teuhid.NET - Ta mėsojmė TEUHIDIN...

Fjalėt dhe veprat qė nxjerrin nga Imani PDF Printoni E-mail

Në kapitujt e mëparshëm kuptuam se ç’është ajo që besimtari duhet të njohë dhe të pranojë e assesi të mohojë. Gjithashtu njohëm edhe kuptimin e imanit, që duhet të jetë i ndërlidhur me ato gjëra.

 Në këtë kapitull do të flasim për gjërat të cilat mohojnë imanin e njeriut dhe e nxjerrin atë nga rrethi i besimtarëve dhe e bëjnë atë pjesëtar të shoqërisë së jobesimtarëve. Mirëpo, sqarimi i kësaj kërkon prej nesh që ta japim fjalën hyrëse për parimet e imanit dhe të Islamit, për kufirin, deri tek i cili njeriu i moshës madhore duhet të arrijë që të konsiderohet si besimtar dhe musliman, e nëse nuk e arrin atë, atëherë bëhet jobesimtar. Kjo duhet bërë në mënyrë që të kemi një përkufizim më të qartë për kornizat e imanit dhe kornizat e kufrit, para se të fillojmë të flasim për atë që nxjerr nga e para dhe shpie në të dytën.
Për këtë arsye ky kapitull përbëhet prej dy pjesësh, pjesa e parë konsiderohet si hyrje në pjesën e dytë:
- e para është kur jobesimtari bëhet besimtar (si hyhet në fenë e All-llahut xhel-le shanuhu);
- e dyta është kur besimtari bëhet jobesimtar (gjërat që nxjerrin nga imani).


PJESA E PARË

KUR JOBESIMTARI BËHET BESIMTAR?

Si hyhet në fenë e All-llahut xhel-le shanuhu?

Nga shpjegimi i gjertanishëm mund të konkludojmë se bazat e imanit kanë domethëniet e veta të përgjithshme dhe të zgje-ruara. E, ai që e koncepton domethënien e zgjeruar të këtyre bazave, ai beson në to dhe i kryen veprat që kërkohen prej tij dhe ai është prej atyre për të cilët All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“Ata, pa dyshim, janë besimtarë të vërtetë. Për ata ka pozita te Zoti i tyre, falje dhe dhunti fisnike” (El-Enfal: 4)

Mirëpo, All-llahu xhel-le shanuhu me urtësinë e Tij ka dashur t’ua lehtësojë robërve të Vet, prandaj dyert përmes të cilave njerëzit hyjnë në iman i ka bërë shumë më të thjeshta sesa ato detaje të gjerësishme. Ai është kënaqur që ata ta njohin domethënien e përgjithshme ku hyjnë të gjitha ato detaje. Është kënaqur që, në fillim, vetëm me gjuhë e me zemër të pranojnë se All-llahu xhel-le shanuhu është Zot i tyre, se do ta adhurojnë Vetëm Atë, se Muhammedi alejhis-selam është i Dërguari i Tij dhe se e tërë ajo me çka ka ardhur ai nga Zoti i tij është e vërtetë dhe se e tërë kjo duhet të zbatohet në vepër. Tërë kësaj All-llahu xhel-le shanuhu i ka dhënë një titull, fjalën e njohur dhe të bukur – Shehadet: La ilahe il-lAll-llah Muhammedun Resulull-llah - Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut, Muhammedi është Pejgamber i All-llahut.

Prandaj, kush i shqipton këto fjalë me gjuhën e vet, beson në to me zemrën e tij dhe nuk bën asgjë nga veprat, fjalët dhe bindjet që do t’ia asgjësonin këto, ai ka hyrë në fenë e All-llahut dhe e ka braktisur kufrin në të cilin ka qenë gjer në atë çast.

Argumentet për pohimin e parashtruar
Se prej njerëzve kërkohet vetëm shqiptimi dhe pranimi i kelimei shehadetit, pa veçantësitë e hollësishme të bazave të imanit dhe të Islamit, e vërtetojnë shumë hadithe sahih. Në to, hyrja në iman e në Islam, hyrja në Xhenet dhe mosqëndrimi i përhershëm në zjarr, bazohet në bindjen se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut xhel-le shanuhu dhe se Muhammedi është i Dërguar i All-llahut.

Gjithashtu, edhe shumë ngjarje nga jeta e Resulull-llahut alejhis-selam na bëjnë të ditur se Resulull-llahu alejhis-selam dhe as’habët të tij e kanë konsideruar si besimtar atë që shqiptonte kelimei shehadetin, ndërsa prej tij, në fillim, nuk kërkonin asgjë më tepër se kjo. Do të citojmë disa hadithe që e vërtetojnë këtë, e pastaj do të përmendim disa ngjarje nga jetëshkrimi i Resulull-llahut s.a.v.s., të cilat gjithashtu e vërtetojnë këtë.
Hadithet:

1 - Resulull-llahu alejhis-selam ka thënë: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se unë jam i Dërguari i All-llahut. Çdo njeri tek i cili All-llahu xhel-le shanuhu në Ditën e Gjykimit has se i beson bindshëm këtyre fjalëve, pa kurrfarë dyshimi, do të hyjë në Xhenet.” Në një rivajet tjetër qëndron: “Asnjë njeri tek i cili All-llahu xhel-le shanuhu në Ditën e Gjykimit has se i beson këtyre fjalëve fuqishëm, pa aspak dyshim, nuk do të mbetet mahrum nga Xheneti (d.m.th. nuk do t’i ndalohet Xheneti)”

2 - Resulull-llahu alejhis-selam ka thënë: “Kush vdes duke ditur se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut, do të hyjë në Xhenet.”

3 - Transmetohet nga Ubade bin Samiti radijAll-llahu anhu se e ka dëgjuar Resulull-llahun alejhis-selam të thotë: “Kush dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i All-llahut, nuk do të hyjë në Xhehenem.”

Hadithet të cilat kanë domethënie të njëjtë janë të shumta dhe të njohura dhe të gjitha ato na bëjnë të ditur se ai i cili vdes me teuhid dhe e takon All-llahun xhel-le shanuhu me kelimei shehadet, do të hyjë në Xhenet dhe se nuk do të qëndrojë përherë në zjarr, edhe pse ndëshkohet me të për shkak të veprave të këqija dhe mëkateve që i ka bërë.
Shembujt nga praktika e Resulull-llahut alejhis-selam dhe nga ndodhitë gjatë jetës së tij
Nga praktika e Resulull-llahut alejhis-selam dhe nga disa raste gjatë jetës së tij, shohim se ai i ka konsideruar për besimtarë ata të cilët e kanë shqiptuar shehadetin.

1 - Muslimi, Ebu Maliku në Muvetta’në e vet, Ebu Davudi dhe Nesaiu transmetojnë hadithin e Mu’avi bin Hekam Es-Sulemit, ku thotë se Resulull-llahu alejhis-selam i ka thënë robëre-shës të cilën Mu’aviu kishte dashur ta lironte si keffaret (shpen-gim për mëkate): “Ku është All-llahu?” Ajo u përgjigj: “Në qiell.” Ai tha: “Kush jam unë?” Ajo tha: “Ti je i Dërguari i All-llahut.” Atëherë ai i tha Mu’aviut: “Liroje!”

2 - Ebu Davudi dhe Nesaiu transmetojnë hadithin e Sherid bin Suvejd Eth-Thekafit, ku qëndron se Resulull-llahu alejhis-selam i ka thënë një robëreshe: “Kush është Zoti yt?” Ajo u përgjigj: “All-llahu.” Ai i tha: “E kush jam unë?” Ajo u përgjigj: “I Dërguari i All-llahut.” Atëherë ai tha: “Liroje atë, ajo është besimtare.”

3 - Në sire thuhet se Ebu Bekri, me rastin e pranimit të Islamit, ka vajtur te Resulull-llahu alejhis-selam e i ka thënë: “A është e vërtetë ajo çka flasin kurejshitët, o Muhammed? Se ti i ke braktisur zotat tanë, se sjelljet tona i konsideron jonormale dhe se etërit tanë i konsideron jobesimtarë?” Resulull-llahu alejhis-selam është përgjigjur: “Përkundrazi, unë jam i Dërguari i All-llahut dhe Lajmëtari i Tij. Më ka dërguar që ta dorëzoj porosinë e Tij. Unë të thërras, o Ebu Bekër, ta adhurosh vetëm All-llahun xhel-le shanuhu, që të mos i bësh ibadet askujt tjetër përveç Tij dhe të obligohesh me përulësi ndaj Tij.” Pastaj ia ka cituar disa fragmente nga Kur’ani. Atëherë Ebu Bekri e pranoi Islamin, e braktisi adhurimin e idhujve dhe zotave të tjerë të rrejshëm dhe e kuptoi vërtetësinë e Islamit. Pastaj u kthye në shtëpinë e vet si besimtar. E ajo në çka e ka thirrur Resulull-llahu alejhis-selam Ebu Bekrin, në realitet, është thirrje në kelimei shehadet.

4 - Në sire transmetohet se Halid bin Se’idi, me rastin e pranimit të Islamit, e ka takuar Resulull-llahun alejhis-selam e i ka thënë: “O i Dërguari i All-llahut, o Muhammed, në çfarë po thërret ti?” Ai është përgjigjur: “Të thërras ta besosh vetëm All-llahun dhe të mos i bësh Atij asnjë shok, dhe të dëshmosh se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij. Ta braktisësh adhurimin e gurëve, që nuk ndiejnë dhe nuk sjellin kurrfarë dobie, e as që mund të shkaktojnë dëm, e as që e dinë se kush i adhuron e kush jo.” Atëherë Halidi tha: “Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se ti je i Dërguari i All-llahut.” Ndërsa Resulull-llahu alejhis-selam iu gëzua Islamit të tij.

5 - Transmetohet se Ebi Dherr El-Gaffari, me rastin e pranimit të Islamit, ka thënë: “Kam qenë i katërti në Islam. Para meje e kishin pranuar Islamin tre veta, e unë isha i katërti. Erdha te Resulull-llahu alejhis-selam e i thashë: “Es-selamu ‘alejke ja Resulull-llah. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i All-llahut.” Atëherë pashë gëzimin në fytyrën e Resulull-llahut alejhis-selam, Ky është versioni i shkurtër, ndërsa Buhariu e transmeton rastin e kalimit të Ebu Dherrit në tërësi, ku qëndron se Resulull-llahu alejhis-selam i ka thënë Ebu Dherrit pasi pranoi Islamin: “Shko tek populli yt dhe informoje për këtë, gjersa nuk të vjen urdhri tjetër prej meje.” Ai tha: “Pasha All-llahun, këto fjalë do t’i shqiptoj me zë të lartë para tyre.” Pastaj vajti para xhamisë dhe bërtiti me gjithë fuqinë që kishte: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i All-llahut.” Kur e dëgjuan këtë mushrikët, u ngritën dhe filluan ta rrahin derisa e rrëzuan për toke.”

Nga ky rivajet shihet qartë se as’habët hynin në Islam duke deklamuar kelimei shehadetin.

6 - Për shkakun e kalimit në Islam të Tufejl bin Amrit radijAll-llahu anhu, për të cilin në sire thuhet se ka qenë ndër të parët njerëz autoritativë dhe e respektonin të gjithë në fisin Devs, qëndron se ai ka ardhur në Mekë, e para tij janë tubuar paria kurejshite, ia kanë tërhequr vërejtjen për Resulull-llahun alejhis-selam dhe ia kanë ndaluar të takohet me të ose të dëgjojë ligjërimin e tij. Tufejli thotë: “Aq tepër ishin këmbëngulës, saqë vendosa të mos bisedoja me të e as të mos e dëgjoja atë. Madje, edhe kur kaloja pranë mesxhidit, i mbyllja veshët me pambuk duke u frikësuar se do të dëgjoj diçka prej bisedës së tij dhe me të vërtetë nuk kisha dëshirë ta dëgjoja. Por një herë vajta në mesxhid dhe e pashë Resulull-llahun alejhis-selam duke u falur para Ka’bes. U ndala pranë tij, e All-llahu nuk më la të mos i dëgjoj disa nga fjalët e tij. Ligjërimi që dëgjova ishte i këndshëm. Andaj, i thashë vetes: “Vaj halli për ty, o Tufejl, se ç’do të gjejë! Pasha Zotin, unë jam poet i talentuar, e dalloj mirë ligjërimin e mirë nga i keqi, atëherë çfarë më pengon të dëgjoj ligjërimin e këtij njeriu? Nëse flet diçka mirë, do ta pranoj, e nëse jo, nuk do ta përfill atë.” Ndenja aty gjersa ai u nis për në shtëpi. E përcolla dhe, kur hyri në shtëpi, hyra edhe unë pas tij. Pastaj i thashë: “O Muhammed, populli yt më tha kështu e kështu (siç kishte dëgjuar edhe ai). Pasha All-llahun, vazhdimisht më frikësonin prej teje, derisa vendosa t’i mbyllja veshët e mi me pambuk. Por All-llahu ka dashur të kundërtën dhe unë dëgjova diçka nga fjalët e tua, të cilat i përjetova si fjalë të bukura, prandaj kërkoj prej teje që të më tregosh si qëndron puna me ty.” Ai ma paraqiti Islamin dhe këndoi nga Kur’ani. Pasha All-llahun, kurrë gjer atëherë nuk kisha dëgjuar diçka më të bukur e as më të drejtë se Islami. Sa ligjërim i mrekullueshëm që ishte! Menjëherë pranova Islamin, e shqiptova shehadetin e së vërtetës dhe i thashë: “Mua më dëgjon populli im, andaj po kthehem në vendin tim dhe do t’i thërras në Islam. Lute All-llahun të ma japë ndonjë shenjë.” Resulull-llahu alejhis-selam u lut.” E shehadeti i së vërtetës është dëshmi se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i All-llahut, siç është shpjeguar në disa rivajete.

7 - Për shkakun e pranimit të Islamit nga Halid bin Velidi radijAll-llahu anhu, në veprat e sires transmetohet se ai ka vajtur te Resulull-llahu alejhis-selam në Medinë, pasi i vëllai i kishte shkruar letër, me anë të së cilës e thërriste në Islam. Halidi rrëfen: “Vëllai më priti me mirëseardhje dhe më tha: “Shpejto, Resulull-llahu tanimë është informuar (me anë të Shpalljes) për kalimin tënd në Islam dhe i është gëzuar ardhjes sate dhe ai të pret. (Së bashku me të kanë qenë Amër bin A’si dhe Uthman bin Talha) Dhe shpejtuam gjersa nuk e pashë më. Derisa afroheshim, ai rrinte me buzë në gaz. Pastaj e përshëndeta si Pejgamberin. Ai me fytyrë të qeshur ma ktheu selamin, e unë i thashë: “Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se ti je i Dërguari i All-llahut.” Ai më tha: “Afrohu”, e pastaj më tha: “Qoftë falënderuar All-llahu që të udhëzoi. Unë e kam parë se ti ke mendje dhe kam shpresuar se do të të shpjerë gjer tek e vërteta.”

Në këtë mënyrë e ka pranuar Islamin një numër i madh i as’habëve para dhe pas hixhretit. Të gjitha ngjarjet dhe traditat gojore autentike tregojnë të njëjtën gjë, ku pjesëtarët e ehli Sunnetit pajtohen tërësisht, e kjo është se hyrja në fenë e All-llahut xhel-le shanuhu nuk mund të bëhet me asgjë tjetër vetëm se me kelimei shehadetin. Prandaj, askush nuk është në gjendje, pas këtyre argumenteve, të konfirmojë se dikush ka hyrë në Islam e të mos e shqiptojë me gjuhë dhe të vertetojë me zemër kelimei shehadetin. Gjithashtu, askush nuk është në gjendje ta konsiderojë jobesimtar atë që e ka shqiptuar kelimei shehadetin, nëse personi në fjalë nuk ka bërë diçka që e anulon shehadetin e tij.

Për hyrje në Islam nuk mjafton vetëm një pjesë e kelimei shehadetit, porse duhet të shqiptohen dhe të pranohen të dy pjesët e tij. Nëse dikush do të thoshte se nga disa hadithe të përmendura mund të kuptohet se është e mjaftueshme vetëm pjesa e parë e shehadetit (se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut), atij do t’i thuhet se edhe në to mendohet për të dy pjesët e shehadetit, ngase kjo është sqaruar në hadithe të tjera.

Ulemaja islame janë në pajtim se shqiptimi i kelimei shehadetit dhe vërtetimi i tij me zemër nuk mjafton për hyrje në iman dhe në Islam, e as që arrihet me këtë shpëtimi nga zjarri i Xhehenemit nëse personi në fjalë bën diçka që e anulon atë, ose e anulon njërën nga të dy pjesët e tij. Kështu, nuk do të pranohet Islami i njeriut i cili, për shembull, thotë: Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i All-llahut, por nuk e pranoj për të detyrueshëm zeka-tin dhe haxhin, ose zinanë, kamatën, vrasjen dhe kështu me radhë nga regjistri i ndalesave që bazohet në Kur’an ose në Sunetin e Resulull-llahut alejhis-selam e që janë të njohura përgjithësisht. Ose të thotë: Unë e pranoj pejgamberllëkun e Muhammedit alejhis-selam, por mendoj se ai i është dërguar një populli të caktuar, ose një kohe të caktuar, apo krahas shqiptimit të shehadetit parashtron komentimin e vet personal me të cilin e mohon teuhidin e All-llahut xhel-le shanuhu duke mohuar ndonjë cilësi a emër të Tij. Ose e shqipton shehadetin, por mohon diçka nga Kur’ani, madje edhe një ajet, një fjalë a një shkronjë të vetme. Të këtillit nuk i vlen shehadeti i tij, ngase ai vjen me diçka që i kundërvihet Kur’anit dhe Sunetit të Resulull-llahut alejhis-selam.

Gjithashtu, edhe për njeriun që ka ndjekur ndonjë ideologji të caktuar në kundërshtim me shqiptimin e shehadetit nuk është e mjaftueshme vetëm deklarimi i shehadetit, por është i obliguar që krahas shehadetit të precizojë në mënyrë të qartë se heq dorë nga bindja e mëparshme. E nëse, bie fjala, ndonjë njeri ka besuar në teuhid dhe thotë se Muhammedi alejhis-selam është i Dërguar i All-llahut, por vetëm për një popull të caktuar a për një kohë të caktuar, shqiptimi i shehadetit nuk do të jetë i mjaftueshëm për hyrje në Islam. Ngase pranimi i tij i pejgamberllëkut të Muhammedit alejhis-selam, nuk e mohon mendimin e tij se ai (Muhammedi alejhis-selam) i përket popullit të caktuar ose kohës së caktuar. Prandaj, krahas shehadetit të tij, ai është i obliguar që në mënyrë të qartë të vërtetojë se Muhammedi alejhis-selam është Pejgamber për të gjithë njerëzit. Një pjesë e ulemasë, lidhur me këtë çështje, përmend një rregull të përgjithshëm, e cila është: Nuk mund të pranohet Islami i ndonjë njeriu derisa shehadeti, që ai ka pranuar dhe ka shqiptuar, të jetë i mjaftueshëm për mohimin e të gjitha bindjeve të gabuara të mëparshme të tij. E nëse nuk mjafton shehadeti, atëherë është i obliguar që, përveç pranimit të shehadetit, të heqë dorë publikisht nga këto mendime dhe bindje të cilat nuk janë mohuar me shehadet.

Këtu do të përmendnim se fjalët (La ilahe il-lAll-llah) mohojnë të gjitha besimet e gabuara lidhur me All-llahun xhel-le shanuhu, me krijimin dhe sundimin e Tij mbi çdo gjë, dhe me Njësinë (Unitetin) e Tij. Sepse, siç kemi kuptuar, ato (fjalë) kërkojnë veçimin e All-llahut xhel-le shanuhu në qenien e Tij, cilësitë e Tij, emrat e Tij veprat e Tij dhe i anulojnë të gjitha mendimet dhe bindjet e gabuara të mëparshme lidhur me Krijuesin, ndërsa me pjesën e dytë të shehadetit mohohen, në shumicën e rasteve, besimet e gabuara lidhur me Resulull-llahun alejhis-selam. Por, disa bindje, siç kemi përmendur, nuk i mohon. Prandaj, ai i cili ka pandehur se pejgamberllëku i Muhammedit alejhis-selam i përket vetëm një populli, është i obliguar që publikisht të vërtetojë se pejgamberllëku i tij i përket tërë njerëzimit.

E tërë kjo që thamë gjer më tani ka të bëjë me atë që ka qenë jobesimtar dhe më përpara nuk ka qenë pjesëtar i fesë së All-llahut xhel-le shanuhu. Kurse, për sa i përket renegatit nga feja, Islami i tij i sërishëm nuk do të pranohet derisa së pari të pranojë atë që ka mohuar nga Islami, e pastaj ta shqiptojë shehadetin. E, nëse ka mohuar uahdanijetin a pejgamberllëkun, atëherë për të është i mjaftueshëm vetëm shehadeti, por nëse është në pyetje diçka tjetër, atëherë duhet ta shqiptojë shehadetin dhe të pranojë atë që më parë ka mohuar. Personi i cili ka mohuar, për shembull, zekatin ose ndalesën e zinasë a të kamatës, ai nuk mund të kthehet në Islam, derisa të dëshmojë se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i All-llahut dhe derisa të pranojë domosdoshmërinë a ndalesën e asaj që ka mohuar.

Gjithsesi është e dobishme që këtu të përsërisim atë që kemi thënë edhe gjatë shpjegimit të esencës së imanit, se ulemaja islame është në pajtim se shqiptimi i shehadetit është i mjaftueshëm që shqiptuesi të konsiderohet për musliman dhe mbi të që nga ai moment aplikohen të gjitha dispozitat ligjore e të ngjashme. Porse vetë shqiptimi i shehadetit nuk është i mjaftueshëm për shpëtim nga qëndrimi i përhershëm në zjarr, përderisa nuk përcillet me bindje të vërtetë në zemër. E, kush e shqipton kelimei shehadetin me të gjitha kushtet e përmendura, ndaj tij duhet të silleni si ndaj të gjithë muslimanëve në botë, edhe në qoftë se ai në realitet është munafik. Ngase ne jemi të obliguar t’i mbështesim gjykimet tona në këtë botë në bazë të dukurive të jashtme e të dukshme, ndërsa gjërat e brendshme e të fshehta duhet t’ia lëmë All-llahut xhel-le shanuhu, ngase askush tjetër nuk i di ato përveç Tij. Tanimë e kemi përmendur rastin kur Resulull-llahu e ka qortuar Usame bin Zejdin për shkak se nuk ka vepruar sipas asaj që ka parë dhe ka vrarë njeriun i cili ka shqiptuar: La ilahe il-lAll-llah, duke pandehur se ai nuk e ka bërë këtë sinqerisht.

Marrë nga libri: EL-IMAN: ERKÂNUHU HAKIKATUHU NEVAKIDUHU
Autori i librit: Dr. Muhammed Jasin

Lexime: 160
Komente (0)Add Comment

Komento
smaller | bigger

busy
 
< I mėparshmi   Tjetri >
 

Radio Islame


Copyright vEsti24

Sondazh

A ju pėlqen web-faqja?
 
Ju gjindeni ne  :Ballina

Hadith i javės

“Nuk do tė hyni nė Xhennet derisa tė be­soni, dhe nuk do tė besoni derisa tė mos duheni nė mes veti. A nuk dėshironi t'ju udhėzoj nė njė gjė, nėse e bėni atė do tė duheni nė mes veti? Pėrhapni selamin (pėr­shėndetjen) nė mes jush!” (Mus­limi)