Fjala “Ibadeh” në gjuhën arabe do të thotë përulje dhe nënshtrim. Në aspektin e sheriatit, ibadeti është: emër që përmbledh çdo gjë që e do Allahu dhe që Ai është i kënaqur me të, qoftë fjalë apo vepër, e dukshme apo e mbrendshme.
Ibadeti ndërtohet mbi tri shtylla:
E para: Dashuria e plotë ndaj të Adhuruarit e Lartësuar, siç thotë Allahu: “Po ata që besuan kanë dashuri më të madhe ndaj Allahut.” (El-Bekare, 165)
E dyta: Shpresa e plotë, si në ajetin: “...shpresojnë në mëshirën e Allahut...” (El-Isra, 57)
E treta: Frika e plotë nga Allahu i Lartësuar, siç thotë Ai, subhanehu we teala: “...dhe i frikësohen dënimit të Tij.” (El-Isra, 57)
Allahu, subhanehu we teala, i ka përmbledhur këto të tri shtylla madhështore në suren El-Fatiha, me fjalët: “Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Të Mëshirshmit, Mëshiruesit. Sunduesit të Ditës së Gjykimit.” Ajeti i parë tregon dashurinë, sepse Allahu është Ai që jep të mira, kurse ai që jep të mira duhet aq sa jep të mira. Ajeti i dytë tregon shpresën, sepse ai i cili cilësohet me mëshirë, prej tij shpresohet mëshira e tij. Kurse ajeti i tretë tregon frikën, sepse ai që e ka në dorë shpërblimin, dënimin e llogaritjen, prej tij kihet frikë nga dënimi i tij.
Për këtë, Allahu pas këtyre ajeteve tha: “Vetëm Ty të adhurojmë”, d.m.th.: të adhuroj o Allah në bazë të këtyre triave. Në bazë të dashurisë Tënde, të cilën e vërteton ajeti: “Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.”; në bazë të shpresës të cilën e vërteton ajeti: “Të Mëshirshmit, Mëshiruesit.”; dhe, në bazë të frikës prej Teje, të cilën e vërteton ajeti: “Sunduesit të Ditës së Gjykimit.”
Ibadeti nuk pranohet, përveçse me dy kushte:
1.Përkushtim dhe sinqeritet ndaj Allahut; sepse Allahu nuk e pranon veprën që nuk është vetëm për Të.
Allahu, subhanehu we teala, thotë: “Ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.” (El-Bejjine, 5);
“Vini re! Allahut i takon feja e përkushtuar me sinqeritet.” (Ez-Zumer, 3)
“Thuaj: Vetëm Allahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim.” (Ez-Zumer, 14)
2.Të pasuarit e Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem; sepse Allahu nuk e pranon veprën, përveç nëse është në pajtim me udhëzimin e Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem.
Allahu, subhanehu we teala, thotë: “Atë që jua jep Pejgamberi merreni e atë që ju ndalon, largohuni prej saj!” (El-Hashr, 7)
“Assesi për Zotin tënd! Ata nuk janë besimtarë, deri kur të zgjedhin ty për të gjykuar në konfliktet që ndodhen mes tyre, pastaj të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt, por të binden plotësisht.” (En-Nisa, 65)
Argument është edhe fjala e Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem: “Kush shpik në fenë tonë diç që nuk është prej saj, ajo punë është e refuzuar.” (Buhariu)
Asnj vepër nuk merret parasysh, nëse ajo nuk është e sinqertë për Allahun dhe në pajtueshmëri me Sunetin e Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem.
Fudajl ibn Ijadi, Allahu e mëshiroftë, në lidhje me ajetin: “...që t’ju provojë se cili prej jush bën vepra më të mira.” (Hud, 7; Mulk, 2), ka thënë: “Më të sinqerta dhe më të drejta.” Atëherë është pyetur: “Ç’është ajo më e sinqertë dhe më e drejtë?” Ai është përgjigjur: “Vepra, kur është e sinqertë, por jo e drejtë, nuk pranohet, por edhe kur është e drejtë, e jo e sinqertë, nuk pranohet. Pranohet vetëm kur të jetë e sinqertë dhe e drejtë. E sinqertë është ajo vepër që bëhet vetëm për Allahun, kurse e drejtë është ajo vepër që është në Sunet.” (Hiljetul ewlija)
Njëri nga ajetet që i kanë përmbledhur këto dy kushte, është ajeti i fundit i sures El-Kehf: “Thuaj: Unë jam një njeri, si ju, por mua më shpallet se Zoti juaj është i Adhuruari i Vetëm (i drejtë). Kush shpreson në takimin me Zotin e vet le të bëjë vepra të mira dhe adhurimit ndaj Zotit të tij mos t’ia shoqërojë as kë!” (El-Kehf, 11)



