Tevesuli (Ndërmjetësimi)

Nganjëherë, kundërshtarët e Ehli Sunetit dinë të sjellin disa dyshime dhe kundërshtime që kanë të bëjnë me temën e tevesulit, me të cilat duan t’i përkrahin pohimet e tyre të gabuara.

Domethënia: Fjala “tevesul” është marrë nga fjala “vesile” që d.m.th. mjet dhe rrugë.
Pra, tevesuli është marrja e diçkaje, a dikujt për mjet për të arritur deri te synimi dhe mundi për ta realizuar atë synim.

Në sheriat tevesuli është mundim për arritjen deri te kënaqësia e Allahut dhe Xhenneti, duke i vepruar urdhërat dhe duke iu shmangur ndalesave.

Domethënia e Vesilesë në Kur’anin Fisnik:

Fjala “vesile” në Kur’an është përmendur në dy vende:

1. “O ju që besuat! Kijeni frikë Allahun dhe kërkoni afrim (vesile) tek Ai! Luftoni në rrugën e Tij, që të gjeni shpëtim.” (El-Maide, 35)

2. “Ata (të adhuruar) që këta po i lusin (përveç Allahut) vetë ata kërkojnë afrimin (vesilen) te Zoti i tyre, shpresojnë në mëshirën e Tij dhe i frikohen dënimit të Tij. Vërtet, dënimi i Zotit tënd është për t’iu ruajtur.” (El-Isra, 57)

Qëllimi i fjalës “vesile” në të dy ajete është: afrimi tek Allahu duke i vepruar gjërat që e kënaqin Atë.

Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në komentimin e ajetit të parë, transmeton nga Ibn Abasi radijallahu anhu, se domethënia e vesilesë është afrimi. Të njëjtën e transmeton edhe nga Muxhahidi, Ebu Vaili, Hasen El-Basriu, Abdullah ibn Kethiri, Es-Sudiju, Ibn Zejdi dhe nga të tjerë. (Tefsir ibn Kethir, 2/50)

Sa i përket të dytit, sahabiju i madh – Abdullah ibn Mes’udi, radijallahu anhu, e ka sqaruar rastin e zbritjes së këtij ajeti, gjë që e shpjegon domethënien e tij. Ai thotë: “Ky ajet ka zbritur për disa njerëz prej beduinëve të cilit adhuronin disa xhinë.
Xhinët u bënë muslimanë, kurse njerëzit të cilët i patën adhuruar nuk e patën kuptuar këtë.” (Transmeton Muslimi dhe Buhariu)

Prej kësaj kuptohet qartë se vesile ka për qëllim gjënë me të cilën njeriu afrohet tek Allahu, siç janë veprat e mira dhe adhurimet madhështore.

Për këtë, Allahu thotë: “Kërkojnë afrimin (vesilen) te Zoti i tyre.” – d.m.th. kërkojnë të afrohen tek Allahu dhe ta arrijnë kënaqësinë e Tij me veprat e mira të cilat afrojnë tek Allahu.

Llojet e tevesulit:

Tevesuli ndahet në dy pjesë: tevesul i ligjshëm dhe tevesul i ndaluar.

Tevesuli i ligjshëm

I tillë është tevesuli me një mjet që është i ligjshëm dhe i vërtetë. Metoda e drejtë për ta kuptuar këtë është kthimi në Kur’an dhe Sunet dhe njohja e asaj që këto të dyja tregojnë rreth kësaj çështjeje.
Ajo për të cilën thonë Kur’ani dhe Suneti se është vesile e ligjshme, ajo është e ligjshme, kurse çdo gjë tjetër është e ndaluar.

Nën tevsulin e ligjshëm radhiten tre lloje:

Lloji i parë: Afrimi tek Allahu duke e thirrur me një prej Emrave të Tij të bukur, ose me një prej Cilësive të Tij madhështore.

P.sh.: kur muslimani, gjatë lutjes së tij, thotë: “O Zot! Unë po të lus Ty, me qenë se Ati je i Mëshirshmi Mëshiruesi, të më falësh.”
Ose nëse thotë: “Të lutem që me Mëshirën tënde që përfshin çdo gjë, të më mëshirosh dhe të më falësh”; ose të ngjashme me to.

Argument për ligjshmërinë e këtij lloji të tevesulit është ajeti:

“Allahu ka emrat më të bukur, andaj luteni me to.” (El-A’raf, 180)

Lloji i dytë: Afrimi tek Allahu duke përmendur një vepër të mirë të cilën e ka bërë robi.

P.sh.: kur ai thotë: “O Zot! Pasi unë besova tek Ty, të dua dhe pasi e pasoj Pejgamberin Tënd, më fal mua!” Ose nëse thotë: “O Allah! Unë Të lutem që, për shkak të dashurisë sime ndaj Pejgamberit Tënd dhe besimit tim në të, të ma largosh këtë brengë.”
Ose, çfarëdo vepre me rëndësi, që e ka bërë robi, mund ta përmendë dhe të bëjë tevesul tek Allahu me të, siç është përmendur në tregimin e tre vetëve që patën mbetur në shpellë, tregim ky qaë do të vijojë më vonë.

Për ligjshmërinë e këtij lloji të tevesulit, vërteton ajeti:

“Ata të cilët thonë: “Zoti ynë, ne sinqerisht besuam, na i falë mëkatet tona na ruaj prej ndëshkimit të zjarrit!” (Ali Imran, 16) dhe ajeti:

“Zoti ynë, ne e besuam atë që e zbrite (shpalljen), e pasuam të dërguarin (Isain), pra shënona bashkë me ata që dëshmojnë (besimin e drejtë)!” (Ali Imran, 53)

Argument tjetër, gjithashtu është edhe tregimi për “njerëzit e shpellës”, hadith të cilin e transmeton Abdullah ibn Amri duke thënë se e ka dëgjuar Pejgamberin, sal’allahu alejhi we selem, të thotë:

“Tre veta, nga një popull i mëparshëm, ishin duke udhëtuar dhe i zuri shiu, e ata u futën në një shpellë. Shpella iu mbyll atyre me një shkëmb. Atëherë i thanë njëri tjetrit: “Për Zotin! Nuk ju shpëton dot gjë përveç sinqeriteti. Secili le të lutet duke përmendur nga një vepër të cilën e di se e ka bërë me sinqeritet!”

Njëri tha:

“O Zot! Ti e di se unë kisha një rrogëtar, i cili pat punuar tek unë për një sasi të vogël orizi dhe pat shkuar pa e marrë atë. Unë e mora atë oriz dhe e mbolla.
Ai u shtua saqë me vlerën e tij bleva lopë. Kur një ditë erdhi rrogëtari të ma kërkojë rrogën e vet, unë i thashë: “Shko e merri ato lopë!” Ai më tha: “Më ka mbetur te ti ca oriz.”
Unë i thashë: “Shko e merri ato lopë, se ato janë nga orizi yt.” – dhe ai i mori. O Zot! Ti e di se unë e kam bërë këtë nga frika ndaj Teje, prandaj na liro!” Atëherë, shkëmbi u hap pak.

Njeriu i dytë tha:

O Zot! Ti e di se unë i kisha prindërit shumë pleq dhe për natë unë ua sillja atyre qumështin e dhenve të cilat i kisha. Një natë u vonova dhe kur arrita ata kishin fjetur.
Gruaja dhe fëmijët klithnin të uritur, por unë nuk u dhashë deri sa të pinin prindërit e mi, mirëpo edhe nuk desha t’i zgjoj. Kështu prita deri sa agoi mëngjesi. O Zot! Ti e di se unë e kam bërë këtë nga frika ndaj Teje, prandaj na liro!” Atëherë, shkëmbi u hap pak, sa mundën ta shohin qiellin.

I treti tha:

“O Zot! Ti e di se unë kisha një kushërirë që e desha më shumë se të gjithë njerëzit. U mundova ta josh, por ajo refuzoi, përveç nëse ia jepja njëqind dinarë të arit.
Unë u mundova deri sa i bëra. Shkova tek ajo, ia dhashë të hollat dhe ajo ma mundësoi veten e saj.
Kur iu ula mes këmbëve, ajo më tha: “Kije frikën Allahut dhe mos ma merr virgjërinë pa të drejtë.”
Unë u ngrita dhe ia lashë njëqind dinarët. O Zot! Ti e di se unë e kam bërë këtë nga frika ndaj Teje, prandaj na liro!” Allahu ua hapi rrugën e ata dolën.” (Transmeton Buhariu)

Lloji i tretë: Afrimi tek Allahu me lutjen e ndonjë njeriu të mirë, për të cilin kihet shpresë se lutja i pranohet.

Si p.sh.: nëse një musliman shkon te një njeri në të cilin sheh mirësi, fetari dhe kujdesi ndaj ibadeteve dhe kërkon prej tij që ta lusë Zotin t’ia heqë këtij një të keqe dhe t’ia lehtësojë punët.
Për ligjshmërinë e kësaj vërteton fakti se sahabët kanë kërkuar nga Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, të lutet për ta në përgjithësi, por edhe në veçanti për dikë.

Në “Dy Sahihët” transmetohet nga Enes ibn Maliku, radijallahu anhu, se: “Një njeri hyri në xhami, nga dera që është përballë minberit kur Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, po ligjëronte mbi munber.
Ai iu afrua Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, dhe i tha: “O Pejgamber i Allahut! Na u shkatërrua bagëtia dhe na u këputën shpresat. Lute Allahun të na lëshojë shi!”
Atëherë, Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, i ngriti duart dhe tha: “O Zot! Lëshona shi! O Zot! Lëshona shi!”
Enesi thotë: “Për Zotin. Ne, në atë moment, nuk shihnim asnjë re të madhe a të vogël dhe asgjë tjetër kur prapa tij doli një re dhe kur arriti në mesin e qiellit, u hap dhe nisi të bjerë shi. Për Zotin, nuk pamë diell për gjashtë ditë rresht.
Të xhumanë tjetër hyri një njeri nga e njëjta derë kur Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, po ligjëronte, iu afrua Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, dhe i tha: “O Pejgamber i Allahut! Na u shkatërruan pasuritë dhe u mbyllën rrugët.
Lute Allahun që ta ndalë!” Atëherë, Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, i ngriti duart dhe tha: “O Zot! Rreth nesh, jo mbi neve! O Zot! Nëpër kodra, nëpër lugina dhe rrënjët e drunjve!” Atëherë, shiu pushoi dhe kur dolëm ecnim nëpër Diell.” Sheriku thotë: “E pyeta Enesin: “A ishte ai njeriu i njëjtë?” Ai tha: “Nuk e di.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Në “Dy Sahihët”, gjithashtu transmetohet se kur Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, përmendi se në umetin e tij ka shtatëdhjetëmijë njerëz që do të hyjnë në Xhenet pa llogaritje dhe pa dënim dhe kur tha: “Ata janë aqë nuk kërkojnë shërim, nuk mjekohen me djegie, nuk shtien fall dhe i mbështeten Zotit të tyre.”

U ngrit Ukashe ibn Muhsan e tha: “O Pejgamber i Allahut! Lute Allahun që unë të jam prej tyre!” Ai tha: “Ti je prej tyre.”

Kuptim i njejtë është edhe në hadithin ku Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, e përmend Uvejs El-Karnin dhe thotë: “Kërkoni prej tij që të lutet për juve për faljen e gabimeve!”

Ky lloj tevesuli bëhet vetëm sa është gjallë njeriu prej të cilit kërkohet lutja, kurse pas vdekjes nuk lejohet, sepse ai nuk vepron më.

Tevesuli i ndaluar

I tillë është tevesuli me një gjë e cila nuk është vërtetuar në sheriat si mjet i tevesulit. Edhe ky lloj ka disa nënlloje. Disa prej tyre janë më të rrezikshme se sa disa të tjera.

Prej tyre po përmendim:

1. Afrimi tek Allahu duke i lutur të vdekur apo dikë që nuk është i pranishëm, duke kërkuar prej tyre ndihmë, plotësim të nevojave, largim të brengave dhe të ngjashme me to. Ky është shirk i madh që e nxjerrr vepruesin e tij nga feja.

2. Afrimi tek Allahu duke i bërë ibadet tek varret dhe tyrbet; duke iu lutur Allahut tek ato, duke ndërtuar mbi to, duke vënë drita dhe perde te varret etj. Ky është shirk i vogël i cili e rrënon përsosjen e teuhidit dhe njëherazi është edhe rrugë e cila shpie te shirku i madh.

3. Afrimi tek Allahu duke iu lutur Allahut përmes pozitës së profetëve dhe të dërguarve dhe përmes vlerës që ata kanë tek Allahu. Kjo është e ndaluar dhe është një bidat i shpikur në fe, sepse është tevesul të cilin Allahu nuk e ka bërë të ligjshëm dhe nuk e ka lejuar.

Allahu thotë: “A ju lejoi Allahu juve?!" (Junus, 59)

Pozita dhe vlera e njerëzve të mirë që kanë tek Allahu, u bën dobi vetëm atyre, siç thotë Allahu:

“Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar.” (En-Nexhm, 39)

Për këtë shkak, ky lloj tevesuli nuk ka qenë i njohur në kohën e Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, as në kohën e sahabëve të tij. Që ky lloj është i ndaluar dhe haram, e kanë thënë më shumë se një dijetar.

Ebu Hanifeja, rahimehullah, thotë: “Ndalohet që njeriu duke u lutur të thotë: “Të lutem për hir të filanit”, ose “të evlijave dhe pejgamberëve Tu”, ose “për hir të Qabes dhe Muzdelifesë”.”

Dyshime në lidhje me temën e tevesulit, si dhe kundërpërgjigja ndaj tyre.

Nganjëherë, kundërshtarët e Ehli Sunetit dinë të sjellin disa dyshime dhe kundërshtime që kanë të bëjnë me temën e tevesulit, me të cilat duan t’i përkrahin pohimet e tyre të gabuara dhe ta hutojnë popullin musliman se gjoja mendimet e tyre janë të vërteta.

Dyshimet të cilat ata i sjellin nuk mund të jenë tjetër përveçse një nga këto dy lloje:

Lloji i parë: hadithe të dobëta ose të shpifura me të cilat mundohen ta vërtetojnë mendimin e tyre. Për këto mjafton përgjigje kur vërtetohet pavërtetësia e tyre. Prej këtyre haditheve janë edhe këto:

Hadithi: “Afrohuni tek Allahu përmes pozitës sime, sepse pozita ime tek Allahu është e madhe.”; ose hadithi: “Kur t’i luteni Allahut lutuni përmes pozitës sime, se pozita ime tek Allahu është e madhe.”
Ky hadith është i kotë dhe i rrejshëm të cilin nuk e ka transmetuar asnjë dijetar dhe nuk gjendet në asnjë libër të haditheve.

Hadithi: “Kur t’ju vështirësohen punët, kapuni për banorët e varreve!”; ose: “Kërkoni ndihmë prej banorëve të varreve!” Ky është hadith i rrejshëm dhe i shpifur ndaj Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, sipas konsensusit të dijetarëve.

Hadithi: “Sikur të ketë mendim të mirë dikush prej jush edhe për gurin, ai do t’i kishte bërë dobi.” Ky është hadith i kotë dhe kundërshtohet me fenë Islame. Këtë e kanë shpikur disa mushrikë.

Hadithi: “Kur Ademi e bëri gjynahun tha: “O Zot! Të lutem për nder të Muhamedit të më falësh.” Allahu i tha: “O Adem! Si e njohe Muhamedin kur akoma nuk e kam krijuar?!”
Ai i tha: “O Zoti im! Kur më krijove me Dorën Tënde dhe më dhe prej shpirtit Tënd, e ngrita kokën dhe e pashë në shtyllat e Arshit të shkruar: “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut” dhe kështu e kuptova se Ti nuk ia ke bashkangjitur Emrit Tënd një emër përveç atë të krijesës Tënde më të dashur.”
Atëherë Allahu i tha: “Ta fala dhe sikur të mos ishte Muhamedi nuk do të të kisha krijuar as ty.”

Ky është hadith i kotë dhe nuk ka kurrfarë baze. (Shih: Silsiletul Ehadithid Daifeti wel Mewdudah)
I njëjtë me të është edhe hadithi: “Sikur të mos ishe ti, nuk do ta kisha krijuar gjithësinë.”
Pra, muslimanit nuk i lejohet që t’i shikojë këto hadithe të tilla të rrejshme dhe transmetime të shpikura, e të mos flasim për argumentim me to dhe mbështetje në to në çështjet e fesë së tij.

Lloji i dytë: hadithe të vërteta të Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, të cilat këta njerëzt i kuptojnë gabimisht dhe i devijojnë prej qëllimit dhe kuptimit të tyre të drejtë.

Prej këtyre haditheve po përmendim këto:

1. Hadithi i vërtetuar në “Sahih” se Omer ibnul Hatabi, radijallahu anhu, kur ka qenë thatësirë, ka kërkuar shi përmes Abas ibn Abdulmutalibit, radijallahu anhu dhe ka thënë: “O Zot! Ne të afoheshim Ty përmes Pejgamberit tonë dhe Ti ana lëshoje shi. Tani ne të afrohemi përmes xhaxhait të Pejgamberit tonë, pra, na lësho shi!” (Transmeton Buhariu)

Ata prej këtij hadithin kanë kuptuar se Omeri, radijallahu anhu, ka bërë tevesul me pozitën e Abasit dhe me vlerën e tij që e ka pasur tek Allahu. Dhe mendojnë se ky është qëllimi i këtyre fjalëve: “Ne të afroheshim Ty përmes Pejgamberit tonë (d.m.th. përmes pozitës së tij) dhe Ti na lëshoje shi. Tani ne të afrohemi përmes xhaxhait të Pejgamberit tonë (d.m.th. përmes pozitës së tij)”.

Ky, pa dyshim, është një kuptim i gabuar dhe shpjegim i pavërtetë, të cilin nuk e përkrah konteksti i tekstit në fjalë as në mënyrë të drejtpërdrejtë, e as tërthorazi. Tek sahabët nuk ka qenë e njohur praktika që të bëjnë tevesul me pozitën e dikujt, por kanë bërë me lutjen e dikujt deri sa ai ka qenë gjallë.

Diç prej kësaj u cek më herët. Omeri radijallahu anhu, me fjalët: “Tani ne të afrohemi përmes xhaxhait të Pejgamberit tonë”, nuk e ka pasur për qëllim “përmes personalitetit apo pozitës së tij”, por ai me këtë ka kërkuar që Abasi të lutet.
Kurse sikur të ishte tevesuli me pozitën e dikuj praktikë e njohur te sahabët, Omeri radijallahu anhu, nuk do ta kishte lënë tevesulin me Pejgamberin që të bëjë tevesul me Abasin, radijallahu anhu.

Në rast të tillë sahabët e tjerë do t’i kishin thënë: “Si të bëjmë tevesul me dikë si Abasi e ta lëmë tevesulin me Pejgamberin, sal’allahu alejhi we selem, i cili është krijesa më e vlevshme.”
Por, pasi askush prej tyre nuk ka thënë një fjalë të tillë dhe dihet se, sa ishte gjallë Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ata bënin tevesul me lutjen e tij, kurse pas vdekjes së tij me lutjen e dikujt tjetër, merret vesh se ajo që është e njohur si e ligjshme tek ata ka qenë tevesuli me lutjen e dikujt jo me personalitetin e tij.

Me këtë bëhët e qartë se në këtë hadith nuk ka argument për atë që thotë se lejohet tevesuli me personalitetin apo vlerën e dikujt.

2. Hadithi i Othman ibn Hanifit: “Një njeri i verbër erdhi te Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, dhe i tha: “Lute Allahun të më shërojë!” Ai i tha: “Po deshe e lus Allahun, por po deshe të bësh durim është më mirë për ty.” Ai i tha: “Lute!”.
Atëherë Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, e urdhëroi të merrte abdes mirë dhe të lutej me këto fjalë: “O Zot! Unë të lutem dhe të drejtohem Ty përmes profetit Tënd, Profetit të mëshirës. U drejtova përmes teje tek Zoti im që të më kryhet kjo nevojë. O Zot! Bëje ndërmjetësues për mua!” (Transmeton Tirmidhiu dhe Ahmedi, Bejhekiu thotë se senedi është i vërtetë)

Nga ky hadith ata kanë kuptuar se lejohet tevesuli me pozitën e Pejgamberit apo të dikujt tjetër prej njerëzve të mirë.

Mirëpo hadithi nuk e dëshmon këtë kuptim. Njeriu i verbër kërkoi nga Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, që ta lus Allahun që t’ia kthejë shikimin, kurse Pejgamberi i tha: “Po deshe bëj durim, po deshe e lus.”

Ai i tha: “Lute!”, si dhe fjalë të tjera që përmenden në këtë hadith, të cilat vërtetojnë se tevesuli ishte me duanë e Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, jo me vlerën ose pozitën e tij.
Prandaj, dijetarët e kanë përmendur këtë hadith në temat që kanë të bëjnë me mrekullitë e Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem, dhe lutjen e tij që ka qenë e përgjigjur.
Në të vërtetë, për shkak të bereqetit të lutjes së Pejgamberit, Allahu ia kthehu shikimin këtij të verbëri. Për këtë shkak, Bejhekiu e ka cekur këtë hadith në argumentet e Profecisë. (Shiko: Delailun Nubuve, El-Bejheki; 6/167)

Ndërsa tani, pas vdekjes së Pejgamberit sal’allahu alejhi we selem, një gjë e tillë nuk është e mundur, sepse nuk ka mundësi që Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, të lutet për ndonjë njeri pas vdekjes së tij.

Vetë Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “Kur njeriu të vdesë, të gjitha punët i ndërpriten, përveç në tre lloje: lëmoshë e vazhdueshme, ose dije prej të cilës njerëzit kanë dobi, ose fëmijë të hajrit i cili lutet për të.” (Transmeton Muslimi)

Edhe lutja është një prej veprave të mira të cilat ndërpriten me vdekje.

Sido që të jetë, të gjitha dyshimet me të cilat mundohen të argumentojnë këta nuk janë argumente: ose për shkak të pavërtetësisë së tyre, ose për shkak të asaj se ato argumente nuk e kanë atë kuptim që ata e mendojnë.

Hits: 558
Comments (0)Add Comment

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy