Imam ibën Kajjim el-Xhevziu duke shpjeguar llojet e teuhidit ka thënë:
“Teuhidi në të cilin kanë ftuar të gjithë të Dërguarit e Allahut dhe në bazë të së cilës janë Shpallur Librat, ndahet në dy lloje:
- Teuhidi i cili rezulton nga njohja e Allahut dhe të pranuarit e cilësive të Tij,
- Teuhidi i cili rezulton nga nevoja për Atë (për Krijuesin).
Teuhidi i cili rezulton nga njohja e Allahut dhe nga të pranuarit e cilësive të Tij
Esenca e qenies së Allahut, emrave, atributeve dhe veprave të Tij; të Lartmadhërisë së Tij mbi qiej në Fron; të Folurit dhe Bisedës së Tij me ata që Ai dëshiron nga robët e Tij; e të vërtetuarit e caktueshmërisë dhe urdhrit të Tij.
Ky lloj i teuhidit është përmendur në shumë vende në Kur’anin Fisnik, si p.sh.: në fillim të sures el-Hadid, në suren Ta-Ha, në fund të sures el-Hashr, në fillim të sures es-Sexhde, në fillim të sures Ali Imran, e tërë sureja el-Ihlas etj.
Teuhidi që rezulton nga nevoja për Atë
P.sh., ajo që ekziston në suren el-Kafirun dhe ajeti në suren Al Imran:
“Thuaju (o i dërguar): "O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush...!” (Al Imran, 64)
Dhe ajo për të cilën flet fillimi dhe fundi i sures es-Sexhde, fillimi, mesi dhe fundi i sures Junus, fillimi dhe fundi i sures el-Araf, e tërë sureja el-En’am etj.
Pothuajse i tërë Kur’ani përmban të dy llojet e teuhidit.
Vendi tjetër ku shpjegohet për llojet e teuhidit:
Atëherë kur Imam Kajjimi ka shpjeguar për llojet e teuhidit (monoteizmit Islam), ai i theksoi saktë ajetet nga Kur’ani ku përmendet ai lloj i teuhidit, si dhe vendet në Kur’an ku Allahu i Lartmadhëruar i bashkon ato dy lloje të teuhidit dhe thotë:
“Çdo lloj i gëzimit dhe suksesit mund të arrihet përmes realizimit të dy llojeve të teuhidit, mbi të cilat janë mbështetur të gjitha shpalljet e mëparshme dhe në të cilat ftuan të gjithë Lajmëtarët e Allahut, dhe me të cilën Allahu i Lartmadhëruar e dërgoi si vulë e të gjithë atyre Muhamedin, salallahu alejhi ue selem. Ato dy lloje janë:
- Teuhidi që rezulton nga dituria, të cilën e përfshin shpallja, është teuhid i cili mbështetet në të vërtetuarit e të gjitha cilësive të përsosmërive dhe tërësive të Allahut të Lartmadhëruar, ku Allahu është përshkruar me të gjitha cilësitë e përsosmërisë dhe ku Ai paraqitet larg çdo mangësie.
- Teuhidi i dytë qëndron në të adhuruarit vetëm të Tij, sepse nuk ekziston i adhuruar (zot) tjetër përveç Tij; në manifestimin e sinqeritetit në frikë dhe në shpresë, në lutje, në mbështetjen tek Ai dhe në kënaqësinë me Atë; në atë se vetëm Ai është Zot i Vërtetë dhe Mbrojtës i atyre që besojnë; dhe në frikën që të mos i përshkruhet partner.
Këto dy lloje të teuhidit Allahu i Lartmadhëruar i përmend në suren el-Ihlas e cila përmban monoteizmin e adhurimit vetëm ndaj Tij, Një, si dhe në suren el-Kafirun, ku teuhidi i njohjes dhe bindjes, me atë që sureja el-Ihlas shpjegon detyrën e përshkrimit të të gjitha cilësive të përsosmërisë së Allahut, si dhe qëndrimin se Ai është i pastër nga çdo mangësi, ndërsa sureja el-Kafirun përmban detyrimin e adhurimit vetëm ndaj Atij që është Një, i Cili nuk ka partner dhe se të gjitha format e ibadeteve (adhurimeve Islame) i kryejmë vetëm ndaj Tij.
Asnjë lloj i teuhidit nuk mund të jetë i plotë pa tjetrën. Për atë shkak, i Dërguari i Allahut i lexonte këto dy sure gjatë faljes së suneteve (namazit) të sabahut dhe gjatë namazit të vitrit, të cilat përmbajnë fillimin dhe fundin e veprave, kështu që dita të fillojë me teuhid dhe të përfundojë me teuhid.
Teuhidi i cili rezulton nga dituria të cilën e ngërthen shpallja është në kundërshtim me dy lloje: ta’til dhe temthil.
Ai i cili i refuzon atributet e Allahut dhe dëshiron t’i zhvleftësojë ato, së bashku me të refuzon (mohon) dhe teuhidin e diturisë. Ndërsa ai i cili e përngjason Zotin e vet me krijesat, ai do të mohojë gjithashtu edhe teuhidin e njohjes.
Teuhidi - uluhije i cili rezulton nga nevoja për Allahun dhe nga nevoja e të praktikuarit të urdhrave të Tij në përditshmëri, është në kundërshtim me largimin nga dashuria ndaj Tij dhe mbështetjen tek Ai, si dhe me atë që t’i përshkruash shok dhe të kërkosh zëvendës dhe ndërmjetësues përveç Tij. Allahu i Lartmadhëruar në shumë vende në Kur’an i unifikoi këto dy lloje të teuhidit. Ndër ato ajete janë:
“O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush, që të jeni të devotshëm (të shpëtuar). Ai është Allahu, i cili për ju e bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju. Pra, mos i përshkruani Allahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë)”. (el-Bekare, 21-22)
“Allahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën dhe çdo gjë ndërmjet tyre, brenda gjashtë ditësh, pastaj mbizotëroi Arshin. Përveç Tij nuk keni asnjë ndihmëtar ose ndërmjetësues tjetër, pra, nuk po mendoni?! Ai e udhëheq çështjen (e të gjitha krijesave) prej qiellit në tokë, pastaj ajo (çështja) ngrihet te Ai në një ditë që sipas llogarisë suaj është sa një mijë vjet. Ai është njohësi i të (gjitha) fshehtës dhe të dukshmes, është i Gjithëfuqishmi, Mëshirëbërësi”. (es-Sexhde, 4-6)
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë
Përgatiti: Teuhid.NET



