Sa më i qëndrueshëm të jetë muslimani në këto sjellje të tij, aq më larg ngrihen gradat, pozita dhe dinjiteti i tij. Në këtë mënyrë, ai bëhet i afërt me Allahun, bëhet stacion i zbritjes së mëshirës dhe begatisë së Tij.
Muslimani sheh mirësitë e pafundme që Allahu, subhanehu we teala, i ka falur, duke filluar që nga ngjizja në mitrën e nënës dhe duke e shoqëruar atë deri në momentin e vdekjes, prandaj ai falënderon Allahun subhanehu we teala, siç duhet, me gojën dhe me fizikun e tij, duke i përdorur këto për bindje ndaj Allahut. Kjo është edukata që besimtari duhet të tregojë ndaj Allahut të Lartësuar.
Muslimani nuk duhet të jetë kurrsesi mosmirënjohës ndaj Allahut, sepse Ai ka thënë:
“Çdo mirësi që keni, ju vjen nga Allahu”. (Nahl, 53)
“Nëse do të numëronit mirësitë e Allahut, nuk do t’i llogarisnit dot”. (Nahl, 18)
“Pra, më kujtoni Mua, që t’ju kujtoj ju, më falënderoni e mos më mohoni”. (Bekare, 152)
Muslimani e di se Allahu, subhanehu we teala, ka dijeni mbi gjithçka, mbi çdo gjendje, ndaj dhe zemrën e ka plot me drojë, respekt dhe madhërim për Të. Kështu, atij i vjen turp që mos i bindet Allahut, i vjen turp të bëjë diçka që Allahu e ka ndaluar. Kjo është edukata që duhet treguar ndaj Allahut subhanehu we teala, dhe jo kryerja e mëkateve haptazi, duke e ditur që Ai të sheh.
Allahu, subhanehu we teala, ka thënë:
“Ç’është me ju që nuk i shprehni Allahut madhërinë që e meriton? Kur Ai ju krijoi në disa etapa...” (Nuh, 13-14)
“Ai di atë që e fshihni dhe atë që bëni haptazi...” (Nahl, 19)
“Për çdo çështje që angazhohesh: sa herë që lexon pjesë nga Kur’ani dhe sa herë që bën ndonjë vepër, Ne jemi dëshmitarë kur ju e bëni atë. Zotit tënd nuk mund t’i fshihet asgjë, as në tokë e as në qiell, qoftë kjo edhe sa grimca...” (Junus, 61)
Muslimani e sheh se Allahu, subhanehu we teala e ka në dorë, se nuk mund të gjejë shpëtim dhe as mbrojtje diku tjetër, por veçse tek Ai. Ndaj besimtari i dorëzohet dhe i mbështetet krejtësisht Allahut. Të kërkosh mbështetje dhe mbrojtje diku tjetër, veç Allahut, të kërkosh mbështetje dhe mbrojtje tek ata që nuk kanë gjë në dorë as për veten e tyre, nuk është aspak edukatë ndaj Allahut, i Cili ka thënë:
“...unë i jam mbështetur Allahut, Zotit tuaj, sepse nuk ka asnjë gjallesë që Ai të mos e ketë nën sundim. Vërtet Zoti im është i Drejtë”. (Hud, 56)
“Pra, shkoni e mbështetjuni Allahut, sepse unë jam një qortues i hapur nga Ai”. (Dharijat, 50)
“Mbështetjuni Allahut, nëse jeni besimtarë”. (El-Maide, 23)
Muslimani e vlerëson mëshirën e Allahut mbi të dhe mbi të gjitha krijesat e tjera, ndaj dhe kërkon të fitojë sa më shumë nga kjo mëshirë, duke iu përgjëruar Atij me sinqeritet, duke iu lutur nëpërmjet veprave të tij të mira. Kjo është edukata që duhet treguar ndaj Allahut, dhe jo të heqësh shpresat për mëshirën dhe bujarinë e Tij, të cilat kanë përfshirë çdo gjë në këtë botë, siç ka thënë edhe Ai vetë:
“Mëshira e Tij ka përfshirë çdo gjë”. (A’raf, 156)
“Allahu është i Butë dhe Bamirës ndaj robërve të Vet”. (Shura, 19)
“E mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, sepse vetëm jobesimtarët e humbin shpresën nga Allahu”. (Jusuf, 87)
“Mos e humbni shpresën te mëshira e Allahut...” (Zumer, 53)
Muslimani sheh ashpërsinë, shpejtësinë dhe rreptësinë e ndëshkimit dhe hakmarrjes së Allahut, ndaj dhe i ruhet Atij duke iu bindur dhe duke iu shmangur mëkateve. Kjo është edukata që duhet treguar ndaj Allahut. Ata që kanë mend e dinë se njeriu, i vogël dhe i pafuqishëm, nuk bën të tregohet i pabindur ndaj Zotit Fuqiplotë, Ngadhënjyes e të Madhërishëm, sepse Ai thotë:
“Kur Allahu vendos të ndëshkojë një popull, dënimin e Tij nuk ka kush e sprapsë. Ata (njerëzit) nuk kanë mbrojtës tjetër veç Tij”. (Rad, 11)
“Goditja e Zotit tënd është e fuqishme...” (Buruxh, 12)
“Allahu është Ngadhënjyes, Shpagimtar...” (Ali Imran, 4)
Muslimani, kur bën një mëkat, mendon se do ta zërë kërcënimi i Allahut, se po i zbret dënimi i Tij. Ndërsa kur bën një vepër të mirë, mendon se e ka përfshirë premtimi i Allahut për shpërblim, se kënaqësia dhe miratimi i Tij kanë zbritur mbi të. Në këtë mënyrë, muslimani mendon mirë për Allahun, dhe kjo është edukata e treguar ndaj Tij.
Ndërsa të mendosh keq për Allahun, nuk është edukatë ndaj Tij. Një njeri i tillë kujton se Allahu nuk e sheh kur mëkaton ose se do të falet nga Ai, ndërkohë që në Kur’an thuhet: “...ju kujtoni se Allahu nuk i di shumë nga veprat tuaja! Ky mendim i gabuar për Zotin ju shkatërroi dhe ju bëri të humbur”. (Fussilet, 22-23)
Po ashtu, nuk është edukatë ndaj Allahut që njeriu, pasi të ketë bërë punë të mira, të mendojë se Allahu nuk do ta shpërblejë dhe nuk do t’ia pranojë ato, sepse Ai ka thënë:
“Ata që binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ata që frikësohen Atij janë të fituar”. (Nur, 52)
"Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet me dhjetëfishin e saj. Ndërsa kush bën një të keqe, ndëshkohet vetëm për atë, pa iu bërë padrejtësi”. (En’am, 160)
“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (Nahl, 97)
“Kush vjen me një (punë) të mirë, ai (në ditën e gjykimit) shpërblehet dhjetëfish, e kush vjen me (vepër) të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të”. (En’am, 160)
Si përfundim, kur muslimani e falënderon Allahun për mirësitë që i ka dhënë, kur turpërohet prej Tij, në rast se priret drejt mëkatit, kur kthehet sinqerisht tek Ai, kur i mbështetet Atij, kur shpreson për faljen e Tij dhe i trembet dënimit të Tij, kur mendon mirë për Allahun, për sa i përket zbatimit të premtimit dhe kërcënimit të Tij, atëherë kjo është edukata e duhur me Allahun subhanehu we teala. Sa më i qëndrueshëm të jetë muslimani në këto sjellje të tij, aq më larg ngrihen gradat, pozita dhe dinjiteti i tij. Në këtë mënyrë, ai bëhet i afërt me Allahun, bëhet stacion i zbritjes së mëshirës dhe begatisë së Tij.
Kjo është gjithçka që muslimani kërkon gjithë jetën e tij.
O Allah! O Zot i botëve! Na jep përkrahjen dhe mbrojtjen Tënde, e mos na privo nga kujdesi Yt!



