Ndarja e Teuhidit në disa lloje, a është bidat? Ju lutem na sqaroni

Pyetja: Dëgjoj nga disa vëllezër të ditur duke folur rreth Teuhidit dhe kategorive të tij se Sheikh ul Islam Taki´ud din Ibn Tejmijeh (All-llahu e mëshiroftë) e ka ndarë në dy kategori (Teuhid er-Rububijeh dhe Teuhid el Esma´ ve´Sifaat). Sa ka vërtetësi në këto pohime? A e ka ndarë Sheikh Muhammed Ibn Ibrahim (All-llahu e mëshiroftë) në katër kategori? Dhe së fundi, a e ka ndarë Sheikh Salih el Fevzan (All-lahu e ruajtë) Teuhidin në katër kategori?

Përgjigja:

Së pari

Duhet të kuptojmë principin, i cili thotë se nuk ka gjë të keqe rreth përdorimit të terminologjive të reja. Ky princip është i njohur në mesin e Fukahave dhe dijetarëve të Usulit. Ibn Kajjimi (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
"Nuk ka gjë të keqe në koncepte dhe fjalë të reja, derisa nuk përmbajnë diçka të keqe." [Madaarixh el-Saalikin, 3/306]

Së dyti

Qysh prej kohëve të hershme, dijetarët kanë kategorizuar rregullat e Sheriatit. Kjo është bërë vetëm për të lehtësuar kuptimin e teksteve dhe rregullave të Sheriatit, posaçërisht kur me kalimin e kohës njohja e gjuhës arabe dobësohet dhe gjuha fillon të përzihet me gjuhë të huaja.

Dijetarët ishin të mendimit se është me vend që të vendosen principe, rregulla dhe kategori për të lehtësuar kuptimin. Nuk ka asgjë të keqe në këtë, në të vërtetë kjo është gjë e dobishme sepse ua lehtëson muslimanëve qasjen ndaj diturisë. El Shafiu (All-llahu e mëshiroftë) vendosi principet e Fikhut dhe kategorizimin e tij, kjo u pranua mirë dhe u pasua nga dijetarët e Usulit, të cilët shkruan komentime rreth fjalëve të tij dhe i shtuan atyre. E njëjta ka ndodhur në të gjitha degët e diturisë Islame, siç është Texhvidi (recitimi i Kur´anit), Kur´ani etj., duke përfshirë edhe Teuhidin.

Së treti

Sa i përket pyetjes se Sheikh ul-Islam Ibn Tejjmijeh e ka ndarë Teuhidin në dy kategori ndersa Sheikh Muhammed ibn Ibrahim në katër, sikurse edhe Sheikh Salih el-Fevzan, nuk ka asgjë të keqe në këtë. Këtë do ta sqarojmë në vijim.

Disa nga dijetarët kanë thënë se: Teuhidi mund të ndahet në dy kategori:

Teuhid el-Ma´rifah ve´l-Ithbaat (Njëshmëria në Dituri dhe Afirmim), e cila përmban besimin në ekzistencën e All-llahut, Zotërimin e Tij dhe në Emrat dhe Sifatet e Tij.

Teuhid el-Kasd ve´l-Talab (Njëshmëria në Synim dhe Qëllim), e cila përmban besimin në natyrën hyjnore të All-llahut.

Sa u përket atyre që kanë ndarë Teuhidin në tri kategori, ata i kanë sqaruar  më detalisht kategoritë e lartëpërmendura dhe e kanë lehtësuar kuptimin e tyre. Andaj, ata thanë se Teuhidi ndahet në tri kategori:

Teuhid el-Rububijeh (Njëshmëria në Zotërim hyjnor), që përfshinë besimin në egzistencën e All-lahut.

Teuhid el-Uluhijeh (Njëshmëria në natyrën Hyjnore) ose Teuhid el-´Ibadeh (Njëshmëria në adhurim), që nënkupton të njejtën gjë.

Teuhid el-Esma´ ve´l-Sifaat (Njëshmëria në Emrat dhe Cilësitë Hyjnore)

Pastaj, disa dijetarë i shtuan këtij kategorizimi dhe thanë se: Teuhidi mund të ndahet në katër kategori:

Besimi në Egzistencën e All-llahut.
Besimi në Zotërimin e All-llahut.
Besimi në Hyjninë e All-llahut
Besimi në Emrat dhe Cilësitë e All-llahut

Siç shihet, nuk ka asgjë të keqe në këtë kategorizim derisa nuk synohet diçka e gabuar apo derisa terminologjia nuk është e gabuar. Ky kategorizim është vetëm për të lehtësuar kuptimin. Me kalimin e kohës, njerëzit kuptojnë më pak dhe dijetarët duhet t i sqarojnë gjërat më thjeshtë dhe më lehtë për t´u kuptuar.

Nuk ka gjë të keqe në atë që pyetësi ka përmendur, sepse ndarja e Teuhidit në dy kategori përmban të gjitha ato të cilat janë sqaruar në detaje nga dijetarët tjerë. Ata të cilët e kanë ndarë në tri apo katër kategori, e kanë sqaruar në detaje atë që është përmendur në formë koncize nga ata që e kanë ndarë në dy kategori.

Mirëpo, të gjithë janë pajtuar se Teuhidi përmban të gjitha ato që ata i kanë përmendur.

Nuk ka asgjë të gabuar me këtë kategorizim dhe përdorimin e kësaj terminologjie, me kusht që kjo nuk shpie në ndonjë problem, si p.sh. lënia anash e disa nga konceptet që janë pjesë e Teuhidit, apo futja e gjërave që nuk kanë të bëjnë me të.

Mund të vijë koha që kjo duhet të sqarohet edhe më tepër, andaj dijetarët do të bëjnë sqarimin me më tepër kategori që të kuptohet më lehtë.

Ky është një sqarim i shkurtër rreth domethënies së tri kategorive të Teuhidit:

Besimi në Zotërimin Hyjnor (Rububijeh): Kjo nënkupton besimin se vetëm All-llahu është Ai, i Cili krijon, jep jetë dhe vdekje, etj.

Besimi në natyrën Hyjnore (Uluhije): Kjo nënkupton se vetëm All-llahu është Ai, të cilit njerëzit duhet drejtuar me veprat dhe fjalët e tyre, si nga brenda (sh.p. shpirtërisht) ashtu edhe nga jashtë (sh.p. vepra të dukshme). Ashtu që, askush nuk meriton të adhurohet pos Tij, i Lavdëruar dhe i Lartësuar qoftë Ai.

Besimi në Emrat dhe Sifatet e All-llahut (El-Esma´ ve´l-Sifaat): Kjo nënkupton afirmimin e asaj me të cilat All-llahu ka afirmuar Veten e Tij me Emrat dhe Cilësitë e Tij,  mohimi i atyre cilësive të cilat All-llahu i ka mohuar për Veten e Tij, pa mohuar asnjë nga Cilësitë e Tij apo gjasimin e ndonjë Cilësie të Tij me ndonjë nga cilësitë e krijesave të Tij.

Së katërti

Ndarja e Teuhidit në kategori nuk është gjë e re, kjo njihet qysh nga shekulli i tretë dhe katërt Hixhrij, sikurse është cekur nga Sheikh Bekr Ebu Zejd, anëtarë i Këshillit të Dijetarëve të Mëdhenjë, në librin e tij El-Radd ´ala el-Mukhaalif. Ky kategorizim është cekur edhe nga Ibn Xharir el-Tabari dhe dijetarë tjerë.

Rreth çështjes së përmendur në pyetjen se Sheikh el-Islam Ibn Tejjmijeh e ka ndarë Teuhidin në dy kategori - Teuhid el-Rububijeh dhe Teuhid el-Esma´ ve´l-Sifaat - nuk është korrekt. Ai e ndau në dy kategori, të cilat janë:
Teuhid el-Ma´rifah ve´l-Ithbaat dhe Teuhid el-Kasd ve´l-Talab

...prej të cilave, kategoria e parë përmbanë Teuhid el-Rububijeh dhe Teuhid el-Esma´ ve´l-Sifaat

All-llahu [Subhanehu ve Teala] e di më së miri.

Shih më detalisht: Majmoo’ al-Fataawa, 15/164; al-Fataawa al-Kubra, 5/250

Përktheu: Abdyl FUGA

Teuhid.NET

www.teuhid.net

 

Hits: 385
Comments (0)Add Comment

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy