëkatet e mëparshme, qoftë të hapura apo të fshehura si pasojë e keqardhjes për këto mëkate, duke u larguar menjëherë prej tyre dhe duke qenë i vendosur për mos tu kthyer më në to.

Nëse muslimani e bën një mëkat, ai duhet të nxitojë të pendohet sa më shpejtë, pa vonesë, së pari se ai nuk e din se sa do të jetojë dhe së dyti për shkak se një vepër e keqe të shpie në vepër tjetër të keqe.

Pendimi në kohë dhe periudha të posaçme është shumë i rëndësishëm, kjo për arsye se në shumicën e rasteve mendjet e njerëzve kthehen kah adhurimet në këto kohë gjë që u mundëson njerëzve të kuptojnë gabimet dhe mëkatet e tyre të mëparshme dhe njëkohësisht edhe të pendohen për to. Të përmendim që pendimi është obligim në të gjitha kohët, por kur muslimani e kombinon pendimin e sinqertë me vepra të mira, atëherë kjo është shenjë e suksesit. Thotë All-llahu i Lartësuar

"E për sa i përket atij që është penduar, që ka besuar dhe ka bërë vepra të mira, ai le të shpresojë se është nga të shpëtuarit." (el-Kasas, 67)

Muslimani duhet të kujdeset që mos ta huqë ndonjë nga këto mundësi dhe raste, për shkak se koha kalon shpejtë. Le ta përgadisë vehten duke bërë vepra të mira të cilat do ti sjellin shpërblime atëherë kur ka më së shumti nevojë për to, sepse sado shpërblime të mëdha që të fitojë, ai përsëri do ta gjejë atë shpërblim më pak se sa i duhet atij. Thotë All-llahu

"E kush bën vepër të mirë sa një grimcë, atë do ta gjejë. Dhe kush bën vepër të keqe sa grimca, atë do ta gjejë" (el-Zelzeleh, 7-8)

Ka shumë gjëra për të bërë dhe përfituar, kështu që maksimalisht shfrytëzoi mundësitë e ofruara nga këto dhjetë ditë shumë të vlefshme dhe të pazavendësueshme. Nxito në punë të mira përpara se të të vijë vdekja, përpara së të ndiejmë keqardhje për neglizhencën, pakujdesinë dhe huqjen për të bërë punë të mira, përpara se vdekja të intevenojë mes atyre që shpresojnë dhe synojnë dhe shpresave e synimeve të tyre, përpara se të gjendesh i rrethuar me veprat tuaja në varr.

O ju që zemra juaj e ngurtë është e errët si edhe nata, a nuk është koha që zemra juaj të mbushet me dritë dhe të bëhet e butë? Ekspozojeni vehten në mëshirën Zotit gjatë këtyre dhjetë ditëve, sepse All-llahu i Lartësuar do të bëjë që kjo të jetë gëzim për të Ditën e Gjykimit.

Bekimit e All-llahu të Lartësuar qofshin me të Dërguarin tonë, Muhammedin s.a.v.s, familjen e tij dhe shokëve të tij.

Muhamed Salih el-Munexhid

Përktheu: Teuhid.NET

www.teuhid.net

 

Hits: 214
Comments (1)Add Comment
...
written by E Huaja, November 03, 2011
Allahu (xh.sh) iu shperblef per kete teme, dhe iu begatoft me te mirat e Tij ne te dy botrat Insha`Allah per punen e juaj qe e beni per hir te Tij. Allahu iu dhasht suksese edhe me tutje Insha`Allah..
Salamu alaikum

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy