Si e mbronte Pejgamberi s.a.w.s., pozitën e Teuhidit

Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka ndaluar fuqimisht nga shirku, ka kërcënuar, ka tërhequr vëmendje, ka thënë dhe e ka përsëritur, ka folur në përgjithësi dhe në veçanti, që fenë e pastër me të cilën Allahu ka dërguar Ibrahimin, alejhi selam, ta mbrojë nga çdo gjë që do ta kishte njollosur.

Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ishte i kujdesshëm ndaj ummetit të tij në maksimum, në mënyrë që ky umet të jetë krenar, i fuqishëm, realizues i teuhidit, larg secilës rrugë dhe secilit shkak që e shpie deri tek ajo që e kundërshton apo e prish teuhidin.

Allahu thotë: “Juve ju erdhi i dërguar nga mesi juaj. Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, është i kujdesshëm ndaj jush (që ju ta gjeni rrugën e drejtë) dhe ndaj besimtarëve është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm.” (Et-Teube, 128)

Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka ndaluar fuqimisht nga shirku, ka kërcënuar, ka tërhequr vëmendje, ka thënë dhe e ka përsëritur, ka folur në përgjithësi dhe në veçanti, që fenë e pastër me të cilën Allahu ka dërguar Ibrahimin, alejhi selam, ta mbrojë nga çdo gjë që do ta kishte njollosur, qoftë fjalë apo vepër për të cilën do të ishte dobësuar apo cunguar teuhidi.
Kjo gjë vjen me shumicë në Sunetin e vërtetë të Pejgamberit, sal’allahu alejhi we selem. Ai e përkreu argumentin, i largoi dyshimet, e këputi arsyetimin dhe e sqaroi rrugën.

Në temat në vijim sqarohet se si Pejgamberi sal’allahu alejhi we selem, i ka ruajtur kufijtë e teuhidit dhe si i ka ndërprerë rrugët që të çojnë në shirk apo në të pavërteta.

Tema e parë: Rukjet

Domethënia: rukje është lexim me fryrje me qëllim shërimin, pa marrë parasysh se a lexohet Kur’an, apo lutje të transmetuara pejgamberike.

Vendimi për to: rukjet janë të lejuara. Ja disa argumente për këtë:

Nga Auf ibn Malik, radijallahu anhu, transmetohet të ketë thënë: “Në kohën e xhahilijetit bënim rukje dhe e pyetëm Pejgamberin, sal’allahu alejhi we selem, se ç’mendonte për to. Ai tha: “M’i shfaqni rukjet tuaja! Rukja nuk është e ndaluar nëse në të nuk ka shirk.” (Transmeton Muslimi)

Nga Enes ibn Malik, radijallahu anhu, transmetohet të ketë thënë: “Pejgamberi sal’allahu alejhi we selem, i lejoi rukjet kundër mësyshit, kafshimit (kafshim nga kafshët që kanë helm) dhe ënjtjeve.” (Transmeton Muslimi)

Nga Xhabir ibn Abdullahu, radijallahu anhu, transmetohet se Pejgamberi sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “Kush mund t’i bëjë dobi vëllait të vet, le t’i bëjë!”. (Transmeton Muslimi)

Nga Aishja, radijallahu anha, transmetohet të ketë thënë: “Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, kur mëkatonte dikush prej ndonjë gjëje, ia fërkonte vendin me dorën e djathtë dhe thoshte: “Largoje dhimbjen o Zot i njerëzve dhe shëro, se Ti je Shëruesi dhe nuk ka shërim veç shërimit Tënd. Shëro me një shërim që nuk lë sëmundje!” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Kushtet: Që të jenë të lejuara dhe të vërteta, rukjet duhet t’i plotësojnë tre kushte:

I pari: Të mos besohet se ato sjellin dobi vetvetiu veç Allahut. Nëse besohet se ndikojnë vetë, pa Allahun, atëherë janë të ndaluara, madje edhe shirk. Mirëpo duhet besuar se ato janë shkak për shërim i cili nuk ndikon pa lejen e Allahut.

I dyti: Të mos përmbajnë kundërvajtje ndaj sheriatit, si p.sh.: lutje ndaj dikujt tjetër veç Allahut, kërkim ndihme nga ndonjë xhin etj. Në rast të tillë janë të ndaluara dhe shirk.

I treti: Të jenë me fjalë të kuptueshme dhe të ditura. Nëse janë me hajmali dhe magjira, nuk janë të lejuara.

Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, është pyetur: A lejohet që njeriu të bëjë ose të kërkojë rukje?” Ai ka thënë: “Nuk ka problem nëse është me fjalë të mira.”

Rukjet e ndaluara: Secila rukje që nuk i plotëson këto kushte është e ndaluar dhe haram, si p.sh.: në rast se ai që bën rukjen apo ai të cilit i bëhet, beson se rukja ndikon dhe shëron vetvetiu; në rast se përmbajnë fjalë shirku, ndërmjetësime kufri, apo fjalë bidati; si dhe në rast se bëhen me fjalë të pakuptueshme dhe me hajmali.

Tema e dytë: Hajmalitë

Domethënia: Ato janë gjëra, si: letra të shkruara, rruaza, kocka etj., që lidhen në qafë, apo ndonjë vend tjetër për të sjellë ndonjë të mirë, ose për të larguar ndonjë të keqe. Arabët, në kohën e xhahilijetit, ua kanë lidhur hajmalitë fëmijëve, që t’i mbrojnë nga mësyshi, sipas besëtytnive të tyre të kota.

Vendimi për to: Haram.

Madje hajmalitë janë njëri prej llojeve të shirkut, për shkak se përmes tyre njeriu lidhet me diçka tjetër veç Allahut.
Nuk ka kush i largon të këqijat përveç Allahut dhe nuk kërkohet mbrojtja nga dëmet përveçse prej Allahut, si dhe prej Emrave e Cilësive të Tij.

Transmetohet nga Ibn Mes’udi, radijallahu anhu, ta ketë dëgjuar Pejgamberin, sal’allahu alejhi we selem, duke thënë: “Rukjet, hajmalitë dhe nuskat janë shirk.” (Transmeton Ebu Davudi dhe Hakimi)

Abdullah ibn Ukejmi, radijallahu anhu, transmeton nga Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem: “Kush lidh diçka, lihet në mbështetjen e saj.” (Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakimi)

Ukbe ibn Amir transmeton nga Pejgamberi sal’allahu alejhi we selem: “Kush lidh një hajmali (për ta plotësuar nevojën e tij), Allahu mos ia plotësoftë, kush lidh ndonjë rruazë (për t’u qetësuar), Allahu mos e qetësoftë!” (Transmeton Ahmedi dhe Hakimi)

Transmeton Ukbe ibn Amir nga Pejgamberi sal’allahu alejhi we selem: “Kush lidh një hajmali ka bërë shirk.” (Transmeton Ahmedi)

Këto dhe tekste të ngjashme kanë për qëllim qortimin e rukjeve që kanë shirk, rukje të cilat kanë qenë të pranishme në shumicën e rukjeve tek arabët e xhahilijetit.
Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, i ndaloi ato për shkak se ato përmbajnë shirk dhel idhje me dikë tjetër përveç Allahut, subhanehu we teala.

Nëse hajmalia, të cilën e lidh njeriu, ka pjesë të Kur’anit Fisnik.

Për këtë çështje dijetarët janë në mendime të ndryshme: disa thonë se kjo lejohet, kurse të tjerët e ndalojnë dhe thonë se nuk lejohet të lidhet Kur’ani për shërim. Ky mendim është i vërteti për katër shkaqe:

Një: Përgjithësimi në ndalesën për lidhjen e hajmalive dhe mosekzistimi i ndonjë përjashtimi nga ky përgjithësim.

Dy: Masat e parandalimit, sepse kjo mund të çojë edhe te bartja e hajmalive që kanë diçka tjetër përveç Kur’anit.

Tre: Nëse bart Kur’an, patjetër do ta nënçmojë, si p.sh.: kur të kryejë nevojën etj.

Katër: Shërimi me Kur’an është përmendur në sheriat me një mënyrë: duke i lexuar Kur’an të sëmurit. Nuk lejohet që këtë ta kalojmë në gjëra të tjera.

Tema e tretë: Mbajtja e bylyzykut, perit, ose të ngjashme me to

Bylyzyku është një copë e rrumbullakët hekuri, ari, argjendi, bakri apo diç e ngjashme me to. Peri dihet.
Ai mund të jetë i leshtë, prej liri etj. Arabët në kohën e xhahilijetit i kanë bartur të tilla gjëra për të larguar një dëm, ose për të sjellë ndonjë dobi, për t’iu ruajtur mësyshit etj.

Allahu thotë: “Ti thuaju: Më tregoni pra për ata që ju i adhuroni pos Allahut; Nëse Allahu më godet mua me ndonjë të keqe, a munden ata ta largojnë atë të keqe?
Ose, nëse Allahu dëshiron ndonjë të mirë ndaj meje, a munden ata ta pengojnë të mirën e Tij? Thuaju: Mua më mjafton Allahu. Vetëm atij i mbështeten të mbështeturit.” (Ez-Zumer, 38)

“Thuaj: Thirrini ata të cilët supozuat (për zota) pos Atij! Ata nuk mund ta heqin prej jush mjerimin, e as nuk munden të mënjanojnë.” (El-Isra, 56)

Nga Imran ibn Husajni, radijallahu anhu, transmetohet se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka parë një njeri i cili në dorë mbante një bylyzyk bakri dhe i kishte thënë: “Ç’është kjo?”
Ai tha: “Për plogështi.” Atëherë, Pejgamberi sal’allahu alejhi we selem, i tha: “Hiqe! Ajo nuk të shton tjetër veç plogështisë. Largoje prej teje, sepse nëse vdes me të në dorë, nuk do të shpëtosh asnjëherë.” (Transmeton Ahmedi)

Nga Hudhejfe ibn Jeman, radijallahu anhu, transmetohet ta ketë parë një njeri i cili në dorë kishte një pe që e mbante kundër etheve.
Ai ia kishte këputur dhe ia kishte cituar ajetin: “Dhe shumica e tyre nuk e besojnë Allahun, vetëm se duke i shoqëruar (të adhuruar të tjerë).” (Jusuf, 106)

Gjykimi për mbajtjen e një bylyzyku, peri, apo diç të ngjashme me to është haram. Në qoftë se ai që e mban beson se ajo ndikon vetvetiu përveç Allahut, i tilli është mushrik që ka bërë shirk të madh në Teuhidur Rububije, sepse ai besoi se përveç Allahut ka edhe zot tjetër që mund të krijojë dhe drejtojë gjithësinë.I Lartësuar qoftë Allahu nga ajo që ia përshkruajnë!

Megjithatë, nëse beson se çështja është vetëm në Dorë të Allahut dhe se ajo është një shkak (edhe pse ajo nuk është), i tilli ka bërë shirk të vogël, sepse e ka bërë shkak të shërimit një gjë që nuk është e tillë dhe i është drejtuar me zemër.
Kjo vepër e tij, gjithashtu është rrugë që të shpie në shirk të madh. Kjo ndodh kur zemra e tij lidhet me të dhe të shpresojë se ajo do t’ia sjellë të mirat dhe do t’ia largojë fatkeqësitë.

Tema e katërt: Kërkimi i bekimit prej drunjve, gurëve dhe të ngjashme me to

Kërkimi i bekimit nuk mund të dalë jashtë dy gjërave:

1. Të bëhet kërkimi i bekimit nga një gjë e ligjshme dhe e ditur, si p.sh. nga Kur’ani. Allahu thotë: “Dhe ky (Kur’ani) është libër të cilin e zbritëm; është i bekuar.” (El-En’am, 92, 155)

Prej bekimit, të cilin e përmban Kur’ani, është udhëzimi i zemrave, shërimi i gjokseve, përmirësimi i shpirtrave, kalitja e etikës së njerëzve, e shumë e shumë bekime të tjera që Kur’ani i sjell.

2. Të bëhet kërkimi i bekimit nga një gjë jo e ligjshme, si drunjtë, gurët, varret, tyrbet etj. E gjithë kjo është shirk.

Transmetohet nga Ebu Vakid el-Lejthiu, radijallahu anhu, të ketë thënë: “U nisëm me Pejgamberin, sal’allahu alejhi we selem, për në Hunejn, kurse ne atëherë ishim të porsadalë nga kufri.
Mushrikët kishin një sidër (dru me gjemba) tek i cili bënin kulte dhe i varnin armët në të. Atë e quanin “Dhatu Enwat”. Rrugës kaluam pranë një sidri dhe thamë: “O Pejgamber i Allahut, na bëj edhe neve një “Dhatu Enwat”, siç e kanë ata.”
Atëherë, ai tha: “Allahu Ekber! Traditat...! Ju thatë një fjalë, për Atë në Dorë të Cilit është shpirti im, si Bijtë e Izraelit që i patën thënë Musait: “Na bëj edhe neve një zot (të adhuruar) siç i kanë edhe ata!” (El-A’raf, 138). Ju do t’i merrni traditat e popujve para jush.” (Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se është hadith i vërtetë)

Ky hadith vërteton se veprat që i bëjnë ata që u besojnë drunjve, varreve, gurëve etj, si: kërkimi i bekimit prej tyre, kryerja e riteve afër tyre, therja e kurbaneve për to., të gjitha këto janë shirk.
Pikërisht për këtë tregon në hadith se kërkesa e tyre është si kërkesa e Bijve të Izraelit të cilët i patën thënë Musait: “Na e bëj edhe neve një zot (të adhuruar) siç i kanë edhe ata!” Këta, pra, kishin kërkuar t’u caktohet një saidër prej të cilit do të kërkonin bekim siç bënin mushrikët, kurse ata patën kërkuar që t’u caktohet një zot ashtu saiç i kishin mushrikët zota.
Në të dyja kërkesat ka mohim të teuhidit, sepse kërkimi i bekimit prej drunjve është një lloj shirku, si dhe marrja e dikujt veç Allahut për zot është shirk i qartë.

Me fjalën “Ju do t’i merrni traditat e popujve para jush”, e cila përmendet në hadith, tregohet se një gjë e tillë do të ndodh edhe në umetin e Muhamedit, sal’allahu alejhi we selem.
Këtë gjë Pejgamberi sal’allahu alejhi we selem, e ka thënë për të na ndaluar dhe larguar prej saj.

Tema e pestë: Vepra të ndaluara në lidhje me varret

Në fillim të islamit ishte e ndaluar vizita e varreve për shkak se njerëzit ishin të porsadalë nga xhahilijeti dhe kjo ishte për shkak të mbrojtjes së teuhidit dhe kujdesit ndaj vlerave të tij.
Pasi u forcua imani dhe u rrit pozita e tij në zemrat e njerëzve dhe pasi u sqaruan argumentet e teuhidit dhe u larguan dyshimet në këtë temë, atëherë u lejua vizita e varreve, por me qëllime të caktuara dhe të sqaruara.

Transmetohet nga Burejde ibn Husajdi, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “Ju pata ndaluar nga vizita e varreve, por tani vizitojini!” (Transmeton Muslimi)

Nga Ebu Hurejre, radijallahu anhu, transmetohet se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “Vizitojini varret, sepse kjo jua kujton vdekjen.” (Transmeton Muslimi)

Transmetohet nga Ebu Seid el-Hudriu, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “Unë ju pata ndaluar t’i vizitoni varret, por tani vizitojini, sepse në këtë ka mësime.” (Transmeton Ahmedi dhe Hakimi)

Nga Enes ibn Maliku, radijallahu anhu, transmetohet se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “Unë jua pata ndaluar vizitën e varreve, por tani vizitojini ato, sepse ajo jua zbut zemrat, bën t’ju rrjedhin lot nga sytë dhe jua kujton ahiretin. Mirëpo, mos thoni fjalë të shëmtuara!”. (Transmeton Hakimi)

Nga Burejda, radijallahu anhu, transmetohet të ketë thënë se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, i mësonte ata që shkonin tek varret që kur të shkojnë atje të thonë: “Paqja qoftë me juve o banorë të varreve, prej besimtarëve dhe muslimanëve! Edhe ne, në dashtë Allahu, me juve do të bashkohemi. Kërkojmë prej Allahut falje, për neve dhe për juve.” (Transmeton Muslimi)

Këto dhe hadithe të tjera me këtë kuptim vërtetojnë se lejimi për vizitën e varreve, pasi ishte e ndaluar, erdhi për dy shkaqe të mëdha dhe dy qëllime madhështore:

I pari: Largimi nga dashuria e tepërt e dynjasë, duke e kujtuar ahiretin, vdekjen dhe sprovat, si dhe marrja e mësimeve nga banorët e varreve, gjë që e shton imanin dhe bindjen e njeriut, e forcon lidhjen e tij me Allahun dhe largon moskujdesin në ibadete.

I dyti: Bamirësia ndaj të vdekurve, duke e lutur Allahun për ta dhe duke kërkuar mëshirë dhe falje për ta.

Kjo është ajo për të cilën na kanë drejtuar argumentet, ndërsa ai që pretendon diç tjetër në vizitën e varreve, atij i kërkohet ta vërtetojë atë me ndonjë provë.

Përveç kësaj, në Sunet ka ardhur ndalesa për disa çështje që kanë të bëjnë me varret dhe me vizitën e tyre, me qëllim që të ruhet teuhidi dhe vlera e tij. Secili musliman e ka detyrim t’i dijë këto çështje që të jetë i siguruar nga të pavërtetat dhe të jetë i mbrojtur nga lajthitjet.

1. Të thënët e fjalëve të shëmtuara gjatë vizitës së varreve.

Më lart u cek hadithi “Mirëpo, mos thoni fjalë të shëmtuara!” Fjalë e shëmtuar është secila fjalë e ndaluar në sheriat, e më e ndaluara është shirku i cili bëhet duke i lutur të varrosurit dhe duke kërkuar prej tyre shpëtim, shërim etj.

Të gjitha këto janë shirk dhe kufër i qartë.

Nga Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, janë vërtetuar hadithe të shumta të cilat janë të qarta në ndalesën e një gjëje të tillë dhe në mallkimin e bërësit të kësaj gjëje.

Në “Sahih” transmetohet nga Xhundub ibn Abdullah se e ka ndëgjuar Pejgamberin sal’allahu alejhi we selem, pesë ditë para vdekjes së tij, duke thënë: “Kini kujdes!
Popujt para jush i kanë bërë varret e pejgamberëve të tyre dhe të njerëzve të mirë faltore. Kini kujdes! Ju mos i bëni varret faltore! Unë ju ndaloj të bëni një gjë të tillë!” (Transmeton Muslimi)

Lutja ndaj të vdekurve, kërkimi i nevojave prej tyre dhe bërja e cilitdo lloj të ibadetit për ta, është shirk i madh.
Kurse bërja e ibadeteve te varret dhe të besuarit se duaja pranohet nëse bëhet në afërsi të tyre, si dhe falja e namazit në xhami ku ka varre janë bidate të fëlliqura.

Në dy “Sahihët” transmetohet nga Aishja, radijallahu anha, se Pejgamberi sal’allahu alejhi we selem, gjatë sëmundjes nga e cila nuk u ngrit më kishte thënë: “Allahu i mallkoftë çifutët dhe të krishterët! Ata i bënin varret e pejgamberëve të tyre xhami.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

2. Therja dhe sakrifikimi tek varret.

Nëse ajo bëhet për t’u afruar afër të varrosurit, që ai t’ia kryejë një nevojë, atëhere është shirk i madh.
Ndërsa, nëse bëhet për diçka tjetër, atëherë ai është një bidat shumë i rrezikshëm dhe është një prej rrugëve të mëdha të shirkut. Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “Nuk ka therje në Islam.” Abdurrezaku thotë: “Mushrikët kanë therur lopë dhe dhen tek varret.” (Transmeton Ebu Davudi)

3, 4,5,6,7. Të ngrihet më tepër se dheu i cili ka dalë nga gërmimi i tij, rrethimi, mbishkrimi, ndërtimi mbi të, ulja mbi të.

Të gjitha këto janë bidate me të cilat kanë devijuar çifutët dhe të krishterët dhe të cilat ishin shkaku më i madh i shirkut.

Nga Xhabiri, radijallahu anhu, transmetohet të ketë thënë: “Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ndaloi të rrethohet varri, të ulurit mbi të, të ndërtohet mbi të, t’i shtohet tokë tjetër dhe të shkruhet mbi të.” (Transmeton Muslimi, Ebu Davudi dhe Hakimi)

8. Të falurit e namazit në varre ose drejt tyre.

Nga Ebu Mirthed el-Ganeviju, radijallahu anhu, transmetohet ta ketë dëgjuar Pejgamberin, sal’allahu alejhi we selem, duke thënë: “Mos u falni drejt varreve dhe mos u ulni mbi to!” (Transmeton Muslimi)

Nga Ebu Seid el-Hudriu, radijallahu anhu, transmetohet se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “E gjithë Toka është vend për t’u falur, përveç varreve dhe nevojtores.” (Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)

9. Ndërtimi i xhamive mbi to.

Ky është një bidat dhe lajthitje e çifutëve dhe e të krishterëve. Më lart u cek hadithii Aishes, radijallahu anha: “Allahu i mallkoftë çifutët dhe të krishterët! Ata i bënë varret e pejgamberëve të tyre xhami.”

10. Llogaritja e tyre për vende feste.

Ky është një bidat, për të cilin ka ndalesë të prerë, për shkak të dëmit të madh që sjell. Nga Ebu Hurejra, radijallahu anhu, transmetohet se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “Mos e bëni varrin tim festë dhe mos i bëni varret faltore! Çomëni salavat kudo që të jeni, se salavati juaj më arrin.” (Transmeton Ebu Davudi dhe Ahmedi)

11. Udhëtimi për t’i vizituar.

Kjo është një gjë e ndaluar, sepse edhe kjo është rrugë që çon në shirk. Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “Nuk udhëtohet për vizitë të ndonjë vendi përveç për tre xhamitë: Mesxhidul Haram, Xhamia e Pejgamberit dhe Mesxhidul Aksa.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Tema e gjashtë: Teprimi

Domethënia: teprimi (elguluv) në gjuhë d.m.th. kalimi i kufirit duke e lëvduar ose sharë një gjë më tepër sesa e meriton.

Në sheriat: Tejkalimi i kufijve të cilat Allahu i ka bërë të ligjshme për robërit e tij; në akide (besim) apo ibadet (adhurim).

Dispozita: Haram, duke u bazauar në tekstet të cilat e ndalojnë teprimin, qortojnë për largim prej tij dhe e sqarojnë rezultatin e keq të cilin teprimi ia sjell vepruesit të tij në dynja dhe në ahiret.

Allahu thotë: “O ithtarët e librit, mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thoni për Allahun gjë përveç të vërtetës.” (En-Nisa, 171)

Allahu gjithashtu thotë: “Thuaju: “O ithtarë të librit, mos e teproni në fenë tuaj jashtë të vërtetës dhe mos shkoni pas epsheve të një populli të mëparshëm që ka humbur, që ka shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që u largua në tërësi prej rrugës së drejtë”. (El-Maide, 77)

Nga Ibn Abasi transmetohet se Pejgamberi i Allahut ka thënë: “Kini kujdes dhe largohuni nga teprimi, sepse popujt para jush janë shkatërruar për shkak të teprimit në fe.” (Transmeton Ahmedi dhe Hakimi i cili thotë se është sahih, gjë me të cilën është pajtuar dhe Dhehebiu)

Nga Ibn Mes’udi transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut ka thënë tri herë: “Të shkatërruar janë (ose qofshin) ekstremistët!” (Transmeton Muslimi)

Nga Omer ibnul Hatabi, radijallahu anhu, transmetohet se Pejgamberi, sal’allahu alejhi we selem, ka thënë: “Mos më lëvdoni ashtu si e lëvduan të krishterët Isain të birin e Merjemes! Unë, në të vërtetë, jam rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij.” (Transmeton Buhariu)

Qëllimi i këtij hadithi është: mos më lëvdoni së tepërmi siç e tepruan të krishterët në lidhje me Isain, saqë pretenduan se është zot dhe i adhuruar. Unë jam vetëm një rob i Allahut, prandaj cilësomëni ashtu siç më ka cilësuar Allahu dhe thoni: “Rob dhe i Dërguar i Allahut”.

Kurse, njerëzit e humbur mohuan urdhrin e tij dhe zgjodhën kundërshtimin. Ata e bënë atë prej të cilës Pejgamberi ndali, e kundërshtuan atë në mënyrën më të madhe dhe e tepruan në të lëvduar të Pejgamberit, saqë pretenduan në të të njëjtat gjëra që i pretenduan të krishterët për Isain, ose të përafërta: luten për falje të gjynaheve, largim të vështirësive, shërim të të sëmurëve dhe gjëra të ngjashme me to të cilat janë veçori të Allahut të Vetëm i Cili nuk ka ortak.

E gjithë kjo është teprim në fe.

Hits: 685
Comments (0)Add Comment

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy