Rregulli i parë: Formimi i besimit mbi bindjen e fuqishme (jekin)
Ibn Kajjimi transmeton nga Xhunejdi definicionin për bindjen e fuqishme dhe thotë:
“Ajo është të përforcuarit e diturisë e cila nuk iu nënshtrohet asnjë ndryshimi, e as nuk ndryshon në zemër” .
Ndërsa besimin e fuqishëm (ilmu-jekin) e definoi si: “Bindje të plotë ku nuk paraqitet asnjë dyshim, e as nuk ndikon negativisht në besimin e tij. Si p.sh. bindja se ekziston Xheneti dhe bindja e fuqishme se ai është vend i përhershëm i besimtarëve të devotshëm, bindja e fuqishme se atë e kanë transmetuar të Dërguarit e Allahut, si dhe bindja në sinqeritetin e tyre. Në bindjen e fuqishme mund të arrihet përmes diturisë dhe nga dobia e diturisë mjafton ajo që fryt i tij është bindja e fuqishme e cila është e domosdoshme për zemrën që gjatë jetës të jetë e qetë dhe fuqishme” .
Prandaj, Allahu i Lartmadhëruar në Librin e Tij i lavdëroi ata që e posedojnë një gjë të tillë dhe thotë: “...Kështu ia sqarojmë argumentet një populli që kupton.” (el-A’raf, 32)
Ndërsa në lidhje me të afërmin e Tij, Ibrahimin alejhisselam thotë: “E kështu Ibrahimit i mundësuam që të shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t'u bërë edhe më i bindur.” (el-En’am, 75)
Dhe e qortoi atë i cili nuk është i bindur duke thënë: “... sepse njerëzit nuk ishin të bindur në argumentet Tona.” (en-Neml, 82)
Ibn Kajjmi ka shkruar edhe për gradën më të lartë të bindjes në raport me besimin, dhe ka dhënë këtë qëndrim:
“Bindja në raport me besimin është sikurse shpirti në raport me trupin. Për shkak të tij, arifët (njohësit) kanë garuar ndërmjet vete se kush do të jetë më i mirë, dhe kështu kanë garuar ata që dëshironin të garojnë, dhe sipas tij janë orientuar dhe janë orvatur për t’a arritur dhe për t’a përsosur atë (shpirtin). E atëherë kur durimin e ndërlidhin me bindjen, atëherë nga kjo do të dalë udhëheqja në fe.
Allahu i Lartmadhëruar, pas Fjalës së të Cilit shkojnë të udhëzuarit, ka thënë: “Dhe prej tyre Ne bëmë prijës që me urdhrin Tonë udhëzojnë, pasi që ata (që i bëmë prijës) ishin të durueshëm dhe u ishin bindur ndaj argumenteve Tona.” (es-Sexhde, 24)
Ibn Kajjimi i mblodhi virtytet e atyre që kishin arritur gradën e bindjes së fortë (jekin), dhe ka thënë: Allahu i Lartmadhëruar i dalloi në mënyrë të veçantë ehli jekin-ët me atë që ata u shërbyen me ajetet dhe me shenjat e qarta. Allahu i Lartmadhëruar - i Cili është folësi më i Sinqertë - në Kur’anin Fisnik ka thënë: “Edhe në tokë ka argumente për ata që janë të bindur.” (edh-Dharijat, 20)
I dalloi ata që kanë arritur gradën e bindjes përmes udhëzimit dhe suksesit në të dy botët dhe thotë: “Dhe ata, të cilët besojnë në atë që t'u shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në) botën tjetër (Ahiretin). Këta janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit.” (el-Bekare, 4-5)
Lajmëroi për banorët e Xhehenemit se ata nuk iu takonin ehlu-jekinit dhe thotë: I dalloi ata që kanë arritur gradën e bindjes përmes udhëzimit dhe suksesit në të dy botët dhe thotë:
“Kur atyre u thuhej se premtimi i Allahut është i saktë dhe se do të vijë kiameti për të cilin s'ka dyshim, ju thatë: "Ne nuk e dimë se ç'është kiameti, ne dyshuam në të dhe ne nuk jemi bindur!” (el-Xhathije, 32)
Bindja e fortë është esenca e veprave të zemrës, që në bazë janë shpirti i veprës së organeve dhe ajo është esenca e kësaj feje.
Jekin (bindja e fortë) është në lidhje me tevekulin (mbështetjen në Allahun) dhe për atë shkak tevekuli është i varur nga forca e bindjes dhe është fryt i tij.
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “E ti, pra, mbështetu në Allahun se me të vërtetë ti je në të drejtën e sigurt.” (en-Neml, 79)
ﺍﻠﺤﻖﱢ (el-hakk) në këtë ajet nënkupton bindjen e fortë.
Të Dërguarit e Allahut kanë thënë: “E përse të mos i mbështetemi Allahut derisa Ai na udhëzoi në rrugën tonë (të drejtë)...” (Ibrahim, 12)
Atëherë kur jeki-i arrin në zemër, ai e shkëlqen atë dhe e ndriçon me dritë, dhe nga ajo do të zhduket çdo lloj i dyshimit dhe pakënaqësisë, brengës dhe pikëllimit. Ai e mbushë me dashuri (ndaj Allahut), kërkim të strehimit dhe mbështetje tek Ai (i Lartësuari është Ai).”
Ibn Kajjim el-Xhevziu i kundërshtoi shumë ashpër ithtarët e devijimit të cilët mendonin se përmes fjalës së Allahut dhe fjalës së të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) nuk mund të arrihet as dituri e as bindje e thellë për t’a njohur Allahun, emrat e Tij të përkryer, cilësitë dhe veprat, si dhe nuk mund të argumentohet për ekzistimin e melekëve dhe cilësive apo llojeve të tyre.
Ai (Ibn Kajjimi) ka thënë: “Nëse Kur’ani nuk mjafton për t’a njohur Allahun, pasi që pjesa më e madhe e Kur’anit flet për Allahun dhe karakteristikat e Tij, atëherë si do të mjaftojë për t’a njohur Ahiretin dhe dispozitat?”
Rregulli i dytë: Themeli i fesë është besimi në atë që e ka shpallur Allahu dhe në atë që e publikoi i Dërguari i Tij (s.a.v.s.), si dhe dëgjueshmëria ndaj urdhrave.
Ibn Kajjimi shpjegon: “Imani (besimi) mbështetet në bindjen e fuqishme ndaj asaj që vjen nga Allahu dhe që vjen nga i Dërguari i Tij (s.a.v.s.), si dhe zbatueshmëria dhe nënshtrimi ndaj të gjitha formave të urdhëresave. Pastaj, pas këtyre dy themeleve pason refuzimi i dyshimeve të rrejshme dhe lufta me epshet. Feja ndërtohet në këto dy themele: besimi në atë që është Shpallur dhe dëgjueshmëria ndaj urdhrave, e më pas duke refuzuar dyshimin, si dhe duke luftuar epshet.
Sipas kësaj, do të flasim për katër urdhra (emr):
E para: Bindja e fuqishme në argumentet që vijnë nga Allahu i Lartmadhëruar.
E dyta: Mënjanimi i çdo dyshimi që vjen nga xhinët dhe djajtë sipas mënyrës së njerëzve, si të luftuarit kundër tyre.
E treta: Manifestimi i nënshtrueshmërisë.
E katërta: Orvatja permanente e shpirtit në largimin e ëndjeve që paraqiten ndërmjet njeriut dhe nënshtrimit të plotë.
Këto dy gjëra nënkuptojnë dyshimin (shubhe) dhe ëndjen të cilat në esencë janë burimet kryesore të fatkeqësive dhe shkatërrimit të njeriut si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën e ardhshme, pikërisht sikurse dy themelet e para (bindja në argumentet të cilat vijnë nga Allahu i Lartmadhëruar dhe nënshtrueshmëria) që bëhen shkas i fatit dhe suksesit në të dy botët.
Në të vërtetë njeriu (robi) zotëron dy fuqi:
1. fuqinë e njohjes dhe të përsiatjes, si dhe atë që pason nga dituria dhe njohja
2. fuqinë e dëshirës dhe dashurisë që përcillen me vendimin (nijetin) e pastër, me diturinë, me qëndrimin dhe veprën stabile.
Dyshimi (shubhe) do të ndikojë në mënyrë negative në fuqinë e njohjes dhe në fuqinë e përsiatjes, po qe se njeriu nuk do të mbrohet nga ato duke i refuzuar. Po ashtu edhe epshi do të ndikojë në mënyrë negative në forcën e dëshirës dhe veprës, po qe se robi (njeriu) nuk orvatet që t’a mënjanojë atë nga vetja e tij.”
Rregulli i tretë: Për kufijtë e imanit (besimit) dhe kufrit (mosbesimit)
“Imani (besimi) përbëhet nga bindja e fuqishme e zemrës, shprehjes me gjuhë dhe veprimit përmes pjesëve të trupit. Ai është i përbërë nga më shumë pjesë që janë të ndarë ndërmjet asaj të jashtmes dhe të brendshmes, që do të thotë, të jashtmes që manifestohen përmes gjuhës dhe veprave, e që burojnë nga brendia (e zemrës). I Dërguari i Allahut veprimin e ndau në disa degë. Ebu Hurejre r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Imani (besimi) përbëhet nga gjashtëdhjetë e disa degë, dhe turpi është pjesë e besimit”.
Ibn Kajjimi (rahimehullah) më tej vazhdon dhe thotë:
“Esenca e imanit (besimit) është ndarë në më shumë degë, çdo degë quhet iman (besim). Namazi është pjesë e imanit. Gjithashtu, pjesë e imanit është edhe dhënia e zekatat, haxhi dhe agjërimi. Veprat e brendshme, siç janë turpi, tevekuli (mbështetja në Allahun), devotshmëria, synimi drejt Allahut, janë pjesë të imanit (besimit). Pjesët e imanit përfundojnë tek vepra më e vogël (më e imtë, /B.J.), që është mënjanimi i ndonjë pengese nga rruga. Po ashtu edhe ky gjest numërohet si degë e besimit. Rrënimi ose mungesa e ndonjërit nga këto degë ndërpret shkëlqimin (vlefshmërinë) e imanit, siç është p.sh. shehadeti, përderisa me disa prej tyre, esenca e tyre edhe më tej mbetet e vlefshme, si p.sh. moslargimi nga rruga i diçkaje që i pengon kalimtarët.
Ndërmjet këtyre dy degëve ekzistojnë edhe degë të tjera që ndërmjet vete dallohen sipas gradës së rëndësisë. Disa janë më afër dhe në atë mënyrë janë të ndërlidhur me degën e shehadetit, ndërsa të tjerët janë më afër degës “largimit nga rruga të diçkaje që i pengon kalimtarët”, dhe me to janë të ndërlidhura.
Njësoj është edhe me kufrin (mosbesimin). Mosbesimi zotëron themelin dhe degët e tij sikurse edhe imani (besimi). Turpi është pjesë e imanit (besimit), ndërsa mospajisja me turp është degë e mosbesimit (kufrit). Sinqeriteti është pjesë e imanit (besimit), ndërsa gënjeshtra është degë e kufrit (mosbesimit). Namazi, zekati, haxhi dhe agjërimi numërohen si degë të besimit (imanit), ndërsa mospraktikimi i tyre numërohet si degë e kufrit (mosbesimit). Të gjykuarit sipas ligjit të Allahut është degë e imanit (besimit), ndërsa mosgjykimi me Ligjin e Allahut është degë e mosbesimit. Të gjitha mëkatet janë degë të mosbesimit (kufrit), ndërsa çdo lloj i nënshtrueshmrisë bën pjesë në degët e imanit (besimit).
Degët e imanit (besimit) dhe të kufrit (mosbesimit) janë dy lloje:
- kufri (mosbesimi) që iu nënshtrohet mëkateve (fjalët që vetvetiu paraqesin kufr /mosbesim) me vullnet të lirë, dhe
- kufri (mosbesimi) që bëhet në vepër, si p.sh. sexhdeja që kryhet në shenjë respekti ndaj idhujve, figurave, fotografive ose zhvleftësimi dhe përdhosja e Kur’anit .
Rregulli i katërt: Zhdukja e disa pjesëve të imanit (besimit)
Ibn Kajjmi (rahimeullahu te’ala) konstatoi se imani paraqet të folurit e zemrës, që do të thotë bindja e saj, të folurit me gjuhë, të vepruarit me zemër dhe të vepruarit me organet trupore. Pastaj shpjegon rregullin kur të zhduken të gjitha këto, katër pjesët e tij ose vetëm një pjesë e tij.
Në lidhje me atë, ai ka thënë:
“Thelbi i imanit (besimit) përbëhet nga të folurit dhe nga veprat. Të folurit përbëhet nga dy pjesë: të folurit e zemrës, që është bindja dhe të folurit e gjuhës, që është të shprehurit e fjalëve përmes së cilave hyhet në Islam. Gjithashtu, vepra përbëhet nga dy pjesë: vepra e zemrës, që ka të bëjë me nijetin (vendimin) dhe sinqeritetin e tij dhe vepra e organeve trupore. Atëherë kur të zhduken këto katër themele në tërësi, në atë rast do të zhduket edhe imani (besimi). Kur të humbasë të vërtetuarit me zemër, atëherë pjesët e tjera të besimit nuk do të bëjnë dobi, sepse të vërtetuarit me zemër është kusht i besimit në to dhe dobia e tyre. Po qe se zhduket vepra e zemrës, e nga ana tjetër mbetet bindja e sinqertë, atëherë do të arrijmë në një pozitë ndërmjet murxhitëve dhe ehli-sunnetit. Ehli-sunneti pranon se në atë rast do të zhduket imani (besimi) dhe se të vërtetuarit nuk do të bëjë dobi nëse nuk ekziston vepra e zemrës, që do të thotë kur të humbasë dashuria zemërore dhe varësia.
Po ashtu, një bindje e atillë nuk do t’ju bëjë dobi as Iblisit (djallit të mallkuar), ithtarëve të faraonit, çifutëve, e as idhujtarëve të cilët ishin të bindur në vërtetësinë e të Dërguarve (mirëpo nuk besuan dhe nuk vepruan). Ata e pranuan, por edhe haptazi edhe fshehurazi thonin se nuk është gënjeshtar, mirëpo nuk e pasuan, e as që besuan në atë.
Atëherë kur imani (besimi) zhduket me zhdukjen e veprës së zemrës, në atë rast nuk mund të mohohet se mund të zhduket me zhdukjen e pjesëve më të mëdha të organeve trupore, veçanërisht kur të humbasë imani (besimi) për shkak të mosekzistimit të dashurisë së zemrës dhe varësive të saj, gjë që humbet për shkak të mosekzistimit të vërtetësisë (pranimit) së fuqishme, ashtu siç kemi theksuar më lartë. Nga mosnënshtrueshmëria e zemrës domosdoshmërisht del mosnënshtrueshmëria e pjesëve të trupit, sepse atëherë kur zemra nënshtrohet, do të nënshtrohen edhe pjesët e trupit. Nga mosnënshtrueshmëria e saj domodoshmërisht rrjedh mosekzistenca e të vërtetuarit e cila kërkon nënshtrim, e kjo është thelbi, esenca e imanit (besimit).
Imani nuk është vetëm të vërtetuarit, siç është shpjeguar më lartë, por pohim që gjen nënshtrueshmëri. Njëkohësisht, kjo i dedikohet edhe udhëzimit që nuk do të thotë vetëm njohje dhe dëshmi për të vërtetën, por njohje e cila nxit për të pasuar të vërtetën dhe veprimin në të cilin urdhërohet. Nëse të parën e quajmë udhëzim, atëherë ai nuk është udhëzim i plotë që obligon udhëzimin. Gjithashtu, bindja në atë që është vërtetuar, edhe pse quhet e vërtetuar, nuk është vërtetim që nxit besimin. Prandaj, shihe mirë këtë themel dhe ke kujdes në principet e tij”.
Rregulli i pestë: Kufri (mosbesimi) në besim dhe në vepër
Mosbesimi (kufri) është dy llojesh:
- kufri (mosbesimi) në vepër dhe
- kufri (mosbesimi) i refuzimit dhe kokëfortësisë
Kufri (mosbesimi) i refuzimit është përgënjeshtrim nga dituria e asaj që e publikoi i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) nga Allahu (subhanehu ve te’ala), emrat dhe atributet e Tij të përsosura, veprat dhe dispozitat. Ky lloj i mosbesimit (kufrit) i kundërvihet imanit (besimit) në çdo aspekt.
Kufri (mosbesimi) në vepër ndahet në çështjet që janë në kundërshtim me imanin (besimin) dhe në çështjet që nuk janë në kundërshtim me imanin (besimin). Si p.sh. kryerja e sexhdes (vënia e fytyrës në tokë) në shenjë respekti ndaj idhujve, përdhosja e Kur’anit, mbytja dhe fyerja e të Dërguarit të Allahut janë në kundërshtim me imanin (besimin).
Mosgjykimi më Ligjin e Allahut dhe braktisja e namazeve bën pjesë në kufrin (mosbesimin) absolut, sepse ajo është bërë në vepër dhe assesi nuk mund të ndryshohet. Pra, mbetet kufër (mosbesim) për atë arsye që Allahu dhe i Dërguari i Tij ashtu e kanë quajtur. Kjo vepër është kufër (mosbesim) me vepër, e jo me bindje nga zemra.
Pohimet në kontekst të atillë - në fjalët e të Dërguarit të Allahut - janë se ai i cili nuk gjykon me Ligjin e Allahut dhe ai që i braktis namazet janë kafira (mosbesimtarë), por këto vepra janë kufër (mosbesim) me vepër, e jo me bindje nga zemra. Është e pamundur që Allahu t’a quajë kafir (jobesimtar) atë i cili nuk gjykon sipas asaj që Ai e ka Shpallur, si dhe i Dërguari i Allahut t’a quajë kafir (jobesimtar) atë që i braktis namazet, e që në të njëjtën kohë nuk mund t’a akuzosh për kufër (mosbesim).
I Dërguari i Allahut në fjalët e tij plotësisht e ndan nga imani (besimi) atë që kryen amoralitet (zina), vjedhësin, atë që konsumon alkool dhe atë nga e keqja e të cilit nuk janë të sigurt fqinjët e tij.
Pra, nga të njerëzit e tillë bën shkëputje të imanit (besimit) në kuptimin e plotë, sepse gjestet e tilla paraqesin kufër (mosbesim) në vepër, e nuk numërohet si kufër (mosbesim) i refuzimit dhe i bindjes.
Po ashtu, i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Pas meje mos u ktheni në kufër (mosbesim) duke e goditur njëri-tjetrin në qafë.”
Ky është kufër (mosbesim) me vepër. Në hadithin tjetër i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Ai i cili shkon te magjistari dhe i beson asaj çfarë thotë ai ose ai i cili kryen marrëdhënie intime me bashkëshorten në anus, e ka refuzuar atë me të cilën erdhi i Muhamedi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem.”
Po ashtu në një hadith tjetër ka thënë:
“Kush i thotë besimtarit musliman ‘kafir’ (mosbesimtar), dhe ai në të vërtetë nuk është i tillë, fjalët e tij do t’i kthehen atij.”
Atë që vepron vetëm sipas njërës pjesë të Librit, dhe jo edhe sipas pjesës tjetër, Allahu i Lartmadhëruar e cilësoi si mu’min (besimtar), dhe atë që mohoi e konsideron si kafir (jobesimtar).
Allahu i Lartmadhëruar në Kur’anin Fisnik ka thënë: “(Përkujtoni) Kur ne morëm zotimin e bijve të Israilit; mos adhuroni asnjë tjetër përveç Allahut, të silleni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve dhe njerëzve u thoni fjalë të mira; faleni namazin dhe jepeni zekatin, e pastaj ju e thyet zotimin dhe përveç një pakice prej jush, ia kthyet shpinën zotimit. Dhe kur morëm zotimin tuaj që të mos derdhni gjakun tuaj, të mos dëboni veten tuaj nga vendi juaj, e ju e pranuat, prandaj dëshmoni. Pastaj, ju jeni ata që e mbytni njëri-tjetrin, i dëboni disa prej jush nga vendi i tyre duke bashkëpunuar kundër tyre si është mëkat e padrejtë, e nëse ata bien te ju në robëri, ju jepni kompensim për (t'i liruar) ata, e dëbimi i tyre nga vendi është i ndaluar për ju. Po e besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni? Ç'mund të jetë ndëshkimi ndaj atij që punon ashtu prej jush, vetëm se poshtërim në jetën e kësaj bote, e në Ditën e Gjykimit ata hidhen në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju”. (el-Bekare, 83-85)
Në këto ajete Allahu i Lartmadhëruar tregon se hebrenjtë e kanë pranuar dhe kanë dëshmuar për besëlidhjen të cilën Ai ua urdhëroi dhe ata iu përmbajtën. Kjo flet për besëlidhjen e tyre se nuk do t’a mbysin njëri-tjetrin, e që nuk do t’a dëbojnë njëri-tjetrin nga shtëpitë e tyre, e më pas Allahu na informon se ata e thyen këtë besëlidhje, e tradhtuan premtimin dhe filluan që t’a mbysin njëri-tjetrin dhe t’i dëbojnë nga shtëpitë e tyre. Ky është mosbesimi i tyre ndaj asaj me të cilën Allahu i obligoi në Libër.
Më pas na informon se ata i lironin nga robëria njerëzit e grupeve kundërshtare, gjë që e paraqet iman-i (besimi) i tyre, për arsye se në atë rast vepruan sipas urdhrit që iu erdhi në Libër. Sipas kësaj, ata kanë qenë besimtarë, sepse vepruan sipas urdhrit të dhënë, ndërsa mosbesimi iu përshkruhet për shkak se devijuan nga besa e dhënë dhe nuk e praktikuan urdhrin. Imani me vepër është e kundërta e kufrit (mosbesimit) që bëhet në vepër, ndërsa imani (besimi) në bindje është e kundërta e kufrit (mosbesimit) në bindje.
Këtë e vërteton thënia e të Dërguarit të Allahut ku ka thënë:
“Ofendimi i muslimanit është mëkat, ndërsa lufta kundër tij është kufër (mosbesim).”
Ekziston dallim ndërmjet ofendimit të muslimanit dhe luftës kundër tij. Njëra nga këto të dyja është quajtur mëkat, ndërsa tjetra kufër. Natyrisht, kjo i dedikohet kufrit të kryer në vepër, e jo në bindje. Edhe ky lloj kufri (mosbesimi) nuk e nxjerr besimtarin plotësisht nga Islami, ashtu siç nuk e nxjerr nga feja edhe atë që kryen zina, vjedhësin dhe pijanecin, por personat e tillë nuk konsiderohen mu’minë (besimtarë të vërtetë).
Të dalluarit ndërmjet kufrit (mosbesimit) në vepër dhe kufrit (mosbesimit) në bindje është qëndrimi i sahabëve (shokëve të Muhamedit s.a.v.s.).
Pra, shpjegimi i lartshënuar është qëndrimi i shokëve të Muhamedit s.a.v.s. të cilët e kanë njohur Librin e Allahut më mirë se të gjithë ithtarët e Kibles (më mirë se të gjithë besimtarët muslimanë). Gjithashtu, ata (sahabët e Muhamedit s.a.v.s.) i kanë njohur më së miri çështjet dhe dispozitat që i përkasin Islamit dhe fik’hut (jurisprudencës Islame).
Çështjet e këtilla merren vetëm prej tyre. Ata që erdhën pas tyre nuk mund t’a kishin kuptuar esencën e këtyre çështjeve (më mirë se paraardhësit e tyre).
Ata ndahen në dy grupe:
- Grupi i parë, kryerësit e mëkateve të mëdha i shpall jobesimtarë (kafirë) dhe merr qëndrimin se kryerësi i mëkatit të madh do të qëndrojë përgjithmonë në Zjarr.
- Grupi i dytë, konsideron se kryerësi i mëkateve të mëdha është mu’min (besimtar) me besim të plotë. Ky grup është pozicionuar plotësisht në ekstrem.
Allahu i Lartmadhëruar e udhëzoi ehli-sunnetin në rrugën dhe në qëndrimin e mesëm, e ajo është se kufri (mosbesimi) nuk është mosbesim i vërtetë, hipokrizia e cila nuk është hipokrizi e vërtetë, shirku (idhujtaria) që nuk është idhujtari e vërtetë, mosdëgjueshmëria e cila nuk është mosdëgjueshmëri e vërtetë dhe padrejtësia që nuk është padrejtësi e vërtetë.
Dijetarët të cilët e mbajnë këtë qëndrim: Transmeton Sufjan ibën Ujejne nga Hisham ibën Huxhejni, ndërsa ai nga Tavusi, se ibën Abbasi r.a. ajetin: “...Ata që nuk gjykojnë me atë që e zbriti Allahu, janë mohues” (el-Maide, 44), e ka komentuar si vijon:
“Ky nuk është mosbesimi që mendojnë ata”.
Abdurrezaku ka thënë: “Na tregoi Me’muni, e ai transmetoi nga Tavusi, e ai nga babai i tij se ka thënë: “Në lidhje me ajetin: “...Ata që nuk gjykojnë me atë që e zbriti Allahu, janë mohues”, ibën Abbasi ka thënë se “ky nuk është kufër (mosbesim) që të largon nga feja. Ai i cili e bën atë, ka bërë kufër (mosbesim), mirëpo ai mosbesim nuk është sikurse mosbesimi (kufri) i atij që nuk beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit”.
Në një transmetim tjetër thuhet: “Ky është kufër (mosbesim) që nuk të largon nga feja”.
Tavusi ka thënë: “Ky është kufër (mosbesim) që nuk të largon nga Islami”.
‘Atau ka thënë: “Ky është kufër (mosbesim) dune kufër (mosbesim i vogël), padrejtësi dune (padrejtësi e vogël), fisk dune (mosdëgjueshmëri e vogël)”.
Këtë që e ka thënë ‘Atau është shpjeguar në Kur’an dhe është e qartë për atë që e ka kuptuar plotësisht.
Allahu i Lartmadhëruar e ka quajtur kafir (mosbesimtar) atë i cili nuk gjykon sipas asaj që e ka Shpallur Ai dhe e ka quajtur mosbesimtar atë i cili e mohon atë që Allahu ia ka Shpallur të Dërguarit të Tij. Mirëpo, këto dy lloje të kufrit (mosbesimit) nuk janë në të njëjtën shkallë. Mosbesimtar (kafir) konsiderohet edhe mizori (ai që shkakton dëm), ashtu siç përmendet në ajetin:
“...Pabesimtarët janë mizorë”. (el-Bekare, 245)
Ai i cili i kalon kufijtë (dispozitat) e Allahut në bashkëshortësi gjatë divorcit ose kthimit në të (në bashkëshortësi), personi i tillë është quajtur me emrin mizor. Allahu i Lartmadhëruar thotë:
“...Këto janë dispozitat e Allahut, e kush del jashtë dispozitave të Allahut, ai e ka dëmtuar vetveten. Ti nuk e di, Allahu pas asaj mund të të japë diçka rishtazi”. (et-Talak, 1)
Po ashtu edhe i Dërguari i Allahut, Junusi alejhisselam (ashtu siç na tregon Allahu në Kur’an) ka thënë: “...Nuk ka Zot përveç Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtësi vetes!” (Enbija, 87)
Ndërsa Ademi alejhisselam ka thënë (ashti siç Allahu na tregon në Kur’an): “Ata të dy thanë: "Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë (i dëmtuam) vetvetes sonë...!” (el-A’raf, 23)
Musai alejhisselam ka thënë: “Ai tha: "Zoti im, unë e ngarkova veten e kërkoj që Ti të më falësh mua!” (el-Kasas, 16)
Padrejtësia e cila përmendet në ajetet e lartpërmendura kur’anore është padrejtësi e vogël.”
Rregulli i gjashtë: Takimi i imanit (besimit) dhe kufrit (mosbesimit) në zemrën e njeriut
Ibn Kajjimi ka thënë:
“Mund të ndodhë që në zemrën e njeriut të ekzistojnë njëkohësisht kufri (mosbesimi) dhe imani (besimi), shirku (idhujtarizmi) dhe teuhidi (monoteizmi), devotshmëria dhe mizoria, hipokrizia dhe besimi. Ky është njëri nga themelet kryesore të besimit të ehli-sunnetit. Kësaj mjaft qartë i janë kundërvënë ithtarët e risive, siç janë harixhitët, mu’tezilitët dhe kaderitët. Çështja (meth’ele) e cila ndërlidhet me kryerësin e mëkatit të madh, do të thotë se a do të qëndrojë përgjithmonë në zjarr apo jo, ndërlidhet me këtë princip, e tek të cilët na udhëzon Kur’ani Fisnik dhe Sunneti, fitra (pastërtia shpirtërore) dhe konsensusi i sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta).
Allahu i Lartmadhëruar në Kur’an ka thënë:
“Shumica e tyre e besojnë Allahun, vetëm duke i shoqëruar (zota të tjerë). (Jusuf, 106)
Ua vërtetoi imanin (besimin) krahas shirkut (idhujtarizmit).
Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Beduinët thanë: "Ne kemi besuar!" Thuaj: "Ju nuk keni besuar ende, por thoni: Ne jemi dorëzuar, e besimi nuk po u hyn ende në zemrat tuaja. Nëse e respektoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, Ai nuk do t’ju pakësojë asgjë nga veprat tuaja, se Allahu është shumë mëkatfalës, shumë mëshirues”. (el-Huxhurat, 14)
Nga ky ajet mund të përfundojmë se imani është më specifik në raport me Islamin, ashtu siç e konsiderojnë pjesëtarët e ehli-sunnetit duke argumentuar (theksuar) përmes hadithit, atëherë kur Xhibrili alejhisselam e ka pyetur të Dërguarin e Allahut se ç’është Islami, imani, e më pas ç’është ihsani. Ai e pyeti së pari në lidhje me atë që është e përgjithshme, e pastaj për atë që është specifike, e më pas për atë që është edhe më specifike. Pasi beduinët mendonin për veten e tyre se gjenden në pozitën në të cilën ende nuk kishin arritur, në këtë mënyrë për atë çështje iu tërhiqet vërejtja. Ata nuk numërohen në kategorinë e munafikëve (hipokritëve), ashtu siç e konsideron dikush, sepse sikur të kishin qenë të tillë, atëherë ata haptazi do të turpëroheshin dhe do të kritikoheshin, pikërisht siç përmenden hipokritët (munafikët) në kaptinën e njëzeteshtatë (et-Tevbe) të Kur’anit Fisnik. Mirëpo, për ta këtu flitet në mënyrë edukative. Pra, ua vërtetoi Islamin dhe nënshtrueshmërinë ndaj të Dërguarit të Allahut, pa poseduar iman (besim), do të thotë iman (besim), iman (besim) të veçantë që është në kuptimin plotë.
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Besimtarë janë vetëm ata që i besuan Allahut, të dërguarit e Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hir të Allahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillë janë të vërtetë”. (el-Huxhurat, 14)
Ata janë prej atyre që besimi i të cilëve është i plotësuar, që do të thotë se nuk dyshojnë dhe nuk hamenden në besimin e tyre. Ata gjenden në një pozitë të veçantë, në pozitën e besimit të vërtetë dhe të pastër. Kjo do të thotë se ata dorëzohen me zemër të plotë dhe sakrifikojnë me pasurinë më të vlefshme me qëllim që të arrijnë nënshtrueshmërinë dhe kënaqësinë e plotë ndaj Tij (ndaj Allahut).
Sipas mendimit korrekt këta beduinë nuk janë hipokritë, por konsiderohen muslimanë sipas asaj që posedojnë nga dorëzimi dhe nënshtrimi ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, e nuk janë besimtarë, madje edhe pse posedojnë një pjesë të imanit (besimit) që i largoi nga kufri (mosbesimi).
Imam Ahmedi ka thënë: “Kush i bën këto katër gjëra ose më shumë se ato: kryen amoralitet, vjedh, konsumon alkool ose ha pasurinë e të huajve pa të drejtë (plaçkitë), ai konsiderohet musliman, por jo edhe besimtar. E kush bën diçka tjetër që është më pak se mëkati i madh, e konsiderojmë mu’min (besimtar) me besim të cunguar”.
Në lidhje me këtë tregon edhe një hadith i të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) i cili ka thënë: “Tek ai që gjenden një nga katër cilësitë e hipokrizisë, ai posedon një cilësi të hipokrizisë derisa ta largojë atë”. (Buhari, 34)
Me këtë nënkuptohet se në zemrën e njeriut njëkohësisht mund të ekzistojnë edhe hipokrizia edhe imani (besimi). Gjithashtu, ekspozimi për sy e faqe është shirk (idhujtarizëm).
Po qe se në veprën e njeriut takohen njëkohësisht shirku (idhujtarizmi) dhe Islami, që do të thotë nëse nuk gjykohet sipas ligjit të Allahut ose bën ndonjë vepër për të cilën i Dërguari i Allahut ka thënë se është kufër (mosbesim), e njëkohësisht i përmbahet Islamit, sheriatit dhe rregullave të tij, tek ai ekzistojnë Islami dhe kufri (mosbesimi).
Më lartë kemi përmendur dhe kemi shpjeguar se të gjitha mëkatet janë degë të kufrit (mosbesimit), ashtu sikurse çdo lloj i nënshtrueshmërisë numërohen si degë të imanit (besimit). Ndonjëherë, për shkak të posedimit të disa prej atyre degëve, njeriu quhet mu’min, e ndonjëherë jo, ashtu si dhe për shkak të posedimit të disa degëve të kufrit ndonjëherë njeriu emërohet si kafir (mosbesimtar), e ndonjëherë nuk gjykohet (nuk akuzohet) për kufër.
Këtu arrijmë deri në dy fakte. E para është me karakter terminologjik, ndërsa e dyta është me karakter domethënës - rregullativ.
Karakteri domethënës i dedikohet asaj nëse kjo karakteristikë konsiderohet si mosbesim apo jo, ndërsa karakteri terminologjik i dedikohet asaj nëse ai person - tek i cili gjendet kjo cilësi - është kafir ose jo.
Fakti i parë është pikërisht sheriatik, ndërsa ai i dyti gjuhësor - terminologjik.
Rregulli i shtatë: Të ekzistuarit e njërës prej degëve të imanit (besimit) nuk do të thotë se ndonjëri është besimtar
Ibn Kajjimi ka thënë: “Edhe pse ajo që kryhet është vepër e besimit - po edhe nëse praktikon ndonjë degë të kufrit (mosbesimit) - nuk është obligative që personi në fjalë të emërohet si kafir (jobesimtar). Ashtu siç posedon dikush një pjesë të diturisë, kjo nuk do të thotë se është dijetar. Ose, sikur ndonjë njeri të dijë disa çështje të fik’hut (jurisprudencës Islame) dhe mjekësisë, kjo nuk do të thotë se ai është jurist ose mjek. Po ashtu, nuk përjashtohet që pjesa e imanit (besimit) të quhet iman, ndërsa pjesa (dega) e nifakut (hipokrizisë) të quhet nifak (hipokrizi), si dhe elementi i kufrit të quhet kufër (mosbesim). Ndonjëherë këto janë emërtime për veprat, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.):
“Kush e braktis, ka bërë kufër (mosbesim).”
“Kush betohet në diçka tjetër përveç Allahut, është bërë kafir (jobesimtar).”
“Kush shkon tek fallxhori dhe i beson ato që thotë ai, është bërë kafir (jobesimtar) .
Prej cilitdo të del ndonjë cilësi e mosbesimit (kufrit) nuk meriton të emërohet si kafir (jobesimtar) në kuptimin absolut. Po ashtu edhe për atë i cili kryen ndonjë vepër të ndaluar thuhet se është fasik (i shfrenuar, mëkatar i madh), por nuk është obligative që të marrë emrin fasik, vetëm nëse tek ai mbisundojnë shfrenimi dhe mëkatet e mëdha. Njësoj është edhe me kryerësin e veprave amorale (atë që bën zina), hajdutin, pijanecin dhe plaçkitësin. Këta nuk e marrin epitetin e besimtarit edhe pse janë me besim, ashtu siç nuk e marrin emrin kafir (jobesimtar) edhe pse vepra që e kanë kryer bën pjesë në cilësitë dhe elementet e kufrit (mosbesimit), sepse të gjitha aktet e mosnënshtrimit janë degë të kufrit, siç janë të gjitha nënshtrimet pjesë të imanit (besimit).
Rregulli i tetë: Namazi si kusht i besimit
Ibn Kajjimi (rahimehullah) mban qëndrimin e Hanbeliut dhe namazin e kushtëzon për vlefshmërinë (korrektësinë) e imanit (besimit). Ai thotë:
“Dëshirohet të thuhet se degradimi nga imani (besimi) i atij që e braktis namazin është më me rëndësi se sa degradimi i atij që kryen mëkate të mëdha. Të degradohet emri i Islamit te një person i tillë është më e rëndësishme se sa të degradohet ai nga duart dhe gjuha e të cilit nuk janë të sigurt besimtarët muslimanë. Ai i cili e braktis namazin nuk mund të quhet as musliman e as mu’min (besimtar), edhe pse tek ai mund të gjenden pjesë të Islamit dhe imanit. Por, mbetet të thuhet se a do t’i bëjë dobi ajo pjesë e imanit që e posedon në vete që të mos mbetet përgjithmonë në Zjarr (Xhehenem)? Do t’i thuhet: Do t’i bëjë dobi po qe se vepra e braktisur nuk bëhet kusht për t’ia pranuar veprat e tjera. Nëse vepra e braktisur është kusht për validitetin e veprave të tjera, atëherë nuk do t’i bëjnë dobi. Prandaj, nuk do t’i bëjë dobi as besimi në Allahun dhe në Njëshmërinë e Tij. Ai i cili nuk e mohon Profetësinë e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, nuk do t’i bëjë dobi namazi të cilin do t’a falë me qëllim pa abdes. Ndonjëherë degët e imanit ndërlidhen me njëra-tjetrën, ashtu si ajo që kushtëzohet ndërlidhet me kushtet e saj, por edhe nuk është e domosdoshme të jetë ashtu. Çështja e namazit mbetet që të shqyrtohet - a është ai kusht për vlefshmërinë e imanit?
Kjo është fshehtësia e asaj pyetje. Argumentet të cilat i kemi përmendur, por edhe të tjera përveç këtyre, na e bëjnë me dije se njeriut nuk do t’i pranohet asnjë vepër, nëse nuk e ka kryer namazin.
Namazi është çelësi i dhomave të saj, kapitali i punës së tij, si dhe është e pamundur që fitimi të realizohet pa ndonjë kapital. Nëse e humb atë, atëherë i ka humbur të gjitha veprat, madje edhe nëse i ka kryer në mënyrë formale. Umer ibën Hattabi (radijAllahu anhu) në lidhje me këtë çështje ka thënë: “Kush e braktis namazin, i ka braktisur edhe më shumë edhe veprat e tjera.”
Është e çuditshme që dyshohet në kufr-in (mosbesimin) e atij që këmbëngul në mosfaljen e namazit dhe të cilin haptazi dhe publikisht e thërrasin që t’a kryejë atë (namazin), përderisa e sheh se i qëndron mbi kokë si shpata e ndritur, përderisa lidhet për t’a ekzekutuar dhe përderisa i lidhen sytë. Atij i thuhet: “Kryeje namazin ose do të të mbysim”, ndërsa ai thotë: “Më mbytni, unë asnjëherë nuk do të falem”.
Ekzistojnë njerëz të tillë që konsiderojnë se nuk është kafir (jobesimtar) ai i cili e braktis namazin (faljen e pesë kohëve) dhe pohojnë se: “Ky është besimtar, musliman i cili duhet pastruar, dhe t’ia falim namazin e xhenazes, si dhe t’a varrosim tek varrezat muslimane”.
Disa të tjerë kanë thënë: “Ai është besimtar me iman të plotë. Imani (besimi) i tij është sikurse imani (besimi) i Xhibrilit dhe Mika’ilit”.
Kush flet kështu, nuk turpërohet që të mohojë daljen nga feja e atij, për kufrin e të cilit dëshmojnë Kur’ani, sunneti dhe konsensusi i sahabëve. Allahu ofron udhëzim.”
Rregulli i nëntë: Besimi jo i drejtë
Ibn Kajjimi shpjegon se shumica e njerëzve konsiderojnë se janë besimtarë.
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Po ti edhe pse lakmon (për besimin e tyre), shumica e njerëzve nuk do të besojnë”. (Jusuf, 103)
Tek shumica e njerëzve imani (besimi) është i thukët.
E sa i përket imanit të hollësishëm dhe të plotë - me të cilin erdhi i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), e që përmban njohuri të pastër, dituri, vërtetim të dashurisë dhe njohje të gjithë asaj që i nevojitet - besimi i tillë është karakteristikë e besimtarëve të vërtetë dhe të shokëve të të Dërguarit të Allahut, Ebu Bekrit (radijAllahu anhu) dhe ithtarëve të tij.
Janë të shumtë ata të cilët konsiderojnë se imani është të pranuarit (të vërtetuarit) e ekzistencës së Allahut, se Ai është Një dhe se Ai i krijoi qiejt dhe Tokën dhe atë që ekziston ndërmjet tyre, dhe këtë nuk e kanë refuzuar as adhuruesit e idhujve, kurejshitët mekkas dhe të tjerët si ata.
Disa të tjerë mendojnë se imani (besimi) nënkupton vetëm shqiptimin e shehadetit (dëshmisë), pa marrë parasysh se a ka pasur vepra apo jo, apo e ka vërtetuar zemra ose e ka mohuar.
Ekziston një grup që besojnë se imani është vetëm të vërtetuarit se Allahu është Krijues i qiejve dhe i Tokës, dhe se Muhamedi (s.a.v.s.) është rob dhe i Dërguari i Tij, madje edhe nëse atë nuk e ka pranuar me gjuhë ose nuk e ka praktikuar me vepër. Madje edhe nëse e ka fyer Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe t’i zbatojë të gjitha urdhëresat dhe të besojë në Njëshmërinë e Allahut dhe në profetësinë e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, ai vazhdon të mbetet ende besimtar.
Po ashtu, ekzistojnë prej atyre që mendojnë se imani është refuzim, siç është p.sh. se Allahu nuk hipi mbi Arsh (Fron), se Kur’ani nuk është fjalë e Allahut, dhe as Librat e Tij që i shpalli, pastaj se Allahu nuk dëgjon dhe nuk sheh, e as që posedon vullnetin e Vet, fuqinë, dashurinë, urrejtjen dhe ato cilësi të tjera të cilat Ai ia përshkroi Vetvetes dhe që ia përshkroi i Dërguari i Tij. Tek ata imani nuk paraqet asgjë tjetër vetëm se refuzim të çështjeve dhe ndihmë me ata për të cilët tregojnë mendimet e të hutuarve dhe idetë e gënjeshtarëve të cilët e sulmojnë njëri-tjetrin dhe i kundërvihen vetes në qëndrimet e tyre.
Për to ka treguar Umeri (radijAllahu anhu) dhe më pas Imam Ahmedi duke thënë:
“Kanë mendime të ndryshme në aspekt të Librit, largohen nga ai dhe njëzëshëm janë në braktisjen e tij”.
Disa mendojnë se imani manifestohet përmes adhurimit ndaj Allahut dhe përmes ndjenjës dhe ëndjes dhe përmes asaj pas së cilës anojnë shpirtrat e tyre, pa asnjë bindje në atë me të cilën erdhi i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem.
Ka edhe prej atyre të cilët mendojnë se imani është aty ku takohen etërit dhe gjyshërit e tyre dhe pajtohen me atë. Bindja e tyre mbështetet në atë se:
- ky është mendim i baballarëve dhe paraardhësve tanë,
- e vërtetë e drejtë është ajo që ata e pohojnë.
Po ashtu, ekzistojnë njerëz të cilët e kanë kuptuar se imani manifestohet edhe përmes moralit të bukur ose sjelljes së mirë ndërmjet njerëzve, me fytyrë të buzëqeshur dhe me mendime të mira ndaj të tjerëve.
Përkundër kësaj, grupi tjetër pohon se imani ndërtohet përmes izolimit të plotë nga kënaqësitë e kësaj bote dhe duke e përmbajtur shpirtit nga gjithçka që është e papëlqyer dhe modeste në këtë jetë. Nëse vërejnë ndonjë njeri me karakteristika të tilla, e konsiderojnë efendi dhe ithtar të besimit të drejtë, madje edhe nëse në esencë sipas diturisë dhe veprave, është i mangët nga imani”.
Pastaj imam ibën Kajjimi këto tetë pjesë i ndau në katër lloje dhe tha:
“Askush nga ato nuk e ka njohur esencën e vërtetë të besimit/imanit, e as nuk e kanë njohur ndonjëherë se ç’është imani, dhe imani nuk është mishëruar ndonjëherë tek ata. Ata ndahen në kategori:
- disa prej tyre i përshkruan imanit (besimit) atë që është e kundërt me të,
- disa të tjerë caktuan se imanit i takon ajo që nuk i takon assesi (?!),
- disa të tjerë si iman (besim) konsiderojnë atë që është kusht për të, por nuk mjafton, ndërsa të tjerët vlefshmërinë e tij e kushtëzuan me atë që është e kundërt.”
Rregulli i dhjetë: Imani (besimi) i plotë dhe imani (besimi) në kuptim të përgjithshëm
Ibn Kajjimi ka thënë:
“Imani i plotë është nënshtrimi i plotë ndaj urdhrave të Allahut, ndërsa imani (besimi) në kuptimin e përgjithshëm mund t’i dedikohet imanit të plotë dhe imanit jo të plotë. Prandaj, atëherë kur i Dërguari i Allahut ka thënë se ai i cili kryen amoralitet në atë moment nuk është mu’min (besimtar), sikurse edhe ai i cili pi alkool ose vjedh, bëhet fjalë për imanin e plotë, ndaj të cilëve nuk i dedikohen fjalët e Allahut: “...Allahu është mbrojtës i besimtarëve”. (Ali Imran, 68)
E as këto fjalë të Allahut: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët”. (el-Mu’minun, 1)
E as këto fjalë të Allahut: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur u përmendet Allahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që i janë mbështetur vetëm Zotit të tyre”. (el-Enfal, 2)
Ajete të tjera të cilët udhëzojnë në të, janë: “...ai është i obliguar që të lirojë një rob besimtar...” (en-Nisa, 92)
“Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë që të luftojnë ndërmjet vete...” (el-Huxhurat, 9), e as fjalët e të Dërguarit të Allahut ku ka thënë: “Besimtari nuk mbytet për hakmarrje për mbytjen e kafirit (jobesimtarit)”. (Buhari, 111)
Në kontekst të kësaj, fjalët e Allahut të Lartmadhëruar: “Beduinët thanë: "Ne kemi besuar!" Thuaj: "Ju nuk keni besuar ende, por thuani: Ne jemi dorëzuar...!” (el-Huxhurat, 14), e mposhtin imanin e plotë, por jo imanin në kuptim të përgjithshëm.
Ja disa shembuj në lidhje me këtë:
Allahu i Lartmadhëruar i urdhëroi (ose i lejoi) që të thonë: “Ne jemi dorëzuar”, e sa u përket hipokritëve, atyre nuk do t’iu thuhet në atë mënyrë.
Allahu i Lartmadhëruar na tregon se si duhet thënë - dhe thotë: “...Ne jemi dorëzuar...!”, e nuk ka thënë: “Hipokritët pohojnë”.
Ndërsa ata të ashpërit të cilët e thërritnin të Dërguarin e Allahut para dhomës dhe që i ngrinin zërat e tyre mbi zërin e të Dërguarit të Allahut, atë gjest e bënin nga ashpërsia dhe mospasja kulturë, e jo nga hipokrizia ose mosbesimi.
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “...ende nuk po hyn besimi në zemrat tuaja...” (el-Huxhurat, 14)
Allahu nuk mohoi se Islami nuk është futur në zemrat e tyre, dhe sikur të kishin qenë hipokritë, në atë rast do t’i shlyente nga hyrja në Islam, ashtu siç kishin qenë mangut nga imani.
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “...Nëse e respektoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Ai nuk ju pakëson asgjë nga veprat tuaja, se Allahu është shumë mëkatfalës, shumë mëshirues.” (el-Huxhurat, 14)
Kjo do të thotë se Allahu nuk do t’ua pakësojë (ose minimizojë) aspak ato të mira që kanë vepruar. Ndërsa sa iu përket hipokritëve, ata në esencë nuk janë të dorëzuar (nënshtruar) dhe nuk kanë se për çfarë të shpërblehen.
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Ata të shprehin ty mirënjohje (ta përmendin) që u bënë muslimanë. Thuaj: "Pranimin tuaj të fesë Islame mos ma përmendni mua...” (el-Huxhurat, 17)
Atyre u dëshmoi se e kanë pranuar Islamin, por ua ndaloi që t’ia thonë atë të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ue selem. E sikur Islami të mos kishte qenë i vlefshëm tek ata, do të thoshte: “Nuk e keni pranuar Islamin, por jeni rrenacakë”, siç përmendet gënjeshtra në fjalët e tyre: “Ne dëshmojmë se ti je me të vërtetë i dërguar i Allahut!” (el-Munafikun, 1) ku dëshmia e tyre nuk kundërshtohet me bindjen e tyre.
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “...Allahu juve ju bëri mirë...” (el-Huxhurat, 17)
Sikur të kishin qenë hipokritë, me siguri që Allahu i Lartmadhëruar nuk do ua tregonte mëshirën e Tij.
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “...kur ju udhëzoi në besim”. (el-Huxhurat, 17)
Ky ajet nuk është në kundërshtim me ajetin tjetër ku thuhet: “Ju nuk besoni”, por udhëzon në atë se Allahu i Lartmadhërishëm i privoi nga të shijuarit e kënaqësisë së imanit (besimit) të plotë, dhe i mëshiroi duke i udhëzuar në Islam, e që në të njëjtën kohë përfshin dhe imanin e plotë.
Këtu është shembulli i të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.):
Kur i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, po bënte ndarjen e pasurisë së luftës, S’adi i tha: “I ke dhënë filanit dhe filanit, ndërsa filanit dhe filanit nuk i ke dhënë. Edhe ai është mu’min! I dërguari i Allahut tha: “Ose musliman?” - e përsëriti këtë tri herë.”
Ky shembull tregon qartë për dallimin ndërmjet imanit të plotë dhe imanit (besimit) në kuptimin e përgjithshëm. Imani (besimi) i plotë e pengon mu’minin që të hyjë në Zjarr, ndërsa imani (besimi) në kuptimin e përgjithshëm e pengon qëndrimin e përhershëm në të.
Rregulli i njëmbëdhjetë: Ana e jashtme e imanit dhe esenca e tij
Feja përbëhet nga paraqitja e jashtme dhe nga bindja e brendshme. Paraqitja e jashtme përbëhet nga veprat e gjuhës dhe veprat e organeve, ndërsa paraqitja e brendshme përbëhet nga bindja e zemrës dhe dorëzimi i plotë.
Krahas kësaj, nuk mjafton formalja në mungesë të bindjes, po edhe nëse derdhet gjak në emër të fesë, dhe nuk mjafton bindja pa e manifestuar atë, duke u thirrur në pafuqinë, presionin ose frikën nga vdekja.
Mosparaqitja e fesë pa shkak të domosdoshëm është argument i mosekzistimit të bindjes. Mangësia e saj është argument i jopërkryeshmërisë, ndërsa fuqia e saj është argument i fuqisë dhe mjaftueshmërisë së plotë të saj.
Frytet e veprave të zemrës janë:
Veprat e zemrës janë fryte të veprave të jashtme. Në lidhje me këtë Ibn Kajjim el-Xhevziu ka thënë: “Frika shkakton devotshmërinë dhe të kërkuarit strehim tek Ai. Fuqia e besimit shkakton devotshmërinë (zuhd) tek besimtari, ndërsa njohja shkakton dashuri dhe shpresë.
Bindja shkakton kënaqësinë. Njohja e emrave dhe atributeve të Allahut shkakton njohje të vërtetë të Allahut.
Nga pendimi buron dashuria ndaj Allahut dhe praktikimi konstant i dhikrit (të përmendurit e Allahut me gjuhë dhe me zemër).
Kënaqësia shkakton falënderimin.
Vendosmëria dhe durimi janë shkak për praninë e të gjitha llojeve të mekameve (gradëve të devotshmërisë tek besimtari (B.J.).
Sinqeriteti dhe ndershmëria janë mbështetje për njëra-tjetrën dhe janë vazhdimisht të ndërlidhura njëra me tjetrën.
Njohja e vërtetë shkakton moral të bukur. Përsiatja është shkak i vendosjes.
Vetëkontrolli shkakton shfrytëzimin e drejtë të kohës dhe jetës së vlefshme dhe në zemër zgjon frikën dhe respektin.
Mposhtja e shpirtit dhe thyerja e ëndjeve të saj shkaktojnë krenarinë dhe jetën e zemrës.
Njohja e shpirtit shkakton trupin nga Allahu i Lartmadhëruar dhe falënderim ndaj begative, gjë që vijnë pikërisht vetëm nga Ai.
Përsiatja e drejtë dhe korrekte për argumentet e dukshme është shkak i ekzistimit të të kuptuarit të drejtë dhe inteligjent të cilën e posedon besimtari (robi).
Thelbi i gjithë kësaj që kemi theksuar reflektohet në këtë që vijon:
Ta shpërngulësh zemrën tënde nga shtëpia e kësaj bote dhe t’a vendosësh në divanet e ahiretit, pastaj të orientohesh drejt Atij dhe t’i kushtohesh plotësisht përsiatjes dhe memorizimit të ajeteve të Kur’anit, si dhe domethënieve të tyre. Më pas, thellohesh në shkaqet e shpalljes së atyre ajeteve, që nga çdo ajet të marrësh pjesë si dhe të jesh pjesëmarrës. Të gjithë këtë duhet t’ia ofrosh zemrës, që është edhe ilaç për të.
Pra, këto janë rrugë të lehta dhe të shkurtra të cilët shpiejnë drejt Allahut të Lartmadhërishëm; rrugë të sigurta ku udhëtari sigurisht që nuk do të ndiejë frikë, uri, etje, e asnjë pakënaqësi tjetër.
Tek ata nuk do ketë sëmundje të cilat do të mund të gjenden në disa rrugë të tjera. Në ato rrugë ekzistojnë rojtarë të cilët Allahu i Lartmadhëruar i ka vendosur me qëllim që t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë ata (udhëtarët, të devotshmit).
Me të vërtetë, askush nuk do të mund t’a njohë gjatësinë e tyre (të atyre rrugëve), përveç atij që i ka njohur rrugët njerëzore, devijimet e tyre, fatkeqësitë dhe penguesit e tyre .
Ibn Kajjim, Allahu e mëshiroftë
Përgatiti: Teuhid.NET



