Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Shembulli i keq u takon atyre që nuk e besojnë botën tjetër, ndërsa Allahut i takon shembulli më i lartë. Ai është Fuqiploti, i Urti”. (en-Nahl, 60)
Allahu ka thënë: “Ai e shpik jetën dhe pastaj e përsërit atë, e ajo (përsëritja) është edhe më e lehtë për Të (sipas mendimit tuaj). Shëmbëlltyra më e lartë është vetëm e Tij në qiej e në tokë dhe Ai është Mbizotëruesi, i Urti.” (er-Rum, 27)
Po ashtu, Ai në Kur’an ka thënë: “...Asnjë send nuk është si Ai...” (esh-Shura, 11)
I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: “Shtatë qiej në raport me Fronin e Allahut (Kursi) janë sikurse shtatë hallka në shkretëtirë, ndërsa Froni i Allahut (Arshi) në raport me Kurs-in është sikurse shkretëtira në raport me hallkën.”
Vetëm Allahu e di madhësinë e Fronit të Tij mbi të cilin është i Lartësuar dhe shikon se çfarë veprojnë robërit e Tij. Ashtu e njohin besimtarët në zemrat e tyre dhe si të tillë e adhurojnë Atë. Si të tillë, ata e dashurojnë Atë, frikësohen prej Tij, tek Ai shpresojnë, tek Ai mbështeten dhe zemrat u qetësohen kur e përmendin Atë. Prandaj, nuk është e vështirë për ta (për besimtarët) që t’a kuptojnë lartësinë e Tij mbi Fronin e Tij, si dhe t’i kuptojnë atributet e tjera të Tij të cilat vetë Ai ia përshkroi Vetes, sepse e kanë të qartë se asgjë nuk i ngjan Atij. Ndërsa nga fjalët e Muhamedit, sal-Allahu alejhi ves-selem, besimtarët e dinë se: “Ai e kaplon me njërën dorë të Tij qiejt, ndërsa Tokën me dorën tjetër, dhe i dridh ato.”
Në përmbledhjen e haditheve të Buhariut ekziston hadithi me nr. 4.811 ku thuhet: “Allahu me njërën dorë të Tij e zë Tokën dhe i mbështjell qiejt me të djathtën e Tij, e më pas tha: ‘Unë jam Sundues! Ku janë sunduesit e tokës (njerëzit)?”
Pra, cila dorë e krijuar i ngjan kësaj dore, dhe të besuarit në ekzistimin e saj të jetë përngjasim me krijesat e Allahut?!
Prandaj, ata që dëshirojnë që t’i komentojnë atributet e Allahut në mënyrë të transmetuar ose dëshirojnë t’i refuzojnë plotësisht, sikurse ata të cilëve iu zbriti nga qielli men dhe selva (ushqimet që iu zbritën benu israilëve në kohën e Musait a.s.) pa mund dhe pa u lodhur, dhe më pas kërkuan edhe qepë dhe brumë .
Më pas ibën Kajjimi ka thënë:
“Lloji tjetër i teuhidit është besimi në Krijuesin dhe adhurimi vetëm ndaj Tij, me dëshirë dhe frikë, me shpresë, me mbështetje tek Ai, me të kërkuarit ndihmë nga Ai dhe me të kërkuarit udhëzim nga Ai.
Me këtë lloj të teuhidit janë dërguar edhe të Dërguarit e Allahut, kanë zbritur shpalljet dhe janë vendosur ligjet. Për këtë shkak janë krijuar qiejt dhe Toka, Xheneti dhe Xhehenemi, shpërblimi dhe dënimi. Përcaktimi është vetëm i Tij, mbështetja është vetëm tek Ai, të kërkuarit ndihmë është vetëm prej Tij, të betuarit bëhet vetëm me emrin e Tij, pendimi bëhet vetëm para Tij dhe sexhdeja (përkulja me fytyrë në tokë) i takon vetëm Atij.”
Dega e parë
KTHJELLTËSIA E TEUHIDIT (MONOTEIZMIT ISLAM)
Ibn Kajjimi ka thënë:
“Asgjë nuk ka më të kthjellët se teuhidi, prandaj edhe njolla më e vogël do të duket, madje edhe nëse ndodh në një çast ose madje edhe nëse është fjalë ose lakmi më e fshehtë. Nëse besimtari ngutet dhe e mënjanon atë njollë përmes asaj që është e kundërta me të, përsëri do të kthehet kthjelltësia e teuhidit (besimit të pastër) të tij, e në të kundërtën njolla do të mbetet dhe më pas do të jetë shumë e vështirë që të mënjanohet. Disa nga këto njolla zmadhohen shumë shpejtë, e disa të tjera më ngadalë, por mund të largohen më shpejtë, e disa të tjera mund të ngjiten shumë rëndë dhe mund të mënjanohen shumë ngadalë.
Ekzistojnë besimtarë teuhidi i të cilëve është i madh (i thellë), prandaj shumë nga këto njolla humbasin dhe zhduken në to. Po ashtu edhe në sipërfaqe të pastër, njolla mund të duket shumë lehtë, prandaj besimtari duhet të ngutet për t’a mënjanuar atë, përderisa nuk e vëren me sipërfaqe të papastër.”
Dega e dytë
TË DËRGUARIT E ALLAHUT ISHIN TË PARËT QË FTUAN NË TEUHID
“Të gjithë Lajmëtarët dhe të Dërguarit e Allahut publikuan dhe folën për Allahun e Lartmadhëruar si të Vetmin Krijues dhe Zot i çdo gjëje që ekziston. Një gjë të këtillë ata e vërtetuan përmes shembullit të tyre personal.
Allahu i Lartmadhëruar në Kur’anin Fisnik ka thënë: “Ne e patëm dërguar Nuhun te populli i tij, e ai u tha: "O populli im, adhurojeni vetëm Allahun, se nuk ka zot tjetër përveç Tij; nuk po i frikësoheni (dënimit)?” (el-Mu’minun, 23)
Duke iu drejtuar popullit të tij, Hudi alejhisselam ka thënë: “Edhe te (populli) Ad-i (dërguam) vëllain e tyre Hudin, e ai tha: "O populli im, adhurojeni (një Zot) Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij; nuk po frikësoheni?!” (el-A’raf, 65)
Duke iu drejtuar popullit të tij, Salihu alejhisselam ka thënë: “Edhe te (populli) Themud e dërguam vëllain e tyre, Salihun, e ai u tha: "O populli im, besojeni Allahun (Një) sepse nuk keni zot tjetër përveç Tij. Ja, ju erdhi argumenti nga Zoti juaj. Kjo deveja është mrekulli për ju. Lereni këtë të lirë të hajë në tokën e Allahut dhe kurrë mos e merrni me të keq, që pastaj t'ju kapë dënimi i dhembshëm”. (el-A’raf, 73)
Ndërsa për Shuajbin alejhisselam se si ai iu drejtua popullit të vet, Allahu na tregon: “E në Medjen (dërguam) vëllain e tyre Shuajbin. Ai tha: "O populli im, adhurojeni Allahun (Një), ju nuk keni zot tjetër pos Tij. Juve ju erdhi mrekullia nga Zoti juaj. Zbatoni drejt matjen dhe peshojën, e mos u bëni padrejtësi njerëzve në sendet e tyre, dhe mos bëni çrregullime në tokë pas përmirësimit të saj. Këto janë më të dobishme për ju, nëse jeni besimtarë”. (el-A’raf, 85)
Po ashtu Allahu i Lartmadhëruar në Kur’anin Fisnik ka thënë: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t'u thonë: "Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!" Por, pati prej atyre që Allahu i udhëzoi dhe pati prej atyre që ishin gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve!” (en-Nahl, 36)
Teuhidi (monoteizmi Islam) ishte çelësi i thirrjes së të gjithë të Dërguarve të Allahut të cilët i dërgoi Ai.
Atëherë kur i Dërguari i Allahut e dërgoi Muadh ibën Xhebelin në Jemen, i tha: “Me të vërtetë ti do të takohesh me popull nga Ehli-Kitabët (ithtarët e Librit, të krishterët dhe hebrenjtë), dhe çështja e parë në të cilën do të thërrasësh të jetë dëshmia se nuk ekziston i adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi, salAllahu alejhi ves-selem, është i Dërguari i Tij. Dhe lajmëroi ata se Allahu e bëri obligim faljen (namazin) pesë herë në ditë”.
Po ashtu i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ves-selem, ka thënë: “Më është urdhëruar që të luftoj kundër njerëzve derisa të dëshmojnë se nuk ekziston i adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi, salAllahu alejhi ves-selem, është i Dërguari i Tij”.
Prandaj, detyrimi i parë me të cilën obligohet besimtari (mukel-lef /i ngarkuari sipas ligjit Islam) është të dëshmuarit se nuk ekziston i adhuruar tjetër përveç Allahut.
Teuhidi është çështja e parë me të cilën hyhet në Islam dhe e fundit me të cilën dilet nga kjo botë.
Në lidhje me këtë i Dërguari i Allahut - Muhamedi, salAllahu alejhi ves-selem, ka thënë: “Ai i cili fjalën e fundit e ka La illahe il-Allah, do të hyjë në Xhenet”.
Pra, teuhidi është detyra e parë dhe e fundit.
Vazhdon...
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë
Përgatiti: Teuhid.NET



