|
Dijetarët islam thonë se Kurani është fjalë e Allahut subhanehu we teala e cila nuk është e krijuar, kudo që lexohet apo shënohet. Nuk lejohet të thuhet kur njeriu lexon Kuran se leximi i tij është i krijuar, sepse ai lexon fjalën origjinale të shpallur nga Allahu subhanehu we teala, gjegjësisht Kuranin
Besimi i Ehlis-Sunetit për Kuranin
Kurani që i është shpallur Muhammedit, salallahu alejhi we selem, është i njëjti Kuran të cilin muslimanët e lexojnë dhe e shkruajnë në mushafët e tyre.
Kurani është fjala e Allahut subhanehu we teala dhe i askujt tjetër, edhe nëse njerëzit e lexojnë dhe ua dërgojnë atë njerëzve me lëvizjet dhe zërat e tyre. Fjala i takon atij i cili e ka artikuluar përmbajtjen e asaj fjale për herë të parë, e jo atij që atë fjalë e transmeton apo e dorëzon, Allahu subhanehu we teala thotë:
E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që ti dëgjojë fjalët e All-llahut (Kuranin), e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt... (Et-Teube, 6)
Ky Kuran gjendet në Librin e ruajtur, siç thotë Allahu subhanehu we teala:
Përkundrazi, (ata që gënjejnë), ai është Kuran i famshëm. Në një pllakë të ruajtur mirë (në Lehvi Mahfudhë). (El-Buruxh, 21-22)
Se me të vërtetë ai është Kuran i famshëm, Është në një libër të ruajtur. (El-Vakia, 77-78)
Kurani është fjala e Allahut subhanehu we teala, e shprehur në shkronja, domethënie të vet dhe me radhitje. Të kuptuarit e shprehjeve kuranore është më i mirë, sesa vetëm të mësuarit e tij përmendësh.
Ebu Bekri dhe Omeri, radijallahu anhum, kanë thënë: Më shumë duam ta kuptojmë Kuranin, se sa ta mësojmë përmendësh.
Nëse muslimanët e regjistrojnë Kuranin në mushafë pa i vokalizuar ajetet, kjo lejohet. Sahabët e Pejgamberit, salallahu alejhi we selem, e kanë regjistruar Kuranin pa kurrfarë vokalizimi. Kjo ka ndodhur sepse kanë qenë arabë dhe e kanë folur gjuhën letrare të Kuranit. Pikërisht këta mushafë i ka përhapur Othmani, radijallahu anhu, nëpër vendet islame në kohën e tabiinëve. Pas kësaj, është përhapur dialekti (në mesin e arabëve) dhe kështu ajetet kuranore janë vokalizuar me ngjyrë të kuqe. Një pjesë e dijetarëve këtë e kanë gjykuar menjëherë, duke e konsideruar si risi, ndërsa disa të tjerë e kanë lejuar për shkak të nevojës që është paraqitur. Më e drejtë është se në të nuk ka kurrfarë dëmi, përkundrazi, dobia e saj është më se e dukshme.
Prej këtej rrjedh edhe konfirmimi i vërtetësisë së fjalëve të Pejgamberit, salallahu alejhi we selem, i cili ka thënë:
Me të vërtetë Allahu flet me zë (i cili dëgjohet). (Transmeton Buhariu)
...dhe do ta thërrasë Ademin alejhi-selam me zë. (Transmeton Buhariu)
Ky është besimi i selefu-salihut nga ky umet dhe besimi i të gjithë imamëve të cilët e kanë pasuar drejt Sunetin e Pejgamberit, salallahu alejhi we selem.
Dijetarët islam thonë se Kurani është fjalë e Allahut subhanehu we teala e cila nuk është e krijuar, kudo që lexohet apo shënohet. Nuk lejohet të thuhet kur njeriu lexon Kuran se leximi i tij është i krijuar, sepse ai lexon fjalën origjinale të shpallur nga Allahu subhanehu we teala, gjegjësisht Kuranin. Por nuk duhet thënë se ai lexim nuk është i krijuar, sepse në të hyjnë veprimet e njeriut, e dihet se ato janë të krijuara. Askush nga gjeneratat e para të islamit nuk ka thënë se zërat e njerëzve me të cilat lexohet Kurani janë të hershëm. Përkundrazi, selefus-salihu i ka mohuar fjalët e atyre që kanë thënë se të folurit e njerëzve në të cilin ka Kuran nuk është i krijuar.
Sa i përket atyre që thonë se ngjyra me të cilën janë regjistruar fjalët e Allahut subhanehu we teala është e përhershme, këta janë të padijshmit më të mëdhenj të Sunnetit. Allahu subhanehu we teala thotë:
Thuaj: Sikur të ishte deti ngjyrë për ti shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundojnë fjalët e Zotit tim, e edhe sikur të sillnin shtesë edhe një si ai (deti). (El-Kehf, 109)
Po ashtu, kush shton diçka në Sunet dhe thotë se shprehjet e njerëzve janë të përhershme, atëherë ai është shpikësi më i humbur. Është i njëjtë me ata që e mohojnë Sunetin duke thënë se Allahu subhanehu we teala nuk flet as me shkronja e as me zë. Përkundër këtyre, ata të cilët flasin se letra, lëkura dhe pjesa e gurit është fjalë e Allahut subhanehu we teala, janë të njëjtë si ata që thonë se Allahu subhanehu we teala nuk ka folur nëpërmjet Kuranit dhe se Kurani nuk është fjala e Tij. Ky teprim në vërtetim është njësoj si teprimi në mohim. Këto dy teprime janë jashtë suazave të Sunetit dhe xhematit.
Detyrim është të thuhet se ky Kuran në gjuhën arabe është fjala origjinale e Allahut. Këtu hyjnë shkronjat e Kuranit dhe domethënia e tyre. Vërtetojmë se ajo që ndodhet në mushafë prej faqes së parë e deri në faqen e fundit është Kuran, pa marrë parasysh se a është i vokalizuar si sot, apo është i pavokalizuar si në kohën e sahabëve. Nuk lejohet që ndër muslimanët të përhapet fitne me risi dhe polemikë verbale, e cila në vete nuk ka kurrfarë rëndësie e as realitet. Nuk lejohet që në fe të futet ajo që nuk është pjesë e saj.
Libri: el-Wesije el-Kubra
Autori i librit: Ibn Tejmijje, Allahu e mëshiroftë
Përgatiti: teuhid.net
|