I nderuari hoxhë! Jam një djalosh i cili për fat është sprovuar me programet satelitore dhe me faqet e internetit, kështu që jam bërë shumë i pakujdesshëm ndaj çështjeve të fesë. Ju lutem më ndihmoni dhe bëni lutje për udhëzimin tim!
Përgjigjja:Falënderimi i takon Allahut xh.sh, Mbikëqyrësit të Madhërishëm kurse paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të Dërguarin e Tij…
E lusim Allahun e Lartësuar të të udhëzojë, prej teje ta largojë të keqen e shthurjen dhe të të bëjë prej robërve të Tij të sinqertë! Amin!
Gjëja më e mirë që mund ta rekomandojmë ty është devotshmëria, pra t`i frikësohesh Allahut, të rruhesh prej hamkarrjes, zemërimit dhe dënimit të Tij të dhembshëm. Allahu i Lartësuar i jep afat secilit, mirëpo nuk harron dhe nuk është i pakujdesshëm. Kush të garanton ty se Allahu nuk të shikon derisa je i padëgjueshëm dhe të thotë: “Pasha nderin dhe lartësimin e Tim, nuk do të falë!”
Shikoi gjymtyrët e trupit tënd me të cilat bën mëkat. Vallë, nuk mendon se Allahu është i Fuqishëm që t`i marrë ato, e pastaj të shikosh dhe të ndiesh sesa rëndë është pa to?
Shiko si Allahu të mbulon, pra sa është i Butë ndaj teje, ndërsa ti shumë mire e di se sa xheloz është Ai ndaj robërve të Tij. Kush të garanton ty se nuk do të zemërohet mbi ty, se nuk do ta publikojë gjendjen tënde, se nuk do t`ia zbulojë fshehtësinë tënde njerëzve dhe ty të turpërojë në këtë para botës tjetër?!
Me shikimin e ndaluar vetëm se do të shkatërrohesh, kështu do të fitosh fatkeqësi dhe errësirë në zemrën tënde.
Ndoshta e ke ndier ndonjë kënaqësi dhe ëmbëlsi një ditë apo dy, një muaj apo një vit, mirëpo çka pastaj?
Vdekja…varri…llogaria…dënimi.. në të vërtetë, kënaqësia u ndërpre, ndërsa vuajtja mbeti.
Nëse turpërohesh të të shoh vëllai yt në mëkat, pse e konsideron të parëndësishëm faktin se Allahu të sheh?!
Vallë, nuk e di se Allahu të sheh, se engjëjt i shkruajnë të gjitha dhe se pjesët e trupit tend do të flasin për atë që ka ndodhur?
Mendo për gjendjen tënde pasi që ke bërë mëkat. Zemra jote është e brengosur.. gjoksi i shtrënguar.. ekziston një mur ndërjmet teje dhe Allahut…
Pra, ka humbur përulësia, namazi i natës është harruar, agjërimin e ke lënë… Pasha Zotin tënd, më thuaj: “Çfarë vlere paska një jetë e këtillë?”
Çdo shikim nëpër këto dritare të djallit e bën një njollë të zezë në zemrën tënde derisa ta errësojë tërësisht e mbulojë me perde dhe derisa të ndalojë që të ndiesh ëmbëlsinë e nënshtrimit dhe të besimit.
I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Robi kur bën ndonjë mëkat, në zemrën e tij paraqitet një njollë e zezë. Nëse kërkon falje dhe pendohet, zemra e tij pastrohet, e nëse kthehet, njollat shtohen derisa të mbulojnë zemrën. [Tirmidhiu, 3257] Kjo është mbulesa të cilën Allahu e përmend: “Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, zemrat e tyre ua mbuluan.” [El-Mutafifin: 14]
I madh është numri i atyre që janë kthyer, kanë kërkuar falje dhe që janë penduar! Bëhu sa më i dëgjueshëm ndaj Allahut me qëllim që të pastrohet zemra, që të ruash organin tend gjenital dhe të ta japë strehimin e Tij prej kurtheve të djallit.
Largohu prej secilit mjet që të përkujton apo që të tërheq drejt haramit, nëse dëshiron pendim të sinqertë.
Largoje antenën satelitore prej shtëpisë tënde, kështu mos i shiko faqet amorale të internetit. Dije se mjeti më i mirë që do të ndihmojë në luftë kundër shprehisë tënde për të bërë haram është që në fillim t`i këputësh këto mendime e dëshira që të preukupojnë dh eta largosh idenë që ta shikosh (të ndaluarën) para se ajo të bëhet dëshirë, e pastaj akt që ndodh.
El-Gazami (Zoti e mëshiroftë) ka thënë: “Hapi i pare që të çon drejt humbjes, nëse nuk e ndërprenë menjëherë është dëshira. Dëshira e lind dashurinë, dashuria ëndjen, ëndja veprën, kurse vepra shkakton shkatërrimin dhe përbuzjen. Është e obligueshme të keqen ta presim që në rrënjë, ngase e keqja është mendim të cilin të gjitha të tjerët e përcjellin në mënyrë zinxhirore.” [Ihjau ulumidin, 6/17]
Kjo është nxjerrë prej fjalëve të Allahut:
“O ju të cilët besuat, mos shkoni gjurmëve të djallit, pse kush ndjek gjurmët e djallit ai urdhëron për të shëmtuara e të imituara.” [En-Nur: 21]
Nëse mundesh të qëndrosh pa e shfrytëzuar internetin, atëherë bëje atë, edhe atë derisa ndiesh se zemra të është forcuar, ndërsa besimi të është shtuar.
Përpiqu të kesh shoqëri të mirë… namazin kryeje në kohën e vet.. shtoi adhurimet vullnetare… sipas mundësisë ruaju prej të qëndruarit i vetëm.. largohu nga të menduarit rreth haramit…
Esenca e shërimit është që të bësh mire dhe që të lesh të keqen.E lusim Allahun që neve, ty dhe të gjithëve të na udhëzojë drejt së mirës. Allahu e di më së miri.
M.S.M
Teuhid.net

written by gjynaqari, April 01, 2010


