Rëndësia dhe dobitë e Teuhidit - 2

Dega e tretë

I TËRË KUR’ANI FLET PËR TEUHIDIN DHE PËR MERITAT E TIJ TË VËRTETA

Duke e shpjeguar këtë fjalë, ibën Kajjimi ka thënë:

“Çdo ajet në Kur’an në vete përmban teuhid (monoteizëm), e vërteton atë dhe thërret në të. Kur’ani tregon lajme për Allahun (d.m.th. Allahu tregon për Veten e Tij), për emrat e Tij, për veprat dhe atributet e përsosura të Allahut. Ose, thërret në kryerjen e ibadeteve (adhurimit) vetëm për Atë, i Cili është Një, e që nuk ka partner. Ose, (Kur’ani flet) për urdhrat dhe ndalesat e Allahut, si dhe për qëndrueshmëri duke iu nënshtruar vetëm Atij. Ky është monoteizmi i pastër dhe i vërtetë Islam (Teuhidi), si dhe faktet të cilat e plotësojnë atë.

Po ashtu, Kur’ani tregon edhe për fisnikërinë e Allahut kundruall muvehidëve  të sinqertë dhe të nënshtruar, si dhe tregon se në çfarë mënyre do të sillet ndaj tyre në këtë botë dhe me çfarë do t’i shpërblejë në botën tjetër. E ato janë merita për manifestimin e monoteizmit (teuhidit) të pastër dhe korrekt.

Gjithashtu, Kur’ani flet edhe për ithtarët e shirkut (idhujtarizmit dhe politeizmit) dhe tregon se me çfarë lloj dënimesh dhe vuajtjesh do të ballafaqohen në këtë botë dhe çfarë i pret në Ahiret.

Këto janë lajmërime për ata që iu kundërvunë teuhidit (besimit) të pastër dhe të cilët u larguan nga të gjitha rregullat dhe dispozitat të cilat janë publikuar nga Kur’ani.

Ashtu siç kemi theksuar, i tërë Kur’ani tregon për Teuhidin, për të drejtat dhe meritat e tij, për gjendjen e ithtarëve të politeizmit (shirkut) dhe për vuajtjet që do të përjetojnë.

Si shembull, në suren el-Fatiha ekzistojnë këto ajete:

- Falënderimi i takon Allahut, në vete përmban Teuhid.

- Zotit të botëve, përmban Teuhid.

- Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë, ky është Teuhid i cili nënkupton të kërkuarit e udhëzimit në Rrugën e Drejtë, në rrugën e ithtarëve të teuhidit të pastër që ua dhuroi Allahu i Lartmadhëruar.

- jo në të atyre që kundër vetes tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten, ky ajet i dedikohet atyre që u larguan nga Teuhidi (nga monoteizmi i pastër, të cilët janë hebrenjtë dhe të krishterët).

Dega e katërt

TEUHIDI E ZBULON PARA ZOTIT ZEMRËN E ROBIT TË TIJ

Ibn Kajjmi (rahimehullah) ka thënë:

“Kur të thellohesh në porositë kur’anore, atëherë do të gjesh Sundimtarin të Cilit i takon i tërë pushteti dhe të Cilit i takon falënderimi. Të gjitha caktimet dhe urdhrat janë në dorën e Tij, prej Tij rrjedhin dhe Atij do t’i kthehen. Ai është i Lartësuar në Fron, dhe asgjë nuk mund t’i fshihet Atij. Ai e di se çfarë fshihet në shpirtrat e robërve të Tij, çfarë shprehin, e çfarë mbajnë sekret. Ai udhëheq me Mbretërinë e Tij, sheh dhe dëgjon, jep dhe merr, shpërblen dhe dënon, ofron ngritje në autoritet dhe nënçmon, krijon dhe furnizon, jep vdekje dhe ringjall, përcakton dhe gjykon. Të gjitha urdhrat vijnë nga Ai dhe kthehen tek Ai, dhe asnjë gjeth nuk bie pa dijen e Tij. Paramendo se si Ai i këshillon robërit e Tij dhe i udhëzon drejt asaj ku është fati dhe suksesi i tyre dhe ua tërheq vërejtjen nga ajo që për ta është shkatërrim. Ai i njofton robërit e Tij për Veten e Vet, për emrat dhe atributet e Tij, ua përkujton mirësitë të cilat ua dhuroi nëse janë të dëgjueshëm ndaj Tij, si dhe ua bën të ditur se cili do të jetë dënimi ndaj atyre që nuk janë të dëgjueshëm. Kështu pra, Ai i thërret në Shtëpinë e shpëtimit, duke ua tërhequr vërejtjen nga Shtëpia e shkatërrimit.

Ai i përkujton robërit e Vet për dobësinë e tyre dhe për nevojën ndaj Tij, dhe se askush nuk do të përjetojë asnjë grimcë të mirë, pa mëshirën e Tij, e as ndonjë të keqe pa drejtësinë dhe urtësinë e Tij. Në fjalët e Tij dëshmon qortim të butë ndaj robërve të Tij, të cilëve ua falë gabimet dhe i shëron nga ajo që është e dëmshme për ta. Ai është Mbrojtësi dhe Ndihmësi i tyre në çdo fatkeqësi, Ai e përmbush premtimin e Vet. Ai është Zoti i Vërtetë i të gjithëve, dhe Ai iu jep fitore ndaj armikut të tyre, Ai është Zot dhe Përkrahës i mirë.”

Në përfundim të fjalëve të Tij, Shejh ibën Kajjimi shpjegon duke thënë:

“Atëherë kur zemrat - duke lexuar Kur’an - dëshmojnë për ekzistimin e Sunduesit të Madh, të Mëshirshëm, Mëshirues, të Mirë, atributet e të Cilit janë, atëherë si të mos e dashurojnë dhe të mos garojnë për arritjen e kënaqësisë dhe afërsisë me Atë dhe të mos e harxhojnë frymën e tyre duke e adhuruar Atë me sjellje të mirë.

Atyre zemrave Ai iu bëhet edhe më i dashur nga çdo gjë dhe kënaqësia e Tij do të gëzojë përparësi tek ata ndaj kënaqësisë së të gjithëve. Atëherë, si të mos e përmendin me gjuhët e tyre, kur dashuria, ëndja dhe afërsia ndaj Tij, shndërrohen në ushqim dhe ilaç për zemrat, që kur t’a humbin atë ushqim, atëherë shëmtohen dhe shkatërrohen, dhe nuk e shfrytëzojnë jetën e tyre.”

TË REALIZUARIT E TEUHIDIT NË ZEMRA

Ibn Kajjimi shpjegon se si zemra bindet në ekzistimin e të Vetmit Zot:

“Zemra dëshmon për Zotin e Lartmadhëruar, i Cili urdhëron dhe ndalon, i Cili përfshin gjithçka me shikimin e Tij, gjithçka që ndodh në Tokë dhe nën të. Ai me dëgjimin e Tij përfshin gjithçka, ndërsa me Diturinë e Tij përfshinë fshehtësitë në shpirtra. Ai është i Cili Veten e Vet e përshkroi me atributet e përsosura, ashtu siç tregon për Veten e Vet në Librin e Tij të Shpallur, është i Gjalli i Cili nuk vdes dhe nuk fle dhe të Cilit asgjë nuk mund t’i fshehet, as në qiej, e as në Tokë.

Atributet e Tij nuk mund të krahasohen me atributet e qenieve të cilat i krijoi. Ai është i pari, para të Cilit nuk kishte asgjë, dhe Ai është i Fundit, pas të Cilit nuk ka asgjë. Të gjithë emrat e Tij janë falënderim dhe lavdërim, prandaj janë më të bukurat, ashtu siç Ai i quan, ndërsa veprat e Tij janë plot me urtësi, mëshirë dhe drejtësi.

Gjithçka e krijuar të orienton kah Ai. Qiejt dhe Tokën, dhe atë që është ndërmjet tyre, Ai nuk i krijoi pa ndonjë shkas, e as njeriun nuk e la të bredhë, por e krijoi që ta adhurojë Atë. Nëpër to (qiejt dhe tokën) shpërndau begatinë e Tij me qëllim që t’i afrohen me falënderim dhe duke kërkuar që t’ua zmadhojë begatitë. Ai i fton robërit e Tij që ta duan Atë dhe i përcakton Vetes që mëshira e Tij t’a tejkalojë hidhërimin e Tij.”
Në një vend tjetër ibën Kajjimi, rahimehullahu te’ala, ka thënë:

“Sikur zemrat ta shikojnë Zotin e Lartmadhëruar mbi Fronin e Tij, ashtu siç ka Shpallur në Librin e Tij dhe siç ka thënë për Atë i Dërguari i Tij; i rregullon ndodhitë, urdhëron, ndalon, krijon dhe furnizon, i bën krijesat që të vdesin dhe i ringjall ato, i lartëson por edhe i poshtëron, Ai e shuan forcën e një shteti dhe e forcon një tjetër. Melaiket e Tij zbresin nga Ai dhe ngjiten tek Ai me përcaktimet e Tij, dhe bëhet ashtu siç dëshiron Ai dhe kur të dëshirojë Ai. Bëhet ashtu si të dëshirojë Ai, pa kurrfarë shtojce ose pakësimi, pa kurrfarë zgjatje ose përshpejtimi. Dituria e Tij përfshinë çdo send, ndërsa të dëgjuarit e Tij përfshinë çdo zë, dhe të parët e Tij përfshin gjithçka, dhe Ai e di të fshehtën dhe e di atë që është në zemrat e robërve të Tij. Krijimi dhe përcaktimi janë të Tij; pushteti dhe falënderimi është vetëm i Tij; kjo botë dhe Ahireti janë të Tij; gjithçka e mirë është në duart e Tij dhe vetëm Atij i kthehet. Fuqia e Tij përfshinë çdo send, mëshira e Tij kaplon çdo gjë dhe begatia e Tij mund t’a mbulojë çdo qenie. Ai i fal gjynahet, i largon brengat, e mëson të paditurin, e udhëzon të devijuarin, e ushqen të uriturin, e shëron të sëmurin, e ndihmon atë ndaj të cilit është bërë padrejtësi, e shpërblen atë që vepron mirë dhe i zgjedh llogaritë me tiranin. I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ves-selem, ka thënë:
Ai as nuk fle, e as nuk i ka hije që të flejë. Tek Ai ngrihen veprat e natës para ditës dhe veprat e ditës para natës. Perdja e Tij është dritë; sikur të ngrihet ajo, drita e Tij do t’i digjte të gjitha krijesat.”

I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ves-selem, ka thënë:

“E djathta e Tij është gjithmonë e plotë; fati i ditës dhe i natës nuk zvogëlon asgjë në të.”

Toka është në grushtin e Tij dhe qiejt janë të mbështjellur në të djathtën e Tij, e pastaj i trondit dhe thotë: ‘Unë jam Sundues! ‘Unë jam Sundues! Unë jam Ai i Cili e kam filluar krijimin e kësaj bote pasi në të nuk ka ekzistuar asgjë, dhe Unë jam Ai i Cili e kthej ashtu siç ka qenë”.

Nuk ekziston asnjë mëkat më i madh se falja e Tij, e as lutje më e madhe se të dhënurit e Tij. Sikur të gjithë melaiket, njerëzit dhe xhinët, që nga krijimi i parë e deri tek i fundit të ishin nga më të devotshmit e tyre, kjo aspak nuk do t’a zvogëlonte pushtetin e Tij. Po ashtu, sikur të gjithë melaiket, njerëzit dhe xhinët, që nga krijimi i parë e deri tek i fundit të ishin si më të devijuarit e tyre, kjo nuk do të zvogëlonte asgjë nga pushteti i Tij. Sikur gjithçka që është krijuar të tubohet dhe nga Ai të kërkojë atë që i duhet, kjo aspak dhe asgjë nuk do të pakësonte nga ajo që zotëron Ai. Ai është i Pari, para të Cilit nuk ka ekzistuar asgjë, dhe Ai është i Fundit pas të Cilit nuk ekziston asgjë. Përcaktimi i Tij është në bazë të diturisë së tij dhe falja e Tij është pranë fuqisë së Tij.

Nëse zemra e robit ndriçohet me këto cilësi përmes të përmendurit të Allahut dhe atributeve të Tij, kjo do të jetë drita e tij (e besimtarit) në këtë botë, në berzeh , si dhe në Ditën e Gjykimit. Krahas sinqeritetit të fesë në zemrën e robit burojnë veprat dhe fjalët e tij. Mundet që drita e veprave të tij të jetë sikurse drita e Diellit, atëherë kur të dilet para Allahut, si dhe drita e shpirtit të tij (robit) kur të lutet para Tij (para Allahut). Ajo dritë do ta orientojë që të kalojë urën e Siratit, dhe ajo dritë do të jetë dritë e fytyrës së tij në Ditën e Gjykimit.”

NDIKIMI I NJOHJES TË ZOTIT TEK NJERIU

Ibn Kajjimi ka thënë:

“Kur’ani është të folurit e Allahut. Aty, Allahu ua paraqet njerëzve Veten përmes atributeve të Tij, një herë me Mbulesën e Lartmadhërisë dhe frikërespektit me qëllim që të përkulen qafat dhe të shkrihet mendjemadhësia, ndërsa herën tjetër në Mbulesën e plotësisë dhe bukurisë, me qëllim që dashuria ndaj Tij në zemrën e besimtarit t’a shtypë çdo dashuri tjetër.

E nëse manifestohet në cilësitë e mëshirës dhe butësisë, tek robi zgjohet shpresa dhe sado që të zmadhohet shpresa, do të zmadhohet edhe mundi drejt afrimit tek Zoti.

E nëse manifestohet në cilësitë e drejtësisë, hakmarrjes, hidhërimit dhe dënimit, shpirti i sëmurë do të nënshtrohet nga ëndja dhe do t’ia dobësojë epshin, do t’ia shkatërrojë brengën dhe gjërat e ndaluara dhe do të nënshtrohet nga frika.

E nëse manifestohet në cilësitë e urdhrave, ndalesave, premtimeve, të të dërguarve të Profetëve, shpalljes dhe ligjit, atëherë shpirti i robit (besimtarit) orientohet drejt nënshtrueshmërisë dhe largimit nga ajo që është ndaluar.

E nëse manifestohet në cilësitë e të dëgjuarit, të pamurit dhe diturisë, atëherë tek besimtari do të zgjohet turpi që të mos e shohë Zoti në diçka që është e shëmtuar dhe e keqe ose të dëgjojë nga ai diçka që është e keqe ose të dijë se çfarë fshihet në gjoksin e atij (besimtarit). Prandaj, shqyrtoi sjelljet e tua në raport me peshoren (mizanin) e dispozitave të Allahut.

Nëse paraqitet si Ai i Cili brengoset për nevojat e tyre dhe i largon fatkeqësitë prej tyre, i ndihmon dhe i mbron robërit e Tij, atëherë kjo në zemrën e besimtarit do të sjellë mbështetjen tek Ai dhe dorëzim tek Ai, si dhe kënaqësi me të gjitha ato që është përcaktuar.

Nëse iu paraqitet në cilësitë e krenarisë dhe mendjemadhësisë, atëherë shpirti i qetë i tij (i besimtarit) jep atë deri në llojin e përulësisë para Madhështisë së Tij dhe dorëzimit para fuqisë së Tij, të nënshtruar para Madhështisë së Tij, të përulur me zemër dhe me tërë qenien e tij. Atëherë e kaplon qetësia dhe respekti në zemër, gjuhë, në tërë trupin dhe pamjen e tij, ndërsa mprehtësia, forca dhe fuqia do të humbasin.

Më tej vazhdon:

“I Lartmadhëruari i njeh robërit e Tij me Vetveten, ndonjëherë përmes njohjes me atributet e Hyjnisë së Tij, e ndonjëherë përmes njohjes me karakteristikat e Autoritetit të Tij, si Zot”.

Në fund të këtij shpjegimi, ibën Kajjimi thotë:

“Konkluzioni i kësaj është: Allahu i Lartmadhërishëm ndonjëherë i paraqitet robit me cilësitë e Hyjnisë së Tij, e ndonjëherë me cilësitë e Autoritetit të Tij si Zot.

Pastaj, të dëshmuarit me karakteristikat e hyjnisë shkakton lindjen e dashurisë së veçantë, dëshirën për t’u takuar me Atë, afërsi dhe kënaqësi me Të, gëzim duke i shërbyer Atij, gara në vepra të mira për të përfituar afërsinë e Tij, dashuri ndaj Tij përmes nënshtrimit, përmes të përmendurit të Tij dhe përmes ikjes nga krijesat drejt Tij.

Atëherë, Ai për njeriun do të paraqet si i vetmi interes në raport me të tjerët. Të dëshmuarit e karakteristikave të Hyjnisë si Zot nxit mbështetjen tek Ai, varësinë prej Tij, po ashtu nxit të kërkuarit e ndihmës vetëm nga Ai, përulësinë, dorëzimin dhe nënshtrueshmërinë vetëm ndaj Tij, ndaj dinjitetit të Tij, që të jetë i lavdëruar në Mbretërinë e Tij, në krenarinë e Tij në falje, në urtësi, në gjykim dhe në përcaktim, në begati dhe në sprova. Të dëshmuarit e urtësisë dhe begatisë së Tij manifestohet në urdhrat dhe në ndalesat e Tij, në krenarinë e Tij, në kënaqësinë dhe hidhërimin e Tij, në butësinë e Tij kur i anulon dënimet, në fisnikërinë e Tij dhe në aftësinë e Tij për të pranuar dhe në sovranitetin e Tij për të mos i pranuar.
Nëse e kupton Kur’anin ashtu siç është, pa ndonjë komentim të cilin e shtrembërojnë ata të cilët thërrasin në domethënien transmetuese, Sunduesin do ta shohësh mbi qiejt e Tij, në Fronin e Tij, i Cili disponon me punët e robërve të Tij, urdhëron dhe ndalon, dërgon profetë dhe zbret Shpallje, kënaqet dhe hidhërohet, urdhëron dhe dënon, jep dhe merr, lartëson dhe poshtëron, sheh dhe dëgjon gjithçka, e di të fshehtën dhe atë që është publike, vepron ç’të dojë, përshkruhet me karakteret e plota, është larg të metave, asgjë nuk mund të lëvizë pa lejen e Tij, as edhe një gjeth nuk bie pa diturinë e Tij, e as nuk mund të ndërmjetësojë tek Ai pa lejen e Tij, dhe përveç Tij njeriu nuk mund të ketë mbrojtës e as më të drejtë.”

Dega e pestë

SHKENCA PËR TEUHIDIN ËSHTË SHKENCA MË E NDERSHME

Shkencat dallohen sipas vlerës së tyre krahas informacioneve të cilat i trajtojnë. S’ka dyshim se informacionet dhe dituritë më të ndershme janë ato për Allahun e Lartmadhërishëm. Kjo shkencë është më e ndershmja nga të gjitha shkencat të cilat trajtojnë krijimin e qiejve dhe të tokës, të deteve dhe lumenjve, njerëzve, xhinëve dhe engjëjve.

Ibn Kajjimi rahemullah ka thënë: “Sa më e ndershme të jetë lënda që studiohet dhe që kërkohet më shumë, aq më e ndershme është dituria.

Prandaj, nuk ka dyshim se dituria më e ndershme është dituria për Allahun dhe gjithçka që lidhet me Atë.”

Në një vend tjetër ai thotë:

“Nuk ka dyshim se dituria për Allahun, për atributet e Tij dhe veprat e Tij, është dituria më e ndershme në raport me dituritë e tjera, siç është lënda e të studiuarit të Qenies së Tij kundruall lëndëve të shkencave të tjera”.

Po ashtu, duke shpjeguar për nderin e njohjes së teuhidit dhe për dimensionet e rëndësisë së tij, më tej ai (Ibn Kajjimi) thotë: “Respekti i diturisë përcjell edhe respektin e asaj që studion edhe të mbështeturit e shpirtrave në argumentet e ekzistimit të Tij, si dhe madhësinë e nevojës për të njohur dhe madhësinë e dobisë së asaj njohje. S’ka dyshim se, më e lartësuar dhe më e madhe është dituria për Allahun, përveç të Cilit nuk ekziston zot tjetër, Zot i të gjithë botëve, Mbajtësit të qiejve dhe të Tokës, Sunduesit të Vërtetë, i përshkruar me të gjitha atributet e përsosmërisë, i pastër nga çdo mangësi, si dhe nga çdo krahasim me përsosmërinë e Tij .

“Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, dhe Allahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Ata janë njerëzit e prishur”. (el-Hashr, 19)

Logjiko në lidhje me këtë ajet të Kur’anit dhe aty do të gjesh një domethënie të madhe dhe të pastër, që është: “Kush e harron Zotin e vet, Ai do të bëjë që të harrojë vetveten. Ai nuk do ta dijë as esencën, e as dobinë e vet, madje do të harrojë edhe atë se ku gjendet e drejta dhe shpëtimi i tij në këtë botë dhe në botën tjetër. Kështu, pra, ai do të mbetet i padobishëm dhe do të lihet në gradën shtazarake. Në të vërtetë, ka mundësi që kafshët t’i njohin më mirë dobitë e tyre nga ai duke qëndruar në udhëzimin e plotë të cilin ua dhuroi Krijuesi, përderisa si i tillë nuk del nga kornizat e natyrës ashtu siç është krijuar. E harroi Zotin e vet, e kështu Ai bëri që t’a harrojë veten dhe karakteristikat e tij, si dhe atë me të cilën plotësohen, dhe bëhen fatlumë në këtë botë dhe në botën tjetër.

“Vendore veten tënde me ata që e lusin Zotin e tyre në mëngjes e në mbrëmje, e që kanë si qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, sepse puna e tij ka mbaruar”. (El-Kehf, 28)

Ai është i pakujdesshëm ndaj Zotit të vet dhe i pakujdesshëm ndaj vetes dhe zemrës së tij. Nuk i përfill dobitë e tij, si dhe atë me të cilën shpirti dhe zemra e tij bëhen më të pastra. Me të vërtetë, (njeriu i tillë) e braktis veten dhe e shkatërron zemrën e tij, është i pakujdesshëm, i hutuar dhe nuk e gjen rrugën e vërtetë.

Ibn Kajjimi e shpjegon këtë themel në një vend tjetër, duke thënë:

“Numërimi dhe të mësuarit e emrave të bukur të Allahut dhe dija për to është themel i shkencës për çdo dituri. E njëjtë gjë është edhe se dituria mund të jetë ajo që e krijoi Ai ose që e urdhëroi Ai, ose dituria për atë që e formësoi dhe porositi për të. Burimi i krijimit dhe urdhrit rrjedh nga emrat e bukur të Tij. Krijimtaria dhe urdhrat janë të ndërlidhura për këto emra të bukur, ashtu siç janë të ndërlidhura faktet të cilat zbulohen ndërmjet vete. Burimi i të gjitha urdhrave janë emrat e bukur të Allahut. E tëra kjo është e mirë dhe nuk del nga kornizat e dobisë për robërit, brengës dhe mëshirës ndaj tyre. Të gjitha urdhrat e Allahut janë të dobishëm, kanë urtësi, mëshirë, butësi, mirëqenie, sepse burojnë nga emrat e bukura të Tij. Të gjitha veprat e Tij nuk dalin nga kornizat e drejtësisë, urtësisë, dobisë dhe mëshirës, sepse ato janë nga emrat e bukura të Allahut. Në atë që krijoi Ai ka harmoni. Ai nuk i krijoi krijesat pa ndonjë qëllim, kot ose për lojë. Ashtu siç është e krijuar gjithçka përveç Tij, edhe ajo që ekziston - përveç Tij - pason kah ekzistenca e Tij, që do të thotë, gjithçka që është e lindur dhe e krijuar e përcjell Krijuesin e Tij. Kështu që, dituria për këtë është themel i diturisë për gjithçka që ekziston. Dituria për emrat e Tij si dhe numërimi dhe të mësuarit e tyre është themel i shkencave të tjera. Kush i numëron dhe i mëson emrat e Tij, gjë që duhet t’a bëjë çdo krijesë, i ka mësuar të gjitha shkencat, sepse të mësuarit e emrave të Tij është themel për të mësuar të gjitha dituritë. Dituria është kërkesë e emrave të Allahut dhe është e ndërlidhur me to. Logjiko për zanafillën e krijimit dhe të urdhrave ose për diturinë dhe urtësinë e Tij dhe do të shohësh se në to nuk ka asnjë mungesë por ka harmoni, sepse mosplotësimi i asaj që Ai urdhëron ose vepron, bëhet për shkak të paditurisë së tij (njeriut) ose mosekzistimit të urtësisë. Zoti i Lartmadhërishëm i di të gjitha dhe është i Urtë. Për veprën dhe urdhrin e Tij nuk mund të ndërlidhet mosplotësimi (mungesa), mungesa e harmonisë dhe kundërthënia.”

Dega e gjashtë

DITURIA PËR ALLAHUN ËSHTË THEMEL I TË GJITHA DITURIVE

Ibn Kajjimi (rahimeullah) ka thënë:

“Ashtu siç dituria për Allahun është dituria më e ndershme, ajo gjithashtu është edhe themeli i të gjitha diturive, andaj kush zotëron dituri për Allahun, ai zotëron dituri për të gjitha të tjerat, e kush nuk di për Zotin e vet, aq më pak do të dijë për diçka tjetër.

Allahu i Lartmadhëruar në Kur’anin Fisnik ka thënë:

“Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, ndërsa Allahu bëri që ata ta harrojnë vetveten!...” (el-Hashr, 19)

Prandaj, ata (njerëzit e tillë) nuk e dinë qëllimin e tyre, nuk e dinë se ç’është e dobishme në këtë botë dhe ç’është e dobishme në Ahiret, prandaj, ata bredhin sikurse kafshët pas kullotave ose edhe më keq se ata, sepse ata ikin nga natyra e tyre në të cilën janë krijuar, dhe në këtë mënyrë e harruan Zotin e tyre.

Allahu i Lartmadhëruar në Kur’anin Fisnik ka thënë:

“...dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën nga përkujtimi Ynë, dhe i cili i është dhënë epshit të vet, sepse puna e tij ka mbaruar.” (el-Kehf, 28)

Pra, dituria për Allahun është themel i çdo diturie dhe themel i diturisë së robit për fatin e tij, gjë që do t’i bëjë dobi në këtë botë dhe në botën tjetër, ndërsa injoranca është themeli i fatkeqësive të çdo njeriu.”

Në një vend tjetër, ibën Kajjimi shpjegon duke thënë: “Njohja e emrave të Allahut është themel i çdo diturie, sepse çdo dituri është ose dituri për atë që e krijoi Allahu ose dituri për atë që ka urdhëruar. Çdo urdhër i Tij është dobi për njeriun, urtësi dhe mëshirë, si dhe çdo vepër e Tij është drejtësi, urtësi, dobi dhe mëshirë.

Ashtu siç është e krijuar gjithçka nga Ai, po ashtu edhe dituria e krijuar për Atë është bazë e të gjitha diturive. Mendoni se si ndodh krijimi me diturinë dhe me urtësinë e Tij, dhe tek Ai nuk do të gjeni asnjë mangësi, meqë mangësitë - si pasojë e paditurisë dhe mungesës së urtësisë - janë vetëm tek njerëzit, ndërsa Zoti është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”

Dega e shtatë

TEUHIDI PASTRON ZEMRËN DHE SHPIRTIN

Me të vërtetë teuhidi e pastron zemrën dhe shpirtin nga papastërtitë e shirkut dhe mëkateve. Në lidhje me këtë ibën Kajjimi rahimeuLlah ka thënë:
“Njohja përmes zemrës varet nga pastërtia e saj, gjegjësisht a është e pastër ajo zemër apo jo, ashtu siç edhe zhvillimi i trupit që varet nga ajo se a ekzistojnë në te materie të dëmshme apo nuk ekzistojnë.

Allahu i Lartmadhëruar ka thënë:

“...sikur të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, askush prej jush nuk do të pastrohej kurrë (prej mëkateve), por Allahu e pastron atë që do Ai. Allahu dëgjon e di”. (Nur, 21)

Ky ajet është shpallur pasi Allahu tregoi për ato çështje që flasin për ndalimin e prostitucionit, për dënimin ndaj prostitucionit dhe vënien kurorë me prostitutën, gjë që të jep të kuptosh se pastërtia qëndron në largimin nga këto vepra të shëmtuara.

Gjithashtu, Allahu i Lartmadhëruar flet edhe për aktin e kërkimit të lejes për të hyrë në shtëpinë e dikujt: “Nëse nuk gjeni diku aty, atëherë mos hyni në to derisa t'u jepet leje, e nëse u thuhet kthehuni, ju kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju. Allahu di çdo gjë që veproni ju”. (Nur, 21)

Nëse iu urdhërohet që të ktheheni e të mos shikoni diçka intime dhe diçka që nuk do t’i pëlqente nikoqirit, më dinjitoze do të ishte që t’a largoni shikimin nga ajo që është e ndaluar të shikohet.

Allahu i Lartmadhëruar ka thënë:

“Ka shpëtuar ai që është pastruar. Ai që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet”. (el-A’la, 14-15)

Allahu i Lartmadhëruar tregon për rastin e Musait alejhisselam të cilin e urdhëroi që të shkojë te Faraoni.

“Dhe thuaj: "Ke ndërmend që të pastrohesh?” (en-Naziat, 18)

Po ashtu, Allahu në Kur’an na tregon dhe thotë:

“...Për idhujtarët është mjerim i madh, sepse nuk e japin zekatin dhe ata e mohojnë botën tjetër”. (el-Fussilet, 6-7)

Numri më i madh i mufesirëve (komentatorëve të Kur’anit), si ata të gjeneratave më të hershme, ashtu edhe ata të mëvonshmit, mendojnë se me këtë pastërti kuptojnë teuhidin (monoteizmin Islam), të dëshmuarit se vetëm Allahu është Zot dhe Islami është besimi i vërtetë që e pastron zemrën, sepse kjo inkuadron atë që zemra e refuzon ekzistimin ose adhurimin e diçkaje tjetër përveç Allahut. Në esencë, kjo është pastërtia e zemrës dhe bindja e fuqishme se vetëm Allahu është Zot i Vërtetë, gjë që nënkupton se kjo është bazë e çdo llojit të përparimit.

PASTRIMI (I SHPIRTIT) QË ËSHTË URDHËRUAR DALLOHET NGA PASTRIMI I CILI NDALOHET

Duke e shpjeguar dallimin ndërmjet këtyre të dyjave, ibën Kajjimi rahimehullah ka thënë:

“Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “...mos e lavdëroni veten tuaj...” (en-Nexhm, 32)

Ndërsa në një ajet tjetër Allahu ka thënë: “Ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten”. (esh-Shems, 9)

Në ajetin e parë të përmendur Allahu i Lartmadhëruar na edukon se nuk duhet thënë: “Ne jemi të pastër, të ndershëm, të devotshëm”, prandaj në vazhdim të ajetit thotë:

“...Ai e di se kush është më i ruajtur”. (en-Nexhm, 32)

Nëna e besimtarëve, Zejneb (bint Xhahsh), më parë quhej Berre-ten/e pastër, e pagabuar/, prandaj për të kanë thënë: “Shpirti i saj është i pastër”.
Atëherë kur i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ves-selem, dëgjoi për këtë, ia ndryshoi emrin Zejnebes, dhe më pas tha: “Allahu e di më së miri se kush prej juve është mirëbërës”.

Po ashtu, Allahu i Lartmadhëruar në ajetin tjetër ka thënë:

“A nuk e keni kuptuar për ata që e vlerësojnë vetveten?” (en-Nisa, 49)

Pra, do të thotë se Ai do ta pastrojë besimtarin nga gjynahet dhe do t’i tregojë se nuk ka gjynah.

Për dallim nga kjo, Allahu i Lartmadhëruar thotë:

“Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten”. (esh-Shems, 9)

Në kontekst të këtij ajeti, përmendet dhe ajeti ku thuhet:

“Thuaj: ‘Ke ndërmend që të pastrohesh’?” (en-Naziat, 18)

Kjo do të thotë: “A do të dëshiroje që t’i nënshtrohesh Zotit tënd në mënyrë që të pastrohesh?” Njësoj me këtë ajet, është edhe ky ajet:

“Ka shpëtuar ai që është pastruar. (el-A’la, 14)

Përemri men tezek-ka jep të kuptojmë për Allahun, pra, i shpëtuar do të jetë ai shpirt të cilin Allahu e bëri të pastër.

Qëndrimin tonë mund ta mbështesim edhe përmes hadithit të cilin e transmeton ibën Ebi Mulejka nga Aisheja radijAllahu anha ku thuhet:

“Një natë e takova të Dërguarin e Allahut duke lexuar këto fjalë: ‘O Zoti im, jepi shpirtit tim devotshmëri dhe pastroje atë. Ti do t’a pastrosh më së miri, Ti je Mbrojtësi dhe Ndihmësi i tij”.

Kjo lutje komenton ajetin e përmendur dhe jep të kuptojmë se Allahu i Lartmadhëruar është Ai që i pastron shpirtrat derisa të pastrohen plotësisht. Ai do t’i pastrojë, ndërsa robi është ai i cili, po ashtu, do të pastrojë. Dallimi ndërmjet këtyre dy pastrimeve është se në rastin e parë bëhet fjalë për pastërtinë aktive, ndërsa në rastin e dytë bëhet fjalë për kryerësin pasiv, ashtu siç thotë Allahu i Lartmadhëruar në Kur’anin Fisnik:

“Ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten”. (esh-Shems, 9)

“Thuaj: ‘Ke ndërmend që të pastrohesh’?” (en-Naziat, 18)

Kjo do të thotë: A e pranon ofertën e Allahut që t’a pastrojë shpirtin tënd dhe të bëhesh i pastër? Ata e pohojnë se kjo është domethënia e drejtë, ‘sepse i shpëtuar do të jetë vetëm ai të cilin Allahu do ta pastrojë’.

Ata gjithashtu pohojnë se, një qëndrim të tillë kishte vetëm ibën Abbasi, Ali ibën Ebi Talibi, Ata’u dhe el-Kelbi, siç ka thënë: ‘Do të arrijë sukses vetëm shpirti i atij të cilin e pastron Allahu i Lartmadhëruar.’

Vazhdon...

Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë

Përgatiti: Teuhid.NET

www.teuhid.net


 

Hits: 381
Comments (0)Add Comment

Write comment
bolditalicizeunderlinestrikeurlimagequote SmileWinkLaughGrinAngrySadShockedCoolTongueKissCry
smaller | bigger

busy