Atëherë kur jeta e humb kuptimin!

ABDULLAH

A thua ke menduar ndonjëherë se ka çështje të cilat janë të barabarta sa edhe vetë jeta; çështje për të cilat ia vlen të sakrifikohet gjithçka; çështje që janë bazë e jetës tënde, familjarëve tu, shokëve tu… ; çështje pa të cilat nuk jetohet më, pa të cilat nuk ka kuptim asgjë; çështje që e rregullojnë dhe e mbajnë gjallë personalitetin tënd? Nëse në të gjitha këto dilema je përgjigjur me po, dije se tashmë e ke kuptuar tekstin e mëposhtëm, por nëse ka ndonjë jo, shpresoj që ky tekst të t’i sqarojë. Sa për fillim, çdo gjë që ekziston bazohet në parime, rregulla, standarde, norma…pa të cilat jeta do të kishte qenë kaotike, kurse njerëzit do të kishin jetuar më keq se kafshët. Sepse ajo që i dallon shoqëritë njerëzore nga ato të kafshëve është organizimi i bazuar në rregulla, parime, ligje morale etj, kurse njerëzit historikisht janë munduar të vendosin rend në ndonjë mënyrë; dhe i kanë sakrifikuar jetët e tyre për vendosjen dhe ruajtjen e rendit(ashtu siç e kanë kuptuar ata).

Rregullat e vendosura janë ruajtur me çdo kusht duke vendosur dënime të rrepta. Por, më vonë, me kalimin e kohës, me zhvillimin e shoqërisë, me vdekjen e gjeneratës themeluese të shoqërisë, me largimin e atyre që i kanë vendosur rregullat themeluese, fillon ndryshimi i themelit të shoqërisë duke i ndryshuar rregullat bazë me do principe apo norma tjera. Këto ndryshime në fillim i bëjnë njerëzit e pushtetit apo pasanikët apo të fortit sepse e dinë se do t’i ikin dënimit, kurse njerëzit e thjeshtë janë të detyruar me forcë të besojnë dhe tu përmbahen rregullave.

Në anën tjetër, si zakonisht njerëzit e pushtetit çdoherë bëjnë lëshime kur rregullat thyhen nga “të privilegjuarit”, apo bëhen se nuk shohin, me qëllim të ruajtjes së pushtetit, pozitës, autoritetit, pasurisë... Kjo çon në ndarjen e njerëzve në të privilegjuar dhe në të thjeshtë; në zotërinj dhe në shërbëtorë; në të vlefshëm dhe në të pavlefshëm. Kështuqë lëshimet, thyerjet, prishjet, ndryshimet e normave bëhen normale për disa, kurse të dënueshme për disa tjerë. Situata e këtillë, me do mospajtime të vogla, dalngadalë bëhet normale; e njerëzit e kanë patjetër të pajtohen me ndryshimet që i bën elita e tyre sepse ajo elitë i ka të hollat, pushtetin, autoritetin, punësimet, shkollimin, mjetet dënuese…

Dhe kështu vazhdon jeta prej një gjendjeje në një tjetër duke i shndërruar njerëzit në robër; duke i bërë të pandjeshëm ndaj kësaj robërie; duke i nëpërkëmbur,…deri në atë moment kur disave prej tyre tu kujtohet se jeta patjetër të bazohet në rregulla, parime morale, norma e standarde pa të cilat nuk jetohet. Por duhet të kalojë kohë, energji, mundime…, që të mund të arrihet deri te kjo dituri/përvojë; dhe së pari këtë e kuptojnë të thelluarit në dituri, të cilët arrijnë deri aty me dituri dhe me përjetimin e nënçmimeve të njëpasnjëshme.

Më vonë, kur nënçmimet të shtohen pa masë, edhe të paditurit fillojnë të kuptojnë diçka, sepse jeta fillon të bëhet e padurueshme. Realisht, çdo njeri normal di të bëjë dallim mes drejtësisë dhe padrejtësisë, kështuqë e urren padrejtësinë dhe format e saja, kurse vendosjen e drejtësisë e bën ideal të patjetërsueshëm.

Vetë humbja e rregullave bazë të mbajtjes së një shoqërie fillon t’i mësojë njerëzit për ekzistimin e një situate ku të gjithë kanë me çka të mburren, kanë me çka të lavdërohen, kanë me çka të ndjehen të vlefshëm. Por ky mësim është një rrugë e përpjetshme e mbushur me shumë të papritura; e nëse dikushi dëshiron të kalojë nëpër të, doemos duhet të paguajë çmim të lartë; doemos të bëjë do sakrifica që nuk përshkruhen dot me fjalë.

Ngase ndryshimi kërkon rikthim të një situate e cila imagjinohet, por është krejtësisht e panjohur për njerëzit; ku janë të vendosura do parime “ideale” që duhet të vihen në jetë. Por së pari duhet të besohet në ato parime; ato duhet të bëhen pjesë e pandarë e personalitetit; pjesë që dhemb njëjtë sikur çdo pjesë tjetër e trupit, bile edhe më shumë; pjesë që do ta jetojmë edhe ditën edhe natën në ëndrrat tona. Kur të ndodhë kjo dhe kur të jemi të bindur se vetëm kjo është e vërteta, për të cilën ne nuk bëjmë kompromise, do të ndodhë edhe formimi i një bote tjetër në mendjet tona e cila pret të del jashtë dhe të implementohet në botën reale.

Në atë çast vërehet se bota reale dhe bota brenda nesh janë dy realitete të ndara që aspak nuk korrespondojnë njëra me tjetrën: bota reale e mbushur me intriga e padrejtësi, që është në kundërshtim të plotë me atë në të cilën besojmë ne, dhe bota imagjinare(e dëshiruar) që pret të bëhet realitet. Këto dyja luftojnë brenda nesh me një luftë të çuditshme të cilën nuk e shohim por e ndjejmë. Ne ndjejmë në vete se vetëm ajo botë në të cilën besojmë ne, ka mundësi të na kënaq; ka mundësi t’i shërojë sëmundjet tona; ka mundësi të na e sjellë lumturinë; ka mundësi të na përparojë. Vetëm në atë botë ndjehemi krenarë, ndjehemi të çlodhur, të sigurtë, në paqe me veten dhe me tjerët; vetëm në atë botë kemi vlerë, kemi familje e pasuri të mirëfillta…

Vetëm ajo botë bëhet drejtim kah i cili synojmë me tërë qenien tonë dhe s’duam të pranojmë asnjë zgjidhje tjetër përveç asaj. Por, kur i kthehemi realitetit shohim se çdogjë është në kundërshtim me botën që ne e duam; dhe se bota në të cilën jetojmë e ka nëpërkëmbur botën që e ëndërrojmë; na e ka nënçmuar botën tonë…

Dhe ne fillojmë të ndjejmë se nuk ia vlen të mendosh për botën e sotme; nuk ia vlen të punosh apo sakrifikosh për të, sepse kushedi sa të mundohesh përsëri energjia jote do të harxhohet duke mos ndryshuar asgjë. Dhe e shohim qartë se kur ne ndërtojmë diçka, ata tjerët e shtrembërojnë ose e prishin; kur ne rregullojmë diçka, ata tjerët e çrregullojnë; kur ne i mësojmë njerëzit për të bërë punë të mira, ata tjerët i korruptojnë…dhe ngado që të kthehesh sheh ndryshime të çuditshme bile edhe te ata njerëz te të cilët ke pasur besim të paluhatshëm. Kështu kur rregullat e parimet tua ndryshohen, besimet tua tallen, vlerat tua nëpërkëmben, jeta yte emërohet me emra të gërditshëm, bota yte shpallet joekzistente, fëmijët tu edukohen me edukatë të kotë, a ka kuptim të vazhdosh të jetosh ashtu siç ke jetuar deri tani?! A ka kuptim të rrish duarkryq e të vëzhgosh se çka bëjnë tjerët me idealet tua?!

Apo duhet të mendosh për një ndryshim për të cilin s’ke menduar kurrë më parë. Për një ndryshim të dhimbshëm, të pashmangshëm, pas të cilit nuk do të jesh më ai që ke qenë. Kjo ndoshta është pika kur e sheh se ky sistem nuk është sistemi i jetës tënde, por është sistem i cili në mënyrë të ndadalshme e shkatërron sistemin në të cilin ti beson.

Dhe në këtë mënyrë shkrihesh edhe ti, sepse njeriu nuk është asgjë tjerër pos asaj në të cilën beson; pos veprave të veta; pos vlerave e parimeve sipas të cilave e jeton jetën. Kur humbet baza për prodhimin e këtyre veprave, dije se edhe ti ke humbur; faktikisht je shndërruar në numër sikur të gjithë tjerët.

Njerëzit e mëdhenj nuk e kanë kërkuar jetën por vdekjen, kur e kanë parë se nuk mund të jetojnë sipar vlerave në të cilat kanë besuar. Ata janë munduar t’i vendosin rregullat e jetës sipas besimit të tyre, gjë që vlen për çdonjërin.

E sot ndodh e njëjta gjë, po me një dallim të vogël: njerëzit e duan jetën edhepse asaj jete i janë marrur të gjitha vlerat. Po ti vëlla, në cilën botë dëshiron të jetosh…? Dhe Allahu e di më së miri.

Përgatiti: Teuhid.NET

www.teuhid.net

 

Hits: 474
Comments (1)Add Comment
...
written by Ebu sejfullah, January 19, 2012
Selam alejkum vlla i dashtun per all-llah vertet nje shkrim i persosur jo vetem ky por te gjitha shkrimet ishin me vend dhe qe nje besimtar merre mesim te madhe nga keto shkrime All-llahu te shtoft diturin dhe praktiken na e beni hallall eselam alejkum

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy