Përgjigje: Imani tek Ehli Sunneti është: “Besimi me zemër, shqiptimi me fjalë dhe të vepruarit me gjymtyrë”. Këtu shihet se përmban tre gjëra.
1.Besimi me zemër.
2.Shqiptimi me gojë.
3.Veprim me gjymtyrë.
Meqë është kështu, atëherë patjetër që ai shtohet apo pakësohet, për shkak se besimi me zemër dallon nga njëri te tjetri.
Nuk mund të barazohet besimi, i cili ka ndodhur me të dëgjuar me besimin, i cili ka ndodhur duke e ndier me shqisa, si dhe besimi me lajmërimin e një njeriu dallon nga ai me lajmërimin e dy njerëzve, e kështu me radhë.
Për këtë edhe Ibrahimi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “O Zot më trego se si i ngjall të vdekurit. Tha (Allahu): A nuk je duke besuar? Tha: Po, si jo, por dua ta di që të më qetësohet zemra.” [El-Bekare 260)
Imani shtohet varësisht prej bindjes dhe qetësisë së zemrës. Këtë njeriu e ndjen në veten e tij, ashtu që kur është në ndonjë vend ku ka këshilla dhe ku përmendet Xhenneti e Zjarri, në këtë rast i shtohet imani aq, saqë i duket se është duke e pare Xhennetin dhe Zjarrin, e kur është në të kotë dhe është larg këtyre vendeve, atëherë i dobësohet bindja dhe i pakësohet imani.
Po ashtu imani shtohet nga ana e shqiptimit. Dihet se ai që e përmend Allahun dhjetë herë nuk është sikurse ai që e përmend njëqind herë, d.m.th., tek i dyti imani është shumë më i shtuar.
Po ashtu edhe imani i atij që i praktikon adhurimet në mënyrë të plotë është më i madh sesa imani i atij që i praktikon adhurimet me mangësi.
Si dhe nga ana e veprimit, kur një njeri bën ndonjë vepër me gjymtyrë më shumë se dikush tjetër, padyshim se e ka edhe imanin më të shtuar sesa tjetri.
Për shtimin dhe pakësimin e imanit kanë ardhur argumente në Kuran dhe Sunnet. Allahu, azze ue xhel-le, thotë: “Dhe Ne s`kemi vënë tjetër veçse melekë si roje të Zjarrit dhe ne e kemi sjellë numrin e tyre të përcaktuar (19) vetëm si sprovë për mosbesimtarët, me qëllim që ithtarët e Librave të pare të arrijnë te një bindje dhe që besimtarët të shtojnë besimin…” (el-Muddethithir,31); po ashtu ka thënë: “Dhe sa herë zbret ndonjë sure, disa prej tyre (munafikëve) thonë: `Cilit prej jush iu shtua besimi`? Sa u përket atyre besojnë, ajo ua ka shtuar besimin dhe ata ndjejnë kënaqësi. E sa u përket atyre, në zemrat e të cilëve ka sëmundje, ajo ua shton dyshimin edhe më tepër dhe vdesin duke qenë mosbesimtarë.” [et-Teube 124-125]
Në një hadith të vërtetë Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, thotë: “O gra, nuk kam parë si puna juaj, me mangësi në mendje dhe në fe, burrit të mençur dhe të vendosurit ia merrni mendjen.” (Transmeton Buhariu). Pra imani shtohet dhe pakësohet.
Por cilat janë shkaqet e shtimit të imanit?
Shkaku i parë: Njohja e Allahut, xhel-le she`nuhu, me emrat dhe cilësit e tij.
Njeriu sa herë që e njeh Allahun, subhanehu ue teala, nëpërmjet emrave dhe cilësive të tij, padyshim se edhe imani i shtohet.
Për këtë shkak edhe dijetarët që i dijnë emrat dhe cilësitë e Allahut më mirë se të tjerët, i sheh se edhe imani i tyre është më i fortë në këtë aspekt
Shkaku i dytë: Meditimi në argumentet kozmologjike dhe fetare.
Çdoherë kur njeriu mediton për argumentet kozmologjike d.m.th., për krijesat, i shtohet besimi. Allahu, subhanehu ue teala, ka thënë: “Në Tokë ka argumente për ata që kanë besim të palëkundur. Bile edhe në veten tuaj ka. A nuk po e shihni? [edh-Dharijat 20-21]
Aejete për këtë çështje ka shumë, kam për qëllim ajetet, të cilat tregojnë se njeriu me studimin dhe meditimin e tij për Gjithësinë, arrin që ta shtojë besimin e tij.
Shkaku i tretë: Ibadetet (adhurimet) e shumta, kështu që sa herë që njeriu i shton ibadetet, njëkohësisht i shtohet edhe imani, qofshin ato ibadete gojore apo përmes veprimit.
Përmendja e Allahut e shton imanin në sasi dhe mënyrë ashu siç e shton atë namazi, agjërimi dhe haxhi.
E shkaqet për pakësimin (dobësimin) e imanit, janë në të kundërtën:
Shkaku i parë: Mosdija për emrat dhe cilësitë e Allahut, subhanehu ue teala, e cila patjetërsisht e dobëson imanin.
Për arsye se kur dituria për cilësitë dhe emrat e Allahut pakësohet, padyshim se edhe besimi në Allahun pakësohet.
Shkaku i dytë: Mosmeditimi në argumentet kozmologjike dhe fetare. Kjo gjë padyshim që e dobëson imanin, ose së paku e stagnon dhe nuk lejon që të shtohet.
Shkaku i tretë: Mëkatet. Sepse mëkatet kanë ndikim të madh në zemër dhe në iman, për këtë edhe Resulullahu, salallahu alejhi ue selem ka thënë: Nuk është besimtar zinaxhiu (ai që bën marrëdhënie intime në mënyrë të palejuar) në momentin kur bën zina…” (Transmeton Buhariu)
Shkaku i katërt: Lënia e adhurimeve. Me të vërtetë lënia e adhurimeve është shkak për dobësimin e imanit.
Por, nëse ai adhurim është i detyrueshëm (vaxhib) dhe e lë atë pa arsye, për këtë dobësim ky njeri qortohet dhe dënohet, e nëse ai adhurim nuk është vaxhib ose është vaxhib, por e lë me arsye, atëherë për këtë dobësim ai nuk qortohet.
Për këtë edhe Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë se grate janë të mangëta në mendje dhe në fe duke e arsyetuar këtë se kur gruaja është me menstruacione nuk falet dhe nuk agjëron, edhe pse ajo nuk qortohet për lënien e namazit dhe agjërimit, përkundrazi ajo është e urdhëruar që të veprojë ashtu, por për shkak të lënies së këtyre ibadeteve i është thënë se është e mangët në fe.
Muhammed el-Uthejmin
Teuhid.NET



