Teuhidi është strehimi i besimtarëve dhe i mosbesimtarëve. Përsa i përket mosbesimtarëve, ai i shpëton ata nga hallet dhe problemet e kësaj bote.
Rasti i mëposhtëm tregon se kur idhujtarët, mosbesimtarët, ishin në vështirësi, e lutnin vetëm Allahun:
“Kur ata hipnin në anije, shkëputen nga toka dhe frikësohen, i luten sinqerisht Allahut, e kur i shpëton, ata dalin në tokë, ja ku ata lusin idhujt.” (Ankebut, 65)
Ndërsa, miqtë e Tij i shpëton nga vështirësitë dhe problemet e kësaj bote dhe të Ahiretit.
Pikërisht ngaqë Junusi alejhi selam, kërkoi ndihmë me fjalën e teuhidit, Allahu e shpëtoi nga ato errësira, po kështu vepruan edhe të gjithë pasuesit e Pejgamberëve dhe shpëtuan po me anë të teuhidit, nga dëshkimi, që qe përgatitur për mosbesimtarët në këtë botë dhe në tjetrën.
Kur faraoni e pa se i erdhi vdekja dhe po mbytej, bëri edhe ai një veprim të tillë! Por, pa dobi, sepse besimi nuk pranohet atëherë kur e shikon vdekjen me sy, vetëm pak çaste përpara.
Ky është ligji i Allahut mbi tokë, askush më mirë se teuhidi nuk mund t’i përballojë vështirësitë e kësaj bote, ndaj dhe lutja në raste vështirësish, ka në përmbajtjen e vet teuhid, po kështu edhe lutja e Junusit, të cilën çdokush që e bën, do të gjejë shpëtim prej Allahut, përmban teuhid.
Në fatkeqësitë e mëdha nuk të hedh veçse shirku, dhe nuk të shpëton prej tyre, veçse teuhidi, ndaj me të drejtë teuhidi është strehimi i krijesave, kështjella dhe shpëtimi i tyre. Vetëm në duart e Allahut qëndron suksesi.



