Besimi në përcaktimin e All-llahut xhel-le shanuhu është një nga bazat e akides dhe baza e gjashtë e imanit. Andaj, kush e mohon kaderin (përcaktimin e All-llahut xhel-le shanuhu), ai ka dalë nga feja e All-llahut xhel-le shanuhu.
Që në fillim e kemi cituar hadithin e Ibni Umerit r. a., prej të cilit transmetohet se Resulull-llahu alejhis-selam, kur e pati vizituar Xhibrili dhe e pati pyetur për imanin, ka thënë: “Të besosh All-llahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, Pejgamberët e Tij, botën e ardhshme dhe se çdo gjë që ndodh (e mirë a e keqe), ndodh sipas përcaktimit të All-llahut.” PËRKUFIZIMI I KADAASË DHE I KADERIT
Dijetarët islamë kanë qëndrime divergjente lidhur me përkufizimin e kadaasë dhe të kaderit. Disa këto i konsiderojnë si sinonime për një gjë të njëjtë, kurse disa të tjerë kaderin e definojnë ndryshe nga kadaaja, duke thënë: “Kaderi është dituria e All-llahut xhel-le shanuhu për atë se ç’do të bëjnë krijesat e Tij në të ardhmen, ndërsa kadaa është krijimi i krijesave nga All-llahu xhel-le shanuhu në përputhje me diturinë dhe me vullnetin Tij.” Disa të tjerë thonë të kundërtën, e përkufizimin e kadaasë ia veshin kaderit, kurse atë të kaderit kadaasë, gjë që është e mundur. E disa i japin me përkufizim të njëjtë duke thënë: “Kadaaja dhe kaderi janë sistemi i përpiktë që All-llahu xhel-le shanuhu ka vendosur në këtë botë, ligjet dhe ligjshmëritë e përgjithshme (natyrore) me të cilat i ka ndërlidhur shkaqet dhe pasojat.” Këtë domethënie e përmend edhe Kur’ani, kur flet për kaderin, siç qëndron në këtë ajet: “... Dhe, çdo gjë tek Ai është me masë.” (Er-Ra’d: 8) “Nuk ekziston asnjë send, e që të mos gjendet ajo në thesarin Tonë, e nga ajo Ne japim vetëm aq sa është e nevojshme.” (El-Hixhër: 21) “Ne çdo send kemi krijuar me masë të caktuar.” (Kamer: 49) Sa bukur është përgjigjur imam Ahmedi, kur është pyetur për kaderin: “Kaderi është kudretur-Rrahman (fuqia e Mëshirë-plotit)” Ibni Kajjimi në kasidën e vet thotë: “E vërteta për kaderin, i cili shumë veta i ka hutuar, është se ai është kudretur-Rrahman.” Ibni Akili e ka lavdëruar këtë fjalë, kur ka dëgjuar se e ka thënë Ahmedi, All-llahu qoftë i kënaqur me të. Definicioni i Ahmedit është, në të vërtet, i tërësishëm dhe i mjaftueshëm, sepse kaderi do të thotë ajo që All-llahu xhel-le shanuhu konfirmon me fjalët: “Thuaj (o Muhammed!): “Për të gjitha vendos vetëm All-llahu!” (Ali Imran: 154) “Dhe çdo gjë kthehet tek Ai.” (Hud: 123) “... Në duart e të Cilit është pushteti mbi çdo gjë!.” (Ja Sin: 83) “... S’ka ndërmjetës tek Ai, përpos me lejen e Tij.” (Junus: 3) Janë të shumta ajetet që flasin se në gjithësi nuk mund të ndodhë asgjë pa lejen dhe pa vullnetin e All-llahut xhel-le shanuhu. Tema e kaderit bazohet në besimin e cilësive të përsosura të All-llahut xhel-le shanuhu dhe në emrat e Tij të bukur, siç janë dituria, fuqia dhe vullneti. All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “... Ai di çdo gjë.” (El-Bekare: 29) “Ai është më i dijshmi për çdo gjë.” (El-Hadid: 2) “Ai punon çka dëshiron Vetë.” (El-Buruxh: 16) Tahaviu thotë: “Çdo gjë zhvillohet sipas përcaktimit dhe dëshirës së Tij. Dëshira e Tij realizohet, e jo dëshira e njerëzve, përveç çka dëshiron Ai. Prandaj ajo që Ai u dëshiron, edhe do të ndodhë, e ajo që Ai nuk u dëshiron, as që do t’u ndodhë. Askush nuk është në gjendje t’i kundërvihet urdhrit të Tij, e as ta ndryshojë ose në çfarëdo mënyrë të ndikojë në të dhe askush nuk mund ta zmbrapsë urdhrin e All-llahu xhel-le shanuhu me urdhrin e dikujt tjetër.” DOMETHËNIA E IMANIT NË KADER
Çdo musliman është i obliguar të besojë në përcaktimin e All-llahut xhel-le shanuhu dhe se çdo gjë që ndodh, e mirë a e keqe, e këndshme a e hidhur, ndodh më përcaktimin e Tij. Me besimin në kader nënkuptohet besimi në diturinë e amshueshme të All-llahut xhel-le shanuhu, në vullnetin e All-llahut xhel-le shanuhu i cili realizohet, dhe në plotfuqinë e Tij të tërësishme. Duke sqaruar këtë, shejhul-islam Ibni Tejmije thotë: “Besimi në kader përfshin dy shkallë, e çdo shkallë përfshin nga dy gjëra: Shkalla e parë: Besimi se All-llahu xhel-le shanuhu, me diturinë e Tij origjinare, me të cilën është i stolisur përherë, e ka ditur se ç’do të bëjnë krijesat e Tij. Se i ka ditur të gjitha punët e tyre, veprat e mira dhe mëkatet, nafakën dhe çastin e vdekjes së tyre. Pastaj All-llahu xhel-le shanuhu i ka shkruar në Lehui Mahvudh përcaktimet e të gjitha krijesave. Së pari e ka krijuar penën (lapsin), e i ka thënë: “Shkruaj!” Pena pyeti: “Çka të shkruaj?” “Shkruaj çdo gjë që do të ndodhë gjer në Ditën e Kiametit!” Prandaj, çdo gjë që i ndodh njeriut, le ta dijë se assesi nuk ka mundur t’i ikë asaj, e çdoherë që i ka ikur diçkaje, le ta dijë se ajo assesi nuk ka mundur t’i ndodhë. Penat janë tharë, ndërsa librat janë mbyllur. Përkitazi me këtë, All-llahu xhel-le shanuhu, thotë: “A nuk e di ti se All-llahut i është e njohur çdo gjë që gjendet në qiej e në Tokë? Të gjitha këto janë (shënuar) në Libër. Me të vërtetë, të gjitha këto, për All-llahun janë të lehta.” (El-Haxhxh: 70) “S’ka mjerim (fatkeqësi) që e godet Tokën dhe ju, përveç asaj që është shënuar më parë në Libër (Lehui Mahvudh) - kjo për All-llahun, me të vërtetë, është lehtë!” (El-Hadid: 22) Shkalla e dytë: Besimi në vullnetin e All-llahut xhel-le shanuhu, i cili realizohet në tërësi dhe në plotfuqinë e pakufishme të Tij. Pra, besimi se çdo gjë ndodh sipas dëshirës së All-llahut xhel-le shanuhu, e ajo që nuk dëshiron Ai, as që mund të ndodhë. Dhe se çdo lëvizje, sado e vogël që të jetë ajo, në qiej a në Tokë, ose reshtja ndodh sipas vullnetit të All-llahut xhel-le shanuhu. Dhe se në mbretërinë e Tij nuk mund të ndodhë asgjë që nuk dëshiron Ai. Se All-llahu xhel-le shanuhu është i Plotfuqishëm të bëjë çdo gjë dhe se nuk ekziston asnjë krijesë, as në qiej, e as në Tokë, e që All-llahu xhel-le shanuhu të mos e ketë krijuar, sepse tjetër Krijues dhe Sundues nuk ekziston. Krahas të gjitha këtyre, All-llahu xhel-le shanuhu i ka urdhëruar njerëzit që t’i binden Atij dhe Pejgam-berëve të Tij dhe ua ka ndaluar mëkatet. Ai i do mutekijët (të devotshmit), mirëbërësit dhe të drejtët. Është i kënaqur me ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Nuk i do jobesimtarët dhe nuk është i kënaqur me mëkatarët. Nuk urdhëron vepra të shëmtuara, e as që u lejon kufrin robërve të Vet dhe nuk i pëlqen trazirat (fesadin). Dhe njerëzit bëjnë vepra, por në realitet, All-llahu xhel-le shanuhu është Krijues i veprave të tyre. Njeriu është besimtar ose jobesimtar, i mirë ose i keq, ai fal namazin dhe agjëron, zotëron fuqinë me të cilën vepron dhe zotëron edhe vullnet, por All-llahu xhel-le shanuhu i ka krijuar edhe ata, edhe fuqinë e tyre, edhe vullnetin e tyre. Nga fjalët e Ibni Tejmijes, rahimehullahu te’ala, arrihet në përfundim se kaderi përfshin katër shkallë: Shkalla e parë: Besimi në diturinë origjinare të All-llahut xhel-le shanuhu dhe se Ai e ka ditur atë që bëjnë njerëzit para se të bëjnë diçka; Shkalla e dytë: Shkrimi i të gjitha këtyre në Lehui Mahvudh; Shkalla e tretë: Vullneti i All-llahut xhel-le shanuhu, i cili realizohet, dhe plotfuqia e tij e pakufishme; Shkalla e katërt: Krijimi i të gjitha krijesave nga All-llahu xhel-le shanuhu dhe se Ai është Krijuesi i vetëm, e çdo gjë tjetër është e krijuar. Ndarja e kaderit, të cilit jemi të obliguar t’i besojmë, në kader të mirë dhe në kader të keq, bëhet vetëm në raport të njeriut me krijesat e tjera, e, për sa i përket kaderit në raport me All-llahun xhel-le shanuhu, në tërësinë e tij, ai është vetëm kader i mirë, sepse e keqja nuk i mvishet All-llahut xhel-le shanuhu. Dituria e All-llahut xhel-le shanuhu, vullneti i Tij, shkruarja, krijimi i të gjitha krijesave dhe i të gjitha ngjarjeve - të gjitha këto janë urtësi, drejtësi, mëshirë dhe e mirë, sepse e keqja nuk bën pjesë në asnjë cilësi dhe vepër të All-llahut xhel-le shanuhu. Atij nuk mund t’i ngjajë asnjë mangësi a e keqe dhe është plotësisht i përkryer dhe i paarritshëm në Lartmadhërinë e Vet. Prandaj, nuk është e lejuar që vetë e keqja t’i mvishet All-llahut xhel-le shanuhu, por është e lejuar që e keqja të jetë në strukturën e tërësisë që i mvishet All-llahut xhel-le shanuhu, siç thotë All-llahu xhel-le shanuhu: “All-llahu është Krijues i çdo gjëje.” (Ez-Zumer: 62) Dhe është e lejuar që e keqja të lidhet me shkakun e saj, siç thotë All-llahu xhel-le shanuhu: “Thuaj: “I mbështetem Zotit të agimit, prej dëmit të çdo krijese që Ai e krijoi.” (El-Felek: 1-2) Dhe është e lejuar që e keqja të përmendet, por pa e emëruar bërësin e saj, siç thotë All-llahu xhel-le shanuhu se xhinët kanë thënë: “Dhe ne nuk dimë se e keqja u është kushtuar atyre që janë në Tokë, apo Zoti i tyre do që t’i udhëzojë ata në rrugë të mirë.” (Xhin: 10) Në realitet, All-llahu xhel-le shanuhu nuk ka krijuar të keqe të pastër që nuk përmban aspak të mirë, ngase urtësia e Tij nuk e lejon këtë. Nuk është e mundur që All-llahu xhel-le shanuhu, të dëshirojë diç ku ka të keqe totale dhe që në krijimtarinë e Tij të mos ketë kurrfarë dobie. Në duart e All-llahut xhel-le shanuhu janë të gjitha të mirat, kurse e keqja nuk i mvishet Atij, por e tërë ajo që i mvishet Atij është e mira. E keqja ndodh ngase kjo nuk i mvishet Atij, sepse sikur t’i ishte mveshur Atij, atëherë kjo nuk do të ishte e keqe. E t’i mveshet All-llahut xhel-le shanuhu e keqja sipas krijimit dhe lejimit nuk është e keqe. Sëmundja, bie fjala, për njeriun është mynxyrë momentale, por hajri, nëse shikojmë në ardhmëri dhe në raport me All-llahun xhel-le shanuhu, është gjithsesi hajr, duke pasur parasysh se si All-llahu xhel-le shanuhu i fal mëkatet dhe i pastron njerëzit me anë të sëmundjes. Gjithashtu burgosja e besimtarëve nga ana e armiqve të All-llahut xhel-le shanuhu, në shikim të parë, është e keqe, për shkak të dhembjeve dhe sprovimeve që e përcjellin atë, por kjo është pastrim i nefsit të njeriut, pastrim i radhëve të njerëzve dhe kultivim i shpirtit të njeriut, duke ia shtuar kësaj edhe shpërblimin e madh, mirësinë e pakufishme tek All-llahu xhel-le shanuhu. Krijimi i Iblisit, gjithashtu, mban në vetvete urtësi të dukshme: siç është pendimi i njerëzve pas gabimeve, realizimi i adhurimit ndaj All-llahut xhel-le shanuhu përmes luftës kundër shejtanit dhe ndihmësve të tij, mbështetja në All-llahun xhel-le shanuhu dhe kërkimi i mbrojtjes tek Ai. Çdo e keqe është relative, sepse në raport me veprat e All-llahut xhel-le shanuhu dhe me lejimin e Tij të saj është e mirë, ndërsa në raport me atë që me të vërtetë paraqet të keqe është e keqe. Pra, e keqja i ka dy anë, njëra prej tyre është e mira, e kjo është ana e cila ndërlidhet me All-llahun xhel-le shanuhu, i Cili e ka krijuar dhe e ka lejuar atë për shkak të urtësisë së caktuar dhe dobisë së saj, të cilën vetëm Ai e di dhe i tregon kujt të dojë prej robërve të Vet. ARSYETIMI I JOBESIMTARËVE ME KADER
Jobesimtarët do të dëshironin që mosbesimin e tyre ta arsyetojnë duke deklaruar se All-llahu xhel-le shanuhu ka dashur që ata të jenë jobesimtarë dhe se Ai e ka përcaktuar këtë, sepse, sikur të mos dëshironte, ata nuk do të mund të ishin të këtillë. All-llahu xhel-le shanuhu e përgënjeshtron këtë arsyetim në këto ajete: “Idhujtarët do të thonë: “Sikur të donte All-llahu, nuk do t’i bënim shok Atij, as ne, as baballarët tanë, dhe nuk do të punonim asgjë të ndaluar.” Kështu mohonin edhe ata para tyre, derisa e shijuan dënimin Tonë. Thuaj: “A keni ju ndonjë argument të na paraqitni? Ju mbështeteni vetëm në hamendje dhe jeni vetëm gënjeshtarë.” Thuaj: “All-llahu ka argument të qartë dhe po të donte Ai, të gjithëve do t’ju udhëzonte (me forcë) në rrugë të drejtë!” (El-En’am: 148-149) Kjo është përgjigjja e All-llahut xhel-le shanuhu për atë që i arsyeton mëkatet e veta, e All-llahu xhel-le shanuhu zotëron argumentin më të fortë. Përgjigjja e All-llahut xhel-le shanuhu është plotësisht e qartë, sepse ajo bazohet në dy gjëra të ditura nga të gjithë dhe të pranuara nga të gjithë, në të cilat nuk ka aspak dyshim dhe për të cilat mund të polemizojë vetëm ai që ka zgjedhur lajthitjen dhe kështu i ka kontribuar shkatërrimit të vet. Këto dy gjëra janë: E para: All-llahu xhel-le shanuhu jobesimtarët e mëhershëm i ka dënuar me ndëshkim të ashpër. Po qe se ata nuk do të kishin qenë të lirë për të zgjedhur atë që kanë bërë nga mëkatet, veprat e këqija, mohimi dhe shirku, atëherë Ai nuk do t’i kishtë dënuar ata, sepse All-llahu xhel-le shanuhu është i drejtë dhe askujt nuk i bën padrejtësi. Ai i cili mëkatet e veta dhe mosbesimin e vet e arsyeton me kader është njëri prej dy vetave: ose besimtar i All-llahut, ose mohues. E, nëse është besimtar, atëherë duhet të besojë në drejtësinë e All-llahut xhel-le shanuhu dhe në pastërtinë e qenies së Tij nga çdo padrejtësi, ngase padrejtësia është negativitet që nuk i ka hije Krijuesit, ndërsa All-llahu xhel-le shanuhu është larg çdo të mete nga çdo pikëpamje. S’ka dyshim se ndëshkimi i atij që ka qenë i detyruar të bëjë diçka, është padrejtësi e madhe. Prandaj, arsyetimi i mëkatit me kader, edhe krahas ndëshkimit të mëkatarit, do të thotë t’i mvishet padrej-tësi All-llahut xhel-le shanuhu, që gjithsesi është në kundërshtim me besimin e tij në Të. E, nëse njeriu që arsyetohet me kader është jobesimtar, atëherë arsyetimi i tij është kontradiktë dhe marrë-zi e kulluar. E dyta: Ai që mosbesimin dhe mëkatimin e vet e arsyeton me kader, ai për All-llahun flet pa kurrfarë dijenie dhe pa bazë. Si mund të ndodhë që jobesimtari a mëkatari të arsyetohet me kader para se ta bëjë mëkatin ose kufrin, duke qenë se përcaktimi i All-llahut, para se të ndodhë, është gajb të cilin askush nuk e di përveç All-llahut xhel-le shanuhu? E dimë se çdo njeriu, para se të niset të bëjë ndonjë mëkat a kufër, i është urdhëruar që t’i bindet All-llahut xhel-le shanuhu dhe t’i kryejë urdhrat e Tij. Thënë ndryshe: si mund të thotë njeriu: “All-llahu ka caktuar që unë të vjedh, prandaj unë vajta ta kryej përcaktimin e All-llahut?” A mos vallë, ai ka vështruar në Lehui Mahvudh dhe ka lexuar se çfarë shkruan në të, e në këtë mënyrë ka kuptuar se çfarë i është përcaktuar, përderisa njëkohësisht është i ftuar që të mos bëjë kurrë mëkat, vjedhje a diçka tjetër? Këtë përgjigje të qartë All-llahu xhel-le shanuhu ua kthen atyre që arsyetohen me kader edhe në disa vende në Kur’an: “E kur të punojnë vepra të shëmtuara, thonë: “Ne i kemi gjetur prindërit tanë në to, por edhe All-llahu na ka urdhëruar me këtë.” Thuaj: “All-llahu nuk urdhëron të punohen vepra të shëmtuara! Përse flisni për All-llahun atë që nuk e dini?” (El-Araf: 28) Kjo metodë kur’anore e përgjigjes në deklarata të këtilla ka ardhur për të përmirësuar mënyrën e të menduarit dhe të analizimit njerëzor dhe t’u shpjegohet njerëzve se All-llahu xhel-le shanuhu kërkon prej tyre që t’i zbatojnë urdhrat e All-llahu xhel-le shanuhu dhe të shmangen nga ndalesat e Tij, e jo ta hulumtojnë gajbin e fshehur të Tij, që t’i përshtaten atij. Profesor Sejjid Kutbi, duke komentuar ajetin e përmendur, thotë: “Pjesa e dytë e ajetit udhëzon në përmirësimin e mënyrës së mendimit dhe shqyrtimit njerëzor. All-llahu xhel-le shanuhu i ka obliguar ata me urdhra të caktuara, ua ka ndaluar disa gjëra dhe ata me siguri mund të mësojnë për këtë. E, për sa i përket vullnetit dhe përcaktimit të All-llahut xhel-le shanuhu, kjo është gajb (fshehtësi) dhe ata nuk kanë kurrfarë mënyre që ta mësojnë këtë, e atëherë si mund ta perceptojnë këtë? E, nëse nuk e njohin, atëherë si mund të ftohen në të? Ekzistojnë urdhra dhe ndalesa të All-llahut xhel-le shanuhu tërësisht të njohura, atëherë përse ata i braktisin këto informata të sigurta dhe jepen pas supozimeve dhe hamendjeve në një fushë që aspak nuk e njohin? Esenca e këtij problemi është kjo: All-llahu xhel-le shanuhu nuk i ka obliguar njerëzit që të dinë për vullnetin dhe kaderin (përcaktimin) e Tij, që ata t’u përshtaten atyre. Por i ka obliguar që t’i perceptojnë urdhëresat dhe ndalesat e All-llahut xhel-le shanuhu në mënyrë që të veprojnë sipas tyre. E, kur ata përpiqen që ta bëjnë këtë, atëherë All-llahu xhel-le shanuhu i udhëzon dhe ua zgjeron kraharorin që ta pranojnë Islamin. Dhe kjo u mjafton njerëzve për sa i përket kësaj teme, e cila, në këtë mënyrë, bëhet shumë e thjeshtë dhe e qartë, pa kurrfarë paqartësish që paraqiten gjatë diskutimeve të panevojshme lidhur me të. All-llahu xhel-le shanuhu është në gjendje të krijojë njerëz që, sipas natyrës së tyre, të gjithë të bëhen besimtarë, ose t’i detyrojë që të gjithë të besojnë, ose të gjithëve t’ua fusë imanin në zemër dhe që të gjithë ta pranojnë Udhëzimin e Tij. Por, All-llahu xhel-le shanuhu ka dashur diçka krejtësisht tjetër. Ka dashur që t’i sprovojë njerëzit duke i lënë plotësisht të lirë dhe u ka mundësuar ta pranojnë udhëzimin ose lajthitjen. Ai do ta ndihmojë atë që përcaktohet për udhëzim, ndërsa atë që përcaktohet për lajthitje do ta lërë që të devijojë edhe më shumë dhe të verbërohet. Dhe është bërë ashtu siç ka dashur All-llahu xhel-le shanuhu. Pra, çështja është tërësisht e qartë dhe është paraqitur në mënyrën më të lehtë, të cilën mendja e njeriut mund ta kuptojë lehtë. E, për sa i përket diskutimit dhe polemizimit lidhur me këtë çështje, kjo është tërësisht e huaj për etikën dhe stilin e Islamit. Polemika në këtë temë, në cilëndo filozofi dhe religjion, nuk ka rezultuar me ndonjë zgjidhje të kënaqshme, ngase kjo polemikë merret me tematikë që assesi nuk mund t’i nënshtrohet polemizimit e as që i përgjigjet natyrës së saj. Kjo fe ka ardhur në mënyrë që të krijojë një model të caktuar në shoqëri, të cilën e kufizojnë urdhëresat dhe ndalesat e qarta. Prandaj, të drejtuarit nga vullneti i panjohur paraqet labirint nëpër të cilin arsyeja e njeriut bredh pa kurrfarë orienti-mi dhe me humbje kohe, e cila përndryshe do të duhej të shpen-zohej në punë pozitive dhe krijuese.” Prandaj, vëlla i dashur, dije se prej teje kërkohet që t’i kryesh urdhrat e All-llahut xhel-le shanuhu dhe të largohesh nga ndalesat e Tij, para se të bësh çkadoqoftë tjetër. E, pasi e ke bërë ndonjë vepër: nëse ke bërë diçka të mirë, me të cilën All-llahu xhel-le shanuhu është i kënaqur, je i obliguar që ta falënderosh Atë për udhëzimin që ta ka mundësuar, e nëse ke bërë ndonjë mëkat, je i obliguar të pendohesh e t’i kthehesh All-llahut xhel-le shanuhu, pastaj të mbështetesh në All-llahun xhel-le shanuhu duke shpresuar që do të të falë, i bindur në drejtësinë dhe urtësinë e Tij. Duhet ta urresh mëkatimin para se të mëkatosh, në mënyrë që të të shmangë nga mëkati, e nëse megjithatë bën ndonjë mëkat, kjo duhet të të inkurajojë të pendohesh dhe t’i kthehesh All-llahut xhel-le shanuhu. Dhe ta dish se urrejtja jote ndaj mëkateve nuk do të thotë edhe urrejtje e përcaktimit të All-llahut xhel-le shanuhu, por prej teje kërkohet që të urresh atë që urren All-llahu xhel-le shanuhu dhe të duash atë që do Ai. Të jesh i kënaqur me atë që është i kënaqur Zoti yt dhe të hidhërohesh për atë që hidhërohet edhe Ai. Dhe ta dish se All-llahu xhel-le shanuhu nuk e do kufrin, e as që ua lejon atë robërve të Vet dhe nuk e do mëkatin, e as që ua lejon këtë robërve të Vet. All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “Nëse ju e mohoni (Atë), me të vërtetë, All-llahu është i pavarur prej jush, por Ai nuk është i kënaqur me mohimin e robërve të Tij, e është i kënaqur me ju, nëse e falënderoni.” (Ez-Zumer: 7) FSHEHTËSIA E PËRCAKTIMIT TË ALL-LLAHUT XHEL-LE SHANUHU DHE NDALIMI I POLEMIZIMIT RRETH TIJ
Kjo që thamë deri më tani është gjithçka që i mjafton besimtarit të dijë lidhur me kaderin. Atij i mjafton ta dijë domethënien e tij, shkallët e tij dhe të besojë në të. Të besojë se All-llahu xhel-le shanuhu i di të gjitha, i ka krijuar të gjitha dhe se nuk mund të bëhet diçka që nuk e dëshiron Ai. Se Ai është i Drejtë dhe askujt nuk ia bën të padrejtën, se është i Mençur dhe se nuk i përket marrëzia. Kjo tematikë nuk kërkon nga besimtari asgjë më tepër. Sepse All-llahu xhel-le shanuhu na ka shpjeguar atë që e ka ditur se është e mjaftueshme për ne, e askujt nuk i është e lejuar të gjurmojë atë që All-llahu xhel-le shanuhu ka fshehur prej nesh, ngase atëherë do të përçaheshim dhe kështu do të shkatërroheshim. Arsyeja jonë është e kufizuar. All-llahu xhel-le shanuhu e ka krijuar atë në mënyrë që të udhëheqim në këtë botë, e jo që ta zbulojmë fshehtësinë (gajbin), të cilën nuk e di askush tjetër përveç All-llahut xhel-le shanuhu. Një nga këto (gajb) tema është edhe raporti ndërmjet krijimit të veprave njerëzore nga ana e All-llahut xhel-le shanuhu dhe vullnetit njerëzor në realizimin e atyre veprave. Kjo nuk është e vetmja temë e gajbit, esencën e së cilës arsyeja e njeriut nuk është në gjendje ta kuptojë. Ne mund të perceptojmë, bie fjala, vetëm shenjat e cilësive të All-llahut xhel-le shanuhu, e nuk jemi në gjendje të perceptojmë esencën e tyre, siç është rasti me qenien e All-llahut xhel-le shanuhu, të cilën arsyeja njerëzore nuk është në gjendje ta kuptojë. Për këtë arsye, Resulull-llahu alejhis-selam e ka ndaluar polemizimin rreth kaderit dhe shqyrtimin më të thellë të tij. Imam Ahmedi transmeton, me senedin e vet, nga Amër b. Shu’ajbi, i cili transmeton nga babai i tij, e ky nga gjyshi i tij, i cili thotë: “Një ditë, Resulull-llahu kishte hasur njerëzit duke diskutuar rreth kaderit, e atij sikurse t’i kishte shpërthyer zjarri në fytyrë, aq tepër u skuq nga hidhërimi, e pastaj u tha: “Ç’është kjo me ju? A mos vallë do të lejoni që një pjesë të Librit ta hidhni poshtë me pjesën tjetër? Për këtë shkak janë shkatërruar ata që kanë qenë para jush.” Një njeri erdhi tek Aliu radijAll-llahu anhu dhe e pyeti për kaderin, e Aliu radijAll-llahu anhu u përgjigj: “Rrugë e errët, andaj mos u nis drejt asaj.” Ai e përsëriti pyetjen, e Aliu radijAll-llahu anhu u përgjigj: “Det i thellë, andaj mos hy në të.” Ai përsëri pyeti, e Aliu radijAll-llahu anhu tha: “Fshetësi e All-llahut xhel-le shanuhu, andaj mos u mundo ta perceptosh atë.” Sa të bukura janë fjalët e Tahaviut, i cili thotë: “Kaderi, në esencën e vet, është fshehtësi e All-llahut xhel-le shanuhu në vetë krijesat e Tij, të cilën askush nuk është në gjendje ta perceptojë, as engjëlli më i zgjedhur, e as cilido nga Pejgam-berët e All-llahut xhel-le shanuhu. Debatimi dhe shqyrtimi i tij është shkak i shkatërrimit, është punë e ndaluar dhe tejkalim i kufijve. Prandaj, ruhuni mirë nga çdo diskutim, meditim dhe pyetje rreth tij, ngase All-llahu xhel-le shanuhu e ka fshehur diturinë e kaderit nga krijesat e Veta dhe e ka ndaluar hulumti-min e tij. All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “Nuk do të pyetet (Ai) për atë që punon, e ata do të jenë të pyetur.” (El-Enbija: 23) Prandaj, ai që pyet: Përse All-llahu xhel-le shanuhu ka bërë diçka?, ai i ka shkelur Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu. E kush e bën këtë, është bërë jobesimtar. Ja, kjo është shkurtimisht e tërë ajo që i nevojitet robit të sinqertë të All-llahut xhel-le shanuhu, zemra e të cilit është e ndriçuar me nur. Kjo është grada e shumë të njohurve, ngase ekzistojnë dy lloj ilmesh (diturish): dituria që ekziston mes njerëzve dhe dituria që nuk ekziston mes tyre. Mohimi i diturisë që ekziston është kufër. Ndërsa konfirmimi, se njihet dituria që nuk ekziston, është po ashtu kufër. Dhe imani nuk do t’i pranohet askujt derisa ta pranojë diturinë ekzistuese dhe përderisa nuk flaket hulumtimi për diçka që nuk ekziston.” NDIKIMI I BESIMIT NË KADER NË JETËN E MUSLIMANIT
Feja islame bazohet në dorëzimin e plotë ndaj urtësisë së All-llahut xhel-le shanuhu dhe vullnetit të Tij dhe në pranimin e urdhrave dhe ndalesave të Tij, pa hulumtim të hollësishëm të mençurisë së All-llahut xhel-le shanuhu në tërë këtë. Pra, ashtu siç kanë vepruar as’habët e Resulull-llahut alejhis-selam, ngase Islami nuk mund të përforcohet me asgjë tjetër përveçse me devotshmëri. Shenja e parë e pranimit të diçkaje është besimi në të, e pastaj kalimi sa më shpejtë në zbatimin e saj. Të këtillë kanë qenë as’habët e Resulull-llahut alejhis-selam. Kanë pasur edukim të një shkalle jashtëzakonisht të lartë ndaj Zotit të tyre dhe ndaj Pejgamberit të Tij. Ibni Abbasi radijAll-llahu anhu thotë për ta: “Kurrë nuk kam parë njerëz më të mirë se as’habët e Resulull-llahut alejhis-selam. Ata kanë bërë vetëm trembëdhjetë pyetje gjatë jetës së tij.” Lidhur me kaderin janë në pajtim të gjithë as’habët, tabi’inët dhe të gjithë pasuesit e Ehli Sunnetit dhe Hadithit. Janë në pajtim se çdo gjë që do të ndodhë deri në Ditën e Kiametit është e shkruar në Lehui Mahvudh. Transmetohet se Ibni Dejlemi ka thënë: “Vajta tek Ubej bin Ka’bi e i thashë: “Unë po ndiej në vetvete diçka të pakëndshme rreth kaderit, andaj të lutem më thuaj diçka për të. Shpresoj se All-llahu xhel-le shanuhu do të bëjë që kjo ndjenjë ta braktisë zemrën time.” Ai më tha: “Sikur të donte All-llahu xhel-le shanuhu që t’i ndëshkonte të gjithë banorët e Tokës dhe të qiejve, Ai këtë do ta bënte dhe askujt nuk do t’i shkaktonte padrejtësi, e nëse i mëshiron ata, mëshira e Tij do të jetë për ta më e mirë se veprat e tyre. Sikur të japësh për sadaka ar sa është kodra e Uhudit, All-llahu xhel-le shanuhu nuk do ta pranonte këtë derisa të besosh në kader dhe derisa të kuptosh se asaj që të ka ndodhur assesi nuk ke mundur t’i shmangesh. E, nëse vdes me çfarëdo bindje tjetër lidhur me këtë çështje, do të hysh në Xhehenem.” Ibni Dejlemi thotë: “Pastaj vajta tek Ibni Mes’udi, e ai ma tha të njëjtën gjë. Pastaj vajta tek Zejd bin Thabiti, e ai ma tregoi hadithin e Resulull-llahut alejhis-selam me këtë kuptim.” Transmetohet nga Ubade bin Samiti radijAll-llahu anhu se, para se të vdesë, i ka thënë birit të vet: “O biri im! Ti nuk do ta shijosh ëmbëlsinë e imanit të vërtetë derisa të dish se nuk ke mundur të shpëtosh nga ajo që të ka ndodhur dhe as që mund të të ndodhë diçka që të është shmangur. Unë e kam dëgjuar Resulull-llahun alejhis-selam duke thënë: “Gjëja e parë që ka krijuar All-llahu xhel-le shanuhu ka qenë pena, së cilës i ka thënë: “Shkruaj!” Pena tha: “O Zoti im, çka të shkruaj?” “Shkruaj tërë atë që do të ndodhë gjer në Ditën e Kiametit”, - tha All-llahu.” O biri im, e kam dëgjuar Resulull-llahun alejhis-selam duke thënë: “Ai që vdes dhe nuk ka besuar në këtë, ai me mua nuk ka asgjë.” Kjo bindje ka pasur ndikim të madh tek as’habët e Resulull-llahut alejhis-selam. Ata janë shpërndarë nëpër vise të ndryshme të tokës duke mbartur me vete besimin në kader, ashtu siç i ka mësuar Resulull-llahu alejhis-selam, i cili me një rast i pat thënë Ibni Abbasit radijAll-llahu anhu”O djalosh! Ki kujdes për All-llahun e edhe Ai do të kujdeset për ty. Kujdesu për All-llahun, e do ta gjesh para vetes. Nëse do ta pyesësh dikë, pyete All-llahun, e nëse prej dikujt duhet të kërkosh ndihmë, kërko prej All-llahut. Dhe dije mirë se, sikur e tërë bota do të mblidhej për të të ndihmuar, nuk do të mund të të ndihmonin, përveçse me atë që All-llahu xhel-le shanuhu tanimë ta ka caktuar. E sikur të mblidhe-shin për të të dëmtuar, nuk do të mund të të dëmtonin me asgjë tjetër, përveçse me atë që të ka caktuar All-llahu. Penat kanë mbaruar së shkruari dhe ngjyra tanimë është tharë.” Kjo bindje i ka mbushur zemrat e tyre me qetësi dhe stabilitet dhe i ka edukuar në krenari. Prandaj, mendjet e tyre kanë qenë të matura ndërkohë që vizitonin vende të ndryshme të botës duke ia interpretuar këtë fe tërë njerëzimit. Ata i kanë konsideruar të parëndësishme dhe të pavlefshme të gjitha fuqitë botërore para imanit të tyre në përcaktimin e All-llahut xhel-le shanuhu. Selman El-Farisi është pyetur: “Çfarë thonë njerëzit kur bëhen besimtarë për përcaktimin e së mirës dhe së keqes nga ana e All-llahut xhel-le shanuhu?” Ai është përgjigjur: “Kur të besosh në kader, bëhesh i vetëdijshëm se nuk ka mundur të të ndodhë ajo që të ka shpëtuar, e as të të shmanget ajo që të ka ndodhur.” Këto nuk kanë qenë vetëm fjalët e Selmanit, por fjalët e të gjithë as’habëve të Resulull-llahut a.s. Çfarë fatbardhësie i sjell njeriut kjo bindje dhe çfarë heroizmi përmbajnë zemrat që kanë besuar se çdo gjë gjendet në duart e All-llahut xhel-le shanuhu, ndërsa njerëzit nuk zotërojnë asgjë! Të gjitha fuqitë e kësaj bote nuk janë në gjendje ta ndalin një njeri që ka këtë bindje dhe këtë iman. Shikuar vetëm në këtë mënyrë, mund të arrijmë gjer te sqarimi i vërtetë për veprat kolosale që ka bërë imani përmes atij grupi të vogël njerëzish, që janë nisur për ta interpretuar këtë fe në botë. Këto janë vepra të cilat i ngjasojnë mrekullirave, por janë megjithatë të vërteta. Të gjitha këto vepra kolosale, të cilat i ka realizuar Resulull-llahu alejhis-selam me as’habët e tij fisnikë, janë fryt i imanit të tyre në All-llahun xhel-le shanuhu, në botën e ardhshme dhe në përcaktimin e All-llahut xhel-le shanuhu. Vetëm njeriu që është i lumtur duke i besuar kaderit, i cili e di se nuk ka mundur të shpëtojë nga ajo që i ka ndodhur dhe e di se, edhe sikur e tërë bota të bashkohej, nuk do të mund të bënte asgjë përveç asaj që All-llahu xhel-le shanuhu ka caktuar, dhe ai që e di se asnjë njeri nuk do të vdesë derisa ta harxhojë tërësisht nafakën e vet dhe ditët e jetës së vet, me të vërtetë, vetëm një njeri i tillë lirohet tërësisht nga robëria ndaj njerëzve dhe kalon në robërimin ndaj Zotit të njerëzve. Sepse, si mund t’i përulet balli i tij çfarëdo fuqie qoftë në sipërfaqe të tokës duke e ditur se çdo gjë gjendet në duart e Krijuesit të qiejve dhe të Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet në to dhe mes tyre? Si mund t’i nënshtrohet robit nga pluhuri? Ibni Rexhebi rahimehullahu te’ala thotë: “Ai i cili është bindur se çdo krijesë në tokë është pluhur (dhe), ai e di se edhe vetë është pluhur. Atëherë, si mund t’i japë përparësi atij i cili është nga pluhuri kundrejt Sunduesit të të gjithë sunduesve? Ose, si mund ta bëjë të kënaqur dikë tjetër në llogari të hidhërimit të Sunduesit të Gjithëmbarshëm? Me të vërtetë, kjo është gjë tejet e çuditshme.” Kjo bindje çrrënjos çdo simptomë paburrërie (frike) nga zemra në të cilën gjendet kjo dhe pronarin e saj e inkurajon për xhihad kundër jobesimtarëve dhe zullumqarëve, pa marrë para-sysh mjetet dhe metodat e tyre, çfarëdo që të jenë ato. E, përse të lodhet duke menduar për ta, duke qenë se Krijuesi dhe Furnizuesi i tij i ka garantuar se do ta harxhojë çdo atom të nafakës së vet para se t’i vijë çasti? E, përse të frikohet kur është i vetëdijshëm se me siguri do t’i ndodhë ajo që i është caktuar, ndërsa ajo që nuk i është caktuar kurrë nuk do t’i ndodhë. Sa bukur e ka thënë këtë shkrimtari me këto fjalë: “Prej cilës ditë të vdekjes sime të iki? Nga dita që më është caktuar, apo nga dita që nuk më është caktuar? Ditës që nuk më është caktuar nuk i frikësohem, E përcaktimit nuk mund t’i ikë madje as njeriu më i kujdesshëm.” Njeriu që beson në kaderin e All-llahut xhel-le shanuhu, gëzon edhe një dhunti, me të cilën nuk i janë të barabarta të gjitha dhuntitë e tjera të kësaj bote, e kjo është lumturia në të gjitha situatat. Ngase njeriu i tillë e di se përcaktimet e All-llahut xhel-le shanuhu zhvillohen sipas urdhrit të Tij, vullnetit dhe rregullit të Tij, se ngjarjet ndodhin si fryt i urtësisë dhe i dëshirës së Tij, e Ai e di e njerëzit nuk e dinë. All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “Mund ta urreni një gjë, por ajo është e mirë për ju; e mund ta doni një gjë, por ajo është e dëmshme për ju - All-llahu e di e ju nuk e dini.” (El-Bekare: 216) Pra, shpirti i mu’minit e di se Ai i Cili e ka caktuar të mirën dhe të keqen është i urtë dhe i mëshirshëm, prandaj nuk do të krenohet në mirëqenie as që do ta humbasë shpresën në vështirësi. Ai i është mirënjohës All-llahut xhel-le shanuhu në të mirë dhe i durueshëm në vështirësi, prandaj çdo gjë që i ndodh është e mirë për të. Siç na shpjegon Resulull-llahu alejhis-selam: “Sa i çuditshëm është shembulli i besimtarit! Çdo situatë në të cilën gjendet është hajr për të, e ky nuk është rasti me askë tjetër vetëm se me besimtarin: Nëse i ndodh ndonjë gëzim, ai falënde-ron për të, andaj shpërblehet për këtë, e nëse ndodhet në ndonjë vështirësi, ai është i durueshëm, e edhe për këtë shpërblehet.” Besimtari e sheh vështirësinë dhe e di se ajo ka ardhur sipas përcaktimit të All-llahut xhel-le shanuhu, andaj qetësohet dhe e pranon atë, me kënaqësi, bëhet edhe më i njerëzishëm e as që i bie ndërmend që t’i ankohet Zotit dhe Krijuesit të vet. Shikon pasojat e vështirësisë dhe e di se do të jetë i shpërblyer për këtë, prandaj kënaqet me të dhe duron. Te Buhariu dhe Muslimi thuhet se Resulull-llahu alejhis-selam ka thënë: “Në sprovimin më të madh me mynxyra janë Pejgamberët, e pastaj atë të cilët i pasojnë sipas cilësisë të tyre. Njeriu sprovohet në përputhje me imanin e tij. E, nëse e ka imanin e fortë, do të sprovohet varësisht nga fortësia e imanit të tij, e nëse ka iman të dobët, sprovimet do t’i ketë më të lehta. Në këtë mënyrë sprovimet do t’i vijnë njeriut pandërprerë derisa të pastrohet plotësisht dhe të ecë nëpër tokë pa kurrfarë mëkatesh.” Ibni Kajjumi e ka thënë këtë në mënyrë shumë të mirë: “Nëse të ndodh ndonjë vështirësi, bëhu i durueshëm ndaj saj, Me durim të Bujarit, sepse Ai ndaj teje është edhe më bujar. E nëse i ankohesh të birit të Ademit, atij që mëshirë nuk ka, je ankuar kundër Mëshiruesit.” Alkame radijAll-llahu anhu i komenton Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu: “Nuk ngjan kurrfarë fatkeqësie pa lejen e All-llahut, e ai që i beson All-llahut, Ai ia udhëzon (në rrugë të drejtë) zemrën e tij. All-llahu di mirë çdo gjë.” (El-Tegabun: 11), e thotë: “Ky është njeriu i cili, kur t’i ndodhë ndonjë fatkeqësi, e di se ajo është nga All-llahu xhel-le shanuhu, andaj është i kënaqur me të dhe i dorëzohet dëshirës së All-llahut xhel-le shanuhu.” Ndërsa Ibni Abbasi thotë: “All-llahu xhel-le shanuhu do t’ia udhëzojë zemrën atij në jekin (bindje të fuqishme), andaj do të kuptojë se nuk ka mundur t’i largohet ajo që i ka ndodhur, e as që nuk ka mundur t’i ndodhë ajo që i ka shpëtuar.” Nën hijen e këtij konceptimi janë ngritur as’habët radijAll-llahu anhum, janë lartësuar shpirtrat e tyre dhe është forcuar ndërgjegjja e tyre, deri në ato përmasa, saqë tek ata është barazuar fatkeqësia me gëzimin dhe se falënderimi (shukri) dhe durimi (sabri) janë bërë të njëjtë, siç thotë Umeri radijAll-llahu anhu: “Sikur sabri dhe shukri të ishin dy deve, unë assesi nuk do të mërzitesha se në cilën do të hipja. ”Ebu Muhammed El-Hariri thotë: “Sabri është të mos bësh dallim mes shpërblimit dhe sprovimit, me qetësi të plotë në të dy rastet.” Imam Ahmedin e kanë pyetur se a mund të bëhet zahid njeriu me njëqind dinarë. E është përgjigjur: “Mundet, por me kusht që të mos gëzohet nëse ato i shtohen dhe që të mos hidhërohet nëse i pakësohen.” E njëri prej selefëve ka thënë: “Zahid është ai falënderimin (shukrin) e të cilit nuk mund ta kalojnë begatitë, e as mynxyrat durimin e tij.” Umer bin Hattabi radijAll-llahu anhu i ka shkruar letër Ebu Musa El-Esh’ariut, ku thuhej: “Dije se e tërë e mira është në kënaqësi. E nëse mundesh, bëhu i kënaqur, e nëse jo, atëherë bëhu i durueshëm.” Ibni Ata thotë: “Kënaqësia është qetësia e zemrës në atë që All-llahu xhel-le shanuhu që moti i ka zgjedhur robit të Vet dhe bindja se Ai ka zgjedhur për të më të mirën.” Sabri është vaxhib, sipas mendimit të ulemasë islame. E më shumë se kjo është kënaqësia me përcaktimin e All-llahut xhel-le shanuhu. Për kënaqësinë disa nga ulemaja thonë se është vaxhib, e disa të tjerë se është mustehabb, e të gjithë janë të një mendimi se nuk është nën mustehabb. Ndërsa themeli i kënaqësisë është besimi në përcaktimin e All-llahut xhel-le shanuhu dhe vetëdija për mëshirën e All-llahut xhel-le shanuhu ndaj njerë-zve, siç kemi thënë edhe më parë. Abdul Vahid bin Zejdi thotë: “Kënaqësia (ridaluk) është porta më e madhe e All-llahut xhel-le shanuhu - xhenet i dynjallëkut dhe pushim. Pronarët e shkallëve të kënaqësisë përherë shikojnë shpërblimin e Atij që i sprovon ata dhe e dinë se Ai ua ka zgjedhur këtë dhe janë të sigurtë se është e pamundur që Ai të gjykojë padrejtësisht. Ndonjëherë, të kapluar nga kënaqësia me kaderin, as që e ndiejnë dhembjen e sprovimit të caktuar. Ndonjëherë i kaplon madhështia dhe lartësia e Atij që i sprovon ata dhe tërësisht zhyten në ato ndjenja, kështu që nuk ndiejnë dhembje aspak. Përkundrazi, ndoshta edhe ndiejnë ëmbëlsi për shkak të vetëdijes së tyre, se ajo u ka ardhur nga Ai i Cili i do ata.” Dije se kënaqësia dhe durimi, që janë rezultat i imanit në kader, kanë të bëjnë me kënaqësinë ndaj mynxyrave dhe fatkeqësive që u ndodhin njerëzve dhe me durimin në kryerjen e urdhrave të All-llahut xhel-le shanuhu, pastaj me shmangien nga mëkatet dhe gjërat e tjera të qortuara. Këtu nuk mendohet për kënaqësinë në kufër dhe në mëkate, as për kthimin nga urdhrat e All-llahut xhel-le shanuhu, e as për sabrin në poshtërim dhe kob. Sepse, All-llahu xhel-le shanuhu nuk është i kënaqur me kufrin, me mëkatimin dhe me poshtërimin e robërve të Vet. Prandaj, kënaqësia jote le të jetë në harmoni me kënaqësinë e Zotit tënd, durimi yt në kryerjen e urdhrave të All-llahut xhel-le shanuhu dhe në flijimin në rrugën e Tij. Kënaqësia me përcaktimin e All-llahut xhel-le shanuhu, durimi gjatë sprovimeve dhe bindja në drejtësinë e përcaktimit të All-llahut xhel-le shanuhu janë themelet më të rëndësishme ku bazohet lumturia njerëzore. Këto janë motivet më të fuqishme për lëvizjen e tërë fuqisë njerëzore në harmoni me dispozitat e All-llahut xhel-le shanuhu. Në këtë rast nuk ekziston kthimi mbrapa, nuk ekziston ngecja për shkak të pikëllimit dhe pendimit, e as “sikur të ishte kështu e kështu, do të bëhej kështu e kështu”, por “All-llahu xhel-le shanuhu e ka përcaktuar dhe ka bërë çka ka dashur Vetë”. Në këtë bindje prehet qetësia e zemrës dhe rehatia e trupit, e shpirtit dhe e mendjes, zhdukja e brengave etj. Para-ndaj nuk ka thyerje psikike, tendosje nervash dhe skizofreni abnormale, por kënaqësi, qetësi, lumturi, pushim, ëmbëlsi të bindjes së fuqishme, shkarkim të ndërgjegjes, zemërgjerësi dhe siguri totale në mëshirën dhe drejtësinë e All-llahut xhel-le shanuhu, në diturinë dhe urtësinë e Tij të gjithëmbarshme, sepse Ai është mbrojtës, strehim dhe vetëm prej Tij kërkohet ndihmë nga dyshimet dhe mendimet e këqija. Besimi në kader nxjerr rezultate kolosale në jetën tokësore të njeriut. Ato shoqëri që e kanë lënë pas dore këtë bindje nuk kanë iman në All-llahun xhel-le shanuhu dhe në udhëheqjen e Tij, lidhur me jetën dhe qeniet e gjalla, ato në ahiret do të jenë në zjarr të përhershëm dhe në vuajtje të rënda ndërsa në këtë botë do të jenë me fat të humbur, me mendje të shkatërruara, me jetë plot brenga dhe gjithnjë të tendosur, siç e shpjegon këtë All-llahu xhel-le shanuhu ne ajetin vijues: “... e kush e pason udhëzimin Tim, nuk do të humbë (në këtë botë) as që do të jetë fatkeq (në botën tjetër) E, ai që shmanget nga Libri Im, ai do të ketë jetë të vështirë dhe Ne në Ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër.” (Ta Ha: 123-124) BESIMI NË KADER NUK BIE NË KUNDËRSHTIM ME PUNËN E BAZUAR NË SHKAQE DHE NË PASOJA
Nuk guxojmë të harrojmë se jemi të urdhëruar që të punojmë në pajtim me ligjshmëritë e shkaqeve dhe pasojave, të cilat All-llahu xhel-le shanuhu i ka caktuar në botë, së bashku me teuekulin (mbështetjen) në All-llahun xhel-le shanuhu dhe me iman se çdo gjë është në duart e Tij, pastaj me bindje se shkaqet nuk japin pasoja, vetëm se me lejen e All-llahut xhel-le shanuhu. Ai i Cili i ka krijuar shkaqet, i ka krijuar edhe pasojat dhe rezulta-tet. Prandaj, ai i cili dëshiron pasardhës të edukuar është i detyruar të punojë sipas këtij plani dhe t’i zbatojë shkaqet që do të sjellin deri aty. Duhet të martohesh, e kjo martesë mund të sjellë pasardhës, por mund edhe të mos sjellë, në pajtim me vullnetin e të Gjithëfuqishmit e të Urtit dhe me dëshirën e Mëshirëplotit e të Gjithëdijshmit: “I All-llahut është pushteti mbi qiej dhe mbi Tokë. Ai krijon çka të dojë! Ai, i dhuron kujt të dojë vajza, e kujt të dojë i dhuron djem, ose u dhur-on dy gjinitë: djem e vajza, e kë të dojë e bën steril Ai, në të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i Pushtetshëm.” (Esh-Shura: 49-50) Prandaj muslimani e ka të ndaluar të mos e përfillë punën në pajtim me ligjshmëritë e shkaqeve dhe pasojave. Kështu, sikur njeriu ta linte pas dore punën për përfitimin e nafakës, do të ishte mëkatar, edhe pse nafaka është në dorën e All-llahut xhel-le shanuhu. Resulull-llahu alejhis-selam shpjegon se shkaqet e lejuara gjithashtu janë nga kaderi, e kur i është thënë: “Ç’thua për këndimin e Kur’anit me qëllim shërimi dhe kurimit me mjekësi? A e ndërrojnë këta përcaktimin e All-llahut xhel-le shanuhu?” Ai është përgjigjur: “Ata janë pjesë të kaderit të All-llahut xhel-le shanuhu.” Prandaj, të merren parasysh vetëm shkaqet dhe të konsiderohet se vetëm ato ndikojnë në pasojat është shirk në teuhid, ndërsa mospërfillja e shkaqeve dhe mohimi se ato janë shkaqe është mangësi në mendje. Kurse, devijimi nga shkaqet, të cilat na janë të urdhëruara me sheriat, është përdhosje e sheriatit. Prandaj, All-llahu xhel-le shanuhu e ka urdhëruar shërimin. Autorët e koleksioneve të hadithit (sunenit) transmetojnë nga Usame bin Sheriku se ka thënë: “Vajta te Resulull-llahu alejhis-selam, e me të ishin as’habët, të cilët dëgjonin aq me kujdes, sikur të kishin shpezë në koka (e frikohen që me lëvizje do t’i trembnin). Dhashë selam dhe u ula. Erdhën beduinët nga krahinat e ndryshme, e pyetën: “O i Dërguari i All-llahut, a duhet të mjekohemi?” Ai u përgjigj: “Mjekohuni, sepse All-llahu xhel-le shanuhu nuk e ka dhënë asnjë sëmundje e që për të të mos ketë dhënë edhe ilaçin, përveç një sëmundjeje - pleqërisë.” Te Buhariu dhe Muslimi qëndron se Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu ka thënë: “Resulull-llahu alejhis-selam ka thënë: “All-llahu xhel-le shanuhu nuk ka dhënë asnjë sëmundje, e që për të të mos ketë dhënë ilaç.” Duke u bazuar në këtë hadith, fakihët (njohësit e fikhut) islamë konsiderojnë se mjekimi është i dëshirueshëm (i preferuar), e disa konsiderojnë se është vaxhib. Komentuesi i akaidës së Tahaviut thotë: “Disa njerëz mendojnë se mbështetja në All-llahun xhel-le shanuhu bie në kundërshtim me përfitimin e nafakës dhe me hulumtimin e shkaqeve dhe se, nëse gjërat janë caktuar që më parë, atëherë nuk është nevoja të ketë shkaqe. Kjo gjithsesi është gabim, sepse puna është farz (detyrim), mustehabb (e rekomanduar), mubah (e lejuar) ose mekruh (e papëlqyer) dhe haram (e ndaluar). E, Resulull-llahu alejhis-selam, muteuakkili më i madh, e ka vënë helmetën gjatë luftës dhe ka vajtur në treg për të fituar diçka.” Në këtë mënyrë edhe as’habët e kanë kuptuar raportin ndërmjet kaderit dhe punës dhe se kjo e dyta hyn në besimin në kader, e nuk i kundërvihet atij, por kjo rezulton nga besimi në kader. Buhariu transmeton nga Umeri radijAll-llahu anhu, se gjatë hyrjes në Sham e kanë pritur paritë e krahinave dhe e kanë informuar se atje është paraqitur murtaja. Atëherë ai u konsultua me muhaxhirë dhe ensarë, e pastaj me muhaxhirët para çlirimit të Mekës dhe me disa kurejshitë dhe muhaxhirët u pajtuan që të kthehen, në mënyrë që të largohen nga murtaja, dhe Umeri kështu edhe urdhëroi. Atëherë Ebu Ubejde i tha: “A mos vallë duhet të ikim nga përcaktimi i All-llahut xhel-le shanuhu?” Umeri u përgjigj: “Eh..., sikur ta thoshte këtë dikush tjetër, o Ebu Ubejd! Të ikim nga përcaktimi i All-llahut në përcaktimin e All-llahut. Çfarë mendon, sikur ta kishe një grigjë devesh që ka arritur në një luginë me dy anë: njëra e plleshme, ndërsa tjetra e shkretë, e sikur ta kullotje në anën e plleshme a do ta bëje këtë sipas kaderit, apo sikur ta kullotje në anën e shkretë a do të punoje edhe tani sipas kaderit?” Gjithashtu Umeri radijAll-llahu anhu ka qortuar një grup njerëzish nga Jemeni, të cilët udhëtonin për në haxh pa ushqim. Mu’aviu bin Kurre thotë: “Umeri radijAll-llahu anhu i takoi njerëzit nga Jemeni dhe i pyeti: - Kush jeni ju? Ata u përgjigjën: - Ne jemi muteuakkilunë (të cilët mbështeten në All-llahun). Përkundrazi, ju jeni muteakilunë (ata që presin që t’i ushqejë dikush tjetër), kurse muteuakkil është ai i cili e mbjell farën në tokë e pastaj mbështet tek All-llahu. Ibni Kajjum El-Xhevziu thotë: “Teuhidi i vërtetë nuk do të jetë i plotë te njeriu përderisa nuk punon duke u mbështetur në shkaqe të cilat i ka vënë All-llahu xhel-le shanuhu. Ndërsa mos-përfillja e tyre është shkelje e vet teuakulit. Kurse lënia pas dore e tyre është dobësi që i kundërvihet teuakulit islam, që do të thotë mbështetje me zemër në All-llahun xhel-le shanuhu për arritjen e asaj që do t’i bëjë dobi edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër dhe që do ta mbrojë nga ai që i bën dëm fesë së tij dhe dynjallëkut. Krahas teuakulit puna është e domosdoshme, sepse, në të kundërtën, do të ndyhej urtësia All-llahut xhel-le shanuhu dhe Ligji (Sheriati) i tij. Prandaj njeriu dobësinë e vet nuk do ta bëjë teuakul, e as teuakulin dobësi.” Ndërsa Sehël bin Abdull-llahu ka thënë: “Kush e mohon punën, e ka mohuar Sunetin, e kush e mohon teuakulin, e ka mohuar imanin. Sepse, teuakuli është ajkë e Resulull-llahut alejhis-selam, ndërsa puna është Suneti i tij, e kush punon sipas ajkës së tij, ai nuk e braktis Sunetin e tij.” Marrë nga libri: EL-IMAN: ERKÂNUHU HAKIKATUHU NEVAKIDUHU Autori i librit: Dr. Muhammed Jasin
|