I nderuar hoxhë! Më tregoni cila është rëndësia e sinqeritetit në islam, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për marrëdhënie private apo afariste? Por, edhe më tregoni, vallë ekzistojnë situate kur gënjeshtra mund të konsiderohet opsion i pranueshëm.
Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut xh.sh, Zotit të botëve, kurse paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të Dërguarin e Tij… Fillimisht sinqeritetin (sidkun) mund ta përkufizojmë si: “Shprehje e së vërtetës ku gjuha është në ujdi me zemrën.” Ndërsa të tjerët përkufizimin e sinqeritetit e kanë dhënë në këtë mënyrë: “Sinqeriteti është fjala që përputhet me realitetin dhe që është i vërtetë ne aspektin e gjuhës.” Pra, duke i pasur parasysh përkufizimet, e kam fjalën pasi që sinqeriteti është një ndër nevojat e patjetërsueshme të shoqërisë njerëzore dhe një ndër cilësitë shumë të dobishme të sjelljes së njeriut, ndërsa në anën tjetër, gënjeshtra është baza e dobësimit shumë të madh të shoqërisë njerëzore, shkaktar i shkatërrimit të strukturave të tyre, këputje e lidhjeve të tyre dhe njëra prej të metave në sjellje me pasoja të paparashikueshme dhe të dëmshme, atëherë për shkak të gjithë kësaj islami ka urdhëruar sinqeritetin, kurse e ka ndaluar përdorimin e gënjeshtrës.
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Ta keni në kujdes Allahun dhe të jeni me ata të drejtit.” [Et-Teube:119]
Ibën Kethiri (Zoti e mëshiroftë) duke e komentuar këtë ajet Kuranor ka thënë: “Thoni të vërtetën dhe gjithmonë përmbajuni asaj, ngase me këto do të bëheni prej ithtarëve të saj, do të shpëtoni nga shkatërrimi dhe do t`u jepet lehtësime e rrugëzgjidhja nëpër punët tuaja.” [Tefsir, Ibën Kethir, 2/414]
Allahu xh.sh thotë: “… do të ishtë mirë për ata të jenë besnikë ndaj Allahut.” [Muhamed:21]
Transmeton se Abdullah ibën Mesudi r.a. ka thënë: “I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Flitni vetëm të vërtetën! Me të vërtetë, sinqeriteti ju çon drejt bamirësisë, ndërsa bamirësia ju çon në Xhennet dhe njeriu pëpiqet ta thotë vetëm të vërtetën, derisa te Allahut të regjistrohet si vërtetdashës (Sidik). Ruajuni prej gënjeshtrës! Me të vërtetë, gënjeshtra ju çon në shthurje, ndërsa shthurja në Xhehenem dhe njeriu gënjen dhe e tepron në këtë çështje derisa te Allahu të regjistrohet si gënjeshtar i madh.” [Muslimi në Sahih, nr.4721]
Nga ky hadith nënkuptohet se bamirësia është rrugë që na çon në Xhenet. Në të vërtetë, bamirësia është fjalë gjithëpërfshirës që i tregon të gjitha format e së mires dhe veprat e ndryshme që përfshihen në të. Në essence, shthurja është largim dhe kundërshtim i së vërtetës, kurse i shthururi është personi që ka devijuar dhe është larguar prej rrugës së drejtë. Kështu, sinqeriteti dhe shturja janë dy antagonizma që qëndrojnë njëri kundrejt tjetrit, pra asnjëherë nuk përputhen.
Transmetohet se Hasan ibën Ali ibën Ebi Talibir r.a ka thënë: “Kam mbajtur në mend prej të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ve selem, si vijon: “Largohu dhe lëshoje atë që e nxit dyshimin dhe mosbesimin te ti në dobi të asaj që nuk të nxit. Me të vërtetë, sinqeriteti jep qetësi, ndërsa gënjeshtra dyshim.” [Tirmidhiu në Sunen, nr.2520]
Në hadithin që e transmeton Ebu Sufjani r.a., i cili flet për takimin e tij me Herakliun, në mes tjerash thuhet edhe kjo: “…(Herakliu e pyeti) Çfarë ju urdhëron i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ve selem)?”
Ebu Sufjani r.a u përgjigj: “Ai thotë: “Adhurojeni vetëm Allahun xh.sh dhe mos i përshkruani Atij asnjë shok! Largohuni prej asaj që e thonë baballarët tuaj! Por, edhe na e urdhëron namazin, sinqeritetin, dëlirësinë dhe ruajtjen e lidhjeve farefisnore.” [Buhariu në Sahih, 1/30]
Transmetohet se Hakim ibën Hazami r.a. ka thënë: “I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Shitësi dhe blerësi kanë të drejtë në kthimin e mallit derisa nuk largohen. Nëse janë të sinqertë në raporte mes tyre dhe e sqarojnë gjendjen e mallit, atëherë do të kenë bereqet në transaksionin e shitblerjes. Mirëpo, nëse gënjejnë dhe e fshehin ndonjë të metë, do t`ju shkatërrohet dhe fshihet bereqeti i shitblerjes së tyre.” [Buhariu në sahih, 4/275]
Nocioni i sinqeritetit në vetvete e përfshin raportin e sinqertë ndaj Allahut xh.sh nëpërmjet kryerjes me përpikshmëri të adhurimeve. Pastaj marrëdhëniet e sinqerta ndaj nefsit personal, ashtu që dëshirat e tij të jenë në pajtim me atë që Allahu xh.sh e ka caktuar, gjegjësisht me Sheriatin e Tij. Me radhë vinë raportet e sinqerta me njerëzit, edhe atë në të folur, në premtime dhe në marrëdhëniet e ndërsjella mes tyre, siç janë: shitblerja dhe martesa, duke u larguar nga mashtrimet, nga falsifikimet dhe nga fshehja e informative të nevojshme, pra derisa ana e jashtme e njeriut të jetë në përputhje me brendësinë e tij dhe veprimet e tij të fshehta të jenë identike me ato publike.
Sa i përket gënjeshtrës ajo numërohet në haramet e mëdha në raport me urrejtjen e me inensitetin e mëkatit, ajo dallon në varësi të gjendjes së saj. Forma e saj më e keqe është gënjeshtra ndaj Allahut xh.sh dhe ndaj të Dërguarit të tij (salallahu alejhi ve selem), sepse paraqet shpifje në fe dhe manifestim i “guximit” të madh apo i ashpërsisë kundrejt urdhrit të Zotit xh.sh. Për këtë shkak, një prej cilësive të të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ve selem, është edhe sidk (sinqeriteti) në prezantimin e asaj që ia ka urdhëruar Allahu i Lartësuar xh.sh që ta paraqesë. Kjo është arsyeja që Zoti Fuqiplotë në Kuranin Famëlartë thotë: “E kush është më mizor se ai që trillon rrenë për Allahun dhe ashtu t`i humbë njerëzit në mungesë të dijes. Allahu nuk vë në rrugë të drejtë mizorët.” [El-En`am:144]
“E kush është më mizor se ai që trillon gënjeshtër për Allahun? Të tillët paraqiten para Zotit të tyre, e dëshmitarët thonë: “Këta ishin të cilët gënjyen ndaj Zotit të tyre, pra mallkimi i Allahut qoftë kundër mizorëve!” [Hud:18]
Në të njejtën kategori numërohet edhe gënjeshtra ndaj të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ve selem. Kjo çështje është theksuar në hadithim mutevatir (hadith me shkallën më të lartë të besueshmërisë) se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kush gënjen qëllimisht mbi mua, le t`ia përgatisë vetes vendin në Xhehenem!” [Mutefekun alejhi]
Esenca e gënjeshtrës në vetvete është ndalesë. Mirëpo, ekzistojnë situate të caktuara kur Sheriati e lejon gënjeshtrën me qëllim që të realizohet dobia apo të largohet dëmi. Njëra prej këtyre situatave është rasti kur njeriu ndërmjetëson ndërmjet dy palëve të natërruara me qëllim që t`i pajtojë, pra atëherë kur nuk është në gjendje që me sukses ta kryejë rolin e tij të ndërmjetsuesit pa përdorur një dozë të caktuar të gënjeshtrës. Në këtë aspect ka ardhur hadithi i të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ve selem, që e transmeton Umi Kulthumi r.a., ku ai thotë: “Në kategorinë e gënjeshtarit nuk hyn ai njeri që i pajton njerëzit, duke thënë apo duke folur mirë.” [Buhariu në Sahih, nr.2495]
Situata tjetër kur lejohet gënjeshtra janë fjalët e burrit që ia drejton gruas së tij apo fjalët e gruas drejtuar burrit për gjërat që e përforcojnë pajtueshmërinë e ndërsjellë dhe që e forcojnë lidhjen e dashurisë ndërmjet tyre. Në këtë bën pjesë edhe ekzagjerimi që mund të jetë pjesë shtesë e fjalëve të tyre. Transmeton Esma bintu Jezid r.a., se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Gënjeshtra nuk lejohet, përveç në tri raste: gënjeshtra në fjalët e burri ndaj bashkëshortes së tij me qëllim që ta kënaq, gënjeshtra në luftë dhe gënjeshtra që përdoret për t`i pajtuar njerëzit.” [Muslimi në Sahih, br.4717]
Llojet kryesore të sinqeritetit dhe të gënjeshtrës manifestohen te betimi dhe premtimi. Sinqeriteti në premtim dhe në betim numërohet prej virtyteve morale që e stolisin një besimtar. E përbashkët për premtimin dhe betimin është ajo secili prej këtyre të dyjave është lajmërim nga ana e lajmëruesit se ka vendosur që të bëjë ndonjë punë, posaçërisht nëse premtimi dhe betimi janë të lidhura me të drejtën e Allahut xh.sh, siç thotë Zoti i Lartësuar, duke i lavdëruar disa robber të Tij:
“… dhe ata të cilët me kujdes i ruajnë ato që u janë besuar (sende ose fjalë), e ruajnë dhe premtimin e dhënë.” [Mu`minun:8]
“… dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë.” [El-Bekare:177]
“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.”
[El-Ahzab:23]
E lusim Krijuesin e Madhërishëm që të na japë sinqeritet në fjalë dhe në vepra! Allahu xh.sh e di më së miri.
Autor i Librit: M.S.M



