Thënia e Allahut subhanehu we teala: “Kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut ose që përgënjeshtron ajetet e Tij?” përmend dy lloje gënjeshtarësh:
1. Trilluesi i gënjeshtrës që u bën thirrje njerëzve të ndjekin atë
2. Përgënjeshtruesi i së vërtetës
I pari kalon në mosbesim për shkak të trillimit të gënjeshtrës, kurse i dyti kalon në mosbesim për shkak të mohimit të së vërtetës.
Të dyja këto lloje mosbesimi i paraqiten çdo jobesimtari. Kështu, nëse ai i shton mosbesimit të vet thirrjen e njerëzve tek e pavërteta e tij dhe pengimin e tyre nga e vërteta, ai meriton dyfishimin e dënimit, për shkak të mosbesimit dhe të së keqes që mundohet të përhapë.
Ndaj edhe Allahu subhanehu we teala, ka thënë: “Ata që nuk kanë besuar dhe që kanë penguar të tjerët në rrugën e Allahut, atyre ua shtojmë dënimin mbi dënim, sepse kanë bërë ngatërresa.” (Nahl, 88)
Ata meritojnë dy dënime për veprimet që kanë bërë: një për shkak të mosbesimit dhe një tjetër për shkak të pengimit të së vërtetës
Kur përmend vetëm mosbesimin, Allahu nuk e shumëfishon dënimin e jobesimtarëve, si p.sh.: “Për jobesimtarët ka dënim të ashpër.” (Shura, 26)
Thënia e Allahut: “Atyre do t’u jepet çka u është caktuar (në Lehvi Mahfudh)...” do të thotë se jobesimtarëve do t’u jepet në këtë botë ajo që është shkruar për ta, si rizku etj.
Thënia e Allahut: “E, kur t’u vijnë të dërguarit Tanë (engjëjt), për t’ua marrë shpirtin, do t’u thonë: “Ku janë ata, të cilëve iu luteshit në vend të Allahut?” Ata thonë: “Na braktisën...” tregon se lutjet e tyre kanë vajtur kot.
Më tej: “Kështu ata kundër vetes dëshmojnë që kanë qenë mohues. (Allahu) u thotë: “Hyjni në Zjarr me popujt – xhindët dhe njerëzit – të cilët kanë qenë para jush”, pra bashkohuni me tërësinë e këtyre popujve.
Më pas: “Dhe sa herë që një popull hyn në Zjarr, e mallkon atë tjetrin. E, kur të mblidhen të gjithë në të, atëherë ai i fundit do t’u thotë atyre të parëve”, pra çdo popull që hyn më vonë do t’u thotë paraardhësve të vet: “O Zot ynë, këta na kanë sjellë në humbje. Jepu dënimin e dyfishtë të Zjarrit!”
Pra “jepu dënim të dyfishtë për shkak se na sollën në humbje dhe na penguan që t’i bindeshim të dërguarve të Tu.”
Ndërsa Allahu subhanehu we teala, u thotë: “Për çdonjërin (nga ju) ka dënim të dyfishtë”, pra edhe ndjekësve, edhe prijësve u takon dënim i dyfishtë, sipas humbjes dhe mosbesimit që kanë pasur. “Por ju nuk e dini”, pra asnjë grup nuk e di se ç’dënim të shumëfishuar përjeton simotra e tij.
Më pas “Do t’u thonë të parët atyre të fundit: “Ju nuk keni kurrfarë përparësie ndaj nesh”, pra, “ju erdhët pas nesh dhe te ju u dërguan profetë, të cilët sqaruan të vërtetën, ju paralajmëruan që ne ishim të humbur dhe ju ndaluan që të na imitonit, por ju nuk pranuat. Ju deshët vetëm të na imitonit dhe të braktisnit të vërtetën që sollën profetët. Prandaj, çfarë përparësie keni ndaj nesh, ndërkohë që shkuat në humbje ashtu si ne dhe e braktisët të vërtetën siç bëmë edhe ne?! Ashtu siç ju shkuat drejt humbjes prej nesh, ashtu edhe ne shkuam drejt humbjes prej brezave të tjerë. Pra ç’përparësi keni mbi ne?! “Prandaj shijoni dënimin për atë që keni punuar.”
Pasha Allahun, sa këshillë e vlefshme që është kjo! A ka këshillë më të bukur se kjo, nëse i gjen zemrat të gjalla? Ky ajet dhe të tjerë si ky shërbejnë për të përkujtuar zemrat e shtegtarëve drejt Allahut, ndërsa njerëzit që rrinë kot nuk kanë fare haber nga këto gjëra.
Marë nga libri: "Zad el muhaxhiri ila rabihi"
Autori i librit: Ibn Kajjim el Xheuvzije
Përgatiti: Teuhid.net



