Mbi kushtet e tekfirit dhe pengesave
Me ndihmën e Allahut, këtu do të sqarojmë kushtet e tekfirit, dhe pengesat në përgjithësi do t’i përmendim në kaptina të veçanta.
Do të mundohem të përmendi këtë rregull përmes fjalëve të tij, Allahu e mëshiroftë!
1. Shejhul Islam, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Tekstet kërcënuese të cilat janë në Kur’an dhe Sunnet dhe tekstet e thëna nga dijetarët nuk do të thotë se mund të aplikohen edhe për njerëzit konkret, por vetëm pasi të plotësohen kushtet dhe largohen pengesat.
2. Ibn Tejmije, rahimehullah, duke pohuar këtë rregull tha: “Tekfiri i përgjithshëm është sikur kërcënimi i përgjithshëm, andaj duhet të thuhet në përgjithësi pa përcaktim. Mirëpo, sa i përket njeriut konkret, a është kafir dhe të dëshmohet se është në zjarr, kjo ka të bëjë me argument të veçantë konkret, ngase dispozita e tij ndalet në plotësimin e kushteve dhe largimin e pengesave”.
3. Kur flet për polemikën rreth tekfirit të bidatçinjve për këtë rregull, Shejhul Islam thotë: “Ata nuk kuptuan se tekfiri ka kushte dhe pengesa të cilat mund të mos plotësohen sa i përket njeriut konkret. Pra tekfiri i përgjithshëm nuk do të thotë realizimi i tekfirit konkret, vetëm nëse plotësohen kushtet dhe largohen pengesat. Këtë e sqaruan Imam Ahmedi dhe dijetarët tjerë të cilët thanë fjalë të përgjithshme, mirëpo nuk i shpallën kafirë shumicën e atyre të cilët i thanë ato fjalë.
4. Shejhul Islam, Ibn Tejmije, duke sqaruar tekfirin e Imam Ahmedit ndaj disa ithtarëve të bidatit me emër thotë: “Është transmetuar nga imam Ahmedi ajo që aludon se ka shpallur kafir me emër atë i cili ka thënë se Kur’ani është i krijuar. Kjo sqarohet kështu, ose ata të cilët i shpalli kafirë me emër për ata janë plotësuar kushtet dhe janë larguar pengesat. Ndërsa ata të cilët nuk i shpalli kafirë me emra është ngase nuk janë plotësuar kushtet dhe nuk janë larguar pengesat. Edhe pse tekfirin ai shpreh në përgjithësi.”
-KUSHTET E TEKFIRIT-
Pas sqarimit të kësaj rregulle të rëndësishme, na u bë i qartë dallimi mes tekfirit të përgjithshëm dhe tekfirit konkret.
1. Tekfiri i përgjithshëm është zbritja e dispozitës së kufrit për veprën apo fjalën. Thuhet kështu: “Kush e thotë këtë ai bën kufër, kush vepron këtë bën kufër”, duke mos e zbritur dispozitën mbi ndonjë njeri konkret. Edhe nëse ai ka vepruar atë vepër apo ka thënë atë thënie.
2. Tekfiri konkret është: Gjykimi i një njeriu konkret i cili ka vepruar kufrin apo e ka thënë ate, dhe kjo vjen pas plotësimit të kushteve dhe largimit të pengesave.
Sa i përket kushteve të tekfirit dhe gjykimit me të, ato ndahen në disa lloje:
1. Kushtet sa i përket vepruesit të kufrit janë: që ai të jetë i mençur, në moshën e pjekur, mos të veprojë pa dashje gabimisht duke e zgjedhë atë (kufrin).
2. Kushtet në vepër apo fjalë të kufrit: që kjo vepër a fjalë e kufrit të vërtetohet me argument të sheriatit se është kufër i madh apo shirk i madh. Apo të jetë vepër a fjalë e kufrit e përmendur nga dijetarët si e tillë.
Njashtu fjala apo vepra e kufrit të jetë e qartë në kuptim të kufrit. Apo të përmbajë tekst të qartë të kufrit. Pra mos të jetë fjalë e shumëkuptimshme. Për shembull, prej fjalëve të qarta janë: fjalët e shirkut të madh siç janë fjalët – o zotëri filani më shëro, më furnizo, unë kërkoj ndihmën dhe përkrahjen tënde.
Po ashtu, prej veprave të kufrit të qartë janë: hedhja e mus’hafit në mbeturina me qëllim, duke e ditur se ky është libri i Allahut. Ngase kjo vepër nuk mban ndonjë kuptim tjetër vetëm se mospërfillje.
Sa i përket fjalëve me më shumë se një kuptim, të cilat mund të përmbajnë kuptim të kufrit por mund edhe mos të kenë kuptim të tillë, siç janë fjalët e ithtarëve të bidatit, fjalët e të cilëve nuk janë të qarta në kufër edhe pse prej tyre nuk mund të konstatohet tjetër vetëm se kufri.
Dijetarët në librat e tyre përmendën disa shembuj. Kur kemi fjalë dhe vepra të cilat ka mundësi të kenë kuptim të kufrit, kjo quhet tekfir me gjëra të shumëkuptimshme apo tekfir me fjalë që shpijnë në kufër.
Pra kjo fjalë vetvetiu nuk është kufër, por shpie në kufër. Gjatë këtyre fjalëve duhet të ndalemi vetëm nëse ai pranon vetë atë që nxirret si përfundim prej asaj fjale në mënyrë të qartë. Siç do ta përmendim këtë në një kaptinë të veçantë.
Dijetarët për këtë kanë përmendur shembuj të shumtë, prej tyre janë:
1. Kadi Ijadi, rahimehullah, thotë: “Kam prezantuar tek hoxha jonë Ebu Abdilah Muhamed b. Isa gjatë gjykimit të tij se një njeri kishte fyer një tjetër pasi kishte qëlluar një qen dhe i kishte thënë: Ngrihu o Muhamed. Por ai mohoi të ketë thënë këtë. Mirëpo disa njerëz dëshmuan për këtë, prandaj ai urdhëroi të burgoset që të pyet më shumë për gjendjen e këtij njeriu. Mirëpo nuk gjeti diç për të forcuar dyshimin e tij për t’i rënë me shpatë, andaj e lëshoi. Shpjeguesi tha: Emri i hasmit të tij ishte Muhamed”.
2. Kadi Ijadi, njashtu thotë: “Ndodhi një mesele për të cilën u pyetën kaditë e Endelusit të cilët e pyetën hoxhën tonë Ebu Muhamed b. Mensurin, rahimehullah, për një njeri i cili ofendoi tjetrin. Ai kishte thënë: Ti deshe të më ofendosh me fjalën tënde, ndërsa unë jam njeri dhe të gjithë njerëzit kanë mangësi, madje edhe Pejgamberi, sal’Allahu alejhi ue selem. Ai i dha fetva që t’i zgjatet burgimi dhe t’i shtohet uria nëse nuk e ka pasur për qëllim fyerjen e tij. Ndërsa disa fukaha të tjerë nga Endelusi, dhanë fetva për vrasjen e tij”.
3. Shejhul Islam, Ibn Tejmije, është pyetur për një njeri i cili një njeriu të ndershëm i thotë: O qen i biri i qenit, mos e zgjat dorën tënde në ujin e hamamit. Atij i thanë: Ai është i ndershëm (nga familja e Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem). Ky përgjigjet dhe thotë: Allahu e mallkoftë dhe e mallkoftë atë i cili e ka bërë të ndershëm. Pastaj i thanë: Ku e ke mendjen? Ky është prej (familjes së Pejgamberit) sherif! Kurse ky tha: qen biri i qenit, u ngrit dhe e qëlloi. A është obligim të vritet ky person apo jo? Ndërsa për këtë dëshmoi një armik i tij?
Ai (shejhul Islam) u përgjigj: “Nuk pranohet dëshmia e armikut kundër armikut edhe nëse ai është i drejtë. Për këto fjalë nuk mund të vritet. Ai shqyrtohet duke e pyetur për fjalën e tij dhe atë i cili e ka bërë të ndershëm, apo përmes fakteve nga fjalët e tij se ka pasur për qëllim mallkimin e Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem, në këtë rast është obligim vrasja e tij. Nëse nuk vërtetohet me fakte prej fjalëve të tij se ka pasur për synim mallkimin e Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem, por atë i cili e madhëron dhe respekton, apo mallkon atë i cili beson se është sherif, me pajtimin e gjithë dijetarëve kjo nuk është shkak për vrasjen e tij”.
4. Shejhul Islam, Ibn Tejmije thotë: “Kush fyen një prind nga fisi Hashimij, për këtë dënohet, mirëpo nuk është fyerje ndaj Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem. Edhe nëse fyen babanë apo gjyshin e tij kjo nuk bartet në kuptimin e fyerjes së Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem. Ngase kjo fjalë nuk është e qartë, sepse gjyshi i njeriut është babai i babait, kur një njeri të përmend gjyshin kjo fjalë nënkupton shumë gjysha. Prandaj imani i tij i bindshëm nuk largohet me dyshim. Gjaku i mbrojtur nuk lejohet me dyshim. Sidomos kur në rastet më të shpeshta muslimani nuk synon fyerjen e Pejgamberit, sal’Allahu alejhi ue selem. Kjo nuk mund të konstatohet as nga fjalët e as nga gjendja e tij. Prandaj nuk pranohet fjala e atij i cili pretendon se ka pasur për qëllim Pejgamberin sal’Allahu alejhi ue selem, pa ndonjë argument”.
Dijetarët sollën shembull për këtë mesele me një njeri i cili falet ka kibleja, por para tij ka zjarr apo varr. Kështu mund të ketë kuptimin se bën sexhde për Allahun apo për zjarrin, ose për varrin. Prandaj patjetër duhet të shqyrtojmë gjendjen e tij. Duhet të shikojmë faktet e tij. A është njeri i mirë në fe, a ka dyshime në fenë e tij, apo është mexhus i cili shfaqë Islamin nga frika. Imam Buhariu përmendi këtë në kaptinë: Ai i cili falet para zjarrit apo diç që adhurohet me të cilën do adhurimin e Allahut”.
Gjithashtu prej kushteve të tekfirit konkret është verifikimi i riddes dhe kufrit në mënyrë të vërtetë të sheriatit. Ngase njeriu i ngarkuar me obligime nuk mund të dënohet për fjalët dhe veprat në dispozitat e kësaj bote, vetëm nëse kjo verifikohet me mënyrë të sheriatit. Siç janë pranimi i krimit, apo dëshmia e dëshmitarëve.
Sa i përket riddes, siç është thënia e fjalëve apo veprimi i veprës së kufrit, kjo verifikohet me dy gjëra: me pranimin e vetë njeriut, apo me dëshminë e dy njerëzve muslimanë të drejtë. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.
Për këtë nuk kundërshtuan, përveç Hasenit, i cili kushtëzoi të jenë katër dëshmitarë për ridde, duke e krahasuar këtë me zinanë ngase dënimi është vrasja.
Gjatë dëshmisë për ridde, ajo duhet të merret në mënyrë detajuar, këtu nuk pranohet dëshmia e përgjithshme. Ngase ajo që ndodhi nuk është kufër as ridde.
Kadi Burhanedin b. Ferhun Malikij, thotë: “Dëshmia e përgjithshme për ridde nuk pranohet. Siç është fjala e dëshmitarëve, filani bëri kufër dhe ridde. Ata duhet patjetër ta shprehin dëshminë në detaje si dhe atë që dëgjuan dhe panë. Ngase njerëzit kanë dallim në tekfir, duke besuar për diç se është kufër e cila nuk është kufër”.
SHPJEGIMI I FJALËS SË IBN TEJMIJES: “DHE TË LARGOHEN PENGESAT”
Pengesë është: ajo që me ekzistencën e së cilës dispozita nuk ekziston, dhe me mosekzistimin e saj nuk do të thotë se edhe dispozita ekziston.
Pengesat e tekfirit ndahen në tre lloje:
1. Pengesa tek vepruesi: është ajo që e bën atë që të mos dënohet për fjalët dhe veprat e tij në sheriat, të cilat quhen pengesa të zbatimit, siç janë: injoranca, gabimi, keqinterpretimi (te’vil) dhe dhuna (ikrahu).
Sa i përket kësaj zotësisë së zbatimit të urdhrave, kjo tek usulijinët ndahet në dy lloje:
Lloji i parë: zotësia e vërtetësisë – pra për t’u pranuar fjalët dhe veprat në sheriat. Ato janë mendja e shëndoshë, mosha madhore, dhe kjo zgjedhje është prej kushteve të vërtetësisë së veprave.
Lloji i dytë: zotësia e obligimit, kjo do të thotë zotësia për të pasur të drejta dhe obligime.
Pengesat e zbatimit kanë të bëjnë me zotësinë e vërtetësisë. Ato janë disa çështje të cilat i ndodhin njeriut të cilat bëjnë që fjalët dhe veprat e tyre mos të konsiderohen në sheriat.
Pengesa në vepër të kufrit: nëse vepra nuk është e qartë në kufër, apo nëse argumenti i sheriatit nuk është i prerë.
Pengesa në verifikim: që pengon nga vërtetimi i veprës së kufrit tek personi i caktuar, nëse njëri nga dëshmitarët nuk është i drejtë, nëse nuk i pranohet dëshmia, apo nëse ai është i vogël.
Ebul Ula b. Rashid b. Ebil Ula Rashid
Libri: Dawabit-tekfir el muajen (Në recensim të Shejh Salih el-Feuzan)
Përktheu: Teuhid.NET
Kujdes! Ky kapitull nuk kuptohet vetëmse pas leximit të temës së ardhshme. Andaj të argumentohemi vetëm me këtë temë duke e fshehur temën tjetër, është hile në fenë e Allahut subhanehu ue teala! Po ashtu, edhe tema e ardhshme nuk kuptohet vetëm se me leximin e temës së kaluar, sepse të gjitha temat janë të lidhura njëra me tjetrën!
Vazhdon me temën: Kushti i ngritjes së argumentit për tekfirin konkret



