Ndërsa ai që ndryshon, ndërron apo shpik në Fe diçka që nuk është prej saj dhe që nuk ka qenë e njohur tek Selefët prej Akides dhe Sunetit, ai nuk është prej tyre në ato që ka ndryshuar e shpikur.
Ekziston një ngatërresë e madhe në cilën bijnë shumë njerëz si në kohët e hershme edhe të tanishme e cila është pretentimi se Esh’aritë janë Ehli Suneti, madje ndonjëherë quhen me këtë emër prej grupeve të tjera përveç tyre.
Por kjo thënie është e gjërë dhe në të ka shumë mbulim të së vërtetës dhe përzjerje të saj me të kotën dhe sqarimi i kësaj në mënyrë të hollësishme kërkon shqyrtim të gjatë, por unë do të përpiqem të sqaroj atë që di për këtë degë me një përmbledhje të shkurtër si më poshtë:
Së pari: Ehli Suneti dhe Xhemati janë quajtur me këtë emër sepse ata ecin sipas Sunetit të të Dërguarit të Allahut, sal’allahu alejhi we selem, dhe ata janë Xhemati të cilin e ka përmendur i Dërguari i Allahut, sal’allahu alejhi we selem.
Kështu që Ehli Suneti janë: Sahabet, Tabiinët dhe pasuesit e tyre që ndjekun e gjurmët e tyre deri në Ditën e Kiametit dhe të cilët nuk kanë shpikur gjëra të reja dhe nuk kanë ndryshuar gjë.
Ndërsa ai që ndryshon, ndërron apo shpik në Fe diçka që nuk është prej saj dhe që nuk ka qenë e njohur tek Selefët prej Akides dhe Sunetit, ai nuk është prej tyre në ato që ka ndryshuar e shpikur.
Së dyti: Ndërsa Esh’aritë janë grup i bazuar në logjikë që është shfaqur më pas, pas brezave të ndershëm2 dhe që i mvishet imam Ebu Hasen Ali ibn Ismail El-Esh'ari (që vdiq më 324 h. – Allahu e mëshiroftë) i cili ka qenë Mu’tezili e më pas doli prej tyre në vitin 300 h. Afërsisht dhe filloi t’i kundërvihej atyre me metodat logjike në të cilat ata bazoheshin. Kjo nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër me tekstet e Kur’anit dhe Sunetit duke qëndruar kështu përballë Mu’tezilive dhe duke i luftuar ata, ai dhe ata që ndoqën rrugën e tij, derisa ua mbylli gojën me argumente dhe kjo është një punë e madhe për të cilën ai falenderohet.
Në këtë terren u zhvillua një drejtim bindjeje që merrte prej këtu e prej atje dhe i bashkonte i cili nuk ishte as prej Ehli Suneti dhe as prej atyre të logjikës e mendjes. Derisa u qetësua stuhia dhe u shfaq pluhuri i luftës kundra Mu’tezilëve, në të cilën imam Ebu Haseni kaloi një sprovë të madhe por që në fund doli me fitore kundër Mu’tezilëve dhe Xhehmijëve e atyre që ndjekin rrugën e tyre.
Ebu Hasen e njohu të vërtetën dhe kuptoi që ai nuk fitoi kundër tyre vetëm se me mbështetjen tek Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit, sal’allahu alejhi we selem, si dhe mbrojtja që ai bëri për Sunetin dhe pasuesit e tij duke qëndruar kështu me imamët e tjerë të Selefëve.
Pastaj u kthye nga fjalët e tij për Cilësitë e Allahut e të tjera në të cilat ai kishte pas ndjekur rrugën e komentimit e mbështetjes tek logjika. U kthye nga fjalët që lidheshin me të fshehtën, Cilësitë e Allahut dhe kaderin e Tij dhe vendosi të radhitet në radhët e Ehli Sunetit dhe Xhematit duke e shfaqur këtë gjë në librin e tij: “El-Ibanetu” (Sqarimi) në të cilin Allahu i dha sukses për të shpëtuar nga përzjerja e bindjeve kur thotë: “...Dhe fjala jonë me të cilën flasim dhe bindja me të cilën besojmë Allahun është të kapurit për Librin e Zotit tonë të Madhëruar dhe Sunetin e të Dërguarit tonë, Muhamedit, sal’allahu alejhi we selem, si dhe atë që na është përcjellë prej Sahabeve, Tabiinëve dhe dijetarëve të Hadithit. Tek këto mbështetemi dhe themi ato që thoshte Ebu Abdullah Ahmed ibn Muhamed ibn Hambel (Allahu ia ndriçoftë fytyrën, ia lartësoftë gradën dhe ia shpërbleftë me të mira). Ndërsa ata që kundërshtojnë fjalën e tij janë larg nesh dhe ne larg tyre”. (El-Ibanetu an usulid dijane, f. 52)
Poashtu ai i ka pohuar bindjet e Ehli Sunetit në libra të tjerë të fundit të tij siç është libri “El-Lumea” (Shkëlqimi), “Risaletun ila ehli eth thegr” dhe “Mekalatu el-islamijin”.
Këto në vija të përgjithshme, por nëse do t’i ktheheshim hollësive do të gjenim të mbetura tek ai disa njolla të ndjekësve të logjikës në të cilat ai ka ndjekur Ibn Kil-labin apo i ka nxjerrë nga mendja e tij, siç është p.sh. fjala e tij në veprat e Allahut nuk kanë lidhje me dëshirën e Tij, poashtu në lidhje me Fjalën e Allahut për të cilën thotë se ajo është nefsije (vetjake), apo se Kur’ani është domethënie apo tregim për Fjalën e Allahut dhe jo Fjalë e Allahut. Poashtu fjala e tij për kesbin (përfitimin), ligjshmërinë e shkencës së fjalës e logjikës e të tjera si këto.
Mbi këto fjalë zuri vend medh’hebi (drejtimi) i tij i dytë, d.m.th.: kapërcimi prej I’tizalit në rrugën filozofike të Ibn Killabit dhe u bë medh’heb që ndiqet deri sot e kësaj dite sepse ai plotëson dëshirat e filozofëve, pasuesve të logjikës dhe pasuesve të komentimit të gjërave sipas kuptimit të tyre.
Por ata, gjuhëtarët Esh’arij, u zgjeruan shumë në komentimet e tyre dhe në rrugët oratorike e filozofike duke i mveshur Esh’ariut gjëra që nuk i ka pas thënë madje thoshte që është larg bazave të tyre, siç është komentimi i Cilësive të Allahut me të cilat na ka lajmëruar, mospranimi i tyre Hadithin Ahad, që është përcjellur vetëm nga një rrugë transmetimi, paraprirjen e mendjes mbi tekstet e të tjera si këto.
Kështu që Esh’aritë thonë se e kanë origjinën tek imam Ebu Hasen edhe pse ai pohoi dhe shkroi të kundërtën e asaj që ata besojnë në librat e tij El-Ibanetu, El Lumau, Risaletu ehli eth-thegr dhe El-Mekalat, e megjithatë, Esh’aritë vazhdojnë t’ia mveshin atij pasimin e tyre.
Kjo përsa i përket drejtimit të tyre. Pra Esh’aritë janë një drejtim i shfaqur që mbledh ndërmjet Ehli unetit dhe pasuesve të logjikës e për këtë shkak ishin më afër Ehli Sunetit se sa grupet e tjera filozofike.
Nga ana tjetër, medh’hebi i Esh’arive ka kaluar në disa baza historike ku në çdo fazë shtohej largimi ndërmjet tyre dhe Ehli Sunetit sidomos pasi që krerët e tyre të mëvonshëm futën në të ato baza e bindje të marra prej filozofisë, asketizmit, logjikës, oratorisë e polemikës derisa u kthye Akideja e Esh’arive në një turli prej këtyre përzierjeve.
Dhe nga më të shquarit e atyre krerëve kanë qenë:
El-Bakilani (vdiq më 403 h.), Ibnu Furk (vdiq më 406 h.), El-Bagdadi (vdiq më 429 h.), El-Kashijri (vdiq më 465 h.), Ebul Meali El-Xhuvejni (vdiq më 478 h.), Ibnu El-Arabij (vdiq më 543 h.), El-Gazali (vdiq më 505 h.), El-Fekhr Er-Razi (vdiq më 606 h.), El-Amidi (vdiq më 682 h), etj, Allahu na faltë neve dhe ata. 3
Çdonjë nga këta e të tjerë veç tyre kanë ndikuar në zgjerimin e distancës ndërmjet Ehli Sunetit dhe ndjekësve të Esh’ariut, madje ndërmjet vetë Esh’ariut dhe ndjekësve të tij.
Kështu që medh’hebi i Esh’arive sot është kthyer në një përzierje prej drejtimeve e bindjeve të ndryshme ndërmjet Ehli Sunetit, filozofëve, gojëtarëve, xhehmive, mu’tezileve etj. Për këtë shkak i gjejmë ata që ta quajnë veten prej Ehli Sunetit edhe pse kanë rënë në kundërshtim me Ehli Sunetin në çdo kohë në shumë gjëra të bindjes e adhurimit.
Ashtu si dhe gjejmë shumë prej Esh’arive të sotëm e që në kohën e El-Kashijrit, që të zhyten në disa rrugë sufije bidatçije, si dhe gjendjen me shumicë tek ata bidatet që bëhen nëpër varre, teberr (rruku e shpikur, besimi se ka bereqet) në persona apo sende të veçanta, bidatet e adhurimit, dhikër, mevlud etj.
Pikërisht këto bidate janë ato që i dallojnë ata qartë në kohën e sotme prej Ehli Sunetit.
Nëse do të vështronin realitetin sot, do të ishte e vështirë të shihje ndonjë prej Esh’arive dhe që të mos ketë ndonjë gjë prej bidateve apo anim nga ato, ose zvogëlim e mosinteresim me këtë çështje të rrezikshme.
Ndërsa e kundërta ndodh tek ata që janë vërtet prej Ehli Sunetit. Rrallë ndodh që të gjesh në mesin e tyre ndokënd që është i lidhur pas bidateve, vetëm nëse do të bëhej nga padituria, por edhe kjo është e pakët dhe për këtë falënderimi i takon Allahut.
Për këtë shkak Esh’aritë e sotëm duke ndjekur Rafiditë, adhuruesit e varreve, Sufitë e grupet e tjera përveç pasuesve të Sunetit, i quajnë sot pasuesit e Sunetit në të gjitha vendet e muslimanëve me emrin (Vehabije), nisur për tek thirrësi rregullues Muhamed ibn Abdul-Wehab (Allahu e mëshiroftë), ashtu si i quanin më parë me emrin (El-Hanabile), nisur tek imami i Sunetit Ahmed ibn Hanbel (Allahu e mëshiroftë).
Këta nuk e dijnë që quajtja e tyre me emrat e këtyre dy imamëve: Ahmed ibn Hanbel dhe Muhamed ibn Abdul-Wehab është pastrim për ta, nder e dëshmi që ata kanë ndjekur imamët e udhëzimit të drejtë.
Në përmbledhje: Esh’aritë përputhen me Ehli Sunetin në disa çështje të Akides dhe bijnë në kundërshtim me ta në çështje të tjera. Kështu që në ato gjëra në të cilat bijnë dakord me Ehli Sunetin lejohet që të themi se ata janë prej Sunetit në këtë pikë për shkak të pasimit të tyre Sunetin në të, por në përgjithësi, meqë ata e kanë kundërshtuar Ehli Sunetin në baza të tjera të shumta, nuk janë ata për qëllim me Ehli Sunetin kur flitet për Ehli Sunetin dhe as përgjithësisht, gjë e cila mund t’i ngatërrohet shumë njerëzve sot (duke menduar gabimisht se me Ehli Sunetin janë për qëllim Esh’aritë) për shkak të mosnjohjes së tyre fjalët e dijetarëve për këtë gjë.
Fusnota:
1. Fjala për Esh’aritë këtu përfshin edhe Maturiditë sepse bazat, drejtimet e tyre të përgjithshme dhe formimi i tyre është i ngjashëm në një shkallë shumë të madhe.
2. D.m.th: nga fundi i shekullit të tretë hixhri, në kohën kur Ebu Hasen El-Esh’ari u shkëput nga Mu’tezilet në vitin 300 h.
3. Prej suksesit që u dha Allahu këtyre imamëve të mëdhenj (Allahu i mëshiroftë) është se shumica e tyre janë kthyer nga fjalët e tyre të komentimit të Cilësive të Allahut (për tu bashkuar me fjalën e Ehli Sunetit) apo në disa prej atyre fjalëve.



