teuhid.NET - Ta mėsojmė TEUHIDIN...

Teuhidul-esma’i ves-sifat PDF Printoni E-mail
 Teuhidul-esma’i ves-sifat shkurtimisht do të thotë bindje e fuqishme se All-llahut xhel-le shanuhu i përkasin të gjithë emrat e bukur dhe cilësitë e përsosmërisë, se Ai është larg atributeve të mangëta dhe se Ai me cilësitë e Tij shquhet mbi të gjitha krijesat.

Cilësitë dhe emrat i njeh vetëm nga Fjalët e Tij dhe nga fjalët e Pejgamberit të Tij, pa kurrfarë ndryshi-mesh, pa mohimin e tyre të pjesshëm a të tërësishëm, pa përpjekje që ato të kuptohen tërësisht dhe të shpjegohen thelbësisht ose të bëhen krahasime me cilësitë e krijesave.

Nga ky formulim jepet të kuptohet se teuhidul-esma’i ves-sifati, bazohet në tri parime, e, kush largohet prej tyre, ai nuk do të jetë besimtar në këtë lloj të teuhidit.
a) - Besimi se All-llahu xhel-le shanuhu nuk i ngjason krijesave dhe se është larg çdo të mete;
b) - Besimi në emrat dhe në cilësitë e All-llahut xhel-le shanuhu, që janë përmendur në Kur’an dhe në Sunet, pa kurrfarë mungese a shtimi dhe pa kurrfarë shtrembërimesh a mohimesh; dhe
c) - Shuarja e çdo dëshire për të kuptuar domethënien e vërtetë të këtyre cilësive.

Me parimin e parë nënkuptohet mohimi i çdo ngjashmërie ndërmjet cilësive të All-llahut xhel-le shanuhu dhe cilësve të krijesave. Argument për këtë janë Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu:
“Dhe askush nuk i ngjason Atij!” (El-Ihlas: 4)
“All-llahun mos e krahasoni me kurrgjë!” (En-Nahl:74)

Imam Kurtubi, duke komentuar ajetin “Dhe askush nuk i ngjason Atij!”, thotë: “Këtu flitet se All-llahut xhel-le shanuhu, me lartësinë e Tij, me madhështinë e Tij, me pushtetin e Tij, me emrat e bukur dhe me cilësitë e përsosura të Tij, nuk i ngjason askush nga krijesat e Tij e as që mund të krahasohet ndokush me Të. Gjithashtu, edhe cilësitë e All-llahut xhel-le shanuhu, të cilat janë përmendur në Kur’an dhe në Sunet, e ato janë të përbash-këta sipas shqiptimit në raport me All-llahun xhel-le shanuhu dhe krijesat e tjera, assesi nuk i ngjasojnë domethënies së vërtetë të tyre, ngase cilësitë e Atij që gjithmonë ekziston nuk janë sikurse cilësitë e atyre që janë krijuar nga Ai.”

Kurse El-Vasiti - rahimehullahu te’ala - thotë: “Nuk ekziston ndonjë qenie siç është qenia e Tij, as ndonjë emër siç është emri i Tij, as ndonjë vepër siç është vepra e Tij, përveçse nga pikëpamja gjuhësore (shqiptimit). Qenia e pakrijuar është larg asaj që të ketë cilësi si e krijuara. Siç është e pamundur që qenia e krijuar të ketë cilësitë e Atij që nuk është i krijuar. E tërë kjo është drejtim i pasuesve të së vërtetës, udhës (Sunnes) së Pejgamberit alejhis-selam dhe xhema’atit të gjeneratave të para të muslimanëve.”

Sejjid Kutbi në tefsirin e vet, duke komentuar këtë ajet, thotë: “Natyra e njeriut në tërë këtë beson vetvetiu, ngase gjërat e krijuara, të cilat i ka krijuar ai vetë, njëherazi nuk mund t’i përngjajnë krijuesit.”
Në këtë parim bën pjesë edhe mohimi i çdo gjëje që i kundërvihet asaj me të cilën All-llahu xhel-le shanuhu e ka përshkruar Vetveten, ose e ka përshkruar Pejgamberi i Tij. Prandaj besimi në All-llahun xhel-le shanuhu, si i Vetmi të Cilit i përkasin emrat dhe cilësitë e përsosmërisë, kërkon prej nesh të mohojmë dhe të dëbojmë mundësinë se Ai mund të ketë  grua, shok, partner (ortak), ndihmës, ndërmjetës (përveç me lejen e All-llahut). Siç kërkon edhe mohimin se Atë mund ta kaplojë dremitja e gjumi, lodhja, kapitja, vdekja, padrejtësia, shkujdesja, harresa, pagjumë-sia, transformimi dhe cilësi të tjera mangësie.

b) - Parimi i dytë kërkon obligueshmërinë e kufizimit të çdo gjëje që i përshkruhet All-llahut xhel-le shanuhu vetëm në atë që është përmendur në Kur’an dhe në hadithet e Pejgamberit alejhis-selam. Sepse cilësitë dhe emrat e All-llahut xhel-le shanuhu kuptohen me anë të thënieve, e jo me anë të përsiatjes personale. All-llahu xhel-le shanuhu assesi nuk mund të përshkruhet, përveçse me atë që e ka përshkruar Vetveten apo e ka përshkruar Pejgamberi i Tij. Gjithashtu, nuk emëro-het përveçse me emrat e ka quajtur Vetveten ose me të cilat e ka quajtur Pejgamberi i Tij. Për shkak se All-llahu xhel-le shanuhu i di më së miri emrat dhe cilësitë e Veta. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“... Thuaj: “A e dini më mirë ju apo All-llahu?” (Bekare: 140)

Duke qenë se All-llahu xhel-le shanuhu di më së miri për Vetveten dhe pasi Pejgamberët e Tij kanë folur vetëm të vërtetën, sepse kanë transmetuar vetëm atë që u ka shpallur All-llahu xhel-le shanuhu, atëherë, në sferën e emrave dhe të cilësive të All-llahut xhel-le shanuhu - duke i pranuar ato - jemi të detyru-ar t’i përmbahemi asaj që na ka informuar All-llahu xhel-le shanuhu dhe Pejgamberi i Tij. Imam Hanbeli thotë: “All-llahu xhel-le shanuhu përshkruhet vetëm me atë që e ka përshkruar Vetveten, ose që e ka përshkruar Pejgamberi i Tij, duke mos e tejkaluar aspak Kur’anin dhe Hadithin.”
Nu’ajm bin Hammadi, mësuesi i Buhariut, ka thënë: “Ai i cili e krahason All-llahun xhel-le shanuhu me krijesat e Tij, ai ka bërë kufër, kush mohon çkadoqoftë nga ajo me të cilën All-llahu xhel-le shanuhu e ka përshkruar Vetveten ose me çka e ka përshkru-ar Pejgamberi i Tij, ai ka bërë kufër, ajo me të cilën All-llahu xhel-le shanuhu e ka përshkruar Vetveten dhe e ka përshkruar Pejgamberi i Tij nuk mund të barazohet me asgjë dhe nuk mund të krahasohet me asgjë.”
Ky parim kërkon nga çdo njeri i moshës madhore - moshës ligjore sipas Sheriatit - që të besojë tërë atë që transmetohet nga emrat dhe cilësitë e All-llahut xhel-le shanuhu në Kur’an dhe në Sunetin e Pejgamberit alejhis-selam. Dhe t’i pranojë ato sipas dome-thënieve të tyre të qarta dhe parimore në gjuhën arabe, duke mos mohuar diçka prej tyre dhe duke mos shtrembëruar diçka gjatë komentimit duke u larguar nga domethënia e tyre.

c) - Parimi i tretë kërkon nga njeriu që t’i besojë të gjitha cilësive të përmendura në Kur’an dhe në Sunet, pa pyetje për esencën dhe për domethënien e tyre të vërtetë (lidhur me All-llahun xhel-le shanuhu). Sepse njohja e cilësive bazohet në njohjen e qenies, sepse cilësitë dallojnë në ujdi me dallimin e bartësve të tyre. Siç nuk pyesim për qenien e All-llahut xhel-le shanuhu dhe cilësinë e Tij, po ashtu nuk është e saktë të pyesim për cilësitë e Tij.  Prandaj, transmetohet nga një numër i madh i gjeneratave të para (selef) se, kur i patën pyetur për ngritjen (el-istiva) e All-llahut xhel-le shanuhu, ishin përgjigjur: “Ngritja është e njohur, ndërsa mënyra e saj është e panjohur, besimi në të është vaxhib e pyetja për mënyrën e saj është bid’at.”

Pra, selefët janë pajtuar se mënyra (e ngritjes së All-llahut xhel-le shanuhu mbi Arsh) është e panjohur për ne dhe se pyetja për të është bid’at. Andaj, sikur të na pyeste dikush: “Në ç’mënyrë zbret Zoti ynë në qiellin botëror?” Ne do t’i thoshim: “Si duket Ai?” E, nëse thotë se nuk e di se si duket Ai, ne do t’i thoshim: “Ne nuk dimë se si zbret Ai, sepse dituria për atributin kërkon dituri për bartësin e atij atributi. E, si mund të kërkosh prej nesh të të shpjegojmë në ç’mënyrë All-llahu xhel-le shanuhu dëgjon, sheh, flet, si ngrihet dhe si zbret, kur ti nuk e di se si duket Ai? Nëse ti pranon se All-llahu xhel-le shanuhu dhe ekzistenca e Tij me të gjitha cilësitë e përsosmërisë dhe se askush nuk i ngjason Atij - është fakt i vërtetë, atëherë, njësoj me këtë, edhe të dëgjuarit dhe të parët e Tij, zbritja dhe ngritja e Tij, është fakt i vërtetë, që njëkohësisht nuk i ngjasojnë shqisës së të dëgjuarit të krijesave, të parit, të folurës, zbritjes dhe ngritjes së tyre.”
Me sa u pa më lart, rezulton se këtë lloj teuhidi e trazojnë disa gjëra, të cilat muslimani nuk do të guxonte t’ia lejojnte vetes:

1 - Et-teshbih - krahasimi i cilësive të All-llahut xhel-le shanuhu me cilësitë e krijesave (antropomorfizmi), siç e krahasojnë të krishterët Isanë alejhis-selam (të birin e Merjemës), hebrenjtë Uzejrin e mushrikët idhujt e tyre me All-llahun xhel-le shanuhu. Ose, siç e krahasojnë disa sekte fytyrën e All-llahut xhel-le shanuhu me Fytyrën e krijesave, Dorën e Tij me dorën e krijesave, dëgjimin e Tij me dëgjimin e tyre, e të ngjashme.

2 - Shtrembërimi i domethënies së cilësive të All-llahut xhel-le shanuhu me komentime dhe çfarëdo ndërrimi dhe zëvendësimi në to (et-tahrif bit te’vil), siç është shtrembërimi i fjalëve, emrave dhe cilësive duke shtuar, duke munguar a duke ndërruar hereketet (zanoret në shqiptim) në fjalë, siç kanë vepruar disa me Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu: “... E, All-llahu, me siguri, ka biseduar me Musanë.” (En- Nisa: 164) - kështu që në vend të damme-s, në fjalën All-llah, kanë vënë fet’h-in, në mënyrë që domethënia të jetë se All-llahu nuk ka folur me Musanë, por Musai ka folur me All-llahun.
Rruga më e drejtë lidhur me cilësitë e All-llahut xhel-le shanuhu është drejtimi i gjeneratave të para muslimane (selef), të cilët i kanë përshkruar All-llahut xhel-le shanuhu atë që Ai i ka përshkruar Vetes dhe atë që ia ka përshkruar Pejgamberi i Tij, pa alegori, me të cilat mohohen cilësitë dhe pa krahasime të cilat nuk i përshtaten Madhërisë dhe Njëjësisë (vahdanijjeit) së All-llahut xhel-le shanuhu.

Prandaj, e tërë ajo që përmendet në Kur’an dhe në hadithe autentike, siç është dora, fytyra, ngritja, zbritja, hidhërimi, kënaqësia dhe cilësitë e tjera ia përshkruajmë All-llahut xhel-le shanuhu pa krahasime me cilësitë njerëzore dhe pa komentime alegorike, të cilat shpiejnë në mohimin e tyre.  Dhe themi ashtu siç ka thënë imam Shafiu: “E besoj All-llahun dhe tërë atë çka ka ardhur nga All-llahu, ashtu siç dëshiron Vetë Ai dhe e besoj Pejgamberin e All-llahut dhe tërë atë që ka ardhur prej tij, ashtu siç ka menduar dhe siç ka dëshiruar ai.”

3 - Et-ta’til - Të kuptuarit se All-llahu është i privuar nga të gjitha atributet, mohimi i cilësive të All-llahut xhel-le shanuhu dhe kundërshtimi i lidhshmërisë së tyre me qenien e All-llahut xhel-le shanuhu. Siç është mohimi i përsosmërisë së plotë të All-llahut xhel-le shanuhu duke kundërshtuar emrat dhe cilësitë e Tij. Ose mohimi i ndërsjelljes me All-llahun xhel-le shanuhu duke lënë ibade-tin, ose mohimi i lidhjes mes krijesave dhe Krijuesit të tyre, ose, siç konfirmojnë disa, që materia ka ekzistuar gjithnjë (nuk është krijuar) dhe se All-llahu xhel-le shanuhu nuk e ka krijuar atë.

4 - Et-tekjif - diskutimi rreth mënyrës së ekzistimit të cilësive të All-llahut; caktimi i mënyrës së shfaqjes së cilësive të Zotit xhel-le shanuhu dhe konstatimi i esencës së tyre.
Pranimi i vërtetë i cilësive dhe i emrave të All-llahut xhel-le shanuhu, të cilat janë përmendur në Kur’an dhe në Sunet, në domethënien e tyre origjinare, pa bërë krahasime, shtrembë-rime, mohime dhe polemizime për mënyrën e qenies së tyre ka qenë drejtimi (medhhebi) i selefëve - as’habëve, i tabi’inëve dhe i tabi tabi’inëve.
Esh-Shevkani thotë: “Drejtimi i selefëve - nga as’habët, tabi’inët dhe tabi tabi’inët - është pranimi dhe transmetimi i argumenteve (teksteve) për cilësitë e All-llahut xhel-le shanuhu në domethënien e tyre rrënjësore, pa kurrfarë shtrembëri-mesh, alegorish tejet të theksuara, krahasimesh dhe mohimesh nga shpie pjesa më e madhe e te’vilit (komentimit figurativ) Ata, nëse i pyeste dikush për diçka lidhur me cilësitë e All-llahut xhel-le shanuhu, i citonin argumentet dhe përmbaheshin nga thashe-themet, duke thënë: “All-llahu xhel-le shanuhu ka thënë kështu dhe asgjë më tepër nuk dimë lidhur me këtë dhe nuk provojmë të flasim për atë që nuk dimë, e as që na ka dhënë të drejtë All-llahu xhel-le shanuhu ta tejkalojmë këtë.” E, nëse pyetësi megjithatë përpiqej të kuptonte diçka më tepër përkitazi me këtë, ata e qortonin duke ia ndaluar të interesohej për atë që nuk i përket atij dhe të kërkojë diçka që është e pamundur të arrihet, përveçse duke hyrë në bid’at, i cili është jashtë asaj ku bazoheshin ata, e që e kanë mbajtur mend nga Pejgamberi i All-llahut xhel-le shanuhu, e tabi’inët nga as’habët dhe tabi tabi’inët nga tabi’inët. Në këta shekuj të famshëm ka mbretëruar qëndrimi unanim mbi cilësitë e All-llahut xhel-le shanuhu. Ata kujdeseshin për atë që u ka urdhëruar All-llahu xhel-le shanuhu dhe bënin atë që u ka urdhëruar ta bëjnë, duke filluar nga emrat e All-llahut xhel-le shanuhu e deri te namazi, dhënia e zekatit, agjërimi, haxhi, xhihadi, ndarja (dhënia) e pasurisë për qëllime bamirësie, që është garanci e fitimit të Xhenetit dhe e shpëtimit nga zjarri i Xhehenemit. Pastaj, kujdeseshin për të udhëzuar në të mirë dhe për të ndaluar nga e keqja, e pengonin përdhunue-sin nga trazirat me të gjitha mjetet në disponim dhe nuk interesoheshin për asgjë tjetër që All-llahu xhel-le shanuhu nuk ka kërkuar prej tyre, e as që i ka obliguar të kuptojnë esencën e tij. Prandaj, atëbotë feja ka qenë e pastër nga risitë (bid’atet).

  

EMRAT E BUKUR TË ALL-LLAHUT XHEL-LE SHANUHU

Emrat e bukur të All-llahut xhel-le shanuhu janë emra të përveçëm të Tij, për të cilët Ai na ka njoftuar në Kur’an kurse Pejgamberi i Tij në hadithe. Çdonjëri prej tyre tregon një a më shumë cilësi të All-llahut xhel-le shanuhu. Çdo emër është derivat i foljes përkatëse, si p.sh. el-’Alim - i Gjithëdijshmi është derivat i foljes ‘alime - di, ditur. Rasti i njëjtë është edhe me emrat el-Kadir - i Plotfuqishmi (që i cakton të gjitha), es-Semi’ - që i dëgjon të gjitha, el-Besir - që i sheh të gjitha, dhe me të gjithë emrat e tjerë.

Ndërsa emri që në vete përmban domethëniet e të gjitha emrave dhe të gjitha cilësive është All-llah. Dijetarët islamë ndahen në mendime rreth rrënjës së kësaj fjale. Disa mendojnë se është nxjerrë nga fjala el-ilah, e të tjerët mendojnë se ky nuk është derivat.

Këta emra njëkohësisht janë edhe cilësi të All-llahut xhel-le shanuhu dhe këtu nuk ka kontradikta. Err-Rrahman është njëkohësisht edhe emër edhe cilësi e All-llahut xhel-le shanuhu. Të gjithë emrat e All-llahut xhel-le shanuhu kanë domethënie të caktuar, e pa përjashtim janë atribute lavdërimi.
Emrat e All-llahut xhel-le shanuhu janë quajtur të bukur ngase me to quhet dhe përshkruhet më i Bukuri dhe se kanë dome-thënien më fisnike.

Teuhidul-esma’i kërkon prej nesh që t’i besojmë çdo emri me të cilin All-llahu xhel-le shanuhu e ka quajtur Veten, t’i besojmë kuptimit që shënon emri përkatës, si dhe të reflektohet ky besim në te ne.
Në Kur’an, bie fjala, përmendet emri Err-Rrahim dhe ne besojmë se ai është emri i All-llahut xhel-le shanuhu, se ai tregon se All-llahu xhel-le shanuhu është i Mëshirshëm dhe se Ai do ta mëshirojë kë të dojë. Njësoj është edhe me emrat e tjerë të përmendur në Kur’an dhe në Sunet.

Për sa i përket numrit të emrave të bukur të All-llahut xhel-le shanuhu, në hadith përmenden 99: Buhariu dhe Muslimi transmetojnë hadithin nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu, ku ka thënë: “I Dërguari i All-llahut alejhis-selam ka thënë: “All-llahu xhel-le shanuhu i ka 99 emra, një më pak se njëqind, dhe vepro sipas tyre, e do të hysh në Xhenet. All-llahu është Vitër (tek) dhe e do vitrin.”  Ulemaja islame janë të një mendimi se me fjalët e Pejgamberit s.a.v.s “nëntë-dhjetë e nëntë emra” nuk janë përfshirë të gjitha emrat me këtë numër, porse në këtë hadith janë përmendur 99 emra dhe se kush i mëson përmendsh dhe vepron sipas tyre, do të hyjë në Xhenet. E me këtë hadith nuk mohohen emrat e tjerë të All-llahut xhel-le shanuhu. Pra, me këtë hadith informohet se do të hyjë në Xhenet ai i cili i përfshin këta 99 emra, e jo se All-llahu xhel-le shanuhu ka vetëm 99 emra.  Argument se All-llahu xhel-le shanuhu ka edhe emra për të cilët nuk na ka informuar, por i ka mbajtur te Ai në gajb, është hadithi i Pejgamberit alejhis-selam, ku thuhet: “Asnjë musliman nuk do ta godasë ndonjë mynxyrë a pikëllim, kur ai thotë: “All-llahu im i dashur, unë jam robi Yt, biri i robit Tënd dhe i robëreshës Sate, jeta ime është në dorën Tënde, mbi mua realizohet vendimi Yt, përcaktimi Yt ndaj meje është i drejtë, unë të lus me çdo emër Tënd me të cilin e ke quajtur Veten, që e ke shpallur në Librin Tënd, a ia ke zbuluar ndokujt prej robërve të Tu, apo e ke mbajtur tek Ti në gajb, që Kur’anin ta bësh pranverë të zemrës sime, zhdukje të pikëllimit tim dhe largim të mynxyrave dhe vështirësive të mia”, e që All-llahu xhel-le shanuhu të mos i largojë prej tij mynxyrat dhe pikëllimet e tij e të mos ia zëvendësojë me lumturi.” Atëherë as’habët thanë: “O i Dërguari i All-llahut, a do t’i mësojmë këto fjalë përmendsh?” “Gjithsesi”, - u përgjigj ai, “secili që i dëgjon këto, do të duhej t’i mësonte përme-ndsh.”

Për sa i përket përfshirjes së emrave të All-llahut xhel-le shanuhu në hadithin e lartcituar, me këtë nënkuptohet se ata duhet t’i mbajmë mend, t’u besojmë, t’i kuptojmë, të përpi-qemi që t’u përgjigjemi, të veprojmë sipas kuptimit të tyre në marrëdhënien tonë ndaj All-llahut xhel-le shanuhu dhe me ta t’i lutemi All-llahut xhel-le shanuhu. Andaj domethënia e hadithit do të ishte: Ai i cili i mëson përmendsh emrat e All-llahut, duke menduar për domethënien e tyre, duke vepruar sipas asaj që ata kërkojnë prej tij dhe duke pranuar shenjtërinë e Atij që quhet me ta, ai do të hyjë në Xhenet.

  

ARGUMENTET PËR TEUHIDUL-ESMA’I VES-SIFAT

Argumentet nga Kur’ani dhe Suneti për këtë lloj teuhidi janë të shumta. Në çdo sure të Kur’anit përmenden emrat dhe cilësitë e All-llahut xhel-le shanuhu, madje edhe në çdo faqe të Kur’anit. Kur’ani i përmend emrat dhe cilësitë e All-llahut xhel-le shanuhu dhe tërheq vëmendjen në shumë tema për të cilat flet. Kur flet për teuhidin, ibadetin, legjislacionin, kontekstin e urdhrit dhe ndalesës, premtimit dhe kërcënimit, rrëfimit dhe parashtrimit të shembujve. Në këtë rast do të përmendim suren që përmban të gjitha fushat e këtij lloji teuhidi dhe ajetin më të rëndësishëm të Kur’anit.
Për sa i përket sures, ajo është suretul Ihlas, e cila, sipas vlerës së saj, i përgjigjet një të tretës të Kur’anit, siç theksohet në hadith.
All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“Thuaj: “Ai, All-llahu është Një! All-llahu është mbrojtës i gjithkujt. (Ai) nuk ka lindur prej dikujt, as nuk ka lindur kë. Dhe askush nuk i ngjason Atij.” (El-Ihlas: 1-4)

Kjo sure e lartësuar ka përfshirë përshkrimin e çdo forme të përsosmërisë së All-llahut xhel-le shanuhu dhe mohimin e çdo të mete. Me anë të saj All-llahu xhel-le shanuhu na informon se Ai është i Vetmi Zot dhe se Ai është mbrojtës i çdokujt, se nuk ka lindur kë, as është i lindur prej dikujt dhe se askush nuk i ngjason Atij. Fjala Ehad do të thotë Ai të Cilit askush nuk i ngjason dhe me të Cilin askush nuk i është i barabartë.  Ky emër tregon se All-llahu xhel-le shanuhu është i Vetmi që meriton t’i drejtohemi për ndihmë gjatë mynxyrës dhe fatkeqësisë. Këtë fakt nuk e cenon veprimi i atyre që kanë devijuar nga rruga e drejtë dhe kanë humbur, i drejtohen tjetërkujt dhe ia kthejnë shpinën Krijuesit të tyre. Sepse, nëse All-llahu xhel-le shanuhu është Krijues dhe Drejtues i të gjithave dhe pasi nuk ekziston Krijues dhe Udhëheqës tjetër përveç Tij, atëherë drejtimi drejt dikujt tjetër është marrëzi e madhe, sepse të gjitha janë në duart e Tij.  Pra, sikurse me emrin El-Ehad mohohen të gjitha cilësitë e të metave dhe të gjymtësisë, po ashtu me emrin Es-Samed vërtetohen të gjitha cilësitë e përsosmërisë dhe të madhështisë.

Për këtë shkak, i Dërguari i All-llahut ka thënë se kjo sure i përgjigjet një të tretës së Kur’anit, sepse përmban akaidin e plotë, që bazohet në përshkrimin e të gjitha cilësive të përsosmërisë së All-llahut xhel-le shanuhu në mohimin e cilësive të të metave, dhe në adhurimin e All-llahut Një të Vetmit, me të gjitha llojet e ibadeteve që i përkasin Atij. Në realitet, i tërë Kur’ani është akide që u shpjegon njerëzve se çka janë të obli-guar të besojnë nga cilësitë dhe emrat e All-llahut xhel-le shanuhu është Sheriat, që u shpjegon njerëzve të drejtat dhe obligimet e tyre, mënyrën e sjelljes reciproke. Në të ka rrëfime dhe tregime me të cilat Kur’ani u shpjegon njerëzve ligjshmëritë e All-llahut në marrëdhënien e Tij ndaj njerëzve dhe shpjegohet detajisht shpërblimi dhe ndëshkimi, premtimi dhe kërcënimi i All-llahut xhel-le shanuhu.

Alimi i famshëm, Ibnul Kajjimi, gjatë komentimit të kësaj sureje thotë: “Suretu-l-Ihlas përmban të gjitha llojet e teuhidit dhe tërë atë që jemi të obliguar të besojmë nga cilësitë e All-llahut xhel-le shanuhu, nga ehadijjeti (njësia, uniteti), me çka mohohet çfarëdo forme e ortakllëkut me All-llahun xhel-le shanuhu, nga samedijjeti (All-llahu xhel-le shanuhu si mbrojtës i gjithkujt), mohimi i lindjes dhe të lindurit, që është obligueshmëri e samedijjetit dhe mohimi i çdo barazie me Të, që tërheq me vete mohimin e çfarëdo përngjasimi dhe krahasimi të Tij me dikë tjetër. Pra, kjo sure përmban përshkrimin e të gjitha formave të përsosmërisë së All-llahut xhel-le shanuhu dhe mohimin e çdo lloj gjymtësie, mohimin e çfarëdo ngjashmërie dhe barazie me Të në përsosmërinë e Tij dhe mohimin e çfarëdo shoku të Tij. Këto indikacione qenësore janë thelb i teuhidit shkencor, sipas të cilit bartësi i tij dallohet nga të gjitha sektet e lajthitjes dhe shirkut.”

Për sa i përket ajetit, ky është ajetu-l-Kursijj, për të cilin Pejgamberi i All-llahut ka thënë se ky është ajeti më madhështor i Kur’ani, e në të cilin All-llahu i Lartë thotë:
“All-llahu është një- s’ka tjetër zot përveç Tij - i Gjalli dhe i Përjetshmi! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Të Atij janë të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë. Kush mund të angazhohet për dikë tek Ai pa lejen e Tij?! Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen. Por, njerëzit, nuk dinë asgjë nga dijenia e Tij, përveç atë që Ai ka dashur t’ua tregojë. Froni i Tij përfshin qiejt dhe Tokën dhe Atij nuk i vjen rëndë t’i mirëmbajë ato. Ai është Shumë i Larti, i Madhërishmi!” (El-Bekare: 255)

Ky ajet madhështor përfshin që të tri pjesët e teuhidit, sepse përmban emrat e bukur të All-llahut xhel-le shanuhu dhe cilësitë e Tij, dhe çdonjëra prej tyre paraqet një nga parimet e akides:
Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu: “All-llahu është një - s’ka tjetër zot përveç Tij” konfirmojnë parimin e uluhijjetit (prani-min se vetëm All-llahu xhel-le shanuhu është Ai i Cili adhurohet), që është thelb dhe themel i teuhidit të tërësishëm, në të cilin prehet aspekti islam i tërë jetës dhe nga i cili rezulton adhurimi dhe drejtimi në formë të ibadetit vetëm All-llahut xhel-le shanuhu dhe se njeriu nuk mund të jetë rob i askujt tjetër përveç i All-llahut xhel-le shanuhu. Ai nuk do t’i drejtohet askujt në formën e ibadetit përveç All-llahut xhel-le shanuhu, askujt nuk do t’i jetë i nënshtruar përveç All-llahut xhel-le shanuhu, askujt nuk do t’i drejtohet për gjykim përveç All-llahut xhel-le shanuhu dhe prej askujt nuk do të pranojë ligje, ideale, rregulla të sjelljes, e as mënyrë kuptimi përveç All-llahut xhel-le shanuhu

Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu: “I Gjalli dhe i Përjetshmi!”, Qenies shumë të Lartë i përshkruajnë dy cilësi të larta: El-Hajj (i Gjalli), është Ai të Cilit i takon jeta e amshueshme dhe ekzistenca e amshueshme, i Cili nuk ka as fillim, as mbarim.  Jeta që i përshkruhet All-llahut xhel-le shanuhu është jeta e Tij e pavarur, e cila nuk ka rezultuar nga ndonjë burim tjetër, siç është rasti me jetën e krijesave të gjalla, jeta e të cilave është e dhuruar nga Krijuesi i tyre. Jeta e Tij, gjithashtu, është e përhershme dhe e përgjithmonshme, nuk ka filluar në ndonjë moment e as nuk mbaron në ndonjë termin (kohë të caktuar).
El-Kajjum është Ai i Cili i mirëmban të gjitha krijesat dhe udhëheq tërë gjithësinë, në të gjitha gjendjet (situatat) e tyre. Pra, Ai është udhëheqës i të gjitha krijesave. Ai i furnizon, i ruan, kujdeset për to dhe u cakton atë që dëshiron Vetë.
Këta dy emra (El-Hajj dhe El-Kajjum) bëjnë pjesë ndër emrat më të mëdhenj (më të zgjedhur) të All-llahut xhel-le shanuhu, sepse në këta bazohen të gjithë emrat e tjerë e të bukur të All-llahut xh.sh dhe domethënia e të gjithë emrave të tjerë reduktohet në këta dy emra. Atributi i jetës përmban të gjitha atributet e tjera të përsosmërisë dhe asnjëri nga ata nuk mungon, vetëm nëse është fjala për ndonjë jetë të dobët e jo të plotë, duke qenë se All-llahu xhel-le shanuhu jeton tërësisht një jetë të përkryer, atëherë Atij i përket çdo lloj përsosmërie. Ndërsa cilësia El-Kajjum përmban pavarësinë e plotë dhe fuqinë absolute të Tij, sepse Ai ekziston nga Vetvetja dhe nuk ka nevojë për askë nga çfarëdo aspekti qoftë. Ai i mirëmban dhe i furnizon që të gjithë, andaj të gjithë ekzistentët janë të varur nga ekzistimi i All-llahut xhel-le shanuhu dhe nga përcaktimi i Tij.

Këta dy emra kanë ndikim të madh te njeriu i cili i beson  dhe ia prezanton vetes domethëniet e tyre të lartësuara. Ndërgjegjja e tij gjithnjë do të jetë e lidhur me dashurinë ndaj All-llahut xhel-le shanuhu, me ibadet dhe me devotshmëri ndaj Tij, sepse është i vetëdijshëm dhe e di mirë se All-llahu xhel-le shanuhu është Zoti i tij dhe Ai i Cili ia rregullon dhe ia përcakton jetën e tij dhe çdo gjë që ndodh rreth tij, ndodh sipas diturisë së Tij dhe sipas planit të Tij të caktuar që më parë. Andaj gjatë jetës së vet do t’i përmbahet rregullave të sistemit me të cilat udhëheq ajo urtësi dhe mbi të cilat realizohet plani i përmendur, prej tyre njeriu do t’i nxjerrë vlerat dhe udhëzimet e veta dhe sipas tyre do të orientohet në të gjitha situatat.

Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu “Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi!” janë vërtetim se Ai i mirëmban të gjitha dhe me ndihmën e Tij ekziston çdo gjë. Sepse, dremitja dhe gjumi janë në kontrast me jetën e përkryer dhe me pavarësinë e plotë.
Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu “Të Atij janë të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë”, vërtetojnë sundimin e Tij absolut mbi gjithçka që ekziston, sundimin e pakufizuar, i cili është larg çfarëdo ortakllëku. Një besim i këtillë, nëse përforco-het në zemrat e njerëzve, ka ndikim shumë të madh në jetën e tyre. Sejjid Kutbi, rahimehullahu, thotë: “Po qe se kuptohet në mënyrë korrekte (të drejtë) pronësia absolute e All-llahut xhel-le shanuhu, atëherë bëhet e qartë se njerëzit në realitet nuk zotërojnë asgjë, porse e tërë ajo që posedojnë është vetëm huazim nga Pronari i Vetëm dhe i vërtetë, në pronësinë e të Cilit është çdo gjë. Prandaj, në këtë huazim duhet të sillen e të veprojnë sipas udhëzimeve të Pronarit të Vërtetë, i Cili i ka ngarkuar me to. E, udhëzimet e Tij janë shpjeguar në Ligjin - Sheriatin e Tij, dhe ata nuk kanë të drejtë t’i tejkalojnë këto udhëzime, sepse në të kundërtën do ta humbasin të drejtën e disponimit të gjërave të besuara dhe veprimet e tyre do të jenë të paligjshme. Vetë vetëdija e njeriut për këtë fakt, ndjenja e tij se Sunduesi i vërtetë i gjithçkaje që ekziston në qiej dhe në Tokë është All-llahu xhel-le shanuhu, të kuptuarit se njeriu nuk është pronar i vërtetë i gjërave që posedon dhe se Pronar i vërtetë është All-llahu xhel-le shanuhu, ndjenja se çdo gjë që ka është vetëm huazim në kohë të caktuar, të cilën pas skadimit të kohës, do ta marrë përsëri Pronari i tij, i Cili ia ka lejuar këtë huazim në kohë të caktuar, vetë vetëdija për këto fakte të pakontestueshme është e mjaftueshme që ta zbusë zjarrin e lakmisë dhe të pangopshmërisë së njeriut, koprracinë, dorërrudhësinë dhe grabitshmërinë e çartur të tij. Dhe, njëkohësisht është e mjaftueshme që t’ia zgjojë njeriut  fatbardhësinë dhe lumturinë me atë që i vjen nga furnizimi, t’ia zgjojë tolerancën dhe shpirtmadhësinë (dorëdhënësinë) me atë që posedon dhe t’ia mbushë zemrën me rehati dhe lumturi, pa dallim në pati a nuk pati pasuri. Për këtë shkak nuk do të pikëllohet së tepërmi për atë që i shmanget e as që do t’i gëzohet për së tepërmi asaj që me të vërtetë e ka dëshiruar dhe e ka fituar.

Me Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu: “Kush mund të angazhohet për ndokënd tek Ai pa lejen e Tij?!” janë sqaruar gradat e uluhijjetit (hyjnisë) dhe gradat e ubudijjetit (robërisë) Sepse, çdo krijesë është rob i All-llahut xhel-le shanuhu dhe në asnjë rast nuk mund t’i tejkalojë kufijtë e robërimit e as të dalë jashtë tyre. Prandaj nuk mund të bëjë diçka për të tjerët vetëm se me lejen e All-llahut xhel-le shanuhu. Me këtë fakt feja islame ka vënë kufirin e qartë ndërmjet robërimit (ubudijjetit) dhe zotërimit (rububijjetit), kështu që assesi nuk mund të përzihen dhe nuk kanë asgjë të përbashkët në cilësi dhe veçori.

Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu “Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen. Por, njerëzit, nuk dinë asgjë nga dijenia e Tij, përveç asaj që Ai ka dashur t’ua tregojë.”, janë vërtetim se dijenia e All-llahut xhel-le shanuhu përfshin hapësirën, kohën dhe të gjitha sendet dhe shpjegim se krijesat janë të pafuqishme, se dijenia e tyre është e mangët dhe se mund të dinë vetëm atë që ua lejon All-llahu xhel-le shanuhu.  Besimi i muslimanit në këtë cilësi të All-llahut xhel-le shanuhu dhe ndjenja e thellë në zemrën e tij, se vetëm All-llahu xhel-le shanuhu i di të gjitha, ndikon që vijimisht ta ketë në mendje All-llahun xhel-le shanuhu dhe të kujdeset për dispozitat e Tij, që të pendohet me të shpejt nëse bën ndonjë vepër të keqe dhe të jetë i vetëdijshëm për dobësinë dhe padijeninë e vet, si dhe të jetë i vetëdijshëm për dhuntitë e All-llahut xhel-le shanuhu ndaj tij për të gjitha që e mëson Ai nga e vërteta. E tërë kjo bën që njeriu vazhdimisht të jetë falënderues ndaj All-llahut xhel-le shanuhu dhe larg kryelartësisë dhe mburrjes.
Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu:”Froni (Kursijja) e Tij përfshin qiejt dhe Tokën dhe Atij nuk i vjen rëndë t’i mirëmbajë ato.” Janë argument i fuqisë së Tij absolute.

Pastaj All-llahu xhel-le shanuhu e përfundon këtë ajet me dy emrat e Vet të bukur: “Ai është Shumë i Larti, i Madhëri-shmi!” Shumë i Larti është Ai i Cili gjendet mbi të gjitha krijesat  dhe askush nuk mund ta arrijë Atë, e nëse dikush përpiqet ta bëjë këtë, All-llahu xhel-le shanuhu do ta turpërojë dhe do ta kthejë në humnerë në këtë botë dhe do t’ia përgatisë ndëshkimin dhe poshtërimin në botën tjetër. E, i Lartmadhë-rishmi (El-Adhim) është Pronar i madhërisë dhe çdo gjë tjetër është më e vogël se Ai dhe nuk ekziston asgjë që është më e madhe dhe më madhështore se All-llahu xhel-le shanuhu.
Kur i ngulitet njeriut e vërteta për madhështinë në lartësinë e All-llahut xhel-le shanuhu, ai kurrë nuk do të kapërdiset (kreno-het) dhe nuk do të bëhet dhunues, por do ta ketë frikën e All-llahut xhel-le shanuhu, do të frikësohet prej Tij dhe do të jetë i njerëzishëm ndaj Tij dhe krijesave të Tij.
Këta janë vetëm disa nga treguesit për lartësinë dhe madhështinë e ajetu-l-Kursijj, që na bëjnë me dije se çdo musli-man duhet ta mësojë përmendsh këtë ajet, të mendojë për domethënien e tij, t’i përkujtohet gjithnjë dhe të përpiqet që të veprojë ashtu siç kërkon ai prej tij.
Për vlerën e këtij ajeti flasin shumë hadithe. Buhariu transmeton nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu një hadith tjetër, ku qëndron se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur të biesh në shtratin tënd, këndoje ajetin Kursijj: “All-llahu la ilahe ila huvel Hajjul Kajjum” - gjer në fund të ajetit, e All-llahu do ta dhurojë ruajtësin i cili do të të mbrojë nga shejtani, kështu që nuk do të mund të të afrohet gjersa të zgjohesh nga gjumi.”  Ndërsa Muslimi transmeton në Sahihun e vet nga Ubejj b. Ka’bi se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut ka thënë: “O Ebal Mundhir, a e di se cili është ajeti më i vlefshëm në Kur’an?” Thashë: “All-llahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” I Dërguari i All-llahut përsëri tha: “O Ebal Mundhir, a e di se cili është ajeti më i vlefshëm në Kur’an?” Atëherë unë i thashë: “All-llahu la ilahe ila huvel Hajjul Kajjum.” I Dërguari i All-llahut më përkëdheli në gjoks e tha: “Le të të jetë e këndshme dituria, o Eba Mundhir!”

Marrë nga libri: EL-IMAN: ERKÂNUHU HAKIKATUHU NEVAKIDUHU
Autori i librit: Dr. Muhammed Jasin

Lexime: 162
Komente (0)Add Comment

Komento
smaller | bigger

busy
 
< I mėparshmi   Tjetri >
 

Radio Islame


Copyright vEsti24

Sondazh

A ju pėlqen web-faqja?
 
Ju gjindeni ne  :Ballina

Hadith i javės

“Nuk do tė hyni nė Xhennet derisa tė be­soni, dhe nuk do tė besoni derisa tė mos duheni nė mes veti. A nuk dėshironi t'ju udhėzoj nė njė gjė, nėse e bėni atė do tė duheni nė mes veti? Pėrhapni selamin (pėr­shėndetjen) nė mes jush!” (Mus­limi)