Pyetje: Cilat janë themelet e Akides (besimit) dhe gjërave të tjera tek Ehli Sunneh uel Xhema`a (pasuesit e sunnetit)?
Përgjigje: Tek Ehli Sunneti, burimi i akides (besim) dhe i çështjeve të tjera fetare, është kapja e plotë në Librin e Allahut, subhanehu ue teala, dhe Sunnetin e Resulullahut, salallahu alejhi ve selem, si dhe pasimi i katër halifëve të drejtë, sepse Allahu, subhanehu ve teala, ka thënë: “Thuaj: nëse ju e doni Allahun, atëherë më pasoni mua dhe do t`ju dojë Allahu…” [Ali Imran 31]. Po ashtu ka thënë: “Kush e respekton të dërguarin ai e ka respektuar Allahun, e ai që e kthen shpinën, Ne nuk të kemi dërguar si rojtar i tyre.” [en-Nisa 80]
Siç edhe ka thënë: “Atë që ju jep i dërguari, merreni, e prej asaj që ju ndalon, largohuni.” [el-Hashër 7]. Edhe pse qëllimi në këtë ajet është për ndarjen e pasurisë, respektimi i urdhërave të Resulullahut në çështjet fetare është në rend të parë. Po ashtu Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, në hutben e xhumasë, u thonte njerëzve: “Fjala më e mirë është fjala e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, punët më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat, çdo bidat është humbje (dalalet) dhe çdo humbje të çon në zjarr.” (Muslimi 867)
Si dhe ka thënë: “Përmbajuni sunnetit tim e pas meje sunnetit të halifëve të drejtë, kapuni për ata dhe shtrëngohuni me dhëmballë, keni kujdes nga veprat e shpikura sepse çdo e shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje.” (Ebu Davudi 4607). Argumenet për këtë janë të shumta, e rruga e Ehli Sunnetit është kapja e fortë për librin e Allahut, Sunnetit e të dërguarit dhe sunnetin e halifëve të drejtë pas tij, salallahu alejhi ue selem.
Ehli Sunneti e praktikojnë fenë dhe nuk bëjnë ndarje në të, duke e respektuar urdhërin e Allahut, subhanehu ue teala, ku thotë: “Ai u përcaktoj juve për fe atë që i pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain, praktikoni fenë dhe mos bëni ndarje në të… “ [esh-Shurra 13]
Tek Ehli Suneti edhe nëse ndodh ndonjë kundërshtim për çështje ku mund të ketë kundërshtime, ky kundërshtim nuk bëhet shkak për përçarjen e zemrave të tyre, përkundrazi i sheh ata se si janë të bashkuar dhe të dashur mes vete, edhe pse mes vete kanë kësi kundërshtime. [Ka për çëllim kundërshtimin, i cili arrihet pas një hulumtimi të thellë në argumente prej Kuranit dhe Sunnetit]
Muhammed el-Uthejmin
Teuhid.NET
www.teuhid.net



