Një njeri erdhi te Dërguari te i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe tha: Unë kam bërë mëkat të madh. A do të më falet nëse pendohem? Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem e pyeti: A ke prindër? Jo, u përgjigj. A e ke tezen (motra e nënës) gjallë? Po, u përgjigj njeriu. Bëri mirë asaj. i tha Pejgamberi (Ibn Hibbani)
Është pyetur i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem për njeriun i cili ka bërë mëkat të madh dhe me këtë ka merituar zjarrin e Xhehennemit. Liro një rob musliman, ndërsa Allahu për çdo organ të tij do të mbrojë organet e atij njeriu në zjarr (Ibn Hibbani)
Një njeri erdhe te i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: Prindërit e mi kanë vdekur! A ka ndonjë vepër e cila do t`u bëjë dobi edhe pas vdekjes së tyre? Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem iu përgjigj: Po lute Allahu që t`i mbulojë me të mirat e Tij, lute Atë që t`ua falë mëkatet, kryeji porositë e tyre që t`i kanë lënë, kujdesu për shokët e tyre dhe bëri mirë farefisit me të cilët edhe prindërit kanë mbajtur ato lidhje. Njeriu tha: Asgjë më e lehtë dhe më e këndshme se këto! Atëherë vepro kështu i tha Pejgamberi.
Është pyetur i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, për njeriun i cili ëshë vërsulur mbi mushrikun me qëllim që ta vrasë, ndërsa ai ka thënë: Unë jam musliman, por edhe përskaj kësaj, ai e ka vrarë. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem shpër e kritikoi dhe njeriu tha: Ai e tha këtë nga frika prej shpatës, ndërsa Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i thotë: Me të vërtetë Allahu i Lartësuar ma ka ndaluar të vras besimtarin. (Hadithi është sahih)
Një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: O i Dërguari i Allahut, na lajmëro për cilësitë tona të mira dhe të këqija, Më i miri në mesin tuaj është ai prej të cilit pritet vetëm se mirë dhe prej të keqes së të cilit janë të ruajtur të tjerët, ndërsa më i keqi në mesin tuaj është ai prej të cilit nuk pritet ndonjë e mire dhe prej të keqes së të cilit ashkush nuk është i sigurtë. (Ibn Hibbani)
Një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: Me çka të ka dërguar Allahut i Lartësuar? Me islam, i tha Pejgamberi. E çka është islami? Që zemrën tënde t`ia dorëzosh Allahut dhe që fytyrën tënde ta drejtosh drejt Tij, që të falësh namazet e caktuara, të ndash zekatin, të pajtosh dy vëllezër (namazi dhe zeqati janë si dy vëllezër që e ndihmojnë njëri tjetrin). Ta dish se Allahu me të vërtetë nuk do t`ia pranojë pendimin atij i cili pas pranimit të islamit bën shirk, (Ibn Hibbani)
El-Esved ibn-Seri` e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: Çka mendon, nëse përleshem me mosbesimtarin dhe ai me shpatë e tij ma prenë njërën dorë, e pastaj fshehet pas një druri e thotë: Iu kam nënshtruar Allahut ( e pranoj islamin; vër.e përkrh.), a guxoj atëherë ta vras, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem iu përgjigj: Nuk guxon ta vrasësh. O i Dërguari i Allahut, ai ma preu dorën e pastaj e pranoi islamin., a guxoj ta vras? Nuk guxon. Sepse nëse e vret, ai do të jetë në pozitën në të cilën ka qenë para se ta vrasësh, ndërsa ti në pozitën në të cilën ai ka qenë para se ta thotë atë (shehadetin). (Hadithi është sahih)
Një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: O i Dërguari i Allahut, kalova përskaj një njeriu dhe ai nuk më gostiti e as që më shprehu mirëserdhje; a të veproj ngjashëm ndaj tij, nëse me vjen? Jo, por do ta pranosh mire edhe do ta gostitësh. (Ibn Hibbani)
Ebu Dheri r.a i ka treguar të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: Një njeri i don njerëzit por nuk mund të punojë aq të mira sa punojnë ata. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i tha: O Ebu Dher, do të jesh me atë që e do. Ebu Dheri tha: Unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ti do të jesh me atë që e do, i tha Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Një grup i beduinëve ka kërkuar prej të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem zgjidhje juridike për shumë çështje, ndërsa ai ju tha: O njerëz, Allahu i Lartësuar ua ka falur mëkatet, përveç atij që është vërsulur në nderin e vëllait të tij, vetëm ai është shkatërruar dhe ka humbur, E pyetën: O i Dërguari i Allahut, a duhet të shërohemi? Ai ju përgjigj: Po, për çdo sëmundje të cilën e ka krijuar Allahu, Ai ka dërguar ilaç përveç për njërën. Ata pyetën: Cila është ajo sëmundje për të cilën nuk ka ilaç? Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ju përgjigj: Pleqëria. Pastaj pyetën: Cili njeri është më i dashur te Allahu? Ai i cili ka moral më të mire, u përgjigj Pejgamberi. (Ahmedi dhe Ibn Hibbani)
Adijj bin-Hatim e ka pyetur të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alajehi ve sel-lem për ruajtjen e lidhjeve farefisnore: Babai im ka ruajtur lidhjet farefisnore: Ka bërë
(këtë dhe këtë)
Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i tha: Babai yt ka dashur të arrijë një qëllim të caktuar dhe ka arritur qëllimin (reputacionin në mesin e njerëzve). Adijj e pyeti: O i Dërguari i Allahut, të të pyes për ushqimin për të cilin ngurroja. I tha: Mos e lër atë në të cilën do t`i kundërshtosh të krishterët Adijj vazhdoi: Unë qenin tim të dresuar e dërgoj në gjueti mirëpo nuk kam se me çka të theri kafshën e gjuajtur, përveç gurit dhe shkopit? Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u përgjigj: Lësho gjakun me çkado që do dhe përmende emrin e Allahut! (Ibn Hibbani)
Aisha r.a. e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem pë Ibn- Xhuud`anin dhe për veprat e tij të mira të cilat i kishte bërë në kohën e xhahilijetit (kishte mbajtur lidhjet farefisnore, ishte sjellur mire ndaj fqinjëve, kishte gostitur mysafirët). A do të ketë dobi nga këto? Nuk do të ketë dobi, sepse anjëherë nuk ka thënë: O Zoti im, m`i fal mëkatet në Ditën e Gjykimit.
Sufjan ibn-Abdullah eth- Thekafiu ka kërkuar prej të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem që t`i thotë diçka që pas kësaj të mos pyese askënd tjetër. Thuaj: :Besoj në Allahun, pastaj qëndro në këtë. i tha Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Është pyetur i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: Kush është njeriu më i ndershëm? Më i ndershëm te Allahu është ai i cili frikohet më së shumti Atij. Sahabët thane: Nuk po të pyesim për këtë . Tha: Po më pyetni për cilësitë e arabëve? Më i miri mes jush në islam është ai i cili ka qenë më i mirë në xhahiljet, me kusht që të mësojë.
Një grua i tha të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: Jam betuar që nëse Allahu të kthen shëndosh e mirë pas luftës, do ta festoj këtë me mëshuarjen e defit mbi kokën tënde. Nëse me të vërtetë je betuar kështu, atëherë bëre. Ndërsa nëse jo, atëherë mos e bën. i tha Pejgamberi. Po jam betuar, tha ajo. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u ul dhe ajo i mëshoi defit mbi kokën e tij . (Hadithi është sahih)
Këtë hadith mund ta komentojmë në dy mënyra:
Mënyra e pare: E ka lejuar që ta kryejë betimin, duke dashur të perfitojë zemrë e saj, t`ia forcojë imanin dhe t`a bëj të kënaqur për shkak të gëzimit të shprehur për shëndetin e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Menyra e dytë: Betimi është lloj i afrimit te Allahu, duke marrë parasysh se në vete përmban lumturinë dhe kënaqësinë për shkak të kthimit të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, të shëndoshë dhe të ndihmuar, e për shkak të fitores mbi armiqtë me të cilën Allahu e ngriti atë dhe fenë e Tij. Për këtë shkak i është urdhëruar që ta realizojë betimin. Ky komentim i dytë është më e drejtë, ndërsa Allahu e di më së miri.
Një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: O i Dërguari i Allahut, çka është puna me atë i cili dëshiron të shkojë ne xhihad në rrugë të Allahut, ndërsa me këtë dëshiron dobitë e kësaj bote? Ai nuk ka shpërblim, u përgjigj Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Pasi që u transmetoi njerëzve tjerë dhe kjo përgjigje iu duk e rëndë, ata i thane: Kthehu edhe pyete sërish; ndoshta nuk e ka kuptuar mire. Ai tri here e pyetu dhe gjithmonë merrte përgjigje të njejtë: Ai nuk ka shpërblim.
Një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe e pyeti: O i Dërguari i Allahut, a të luftoj apo më parë të pranoj islamin? Prano islamin, e pastaj lufto, iu përgjigj Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Në atë luftë njeriu u vra dhe i Dërguati i Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: Punoi pak dhe u shpërblye shumë.
Një njeri erdhe te i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe e pyeti: O i Dërguari i Allahut, për çka frikohesh më së shumti për mua? Ai e kapi gjuhën dhe tha: Prej kësaj!
Një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe tha: Më këshillo dhe më udhëzo në diçka prej së cilës do të kem dobi e të cilën nuk mund ta bëj shpesh. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: Mos u zemëro, duke e përsëritur këtë disa herë
Një grua e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: Unë kam shemër-ortake (gruaja e dytë e burrit). A do të kem mëkate nëse para shemrit me qëllim që ta zemëroj- të tregoj se kam më shumë sesa përnjëmend më jep burri. I ka thënë: Ai i cili tregohet në atë që nuk e ka, është ngjashëm sikur ai i cili veshë dy pale rrobe të rrejshme. (shtirje dhe gënjeshtër)
Një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: O i Dërguari i ALlahut, unë e kam vështirë të praktikoj të gjitha dispozitat fetare. Pra, më thuaj diçka që do të mund ta kryej gjithmonë! Ai tha: Le të jetë gjuha jote gjithmonë e lagur nga të përmendurit e Allahut. (Ahmedi)
Një njeri pyeti: O i Dërguari i Allahut, a ta lëshoj deven time e pastaj të mbështetem në Allahun? Fillimisht lidhje, e pastaj mbështetu në Allahun, i tha Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem. (Ibn Hibbani dhe Tirmidhiu)
Muadhi r.a. e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: O i Dërguari i Allahut, nëse e mbërrijmë kohën e anarkisë, të sundimtarëve të padrejtë të cilët nuk pasojnë rrugën tënde, si të sillemi ndaj tyre? Nuk ka nënshtrim ndaj atij i cili nuk i nënshtrohet Allahut, u përgjigj Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Enesi r.a. kërkoi prej të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem shefaatin e tij (ndërmjetsimin) në Ditën e Gjykimit. Do të jem ndërmjetësi yt, i tha Pejgamberi. Enesi e pyeti: Ku do të gjej në Ditën e dhënies së llogarisë? Fillimisht më kërko në urën e Siratit. E nëse nuk të gjej atje? Atëherë do të jem në Mizan (vendi ku do të maten veprat e njerëzve.) E nëse nuk të gjej atje, o i Dërguari i Allahut? Do të me gjesh në Havd. Me siguri nuk do të gabosh ndërmjet këtyre tre vendeve. i tha Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem. (Ahmedi)
Haxhaxh b. A`lati iu drejtua të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: Familja dhe pasuria ime janë në Mekë, ndërsa unë dua të shkoj te ato. A më është e lejuar që duke mbrojtur veten time, të prek në nderin tend apo të heq dorë. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ia lejoi që në këtë aspekt të thotë çka të dojë. (Ahmedi)
Në këtë është prova se ai i cili thotë dhe nuk e shprehë kuptimin e të folurit të tij, për shkak se nuk ka ndonjë qëllim, për shkak të mosnjohjes apo ka dashur ndonjë kuptim tjetër, nuk është i obliguar, pra nuk bartë pasojat e asaj që nuk ka dashur ta thotë. Kjo është feja e Allahut me të cilën e ka dërguar Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe për këtë nuk ka kushtëzuar që ai i cili shprehë fjalët e mosbesimit të bëhet pabesimtar. Ngjashëm është edhe me atë i cili nuk ka arsye (vetëdije) për shkak të çmendurisë, gjumit apo magjisë. Gjithashtu, Haxhaxh b.A`lati nuk është shpallur mosbesimtar për atë që e ka thënë, sepse fjalët e tij ka dashur kuptim tjetër dhe zemra e tij atë kuptim e ka vërtetuar.
Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni zotuar qëllimisht. E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është duke i ushqyer dhjetë të varfër dhe ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (të dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t`i bëjë këto, le t`i agjërojë tri ditë. Ky është shpagim për betimet tuaja kur i themi ato. Ruani betimet tuaja. Kështu Allahu ju sqaron dispozitat e veta, ashtu që të jeni mirënjohës. (El Maide 89).
Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por ju merr për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër. Allahu është i butë dhe falë shumë. (El Bekare, 225).
Dispozitat në këtë botë dhe në ahiret lidhen me atë që e arrinë, e vërteton dhe e do zemra nga kuptimi i të folurit.
Një grua e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: O i Dërguari i Allahut, në kohën e xhahilijetit kam qenë në shoqërinë e grave vajtuese, a do të vajtoj me to edhe në islam? Ai iu përgjigj: Në islam nuk ka vajtim, as shigara, as el-akra, e as xheleb. Ndërsa ai i cili plaçkitë plaçkën e luftës, nuk është i yni. (Ahmedi)
Disa ensarij i thane të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: Deven të cilën e kalërojmë është bërë kryeneçe dhe e padëgjueshme dhe nuk lejon që t`i hypim, ndërsa palmet dhe të mbjellat duhet t`i ujisim. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i urdhëroi sahabët që të ngrihen. Ata menjëherë u ngritën, e pastaj u nisën drejt devës. Duke ecur, njëri prej ensarëve tha: O i Dërguari i Allahut kjo deve është bërë e vrazhdë dhe e egër sikur qen. Kemi frikë mos po të sulmon. Mos u brengosni për mua, ju tha ai. Kur devja e pa Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem, u nis drejt tij, erdhi para tij dhe i bëri sexhde. Pejgamberi e kapi për pjesën e përparme të kokës dhe e lëshoi deri në tokë, e pastaj i hypi dhe sërish e ktheu në punë. Sahabët i thane: O i Dërguari i Allahut kjo është kafshe e nuk kupton, ndërsa të bëri ty sexhde. Ne kemi arsye (kuptojmë). Më përpara ne duhet të bëjmë sexhde! Nuk është e lejuar që njeriu t`i bëjë sexhde njeriut, sepse po të kisha urdhëruar dike që dikujt t`i bëjë sexhde, do t`i kisha urdhëruar që gruaja t`i bëjë sexhde burrit të saj për shkak të madhësisë së të drejtës së tij mbi të. Pasha Atë në duart e të cilit është shpirti im, nëse prej kokës, e deri te thembra burri të ishte ndotur me qelb dhe gjak, e pastah ta kishe pastruar ajo, edhe me këtë nuk do të plotësonte të drejtën e tij. (Ahmedi)
Idhujtarët kishin transmetuar se devja e kishte bërë sexhde Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ndërsa nuk kishin transmetuar fjalët e tij se njeriu e ka të ndaluar t`i bëjë sexhde njeriut.
Iu drejtuan të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: Ithtarët e Librit ecin këmbëzbarthur dhe e kryejnë namazin të mbathur. Tha: Faluni nganjëherë këmbëzbarthur e nganjëherë të mbathur, kështu do të veproni në kundërshtim me atë që e bëjnë ata. Ithtarët e librit e shkurtojnë mjekrën, ndërsa lëshojnë mustaqet, thane sahabët. Atëherë ju lëshoni mjekrat dhe shkurtoni mustaqet, kështu do të dalloheni prej tyre. (Ahmedi)
Marrë nga libri: Fetvatë e të Dërguarit të Allahut
Autori i Librit: Ibn Kajjim El Xheuzije
Përgatiti: teuhid.net
|