Pyetje: Çfarë na mëson Islami për familjen dhe rolin e burrit, gruas dhe fëmijës?
Përgjigje: Para se të flasim për rolin e Islamit në organizimin dhe mbrojtjen e familjes, fillimisht duhet të njihemi se cila ishte situata e familjes para Islamit dhe cila është situata në perëndim në kohët moderne.
Para Islamit familja ka qenë e bazuar në keqtrajtim dhe presion (shtypje). Të gjitha çështjet kanë qenë të kontrolluara vetëm nga burrat, apo me fjalë të tjera nga meshkujt. Gratë dhe vajzat kanë qenë të shtypura dhe të turpëruara. Një shembull është se në qoftë se burri vdiste dhe pas tij linte gruan, djali i tij prej gruas tjetër kishte të drejtën të martohej me të dhe t’ia kontrollonte jetën, ose ta ndalonte atë për t’u martuar. Vetëm meshkujt kishin të drejtë për trashëgim; gratë dhe fëmijët nuk kishin hise. Ata i shikonin gratë pa marrë parasysh se a ishin nëna, bija apo motra, si burim i turpërimit, sepse ata mund të merreshin si të burgosur, kështu duke sjellë turp mbi familjen. Duke u bazuar në këto fakte, njeriu varroste të bijën e tij foshnjë ende të gjallë, siç referohet në Kuran, ku Allahu thotë: “Dhe, kur ndonjëri prej tyre merr lajmin se i lindi një vajzë, fytyra i nxihet dhe i mbushet me mjerim. Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që mori dhe s’di: a ta mbajë këtë fëmijë, pavarësisht poshtërimit apo ta varrosë në dhé. Ah! Sa mbrapsht që gjykojnë ata!” (En-Nahl, 58-59)
Familja në kuptimin më të gjerë, themelohet dhe bazohet në mbështetjen e njëri-tjetrit në të gjitha gjërat, edhe në keqbërje.
Me ardhjen e Islamit, Islami i largoi të gjitha këto dhe vendosi drejtësi, duke i dhënë çdo personi të drejtat e tij apo të drejtat e saj, edhe foshnjave të përkujdesur, madje edhe fetusit që nuk arrin të lindë, i cili do të respektohej dhe do të lutej për të (do t’i bëhej varrimi i duhur).
Në qoftë se i ekzaminoni familjet sot në Perëndim, do të vëreni se ato janë të copëtuara dhe prindërit nuk mund t’i kontrollojnë fëmijët e tyre, si ideologjikisht ashtu edhe moralisht. Djali ka të drejtë të shkojë ku të dëshirojë dhe të bëjë çfarë të dëshirojë; vajza ka të drejtë të ulet me kë të dëshirojë dhe të flejë me kë të dëshirojë, të gjitha në emër të lirisë dhe të drejtës. Dhe cili është rezultati?!!!
Familje të ndara, fëmijë të lindur jashtë martese, nëna dhe baballarë (të moshuar) për të cilët nuk kujdeset askush. Siç kanë thënë disa njerëz të mençur, në qoftë se doni ta njihni natyrën e vërtetë të këtyre njerëzve, shkoni nëpër burgje, spitale dhe shtëpi për të moshuar, se fëmijët kujtohen për prindërit e tyre vetëm nëpër festa ose ndonjë rast special.
Ideja është se tek jomuslimanët institucioni i familjes është shkatërruar. Me ardhjen e Islamit iu dha një rëndësi e madhe themelimit të familjeve të forta, duke u përkujdesur nga gjërat që mund ta dëmtonin atë, duke mbrojtur lidhjet familjare, ndërsa çdo anëtari të familjes duke i dhënë një rol të rëndësishëm në jetë.
Islami nderoi gruan, qoftë si nënë, bijë apo motër. Nderoi gruan si nënë. Transmetohet se Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Erdhi një njeri te Pejgamberi i Allahut, salallahu alejhi ue selem, (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, cili nga gjithë njerëzit meriton më së shumti përkujdesjen time?” Ai tha: “Nëna jote.” Njeriu pyeti: “Pastaj kush?” Ai tha: “Nëna jote”, njeriu përsëri pyeti: “Pastaj kush?” Ai tha: “Nëna jote.” Njeriu pyeti: “Pastaj kush?” Ai tha: “Pastaj babai yt”. (Buhariu, 5626; Muslimi, 2548)
Islami nderon femrën si bijë. Transmetohet nga Ebu Sa’ed El-Kudri se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush ka tre vajza ose tre motra, apo dy vajza ose dy motra dhe kujdeset mirë për to dhe i frikësohet Allahut për kujdesin e tyre, do të hyjë në parajsë (Xhenet).” (Ibën Hibani në “Sahihun” e tij, 2/190)
Gjithashtu Islami nderon gruan si bashkëshorte. Transmetohet se Aijsha ka thënë: “I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Më i miri ndaj jush është ai i cili është më i miri ndaj grave të veta, e unë jam më i miri ndaj jush me gratë e mia.” (Tirmidhiu, 3895)
Islami i ka dhënë gruas të drejtën për trashëgimi dhe të drejta të tjera. I ka dhënë femrës të drejta, sikurse ato të meshkujve në shumë sfera. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Gratë janë çifti (pjesa e dytë) i gjysmës së burrit.” (nga “Suneni” i Ebu Davudit, 236)
Islami nxit burrat që të sillen mirë me gratë e tyre dhe i jep të drejtën femrës që ta zgjedhë bashkëshortin e saj, i jep gruas më shumë përgjegjësi në rritjen e fëmijëve.
Po ashtu, Islami u jep baballarëve dhe nënave përgjegjësi shumë të madhe në edukimin e fëmijëve. Transmetohet se Abdullah Ibën Omeri ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Secili nga ju është barí për kopenë e vet. Udhëheqësi është barí dhe është përgjegjës për kopenë e tij. Burri është barí për familjen e vet dhe është përgjegjës për kopenë e vet. Gruaja është bareshë për vatrën e burrit të saj dhe ajo është përgjegjëse për kopenë e saj. Shërbyesi është barí për pasurinë e pronarit të tij dhe është përgjegjës për kopenë e tij.” Ai tha: “E dëgjova këtë nga i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem”. (Buhariu, 853; Muslimi, 1829)
Islami i ka kushtuar vëmendje të madhe respektit ndaj baballarëve dhe nënave, duke u kujdesur për ta dhe duke ua dëgjuar urdhrat deri në vdekje.
Allahu thotë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.” (El-Isra, 23)
Islami mbron nderin, dëlirësinë, pastërtinë, prejardhjen e familjes, kështu nxit në martesë dhe ndalon përzierjen e lirë të meshkujve dhe femrave.
Islami i jep rol të rëndësishëm çdo anëtari të familjes. Kështu, baballarët dhe nënat kujdesen për fëmijët dhe i edukojnë me islam; fëmijët dëgjojnë dhe zbatojnë, respektojnë të drejtat e baballarëve dhe nënave, në bazamentet e dashurisë dhe respektit. Madje edhe armiqtë tanë, dinë për fuqinë e lidhjes familjare midis muslimanëve.
Allahu di më së miri.
Marrë nga libri: Motra muslimane pyet, Dijetarët përgjigjen
Përktheu: Abdyl Fuga
Përgatiti: Teuhid.net



